Anemia pernicioze, simptomat dhe këshillat si duhet trajtuar

May 18, 2020 13:52

Anemia pernicioze, simptomat dhe këshillat si duhet trajtuar

Pranvera Kola

Anemia është një ndër shqetësimet e shpeshta që haset në praktikat e përditshme mjekësore. Kjo sëmundje mund të shfaqet në forma të ndryshme, ku një prej tyre është edhe ajo që njihet ndryshe si anemia pernicioze, e shkaktuar kryesisht nga vështirësia që has organizmi në përthithjen e vitaminës B12 (duke çuar në mungesë të saj).

Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, problematike në këtë sëmundje mbetet diagnostikimi i hershëm i saj, dhe kjo për shkak të vonesës në shfaqjen e shenjave të dukshme klinike që e ndihmojnë pacientin të kuptojë se ka të bëjë me këtë patologji.

Në përgjithësi sëmundja mund të manifestohet me shenja të tilla, si: lodhje e theksuar, humbje oreksi, ndjesinë e mpirjes apo të shpimit me gjilpëra, mungesë koordinimi, ngathtësi, dëmtime të kujtesës, ndryshime të personalitetit, e mund të shkojë deri në simptoma më të rënduara neurologjike. Në vijim të shkrimit mjekja tregon gjithçka që duhet të dini rreth njohjes së shenjave dalluese të kësaj sëmundjeje, faktorëve që e shkaktojnë më shpesh, si dhe masave që duhet të marrim për të shmangur ndërlikimet e saj.

Çfarë është anemia pernicioze?

Së pari, me termin e përgjithshëm “anemi” kuptojmë një gjendje në të cilën trupi nuk ka një numër të mjaftueshëm të qelizave të kuqe të gjakut, ose të hemoglobinës. Hemoglobina është e pranishme brenda qelizave të kuqe të gjakut dhe është e rëndësishme për transportimin e oksigjenit në të gjitha indet e trupit. Tek meshkujt, anemia përkufizohet në mënyrë tipike si nivel i hemoglobinës më pak se 13,5 gr/100 ml, ndërsa te gratë si nivel i hemoglobinës më pak se 12,0 gr/100ml. Këto përkufizime mund të ndryshojnë pak në varësi të burimit dhe referencës laboratorike të përdorur. Ndërsa termi “Pernicioze”, është një term që do të thotë dëmtues, shkatërrues.

Anemia mund të rezultojë nga ndërprerja në prodhimin e qelizave të gjakut, ose të hemoglobinës, si edhe nga një shkatërrim i shtuar i qelizave të kuqe të gjakut, ose humbje e gjakut. Anemia pernicioze është një sëmundje ku qelizat e mëdha, të papjekura (megaloblaste të cilat janë pararendëse të qelizave të kuqe të gjakut) qarkullojnë në gjak dhe nuk funksionojnë si qeliza të gjakut.

Kjo është një sëmundje e shkaktuar nga marrja e dëmtuar e Vitaminës B12 për shkak të mungesës së faktorit të brendshëm (IF) në mukozën e stomakut. Njerëzit e marrin vitaminën B12 nga produktet shtazore, si nga mishi, ashtu edhe  nga produktet e qumështit. Organizmi është në gjendje ta ruajë vitaminën B12 për një kohë të gjatë, kështu që mbajtja e dietave të ndryshme duhet të vazhdojë gjatë e për vite me radhë përpara se të arrihet një mungesë e vërtetë e Vitaminës B12. Prandaj, simptomat e anemisë pernicioze nuk shfaqen për vite me radhë.

Cila grupmoshë është më e rrezikuar?

Kjo lloj anemie diagnostikohet më shpesh tek të rriturit me moshë mesatare rreth 60 vjeç. Mungesa e vitaminës B12 ndërhyn gjithashtu në sistemin nervor dhe për pasojë mund të shfaqen më herët shenjat e dëmtimit të sistemit nervor përpara se të zbulohet anemia.

Çfarë e shkakton aneminë pernicioze?

Anemia pernicioze konsiderohet si një sëmundje autoimune, në të cilën sistemi imunitar i trupit në mënyrë të gabuar dëmton indet e veta. Mendohet se ulja e përthithjes së vitaminës B12 rezulton nga prania e një autoantitrupi kundër faktorit të brendshëm (IF), një proteinë që gjendet në stomak dhe që është e domosdoshme për thithjen e Vitaminës B12. Normalisht, Vitamina B12 lidhet me faktorin e brendshëm në stomak dhe kjo lehtëson thithjen e saj nga zorrët e holla e më tej gjatë procesit të tretjes. Së bashku me procesin autoimun që sulmon proteinat (IF) në sekrecionet e stomakut, ndodh edhe një reagim tjetër autoimun ndaj qelizave sipërfaqësore të stomakut, duke rezultuar në një formë të inflamacionit (infeksionit) të njohur si gastriti kronik. Kjo formë e anemisë shoqërohet ndonjëherë edhe me sëmundje të tjera autoimune.

A është anemia pernicioze e njëjtë me mungesën e vitaminës B12?

Jo, anemia pernicioze është një formë e mungesës së vitaminës B12 e shkaktuar nga një proces autoimun, të cilin e përshkruam më sipër. Sidoqoftë, shkaqe të ndryshme të mungesës së Vitaminës B12 mund të prodhojnë gjithashtu të njëjtat shenja dhe simptoma si anemia pernicioze.

Shkaqe të tjera të mundshme të mungesës së vitaminës B12 përfshijnë heqjen kirurgjikale të stomakut, ose të një pjese të tij, sëmundje të aparatit tretës (sëmundja Chron), infeksione të aparatit tretës, ushqyerja e dobët, përdorimi i zgjatur i medikamenteve që reduktojnë aciditetin e stomakut, etj.

Cilat janë simptomat kryesore klinike të kësaj sëmundjeje?

Siç e theksuam edhe më lart, mungesa e Vitaminës B12 do të rezultojë në anemi dhe në simptoma neurologjike. Për shkak se organizmi ka mjaftueshëm vitaminë B12 të grumbulluar, do të duhen vite që të shfaqen këto shenja klinike.

Simptomat neurologjike janë të ndryshme dhe mund të jenë jospecifike, pra të tilla që mund të shkaktohen nga shumë arsye dhe jo vetëm nga mungesa e vitaminës B12. Ndjenja e mpirjes, ndjesia e shpimit me gjilpëra, dobësi e përgjithshme, mungesë koordinimi, ngathtësi, dëmtime të kujtesës, si edhe ndryshime të personalitetit mund të jenë të pranishme. Një mungesë e theksuar e vitaminës B12 mund të rezultojë në simptoma më serioze neurologjike duke përfshirë një dobësi të rëndë trupore, kontraktura, mosmbajtje të urinës apo të ujit të trashë.

Simptomat e anemisë do të shfaqen si rezultat i dëmtimit të aftësisë për të mbajtur oksigjenin në gjak. Ato do të shprehen me lodhje, marramendje, gulçim dhe lëkurë e zbehtë.

Në anemi, zemra ndodhet nën stres të vazhdueshëm pasi duhet të punojë më shumë për të dhënë oksigjen të mjaftueshëm në të gjithë organizmin. Kjo mund të rezultojë me rrahje të shpeshta të zemrës, çrregullime të ritmit të zemrës, zmadhim të saj e deri në dështim të punës së zemrës.

Tipike gjatë mungesës së vitaminës B12 është edhe ndryshimi i sipërfaqes së gjuhës, duke u bërë më e butë dhe më me shkëlqim se sa duket zakonisht. Në jo pak raste anemia mund të zbulohet rastësisht kur testohet gjaku për arsye të tjera. Simptomat e anemisë pernicioze dhe të mungesës se vitaminës B12 do të trajtohen nëpërmjet plotësimit me këtë vitaminë.

A mund të parandalohet kjo lloj anemie?

Procesi autoimun që shkakton këtë lloj anemie nuk mund të parandalohet. Mungesa e vitaminës B12 që është shkaktuar nga kushte të tilla, si për shembull: sëmundje të aparatit tretës apo kirurgji të tij mund të parandalohen vetëm në një masë të konsiderueshme.

Vitamina B12 rrjedh nga burime shtazore (mish, peshk, qumësht). Mungesa e vitaminës B12 tek personat që mbajnë dietë vegane ose vegjetariane mund të parandalohet nga përdorimi oral (nga goja) i vitaminës B12.

Duhet të kemi parasysh se edhe këto shtojca vitaminike duhet të merren sipas këshillimit të mjekut. Anemia pernicioze kurohet lehte dhe në mënyrë te efektshme nga marrja e vitaminës B12. Nëse nuk mjekohet, komplikacionet neurologjike mund të jenë të rënda dhe ndonjëherë të përfundojnë edhe në vdekje.

 

Kujdes!

Anemia pernicioze kurohet lehte dhe në mënyrë te efektshme nga marrja e vitaminës B12. Duhet të kemi parasysh se edhe këto shtojca vitaminike duhet të merren sipas këshillimit të mjekut. Nëse nuk mjekohet, komplikacionet neurologjike mund të jenë të rënda dhe ndonjëherë të përfundojnë edhe në vdekje.

 

 

May 18, 2020 13:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim