ANSAMBLI GAM-GAM STYLE

Nga Viktor Malaj January 15, 2013 13:36

ANSAMBLI GAM-GAM STYLE

“Thuhet se pushteti të korrupton, por është akoma më e vërtetë se pushteti josh të korruptueshmit”
David Brin

Para pak kohesh, kryeministri i Shqipërisë na bëri të ditur se i pëlqente shumë pjesa muzikore Gangnam Style e një koreanojugori.  Edhe po të mos na e thoshte, ne e dinim këtë fakt, pasi ai ka 23 vjet që hedh valle nën ritmet e një stili të ngjashëm muzikor, stilit gam-gam. Për 23 vjet rresht, 365 ditët e vitit, nuk ka pushuar së bërtituri, gënjyeri, fyeri, kanosuri bashkëqytetarët e tij; sidomos ata që nuk janë dakord me të, ata që bëjnë publike bëmat e tij antiligjore, antipopullore dhe antikombëtare.
Meqenëse “baletmaestri” dhe regjisori i këtij vallëzimi është plakur dhe i ka dalë boja, kohët e fundit ka thirrur në skenë një tufë njerëzish pa integritet moral, të cilët, nëpërmjet një peticioni të dërguar në parlament (?!) i bëjnë thirrje kryetarit të opozitës të votojë nja tre amendamente ligjesh, se përndryshe mbetëm jashtë Evropës. Pafytyrësia dhe hipokrizia e këtij akti nuk njeh kufij. Akti në fjalë të kujton letrat që kooperativistë të dalluar i dërgonin udhëheqjes së PPSH para 50 vjetësh për ta përkrahur në luftën kundër shfaqjeve të huaja.
Në vitin 1933, mijëra intelektualë gjermanë firmosën peticione, me të cilët i kërkonin popullit gjerman të votonte për Hitlerin si “shpëtimtar i kombit”. Se çfarë ndodhi më pas dihet mirë. Në vitin 1992, në Shqipëri, disa qindra intelektualë firmosnin peticione, me të cilët i kërkonin popullit të votonte për Sali Berishën. Se çfarë ndodhi më pas e dimë, ashtu siç e dimë mirë se shumica e atyre nënshkruesve, sot, nuk duan ta shohin me sy regjisorin e “vallëzimit gam-gam style”.

Ansambli Gam-Gam Style do të ishte i besueshëm, i justifikueshëm dhe i dëgjueshëm nëse do të kishim të bënim me individë që, gjatë këtyre 23 viteve kanë dëshmuar, me fjalë dhe me vepra, se janë sinqerisht të shqetësuar për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, se janë të papajtueshëm me padrejtësitë e shkaktuara nga të gjitha pushtetet në Shqipëri, se meraku  dhe interesi i tyre janë shqiptarët në përgjithësi dhe jo parti apo individë të veçantë. E thënë shkurt, nëse ata kishin dëshmuar deri tani se në jetët e tyre udhëhiqen sadopak nga idealizmi dhe jo nga përfitimi personal gjithfarësh, që e shesin për pragmatizëm.
Mirëpo, ne nuk mund të gjejmë asnjë pjesëtar të këtij ansambli që, qoftë edhe një herë në jetën e tij / saj, ta ketë ngritur zërin në vitin 1996 kur bandat e pushtetit, nën drejtimin e regjisorit të “ansamblit”, dhunuan zgjedhjet e përgjithshme politike, të cilat u shpallën të parregullta nga  gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë. As kur vendi u fut në kaos dhe regjisori dërgonte avionët për të bombarduar antiqeveritarët, në mënyrë që të rizgjidhej president për të dytën herë, peticionistët tanë nuk u bënë të gjallë.
Kur regjisori i Ansamblit  Gam-Gam Style drejtonte ansamblin Bam-Bam Style (ai është i aftë të drejtojë më shumë se një ansambël) në shtator 1998 për të marrë pushtetin me tanke e mitraloza (në të vërtetë e mori dhe e deklaroi të marrë në TVSH) firmëtarët e sotëm, që u digjet shpirti për pak Evropë,  nuk e gjykuan të arsyeshme ta konsideronin këtë akt si kundër evropinazimit të Shqipërisë. Jo, jo. Për ata, ky ishte një akt i pranueshëm, i moralshëm, i ligjshëm, demokratik. Mirëpo, nuk mendonte kështu Evropa, e cila e urdhëroi ansamblin  Bam-Bam Style të braktiste institucionet e uzurpuara me armë.

Kur Regjisori i këtij ansambli falsifikonte zgjedhjet përsëri në vitin 2009 dhe nuk pranonte të hapte kutitë e votimit për të verifikuar duart e tij “të pastra”, peticionfirmosësit e sotëm nuk kishin mësuar ende të ngrinin zërin për “të mirën e Shqipërisë” dhe të ardhmen e saj evropiane. Po ashtu, vrasja e katër protestuesve të pafajshëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit nga institucionet shtetërore nuk i zgjoi dot nga gjumi “evropianët” tanë.
Gjumi i tyre letargjik vazhdoi pa ndërprerje edhe pasi zëvendësi i regjisorit të tyre u kap duke planifikuar vjedhjen e gati një milion eurove nga buxheti i shtetit, edhe kur 230 milion euro “humbën” në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, edhe kur institucionet ndërkombëtare të monitorimit e renditën Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Evropë. Këta “atdhetarë” të klasit të parë heshtën edhe kur regjisori i tyre firmosi marrëveshjen me Greqinë për t’i dhënë nja 350 km2 det. A thua intelektualizmi i tyre nuk ishte i atij niveli që të mund t’i vlerësonte të tilla akte si antiligjore, antikushtetuese, antipopullore, antikombëtare dhe antidemokratike?
Sigurisht që ata i dinë të gjitha këto, por shpirti i tyre prej mercenari, mentaliteti i tyre mesjetar fisnor dhe nuhatja e tyre ndaj çdo gjëje që sjell fitim personal, i ka bërë dhe i bën ata të injorojnë aktet që realisht dëmtojnë interesat e përgjithshme si dhe mundësitë reale të afrimit të Shqipërisë me Evropën. Ata heshtën gjatë gjithë kësaj kohe që Evropa iu binte zileve të alarmit dhe u zgjuan tani që regjisori i tyre iu ra kambanave për humbjen e pushtetit personal, familjar e klanor.

Ajo që e bën problemin edhe më intrigues, por edhe më domethënës është fakti se shumica e anëtarëve të Ansamblit Gam – Gam Style janë mjekë, ata që psikoza popullore i mban për “humanë”. Mirëpo, jeta ka treguar se humanizmi qëndron në njeriun dhe jo në profesionin. Jo më kot, Diogjeni i lashtësisë kërkonte ditën për diell, me qiri të ndezur në dorë,  nëpër rrugët e Athinës, të gjente “njeriun”. Mjekë kishte mjaft. Ai kërkonte njeriun.
Sikur mjekët e ansamblit të sotëm shqiptar të ishin kujtuar këto 23 vjet të kërkonin modernizimin, humanizimin dhe evropianizimin e sistemit tonë mjekësor; sikur të kishin protestuar kundër kthimit të shërbimit mjekësor nga falas, siç ishte më parë, në një sistem të korruptuar aktual, në një shërbim të përballueshëm për një pakicë të privilegjuar dhe depersonalizues për shumicën e popullsisë; sikur ata të kishin ngritur zërin kur kolegët e tyre operojnë pa nevojë (vetëm për t’iu marrë paratë) gra shtatzëna gjatë lindjes; sikur këta  “dashnorë” të zjarrtë të Evropës të kishin kërkuar dënimin e kolegëve të tyre që iu hiqnin veshkat e shëndosha pacientëve shqiptarë, pa dijeninë e tyre, apo kundër mjekut që vetëm dy javë më parë e mbyti një vajzë shtatë vjeçe me neglizhencë dhe mjekimit të gabuar, thirrja e tyre e sotme do të mund të justifikohej disi.

Mirëpo, ata nuk i kanë bërë asnjë nga këto veprime. Ata nuk i kanë bërë dhe as duhet pritur t’i bëjnë sepse ndërgjegjja e tyre nuk udhëhiqet nga humanizmi e idealizmi, por nga përfitimi e servilizmi. Jo pak prej tyre janë të atij kallëpi që kur nevojtarët shkojnë të vizitohen, i sorollatin me orë të tëra dhe, kur i takojnë, i shikojnë nga xhepat dhe jo në fytyrë. Jo pak prej tyre, pasi e vizitojnë pacientin dhe e shtrojnë në spital, në vend që t’i sigurojnë falas (sipas ligjit) të gjitha kurimet, i orientojnë të afërmit e tyre të shkojnë e të blejnë ilaçet në farmacitë ku ata vetë kanë dërguar ilaçet e blera me buxhetin e shtetit (d.m.th. me paratë e popullit).
Asnjë nga këto veprime nuk ndodhin në shërbimet shëndetësore të vendeve që janë anëtarësuar në BE. Në asnjërin prej këtyre vendeve nuk ndodhin as veprimet e sipërpërmendura, për të cilat anëtarët e Ansamblit Gam-Gam Style kanë heshtur këto 23 vjet.
Këta  ushtarë rezervistë të shtetit më të korruptuar të Evropës janë, njëkohësisht, edhe  ushtarët më fatkëqij. Janë të tillë pasi Komandanti i tyre, i përcaktuar nga korrespondenca e diplomacisë amerikane si “kreu i trukimit të zgjedhjeve”, është në prag të zhgradimit. Sado mirë dhe sado me pasion ta hedhë vallen ansambli, koha e tij ka perënduar. As ansambli dhe as regjisori i tij nuk janë të interesuar ta bëjnë Shqipërinë si Evropa. Ata, janë thjeshtë të interesuar të shkruajnë emrin në Evropë dhe pastaj të rrahin gjoksin për merita që s’i kanë pasur kurrë. Ata duan që, me këpucët e baltosura nga politika e tyre të futen drejt e në tapetet mondane të Evropës. Është e pamundur. Atje kanë vënë roje.
Shqipëria do të bëhet anëtare e asaj bashkësie kur të jetë pastruar balta e hedhur mbi të pa mëshirë nga politika e këtyre 23 viteve. Shumë shpejt ansambli do të shpërbëhet dhe, kur ne t’i takojmë rastësisht anëtarët e tij do i kujtojmë si individë që kryen një shërbim të turpshëm. Madje, pa qenë të detyruar me ligj.

Për të sugjestionuar popullin (në të vërtetë, nga shkalla e lartë e dëshpërimit të regjisorit ) listës së asamblit iu shtuan dje edhe disa emra që paraqiten si pasardhës të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë. Këtu duhen shkoqitur mirë disa gjëra. Ndërsa deklarata e 1912 ishte në shërbim të  Shqipërisë, kjo lista  e 2013 është në shërbim të partisë dhe Salisë, në shërbim të një binomi që, me sjelljet dhe veprimet e tyre, e kanë cënuar rëndë pavarësinë dhe integritetin e  Shqipërisë. Pasardhësit e firmëtarëve nuk janë ndier asnjëherë kur kanë ndodhur këto akte anti- pavarësi. Nga ana tjetër, edhe personi të cilit i drejtohet letra ( pra Edi Rama ) është pasardhës i njërit nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë.  Fakti se gjyshi apo kushriri i pestë i dikujt ka firmosur në vitin 1912 në Vlorë, nuk i bën personat e sotëm aspak më atdhetarë dhe më pro- evropianë se ne të tjerëve. Atdhetarizmi  është ndjenjë personale dhe jo tipar automatikisht i trashëgueshëm. Megjithë respektin për  aktin e firmosjes, e vërteta është se shumica e firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë nuk kanë pasur kurrfarë kontributi në realizimin faktik të pavarësisë së Shqipërisë. Kontributin vendimtar e dhanë kryengritjet e viteve 1910 -1912 në veri të vendit dhe përpjekjet e palodhura të 7 – 8 personaliteteve, me në krye Ismail Qemalin. Madje, disa prej firmëtarëve ( pasardhësit e të cilëve kanë firmosur fletërrufetë e sotme ), më vonë, kur pavarësia e Shqipërisë u shkel nga pushtuesit e huaj, ata u vunë në shërbim të pavarësishkelësve dhe kundër popullit të tyre, duke kryer edhe krime të përbimdëshme ndaj atyre që i prishnin rehatinë pushtuesit. Ndryshimi midis paraardhësve dhe pasardhësve, në këtë rast, qëndron në faktin se firmosësit e 1912 rrezikuan veten për të shpëtuar Shqipërinë, ndërsa këta të  sotmit  injorojnë Shqipërinë pë të shpëtuar Salinë. Nuk ka shpëtim, – tha doktori që sapo doli nga salla e reanimacionit. Është më mirë të përgatiteni për funeralin e tij politik.

Nga Viktor Malaj January 15, 2013 13:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim