Anemia, kujdes me parazitët në zorrë e ulcerat e stomakut

Pranvera Kola January 5, 2015 13:54

Anemia, kujdes me parazitët në zorrë e ulcerat e stomakut

Mungesa e hekurit e raportuar nga një analize e thjeshtë gjaku, nuk duhet kurrsesi të pasohet me vajtjen në farmaci për të marrë plotësuesit e hekurit. Pjesa dërrmuese e rasteve të identifikuara me anemi në këtë lloj forme, abuzojnë me trajtimin që ndjekin. Kjo pasi anemia rëndom mendohet si mungesë e hekurit, duke kërkuar zëvendësuesit direkt në farmaci. Veprim ky i gabuar, pasi anemia mund të jetë e shkaktuar nga prania e parazitëve, infeksioneve të ndryshme që shfaqen në organizëm, sëmundjet e stomakut, kryesisht ulcerat dhe gastritet, etj. Në prani të këtyre ndërlikimeve, trajtimi i anemisë duhet të ndjekë një procedurë rigoroze, me doza të mirëpërcaktuara nga mjeku hematolog dhe jo farmacisti. Koha e trajtimit të anemisë përcaktohet në bazë të ekzaminimeve periodike ciklike. Për lexuesit e gazetës “Dita”, mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon se cilat janë shkaqet më të shpeshta çojnë në shfaqjen e mungesës së hekurit në gjak, si dhe rrugët që duhet të ndiqen për të zëvendësuar këto mungesa, pa u ekspozuar ndaj ndërlikimeve të tjera shëndetësore që shoqërojnë një trajtim të gabuar.

Çfarë është anemia?

Fjala anemi rrjedh nga greqishtja e lashtë që do të thotë mungesë gjaku. Anemitë klasifikohen në lloje të ndryshme, por anemitë që vijnë si rezultat i pamjaftueshmërisë së hekurit janë më të shpeshta. Gjaku është i përbërë nga plazma dhe elementët e figuruara të tij. Plazma është një komponent i lëngshëm i gjakut me ngjyrë qelibari që përbën rreth 55 për qind të vëllimit të tij. Kurse elementët e figuruar të gjakut klasifikohen në tre klasa të mëdha të cilat janë : “Rruazat e kuqe (eritrocitet), rruazat e bardha (leukocitet) dhe trombocitet. Këta elementë formohen dhe zhvillohen në palcën e kockave dhe pastaj dalin në qarkullim me funksione të veçanta. Eritrocitet kanë si funksion kryesor shpërndarjen e oksigjenit nga alveolat e mushkërive në të gjitha indet e organizmit, si edhe marrjen prej tyre të dioksidit të karbonit dhe eliminimit të tij nga organizmi. Përbërësi biokimik kryesor i eritrociteve është një pigment i kuq, mbartës i oksigjenit dhe i dioksidit të karbonit që quhet hemoglobinë. Vetë hemoglobina ka në strukturën e saj pjesën proteinike dhe atomet e hekurit. Kur sasia e hekurit është e pamjaftueshme në përbërjen e hemoglobinës atëherë kemi edhe çrregullime të funksionit të eritrociteve që manifestohet me shenjat përkatëse klinike. Këto janë dhe anemitë më të shpeshta që hasen në praktikën mjekësore. Mungesa e hekurit shkakton gati gjysmën e të gjitha rasteve me anemi në të gjithë botën dhe prek më tepër gratë sesa burrat.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të pamjaftueshmërisë së hekurit?

Pamjaftueshmëria e hekurit mund të vijë si rezultat i humbjeve kronike të gjakut, marrja e pamjaftueshme e tij nëpërmjet ushqyerjes, si edhe kërkesat e shtuara për hekur, gjendje kjo e cila prek si fëmijët, po ashtu edhe të rriturit. Në foshnjat dhe të rinjtë procesi i shpejtë i rritjes shton kërkesat për hekur prandaj edhe gjatë kësaj periudhe mund të krijohen raporte jo të drejta midis kërkesave dhe ushqyerjes së pamjaftueshme dhe jo të shumëllojshme. Prandaj gjatë fëmijërisë dhe rinisë së hershme duhet treguar një kujdes i veçantë për ushqyerjen e shumëllojshme dhe në raporte të drejta me aktivitetin fizik. Gratë gjatë moshës riprodhuese mund të vuajnë nga kjo lloj anemie si rezultat i humbjes gjatë ciklit menstrual. Sigurisht që ky është një proces fiziologjik që organizmi i gruas e kompenson vetë. Këto në përgjithësi ndodhin tek gratë që cikle të gjata dhe me sasi të shtuar. Ndërsa si shkaku më i rëndësishëm i këtyre anemive dhe sidomos për fëmijët e vegjël mbetet infektimi me parazitët. Sot në botë janë të infektuar me parazitë rreth dy miliardë njerëz. Parazitët shkaktojnë inflamacione (infeksione) të zorrëve, gjë e cila çon në humbje kronike të gjakut. Humbja e gjakut çon në humbje të hekurit, i cili gjendet brenda eritrociteve. Sëmundje të ndryshme mund të çojnë në humbje kronike të gjakut siç janë ulcerat e stomakut dhe të zorrëve, kanceret e ndryshme, polipet, etj. Gjithashtu, ka edhe shumë sëmundje të organizmit që çojnë në uljen e thithjes së hekurit, edhe pse sasia e marrë mund të jetë brenda normës. Këto janë infeksione të ndryshme ose aciditeti i shtuar i stomakut (gastritet). Së fundi një shkaktar fiziologjik i deficitit të hekurit është edhe shtatzania gjatë së cilës nëna jeton për dy. Por, në sajë të kontrolleve periodike dhe me mjekime profilaktike këto situata janë të kapërcyeshme dhe nuk shoqërohet me ndërlikime në shëndetin e nënës.

Ç’duhet të bëjnë pacientët që janë të detyruar të përdorin hollues të gjakut?

Shumë kujdes duhet të kenë personat që mjekohen me preparate antikoagulante (hollues të gjakut) siç janë plaviksi, varfarina apo edhe aspirina. Këta persona duhet të kryejnë rregullisht ekzaminimet që u rekomandon mjeku dhe duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të tij. Kjo me qëllim që të mos vihen përballë problemeve të rënduara që shfaqen nga anemia.

Si ndikon dieta ushqimore?

Mungesa e hekurit mund të vijë edhe nga dietat e varfra me hekur. Në pjesën dërrmuese të rasteve mos mbajtja e një balance të duhur ushqimore ndikon në shfaqjen e anemive. Ushqimet që përmbajnë më shumë hekur janë : “Mishi, veza, perimet me gjethe jeshile, fasulet, thjerrëzat, ushqime këto që janë mjaft të domosdoshme gjatë procesit të rritjes.

Po shenjat klinike më të zakonshme cilat janë?

Shenja më e shpeshtë është zbehja e lëkurës dhe e mukozave, por kjo është në varësi të nivelit të hemoglobinës. Vlerat normale të saj luhaten midis 12 dhe 14 g/dl për femrat dhe 13 deri 15 g/dl për meshkujt. Për fëmijët vlerat janë më të ulëta dhe renditen sipas viteve. Kur hemoglobina shkon deri te shifra 11 anemia konsiderohet e lehtë dhe zbehja nuk është e shprehur. Kur hemoglobina zbret nën shtatë, anemia konsiderohet e rëndë dhe zbehja është e theksuar. Mangësitë në hekur diagnostikohen nga matjet laboratorike sepse këto mangësi zhvillohen gradualisht dhe organizmi krijon një lloj përshtatjeje me sasinë e mangët të hekurit. Kur vlerat e hekurit bien ndjeshëm atëherë shfaqen edhe shenjat e lodhjes. Në rastet e anemive të rënda kemi vështirësi në frymëmarrje (dispneja), çarje të këndeve të gojës, ulceracione në mukozën e gojës (stomatite), të cilat edhe mund të mbi-infektohen. Shenja të tjera mund të përmendim uljen e oreksit, vështirësi në gëlltitje, gjendje ankthi, nervozizëm, përgjumje, kapsllëk (konstipacioni), rënie të flokëve, dëmtime të thonjve, gjendje depresive, etj.

Si trajtohen këto lloje anemish?

Përgjithësisht trajtimi i këtyre anemive ka ecuri të mirë nëse merret ndihma e duhur mjekësore. Baza e trajtimit të tyre është terapia zëvendësuese me hekur, por gjithmonë vetëm nën kontrollin e mjekut specialist dhe sipas protokolleve të caktuara. Shpesh njerëzit me një analizë gjaku të thjeshtë u drejtohen farmacive dhe pinë preparate të hekurit pa hesap. Mos harroni se ka shumë sëmundje ku marrja e hekurit dhe e komplekseve shoqëruese vitaminike mund t’i përkeqësojnë ato. Prandaj është mjeku ai që vendos raportet e drejta dhe jep gjykimin e duhur për sëmundjet e ndryshme dhe terapitë e duhura që duhet të ndiqen për të reduktuar pasojat e anemive. Kujdes maksimal duhet t’i kushtojmë edhe regjimit ushqimor. Kjo pasi, ushqyerja e rregullt dhe e pasur ka shumë vlera. Ajo duhet të jetë e shumëllojshme dhe jo e njëanshme. Bëni kujdes me dietat drastike. E rëndësishme është të hash dhe të djegësh kaloritë dhe jo të rrish pa ngrënë dhe të kalosh në anemi. Sigurisht që përveç marrjes së hekurit si zëvendësues rëndësinë kryesore e ka trajtimi i shkakut të anemisë. Kështu duhen trajtuar paralelisht me marrjen e hekurit infeksionet parazitare, ulcerat, ndërhyrjet kirurgjikale në rastet e tumoreve (sipas rastit), infeksionet e tjera, ulcerat, trajtimet suplementare gjatë shtatzanisë. Shoqërimi me vitaminën C rrit përthithjen e hekurit në organizëm.

Pranvera Kola January 5, 2015 13:54
Komento

1 Koment

  1. Shqipe Fazliu Halili January 30, 22:45

    Vuaj nga anemija amund qe shkaku i anemis me esht lajmruar nje kruarje e tersisht etrupit sipasoj e likures te that qe muka shfaq jam shum pagjaksi kam marremendje lodhje e madhe rrahje eshpejt e zemres mundim itrupit qka mkishi kshillu kumuj mu trajtu mekto simtoma ju lutem me ndihmonisa ma shpejt sejam ne hall te madh

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*