Androkli Kostallari, figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare

May 20, 2017 09:40

Androkli Kostallari, figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare

Prof. dr. Rami Memushaj dhe Prof. as. Kujtim Kapllani

Për gati një gjysmë shekulli akad. A. Kostallari ka qenë një nga figurat qendrore në fushën e albanologjisë. Ai u shqua për horizontin e tij të gjerë, për ide të guximshme dhe për aftësi të rralla organizative, të cilat i dëshmoi që nga koha kur mori përsipër barrën e rëndë të organizimit e të krijimit të institucioneve kulturore e shkencore e deri në fund të jetës. Pa e tepruar, mund të themi se shumë nga arritjet e gjuhësisë shqiptare dhe të disiplinave të afërta mbajnë vulën e tij.

Si drejtor i Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë të Universitetit të Tiranës (1957–1972), ai mori pjesë aktive në ideimin, projektimin dhe udhëheqjen e veprimtarisë shkencore të gjuhësisë, të letërsisë, të historisë, të folklorit letrar e muzikor, të arkeologjisë, të etnografisë etj., duke krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në të gjithë Shqipërinë, të cilët qëmtonin me vëmendje të dhëna nga kultura dhe trashëgimia popullore.

Punën shkencore akad. A. Kostallari e pati filluar që student në Moskë, si bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht (1951), si autor i një shkrimi për problemet themelore të gjuhësisë shqiptare (1953) dhe si redaktor i “Fjalorit rusisht-shqip” me 25 mijë fjalë (1954), ku ai, me gjithë moshën e re, shfaqi formimin e shëndoshë shkencor në fushën e leksikologjisë e të teknikës leksikografike dhe një njohje të mirë e të gjithanshme të gjuhës shqipe. Po pas kthimit në Atdhe ai nisi një veprimtari të dendur shkencore, me artikuj e monografi, me kumtesa e referate në konferenca e kongrese kombëtare e ndërkombëtare dhe si anëtar i komisionit hartues në serinë e gjatë të fjalorëve terminologjikë. Më 1961, nën drejtimin e tij filloi përpunimi i një projekti të ri të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, i cili u botua në shkurt 1967, si “një drejtshkrim i vetëm për një formë të vetme të gjuhës letrare” dhe, si i tillë, pas një viti u miratua njëzëri nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968) për t’u përdorur nga shqiptarët në ish-Jugosllavi, duke u bërë kështu drejtshkrim i gjuhës letrare kombëtare shqipe.

Në karrierën shkencore e drejtuese të akad. A. Kostallarit duhen veçuar dy momente kulmore: puna për hartimin e fjalorit shpjegues të gjuhës standarde dhe organizimi i Kongresit të Drejtshkrimit (20–25 nëntor 1972). Pas botimit të Projektit të drejtshkrimit më 1967 dhe ribotimit të tij në Prishtinë më 1968, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë nën drejtimin e A. Kostallarit organizoi për katër vjet një diskutim të gjerë masiv të Projektit në gjithë vendin. Kjo solli edhe rritjen e interesimit të shoqërisë e të administratës së shtetit për problemet e gjuhës letrare.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur zhvillimeve në Prishtinë, ai propozoi të mbahej në Tiranë një konferencë për drejtshkrimin. Propozimi e tij u pranua, po me ndryshimin që të mos ishte konferencë, po kongres mbarëkombëtar. Si kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit, ai tregoi aftësitë e tij të gjithanshme në të gjitha fazat e ndërtimit të asaj veprimtarie me vlerë të lartë shkencore e kombëtare. Në Kongres mbajti referatin “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, që përbën një nga arritjet e tij më të rëndësishme në trajtimin teorik të problemeve të formimit të shqipes letrare.

Pas botimit të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), përpunuar sipas Rezolutës dhe materialeve të tjera të Kongresit, ai, për t’i çuar punët, si gjithmonë, deri në fund, punoi për ndërgjegjësimin e opinionit lidhur me nevojën e kujdesit shtetëror për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjitha institucionet shtetërore, në të gjitha organet e shtypit dhe në mjetet e tjera të komunikimit masiv.

Por puna së cilës A. Kostallari i kushtoi gjithë jetën ishte hartimi i fjalorit shpjegues të gjuhës shqipe. Me një varg studimesh monografike rreth parimeve teorike të hartimit të fjalorit normativ të shqipes, rreth strukturës së sistemit leksikor të gjuhës shqipe dhe rreth disa prej mënyrave fjalëformuese tepër prodhuese të shqipes, ai përgatiti shtratin teorik ku do të lindte “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), në të cilin pasqyrohet në mënyrën më të plotë kodifikimi i normës leksikore, morfologjike, drejtshkrimore e drejtshqiptimore të shqipes standarde. Ky fjalor, që për nga vëllimi i fjalësit dhe struktura semantike e zërave nuk është kapërcyer deri më sot, ka marrë vlerësime edhe prej botës shkencore. Punën për hartimin e kësaj vepre madhore të gjuhësisë shqiptare akad. Kostallari e udhëhoqi si kryeredaktor nga fillimi e derisa pa dritën e botimit.

*          *          *

Krahas punës së talentuar drejtuese e organizative për të ideuar, shtruar probleme e dhënë zgjidhje të mprehta në mjediset më të përmendura shkencore, punë e cila i ka zënë një pjesë të mirë të kohës, akad. A. Kostallari punoi pa u lodhur ditë e natë për përmbushjen e projekteve të veta krijuese. Trashëgimia shkencore që na ka lënë është shumë e pasur dhe shumëplanëshe. Ajo përfshin studime teorike në fushën e kulturës së gjuhës, të leksikologjisë, të leksikografisë etj., të botuara në shtypin tonë shkencor dhe disa prej tyre edhe në revistat e huaja gjuhësore, si dhe punë konkrete leksikografike të mishëruar në fjalorët shpjegues e në fjalorin drejtshkrimor të shqipes, në tekste normative e metoda të shqipes, në fjalorë dygjuhësh (shqip-rusisht e rusisht-shqip) dhe në një mori fjalorësh terminologjikë. Vepra e tij shkencore përbën një thesar që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të rretheve shkencore në një varg vendesh.

Vepra shkencore e akad. A. Kostallarit, që përfshin monografi, studime, referate, raporte në konferenca shkencore dhe artikuj në shtypin periodik e të përditshëm, është përmbledhur në katër vëllime. Botimi i saj u mor përsipër nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe dy vëllimet e para kanë dalë tashmë nga shtypi, ndërsa dy vëllimet e tjera janë duke u dërguar në shtyp.

Në korpusin e veprës së akad. Kostallarit nuk janë përfshirë leksionet e tij të gjuhësisë së përgjithshme, ato për fjalëformimin si dhe leksionet e kurseve pasuniversitare, për arsye se nuk gjetëm kopje të daktilografuara të tyre. Por, ndërkohë, kemi rënë në gjurmë të këtyre materialeve, që i ruajnë studentë të tij, të cilat mendojmë t’i botojmë si një vëllim i gjashtë.

*          *          *

Në vëllimin e parë dhe të dytë, me titull “Studime në fushën e gjuhës letrare kombëtare”, janë përfshirë studimet për problemet e gjuhës letrare, të fjalëformimit e të leksikografisë, në të cilat akad. A. Kostallari ka trajtuar në rrafshin teorik e praktik çështjet e standardizimit të gjuhës shqipe dhe të hartimit të kodeve e të veprave normative të saj.

Në vëllimin e parë shquajnë për nivelin e lartë teorik, për pasurinë e lëndës gjuhësore të trajtuar dhe për përfundimet e nxjerra nga trajtimi i kësaj lënde monografitë “Mbi tiparet kryesore të shqipes së sotme letrare”, “Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë”, “Gjuha e sotme letrare kombëtare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, “Gjuha letrare e kohës sonë”, “Mbi disa drejtime të përkryerjes së sistemit e të strukturës së gjuhës sonë letrare” dhe “Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë”.

Kostallarit i takojnë ndihmesat kryesore në trajtimin e problemeve të lidhura me planifikimin gjuhësor të shqipes dhe me gjuhën standarde. Në gjuhësinë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar ai shfaqet si njohësi më i mirë, në mos i vetmi, i teorisë së planifikimit gjuhësor. Kjo duket nga emrat e sociolinguistëve të njohur që përmend, nga burimet e literaturës që citon, nga terminologjia e planifikimit gjuhësor që përdor dhe nga kuptimi bashkëkohor i raporteve midis gjuhës letrare dhe varianteve të saj. Në lidhje me këtë, vërejmë se në literaturën tonë gjuhësore ende nuk bëhet dallimi midis varianteve gojore dhe varianteve letrare të gjuhës. Me mungesën e këtij dallimi shpjegohen edhe pohimet për zhvillimin konvergjent dhe shkrirjen e dialekteve. Ndërkaq nga leximi i vëmendshëm i shkrimeve të A. Kostallarit del se ai ka qenë i vetëdijshëm për këtë dallim. Kështu, në hyrje të punimit “Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë”, ai flet për mbizotërimin e zhvillimit konvergjent dhe të ndërveprimit “midis varianteve letrare, ku pasqyrohet evolucioni konvergjent i dy dialekteve të shqipes”, ndërkohë që nuk e pranon këtë zhvillim konvergjent për variantet e folura (të folmet vendore), të cilat nuk shkrihen.

Por variantet letrare, pas krijimit të gjuhës standarde, pushojnë së jetuari, siç ndodhi pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës e sidomos pas Kongresit të Drejtshkrimit. Me shuarjen e varianteve letrare, gjuha letrare hyn në marrëdhënie me variantet e folura të gjuhës, dmth. me të folmet vendore. Prandaj Kostallari nuk flet më për raporte gjuhë letrare – variante letrare, po për marrëdhënie midis gjuhës letrare dhe të folmeve vendore, si variante gojore të gjuhës shqipe. Këtë ide e nyjëton qartë në punimin “Gjuha letrare kombëtare dhe epoka jonë” (1984). “Po ta shohim në tërësinë e saj gjuhën e sotme shqipe si një sistem variantesh, – shkruan ai, – mund të themi se në krye të tyre qëndron gjuha letrare kombëtare me trajtën e saj të shkruar, që ka edhe zbatim gojor pothuajse të njëjtë.”

Vëllimi i dytë përmban një numër monografish, studimesh e artikujsh për planifikimin e statusit të shqipes në trojet etnike e në diasporë. Studimet “Periudha e Luftës Nacionalçlirimtare – fazë e veçantë në procesin e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe” dhe “Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe pas Çlirimit dhe përpjekjet e sotme për kulturën gjuhësore”, bashkë me referatin “Gjuha e sotme letrare kombëtare shqipe dhe problemet themelore të drejtshkrimit të saj”, mund të shihen si pjesë të një monografie për historinë e planifikimit gjuhësor të shqipes. Në analizën e ecurisë së politikave gjuhësore të shoqërisë në këto dy etapa akad. A. Kostallari shfrytëzon një material dokumentues shumë të pasur dhe të dhëna statistikore të hollësishme, të cilat i përdor për të mbështetur përfundimet që nxjerr lidhur me qëndrimin e shoqërisë shqiptare ndaj gjuhës së vet.

Ndër studimet kushtuar diasporës, monografia “Diaspora e sotme shqiptare dhe gjuha letrare kombëtare e njësuar” i kushtohet çështjes së gjuhës letrare të arbëreshëve të Italisë dhe të arbërorëve të Greqisë. Prof. Kostallari argumenton se zgjidhja më e drejtë e çështjes së gjuhës letrare të arbëreshëve të Italisë e të Greqisë është përqafimi prej tyre i gjuhës letrare kombëtare, pasi asnjë e folme e diasporës, “nuk është larguar nga sistemi i gjuhës kombëtare aq sa të fitojë tiparet strukturore të një gjuhe më vete”.

Një vend të mjaftë zënë në këtë vëllim studimet për punën e bërë për pastrimin e pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe. Në studimin “Pastrimi e pasurimi i gjuhës letrare dhe gjuha popullore si dy nga vijat themelore të politikës gjuhësore të shtetit tonë” vihet në dukje se themelet e gjuhës letrare kombëtare të sotme u hodhën nga Rilindja. Rilindësit donin që gjuha letrare e kombit tonë të mbështetej te gjuha e folur, gjë që mund të arrihej duke nxjerrë fjalët që ndiheshin si të huaja dhe duke ruajtur sa më të plotë strukturën fonetike, morfologjike e fjalëformuese të fjalëve të shqipes. Prof. Kostallari thekson se puna për pastrimin e leksikut të shqipes nga fjalët e huaja dhe pasurimin e tij me fjalë vendi e nisur nga rilindësit përbën një konstante të politikës gjuhësore që u ndoq nga Komisia Letrare e Shkodrës dhe nga shteti shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore, kur u vu në baza më të organizuara puna për të pastruar e pasuruar gjuhën tonë letrare.

***

Duke iu përgjigjur mendimit të disa gjuhëtarëve se lëvizja për të pastruar shqipen letrare në shek. XIX e XX është lëvizje puriste që e ka varfëruar shqipen, akad. Kostallari thotë se arsyeja e kësaj lëvizjeje, karakteristike për të gjitha gjuhët e Ballkanit, është përpjekja për ta shpëtuar gjuhën amtare, që ishte përmbytur me orientalizma, prandaj nuk ka purizëm të tepruar as në periudhën e Rilindjes, as sot, kur lëvizja për pastërtinë nuk është drejtuar vetëm kundër turqizmave, po edhe kundër oksidentalizmave të panevojshëm. Pra, në shqipe nuk ka pasur një pastrim purist dhe dëshmi për këtë janë rreth 1500–1800 turqizma që gjenden në fjalorët e sotëm. Dhe nga kjo lëvizje gjuha shqipe nuk është varfëruar, se pastrimi është shoqëruar gjithmonë me pasurimin e leksikut me fjalë të brumit shqip.

Pjesë e këtij vëllimi janë edhe dy shkrime kushtuar veprimtarisë gjuhësore të J. de Radës dhe të N. Frashërit. Në studimin “Vepra e Naim Frashërit për gjuhën letrare të kombit” vlerësohet puna e Naimit si njeriu që luajti rolin kryesor në hedhjen e themeleve të gjuhës sonë letrare kombëtare të mbështetur në gjuhën e gjallë të popullit, duke bërë një punë mjeshtërore “për ta pastruar gjuhën shqipe nga fjalët e ndërtimet e huaja të panevojshme”. Por, duke qenë se leksiku i varfër i shqipes nuk i mjaftonte, ai iu drejtua gjuhëve të tjera duke marrë prej tyre jo fjalë, po gjedhe për të ndërtuar me lëndën e shqipes fjalë të reja. Në këtë mënyrë, Naimi çeli një hulli në të cilën kanë ecur të gjithë lëvruesit e shqipes nga Rilindja e deri sot, e cila përbën thelbin e politikës gjuhësore në fushën e leksikut.

*          *          *

Vëllimi i tretë “Fjalëformimi dhe leksikografia” përmban punime e shkrime për leksikologjinë, leksikografinë dhe fjalëformimin, që kanë qenë fushat kryesore të punës së akad. Kostallarit. Të gjitha shkrimet e këtij vëllimi kanë qenë të botuara më parë në revistën “Studime filologjike” ose në tri vëllimet e serisë “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”. Në këtë vëllim janë përfshirë monografi e artikuj që mund të grupohen në tri rubrika: studime për fjalët e përbëra të shqipes: “Mbi disa veçori të strukturës kuptimore të fjalëve të përbëra pronësore të shqipes”, “Mbi disa veçori të fjalës së përbërë në gjuhën shqipe”, “Kompozitat dëshirore dhe urdhërore të shqipes”, “Kompozitat ekzocentrike të shqipes si tema fjalëformuese” dhe “Fjalë me strukturë të gjerë kuptimore”; studime për parimet e hartimit të fjalorëve: “Parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” dheFjalori i tipit të mesëm me përmasa më të ngjeshura”; dhe artikuj për leksikun popullor: “Vëzhgime mbi disa grupe fjalësh popullore të trojeve verilindore të shqipes”, “Fletorja e fjalës së rrallë – një mjet i gjallë për të mbledhur leksikun dhe frazeologjinë nga goja e popullit”, “Fjalë dhe shprehje popullore nga krahina e Lumës” dhe “Fjalë dhe shprehje popullore nga rrethi i Dibrës”

Në studimet nga fusha e fjalëformimit, akad. A. Kostallari ka trajtuar shterueshëm fjalët e përbëra në gjuhën shqipe. Këto studime dallohen për mbështetjen në një literaturë shumë të pasur, që dëshmon për njohjen prej autorit të studimeve për kompozitat në gjuhësinë botërore dhe të qëndrimeve të gjuhëtarëve shqiptarë për këtë temë; për vështrimin e kompozitave të shqipes në përqasje me gjuhët e sotme indoeuropiane dhe greqishten e vjetër e latinishten; për mbështetjen në një material shumë të pasur faktik, të vjelë nga burimet e shkruara e nga ligjërimet popullore si dhe për vlerësimin e pasurisë leksikore të gjuhës shqipe dhe mundësitë e mëdha të pasurimit të saj me formime të reja të këtij lloji; dhe për analiza semantike e fjalëformuese, për klasifikime e përgjithësime.

Studimet në fushën e leksikografisë përbëjnë platformën teorike të Institutit të Gjuhësisë për hartimin e fjalorit shpjegues të shqipes. Mbi parimet e parashtruara në monografinë “Parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” është mbështetur Fjalori i vitit 1980, me 41.000 fjalë, si dhe fjalorët e tjerë shpjegues të botuar më pas. Këto parime përbëjnë një bazë të shëndoshë teorike për leksikografisë shqiptare edhe në të ardhmen. Njohja e këtyre studimeve leksikografike është nevojë e ditës sot, kur detyra për hartimin e një fjalori të ri shpjegues me të paktën dyfishin e fjalëve të fjalorëve ekzistues është bërë urdhëruese për gjuhësinë shqiptare.

Vëllimi i katërt “Çështje të filologjisë shqiptare” përmbledh punime që janë paraqitur si referate në kongrese e konferenca shkencore dhe janë botuar në revista të ndryshme, si në “Studime filologjike”, “Gjurmime albanologjike” etj. Të përmbledhura këtu në një vëllim të posaçëm, ato marrin një vlerë të re, sepse përmbajnë problematika e orientime për zhvillimin e mëtejshëm të albanologjisë.

Tematika e këtyre punimeve është shumë e larmishme: artikuj për fushën e gjuhësisë, po edhe për fusha të tjera, si folklori, letërsia, historia, për figura të albanologjisë etj. Ndër to një vend të posaçëm zë referati “Gjendja e studimeve albanologjike në Shqipëri, probleme dhe detyra të reja” (1962), në të cilin jepet një panoramë e zhvillimit të shkencave filologjike e historike para Çlirimit, parashtrohen arritjet kryesore të studimeve albanologjike pas Çlirimit dhe përvijohen vijat e zhvillimit të tyre në të ardhmen si dhe detyrat kryesore që shtrohen para tyre. Këto çështje rimerren edhe në disa artikuj të tjerë. Në disa shkrime të tjera, që janë të natyrës diakronike, flitet për lidhjet e shqipes me ilirishten dhe për gjenezën e shqiptarëve. Në studimin “Rreth studimeve onomastike në lëmin e shqipes” ai jep një pasqyrë tërësore të etapave të zhvillimit të shkencës onomastike dhe një vështrim kritik retrospektiv të kërkimeve onomastike në fushë të shqipes, të ndihmesave në mbledhjen dhe studimin e toponomastikës në suazën e kërkimeve e të studimeve të përgjithshme albanologjike dhe parashtron disa nga vëzhgimet e pikëpamjet e veta për lëndën e mbledhur e për detyrat kryesore që dalin në këtë fushë. Duke nënvizuar rolin e onomastikës, veçanërisht për shqipen si gjuhë me dokumentim të vonë, ai vë në dukje se “asnjë nga shkencat historike e gjuhësore që është marrë me Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk ka ecur përpara pa pasur ndihmën e të dhënave të onomastikës”.

Me interes të veçantë janë shkrimet e akad. A. Kostallarit për çështje të letërsisë, në të cilat ai shfaqet po aq origjinal sa në shkrimet gjuhësore. Në artikujt rreth prirjeve të zhvillimit të gjuhës së poezisë popullore dhe vlerave gjuhësore të Eposit, që e vlerëson si “një përmendore të shkëlqyer gjuhësore të popullit tonë”, ai thekson nevojën e studimit të thellë gjuhësor të kësaj krijimtarie.

Dy studime të tjera letrare me shumë prurje vetjake janë “Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore” dhe “Një vepër e panjohur poetike e Franc Nopçës (“Gedichte” von Colez Marku). Në të parin ai sjell një informacion shterues për trajtimin e figurës së Skënderbeut në letërsinë e vendeve të ndryshme të botës duke filluar nga shek. XVI e deri në shek. XX. Këtë vend që zë heroi ynë kombëtar në letërsinë botërore, ai e argumenton me atë që Skënderbeu është parë si një kampion i lirisë dhe se figura e tij do të rrojë edhe si figurë historike, edhe si figurë letrare përderisa në botë të ketë “popuj që luftojnë për të fituar e për të mbrojtur lirinë kundër grabitësve të saj”. Ky studim merr një vlerë aktuale sidomos në ditët tona, kur janë ngritur zëra për “çmitizimin” e figurës së tij dhe për ta zhbërë epokën skënderbejane.

Studimi tjetër është për një vëllim me vjersha të baronit F. Nopça, të zbuluar prej vetë akad. A. Kostallarit në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës. Duke bërë një punë të mirëfilltë filologjike mbi këtë vëllim në dorëshkrim, ai arrin në përfundimin se autori i tij “është dijetari i mirënjohur hungarez Ferenc (Franz) Nopsca”. Ai i bën veprës një analizë të hollësishme letrare, duke nxjerrë prej saj edhe të dhëna për kohën kur janë shkruar poezitë, si dhe për vetë jetën e Nopçës.

Një cikël më vete formojnë studimet për gjuhën e autorëve të vjetër, si Matrënga e Bogdani, si dhe për prurjet e arbëreshëve të Greqisë në fushën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Në këto studime gjendet një informacion shumë i pasur për kulturën arbëreshe dhe për veprimtarinë e autorëve arbëreshë, që kanë qenë të panjohura ose shumë pak të njohura. Këto studime janë një tregues i asaj se me sa vëmendje i ndiqte akad. A. Kostallari zhvillimet kulturore e gjuhësore në diasporën shqiptare të Italisë dhe të Greqisë.

“Pjetër Bogdani dhe gjuha letrare shqipe” është një punim tjetër i gjatë që i kushtohet Kontributit të Bogdanit “si lëvruesi më i shquar i gjuhës shqipe përpara Rilindjes Kombëtare”. Duke i bërë një analizë të thelluar veprës “Çeta e profetënvet”, Kostallari vë në dukje meritat e Bogdanit si klerik liridashës e kryengritës i cili do që “t’Arbëneshtë të jenë thjesht një popull i lirë e i shkolluar në gjuhën e vet amtare” dhe si autor që ka sjellë risi në lëvrimin e shqipes. Ai tërheq vëmendjen për vlerësimin si duhet të koncepteve dhe të përpjekjeve të Bogdanit për gjuhën shqipe dhe të rolit të veprës së tij në procesin e formimit të gjuhës letrare shqipe.

Ndikimi i gjuhës turke në leksikun e gjuhës shqipe është një temë e trajtuar nga shumë autorë të huaj. A. Kostallari, në dy shkrime të kësaj përmbledhjeje, pas një vështrimi historik të depërtimit të turqizmave në gjuhën shqipe, jep numrin dhe fushat e jetës ku kishin depërtuar ato, duke arritur në përfundimin se rreth tri të katërtat e tyre lidhen kryesisht me jetën qytetëse, ku ndihej i fortë ndikimi i kulturës dhe i fesë islame, i administratës civile e ushtarake osmane. Prandaj, me shembjen e sundimit otoman, pesha e turqizmave, që kishin rrezikuar t’i zinin frymën gjuhës shqipe, erdhi duke u pakësuar me shpejtësi. Përkundër mendimeve se mënjanimi i turqizmave ka sjellë varfërimin e shqipes, ai argumenton në këto dy shkrime se leksiku i saj ka ardhur duke u pasuruar.

Një cikël tjetër përbëjnë shkrimet kushtuar Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejt e Ali Hadrit, në të cilat vlerësohet vepra e këtyre figurave të shquara të gjuhësisë e të kulturës shqiptare. Me veprën e tij madhore dhe me ndihmesat e padiskutueshme në standardizimin e gjuhës shqipe dhe në studimin e saj, akad. A. Kostallari nuk i takon vetëm kohës së tij, ai do t’u takojë edhe shekujve që do të vijnë. Më veprën e tij, ai zë një vend të nderuar në panteonin e gjuhësisë shqiptare, si një ndër studiuesit më të shquar të gjuhës shqipe. Emrit dhe veprës së tij do t’i shkonin fjalët që ky vetë i thoshte për Pjetër Bogdanin: “Njerëzit e mëdhenj punojnë jo vetëm për kohën e vet, por edhe për të ardhmen.” Pikërisht këtu qëndron madhështia dhe jetësia e veprës së tij.

 

May 20, 2017 09:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*