ANTIKORRUPSIONI / Lajmi i mirë: Shtohen ndjeshëm bilbilfryrësit shqiptarë

October 8, 2019 00:09

ANTIKORRUPSIONI / Lajmi i mirë: Shtohen ndjeshëm bilbilfryrësit shqiptarë

TIRANË – Një memorandum keqkuptimi i firmosur disa vjet më parë mes qeverisë shqiptare dhe një enti misterioz emri i të cilit fillon me Federatë, më në fund ka dhënë rezultat në luftën kundër korrupsionit, pohojnë burime për Gojët e Liga.

Kështu, bëhet me dije se numri i bilbilfryrësve është shtuar ndjeshëm kohët e fundit, i nxitur edhe ndryshim i bazës ligjore që mundëson mbrojtjen e tyre.

Jo vetëm kaq, por ndryshe nga sa parashikonte ligji për mbrojtjen e identitetit të tyre, ruajtjen e anonimatit dhe, në rast nevoje, edhe mbrojtjen me policë apo ndryshimin e adresës së banimit, shumica dërrmuese e bilbilfryrësve kanë qëlluar të guximshëm dhe nuk fshihen aspak.

Përkundrazi, siç pohon koordinatorja e bilbilenjve në qeverinë shqiptare, Episa Pilospari, bilbilfryrësit e kanë për nder që i fryjnë veglës së vogël simpatike dhe dëshirojnë që sa më shumë të jetë e mundur, emrat dhe fytyrat e tyre në shfaqen rregullisht në media, sidomos ato televizive.

“Ata janë nderi jo vetëm i kësaj mazhorance, jo vetëm i kësaj partie që po del zot vendit, jo vetëm i Skënderbeut tonë të qendrës së majtë, por i gjithë shqiptarisë,” deklaroi për mediat Pilospari.

Sipas saj, edhe aleatët perëndimorë janë mahnitur që bilbilfryrësit shqiptarë janë shtuar, e përpos kësaj, që ndihen aq shumë krenarë për punën që bëjnë, saqë dëshirojnë të veshin një uniformë të tyren, me ngjyra të ndezura, që të shquhen që larg.

“Këta djem të rinj dhe elegantë, që nuk e heqin nga goja atë të shkretë bilbil, më kanë lënë pa fjalë. Mirë ata vetë që s’kanë fjalë, sepse kuptohet që e kanë gojën të zënë, por edhe ne që nuk i fryjmë kaq shumë, prapë jemi shushatur nga kjo mrekulli,” shtoi Pilospari.

Bilbilesha bëri me dije se qeveria do t’u ndodhet pranë këtyre guximtarëve.

“Madje unë vetë, kohë më parë, kam propozuar që të gjithë mjetet e punës, uniformat, kilotat, bilbilat, t’i importojmë pa doganë,” tha krenarisht Pilospari.

“E përsëris, PA DOGANË,” shtoi ajo.

 

*****

SHËNIM/ Gojët e Liga për fat të keq është thjesht një rubrikë satirike         

October 8, 2019 00:09
Komento

2 Komente

  1. shtoni October 7, 21:36

    shtoni dhe policat e rrugores, edhe ata jane birbil fryrsa me nam

    Reply to this comment
  2. mirel October 8, 05:54

    Bilbilfryresit thote Pisopalli
    Jo po bilefryresit.
    Informatoret o kafshe primitive. Jo cdo gje perkthehet fjale per fjale, o shtaze me dy kembe. Llaksore

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*