Angjeli akuzon Tavon: Ka ngrënë në tavën e helmuar të Berishës

Redaksia Online June 19, 2013 09:11

Angjeli akuzon Tavon: Ka ngrënë në tavën e helmuar të Berishës

Kandidati i Partisë Socialiste, i treti në listën e qarkut të Gjirokastrës, Anastas Angjeli, ka akuzuar dje kandidatin e LSI-së, Vangjel Tavo. Angjeli thotë se Tavo po bën pazare në emër të koalicionit për qeverisjen pas 23 qershorit. Deklarata ka ardhur gjatë një takimi me elektoratin në lagjen periferike Gërhot. “Unë ju drejtohem për herë të parë, duke ju thënë së ky koalicion, PS-LSI, është një koalicion parimesh, koalicion programesh dhe nuk është një koalicion pazaresh, ndarjesh postesh dhe vende pune apo përralla të tjera”, tha Angjeli.

Duke u ndalur te Tavo, Angjeli është shprehur se akuzat ndaj tij janë individuale dhe nuk kanë të bëjnë me LSI-në në tërësi. “Për herë të parë zë në gojë emrin Tavo, Tavo e hëngri tavën e helmuar të Berishës. Kjo s’ka lidhje me LSI-në, kjo s’ka lidhje me koalicionin, prandaj ju bëj thirrje të drejtoheni përpara dhe të votoni nr.29″, u shpreh ai.

Vetëm pak ditë pas çeljes së fushatës elektorale, Tavo akuzoi struktura drejtuese të PS-së në këtë qark se po punojnë edhe me forcën politike të PD, duke synuar eliminimin e LSI-së.

Vetë Tavo, në një reagim për GSH, është shprehur se u qëndron deklaratave të bëra se LSI do të ketë 40% të pushtetit, pas ardhjes së koalicionit të majtë në pushtet. “LSI pretendon që të marrë disa herë mandatet që ka pasur deri tani dhe të mos jetë numerikisht thjesht plotësuese e koalicionit siç pretendojnë disa, por të luajë rolin lider të koalicionit”, – deklaroi më tej Tavo. Ndërsa kreu i partisë më të madhe të koalicionit të majtë, Rama, tha dje se në lidhje me ndarjen e pushtetit nuk ka një marrëveshje konkrete.  “Marrëveshja jonë është e mirëmenduar dhe bashkimi i PS me LSI ka qenë një proces që ka zgjatur dhe që ka vullnet të dyanshëm që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës. Sa u takon përqindjeve të pushtetit, nuk kemi folur fare për këtë çështje, pasi ne jemi dy forca që do qeverisim si një fuqi e madhe”, tha Rama.

Redaksia Online June 19, 2013 09:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*