PORTRET: Një komunist i gjithë botës, por jo i Shqipërisë*

Jovan Jano October 19, 2014 09:31

PORTRET: Një komunist i gjithë botës, por jo i Shqipërisë*

 

Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër Itali, është e pamundur që të mos jetë përballur ne dyqanet e shitjes së librit me emrin e Antonio Gramshit, të këtij njeriu të madh italian me prejardhje shqiptare, që nderohet dhe respektohet shumë sot në mbarë Italinë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë. Që tek mbiemri “Gramshi” ai tek çdo shqiptar zgjon një ndjenjë disi të veçantë, atë të një qyteti në Shqipërinë e mesme, të një fshati në Skrapar nga është edhe kryerakitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasëmi, të një fshati tjetër në Myzeqe apo të një batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të partizanëve të Mehmet Shehut.

***.

Shteti fashist italian e akuzonte për komplot, me qëllim rrëzimin e pushtetit shtetëror fashist me anën e forcës. Po ashtu e akuzonin “për nxitje të luftës civile, për ndezjen e luftës klasore dhe për propagandë subversive”. Gjyqi i posaçëm, i kryesuar nga gjenerali Saporiti e dënoi italianin me origjinë shqipëtare, Antonio Gramshin, me 20 vjet, 4 muaj e 5 ditë burg. Burgosja e tij shkaktoi revolta dhe keqardhje në të gjithë botën demokratike. Intelektuale dhe personalitete të shquara nga vende të ndryshme të botës, të të gjithë spektrit politik e të rrymave të ndryshme, duke përfshirë Romen Rolanin e deri tek peshkopi i Kanterberit ngritën zërin e protestes (Qeveria sovjetike duhet të kishte bërë më shumë për ta shpëtuar Gramshin nga kthetrat e panteres fashiste. Por me që ai ishte adhurues dhe mik i Buharinit, sovjetikët nuk e mbrojtën në ate nivel siç mbojtën Gjergj Dimitrovin, duke i dhëne shtetësinë sovjetike). Musolini, ky diktator paranojak, duke parë protestat dhe gjendjen shendetësore mjaft të rënduar të Antonio Gramshit, u detyrua më së fundi të vedoste për ta trasferuar të burgosurin, në fillim klinikën e doktor Kozimondos në Formia dhe pastaj në një klinikë të Romës, por ishte tepër vonë. Më 27 prill 1938, tri ditë pasi mbaroi dënimin, Antonio Gramshi dha frymën e fundit.

Filozof dhe estet me 54 volume

Gramshi, ky personalitet i madh, me origjinë shqiptare dhe intelektual erudit me kulturë të gjithanshme, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan Sartrit, Bertolt Brehtit e të mjaft personaliteteve të tjerë të shquarë të kohës. Ai ka shkruar 54 volume shkrime filozofike, sociale, estetike etj. Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e polilitikës”, etj. Personaliteti i Gramshit ka tërhequr vazhdidimisht vëmendjen e studiuesve. Ai ka qenë estet dhe kritik i shquar. Admironte në letërsi Leon Tolstoin, Gogolin, Pirandelon dhe Danten. Për letërsinë italiane thoshte se “në shekuj shkëlqen veçanërisht epoka e Rilindjes me Danten, Petrarkën, Bogaçion etj. Dhe pastaj nuk përmend ndonjë personalitet të madh. Por gjinia, që e bëri të famshme Italine në botë ishte opera me kolosët e saj: Belini, Verdi, Rosini, Puçini, Doniceti”. Shqiptaro – italiani Antonio Gramshi mbështeste idene se “populli përbën artin”. Respektonte mendimin estetik dhe filozofik të Kroçes. Ai thoshte se “Kroçe është i pari, që ka shprehur idenë që “arti mbi të gjitha është vetëshprehje e krijuesit, ose ndryshe subjekti artistik loz rol përcaktues në krijimin e veprës letraro – artistike… Në konceptin artistik Kroçeja mbajti flamurin e modernizmit në art duke vazhduar tezën romantike të Hegelit për krijimin artistik, si shprehje e subjektit krijues” – shkruan Antonio Gramshi. Antonio Gramshi ishte mbrojtës i realizmit, por i një realizmi thellësisht artistik, si tek veprat e Tolstoit, Gustav Floberit etj. Në një letër dërguar të birit, Deljos, ai shkruan se “Tolstoi ka qenë një shkrimtar botëror, që ka arritur përsosmërinë më të lartë në art dhe ka ngjallur dhe ngjall dhe në përkthime të dobëta përshtypje të jashtezakonshme dhe në lexues me kulturë fillestare”.

Ai herë – herë është edhe një psikolog i aftësive intelektuale dhe njëkohësisht paraqitet edhe si psikolog i karaktereve kombëtare. Gramshi thoshte se “njeriu modern duhet të jetë një sintezë e atyre që konsiderohen si karaktere kombëtare: inxhinieri amerikan, filozofi gjerman, politikani francez, duke krijuar sërish njeriun italian të Rilindjes, tipin mod­ern të Leonardo da Vinçit, që është bërë njeri – masë, ose njeriu – kolektiv, megjithëse ruan personalitetin e tij të fuqishëm dhe origjinalitetin e vet individual. Antonio Gramshi është i pari marksist, që vlerësoi teorinë e psikoanalizës të Zigmund Frojdit. Në këtë drejtim ai kishte një vizion të gjerë e të drejtë. Ai thoshte se “psikoanaliza është me konkrete se sa psikiatria e lashtë ose të paktën i detyron mjekët të studiojnë më konkretisht të sëmurët, të shikojnë të sëmurin dhe jo sëmundjen. Është me shumë vlera për fondin e kulturës italiane një studim i Antonio Gramshit “Rreth ndërgjegjes publike në Itali në shekujt e kaluar”. Me fjalë të tjera, një studim rreth intelektualëve italianë, origjinës së tyre sipas rrymave të kulturës, sipas mënyrave të tyre të të menduarit etj. Ky studim është i gjerë dhe i rrallë.Gramshi e shtriu shumë kuptimin e intelektualit dhe nuk kufizohet vetëm tek intelektualët e mëdhenj. Ky studim përmban edhe disa përcaktime mbi konceptin e shtetit, që zakonisht përcaktohet si shoqatë politike dhe jo si një ekuilibër i shoqërisë politike me shoqerinë civile. Si një personalitet poliedrik, Antonio Gramshi u mor me shumë studime filologjike e filozofike. Ai ka bërë studime të gjuhësisë së krahasuar.

Po ashtu ka bërë nje studim mbi teatrin e Pirandelos dhe mbi ndryshimin e shijes teatrale italiane, që Pirandelo e përfaqesoi dhe e ndihmoi të përcaktohet. Studime me vlera dhe serioze Antonio Gramshi bëri edhe për origjinën e ebrejve, të cilët u çliruan për herë të pare nga getoja – sipas tij – në vitin 1848 dhe kanë qenë të ndarë nga shoqëria europiane për afro 2000 vjet. E gjithë jeta dhe vepra e shqipëtaro – italianit Antonio Gramshi është nje testament tolerance për të gjithë “fajtorët” pa faj, që vuajtën dhe vdiqen në burgjet e akullta të diktaturave. Hiri i filozofit ruhet në varrezat e Anglezëve, në Romë. Kjo varrezë qe krijuar në shekullin XIX për të varrosur të huajt jo katolikë të vdekur në Qytetin e përjetshëm, i qeverisur asokohe nga Papët. Ai u varros këtu si i dënuar nga fashizmi, të cilët nuk e dinin se në këtë mënyrë i bënë një nder më të madh për të mos u harruar kurrë.

Gramshi, simbol drejtësie

Në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simboli i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit. Ai luftoi për të shembur përgjithmonë kufirin e urrejtjes midis njerëzve e urrejtjes midis njerëzve. Muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua nga fashistët me cilësinë e deputetit të parlamentit italian, e me cilësinë e demokratit të shquar dhe të progresistit poliedrik. Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë, ku provoi lagështirën dhe neverinë e tmerrshme të qelive të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikes etj, duke u ballafaquar kështu jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjen dhe të këqijat, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj.

Personalitete italiane me prejardhje shqiptare

Antonio Gramshi ka qenë qytetar italian me ardhje gjenetike shqiptare, ashtu siç ka qenë në mesjetë Papa Klementi XI, siç ka qenë Francesko Krispi, Aleksandër Moisiu, Ibrahim Kodra e shumë e shumë të tjerë. Sa herë qe vendi ynë i vogël ka qenë provincë perandorish ka pasur gjithmonë migrime dhe emigrime të mëdhaja; ka patur hemorragji njerëzish hemorragji të trurit të tyre. Por gjithësesi ata kanë ruajtur diçka nga origjina e vet. Psh, organizatori i famshëm i Lëvizjes Garibaldine, ish-kryeministri i shtetit italian në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, Francesko Krispi, asnjëherë nuk e mohoi origjinën e tij shqipëtare. Madje edhe Antonio Gramshi, në një letër të 12 tetorit 1931, dërguar kunatës së tij, Tatjanës, shkruan: Ndjehem krenar që jam shqipëtar, se dhe Francesko Krispi është shqiptar…”.

Komunist i gjithë botës, por jo i Shqipërisë

Gjatë socializmit, të orientuar nga fryma e internacionalizmit proletar, u mbajtën të gjalla disa kujtime dhe emra personalitetesh të spikatura komuniste. Kështu për shembull u mbajt i gjallë kujtimi i gjermanit të famshëm, Ernest Telman, i cili përfundoi në kampet e shfarosjes naziste. Kujtimi për të qe pagëzimi i Fabrikës së Përpunimit të Peshkut në Vlorë ose i mikut të tij, Vilhelm Pik; “Gjergj Dimitrov” iu vu emri i Ndërmarrjes Bujqësore në Tiranë; një rruge kryesore iu dha emri i një udhëheqësi të shquar të P.K.Franceze, Marsel Kashen; kampit të punëtorëve në Durrës iu vu emri i heroit të rezistencës antinaziste greke, arvanitasit nga Amalidha e Peloponezit, Niko Bellojanis; një miniere në Alarup të Pogradecit iu vu emri i udhëheqësit të Kongos të Afrikës, Patris Lumumba. Pa harruar emrat e klasikëve të komunizmit, të cilëve iu vunë emrat e hidrocentraleve të mëdhenj të Shqipërisë. Ndërsa për Antonio Gramshin, megjithëse njihej, nuk u bë asgjë, nuk u emërtua asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë fabrikë, asnjë institucion, asnjë hidrocentral, përveç emrit të një formacioni partizan gjatë LANÇ-it me italianët e mbetur antifashistë. Dhe vetëm kaq. Ne nuk kemi informacionin e duhur, por gjykojmë se arsyet e heshtjes për Antonio Gramshin në Shqipëri duhen parë në ish Bashkimin Sovjetik. Pas prishjes së marrëdhënieve shtetërore dhe partiake me Bashkimin Sovjetik, udhëheqja politike e P.K.Italiane dhe sidomos Palmiro Toliatti, u lidh më shumë me Nikita Hrushovin dhe pothuajse i prishi marrëdhëniet me ne.

Vlerësimi i Gramshit në Italinë e sotme

Ka një vlerësim maksimal, Presidenti aktual Italian, Xhorxho Napoletano, para tre muajsh, sipas gazetës italiane La Republika, ka folur gjatë dhe me simpati për Gramshin. Biseda me presidentin Napoletano merr shkas nga kriza e sotme dhe nga prirja e presidentit për t’i mbështetur zgjidhjet tek miqtë e vjetër të Gramshit, si liberali Gobeti, apo tek vetë Antonio Gramshi. Tjetër, në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit, që luftoi për drejtësi shoqërore dhe si simboli i italianëve të thjeshtë. Ai para se të ishte një komunist i ndershëm, ishte antifashist i madh dhe konsekuent i orëve të para. Qëndrueshmëria, vendosmëria dhe burrëria, që tregoi në mitingjet e punëtorëve dhe në qelitë e burgjeve, tregojnë edhe për karakterin e vendit të origjinës së hershme. Më 27 prill të vitit 1937, tri ditë pasi mbaroi dënimin në një burg disavjeçar, Antonio Gramshi dha frymën e fundit. Shkaku i vdekjes mbeti i pasqaruar. Por është e qartë një gjë: biri i madh i popullit italian, por me origjinë nga Shqipëria, ishte vrarë. – Vrasja, sipas fjalëve të Palmiro Toliattit, – ishte metodë normale e drejtimit të diktaturës fashiste. Vdekja e Antonio Gramshit ishte një humbje e madhe për Italinë.

Me Antonio Gramshin e Ri, nipi i Antonio Gramshit

Para disa kohësh, Antonio Gramshi junior (i riu), i biri Xhuliano Gramshit (djali i dytë i të famshmit Antonio Gramshi,) erdhi në Shqipëri për një veprimtri kushtuar gjyshit të tij në Gramsh, por dha edhe disa koncerte për publikun shqiptar, si një artist me famë që është në 40 instrumente muzikore. Antonio junior u befasua nga njohja e veprimtarisë së gjyshit të tij në Shqipëri. Duke më falenderuar për librin tim për Gramshin që kisha botuar ato ditë ai tha: “Më kanë drithëruar ca emocione të çuditshme. U dashurova menjëherë me këtë vend të të parëve të mij, është shumë i bukur, me njerëz shumë të afrueshëm, të cilët e njohin gjyshin tonë që nga koha e luftës kundër fashizmit. Unë jo vetëm që kam dëgjuar të flitet shumë për origjinën tonë shqipëtare, por kam lexuar librin e Xhuzepe Fiorit, të shkruar enkas për Antonio Gramshin, ai e jep këtë fakt edhe të dokumentuar”.

Përmendore për Antonio Gramshin në Gramsh

Në vizitën e tij të para të disa ditëve në qytetin e Gramshit, Kryeministrit Rama, veç projekteve të tjera për këtë zone, përmendi edhe vendosjen e një përmendoreje të interncionalistit italian me origjinë nga kjo trevë, Antonio Gramshi. Do të qe mirë që Bashkia Gramsh dhe biblioteka e qytetit të organizonin veprimtari për njohjen e figurës së Gramshit, ndër të cilat do të ishte edhe promovimi i librit Antonio Gramshi, jeta dhe vepra e antifashistit të madh”.

 

Marrë nga suplementi Memo-Enciklopedik që botohet çdo të dielë në DITA

Jovan Jano October 19, 2014 09:31
Komento

13 Komente

  1. Mehmet Metaj October 19, 14:32

    Urime miku im Jovan Jano, per shkrimin perkujtimor per nje nga personalitetet e lene ne skutat e historise Antonio Gramshi-n, qe ishte dhe nje nga njerezit me te ditur te kohes…por dhe virtuoze…prandaj mbete nde’ “i gjalle’…ne kujtimet a tyre qe e dine-lexojne historine…

    Reply to this comment
  2. AP October 19, 14:45

    Jovan , më pëlqeu shumë shkrimi yt !
    S’e kam idenë kush je por , dukesh që je prej materiali të fortë , me bindje të thella. Në kohën tonë ndeshemi me shumë njerëz plastelinë që të bëjnë të vjellësh…..

    Reply to this comment
  3. illo October 19, 14:47

    Shkrime te tilla , e ngrene lart , autoritetin dhe lexushmerine e Gazetes . Shkrime te tjera , qe bejne shume fjale dhe pak bereqet , nxitin shashethemnajen gazetareske . Me kete shkrim , mesojme se Antonio Gramshi , nuk ishte thjesht nje luftetar , por antifashist me eshter , madje shkrimtar , filozof estet . Te tille shkrime I bejn nder 70 vjetorit te clirimit , por dhe vete histories se Luftes sone , qe ishte lufte me perkrahje te gjithanshme antifashiste .E shqyptoja mbiemrin e Antonios , por nuk e dija , qe e kishte prejardhjen nga Gramshi shqiptar . Si une jane ndier shume shqiptare te tjere . Ky fakt I vjen nder ndihme gjenit patriotik shqiptar , qe nuk shuajne as luftrat , as shekujt . I. Foto

    Reply to this comment
  4. nasruddin HARABELI I pare October 19, 14:59

    Mos te harrojme
    edhe Arbereshin e madh ENRIKO Kuçia ,
    Bankieri qe drejtoi ekonomine Italiane ne dy sisteme , Ate fashist dhe ne sistemin demokratik.
    Eshte ky bankier qe e ngriti Italine ne nje nga ekonomite me te fuqishme boterore.

    Reply to this comment
    • psekaqkeq October 19, 15:27

      Kucia eshte varianti italian, Kuqja apo Kuqi eshte varianti i vertete. Mbaj mend si e ndiqnin gezetaret e srishia la notizia, profesorin famshem pedant, gjitnje me gazeten te futur ne krah.

      Reply to this comment
      • nasruddin HARABELI I pare October 19, 16:20

        Jo vetem me gazeten nen krah , Por mbi 50 vjete bente perdite ne kembe te njejten rruge nga shtepia tek gazeta dhe drejt e ne banke .
        Per 50 vjete i vetem dhe pa roje.
        Vetem pranija e tij ne zyre ne banke , i bente te dridhesh borsa.
        Shume arberesh kane dhene kontribitet e tyre Jo vetem Italise , Por edhe ne zgjimin tone shekullor nga pushtimi turk.
        Ishte Jeronim de rada qe pergatiti me shkollen e tij Inteligjencen e pare shqiptare ne Itali .
        Keto leke ja kerkoje GARIBALDIT per sherbimin dhe kontributin e Arberesheve per bashkimin e ITALISE.
        Kavur thote:
        E beme ITALINE pa e njohur ate.

        Reply to this comment
  5. josif Tashi October 19, 16:44

    Sa mire qe brezat ikin duke lene per brezat qe vijne nji pasuri te pa cmuar trashegimie ne shkence , art e kulture.
    Kjo pasuri shpesh qendron e fshehur neper biblioteka nese nuk ka gjithmone personalitete te dobishem si Jovan Jano qe dine te gjurmojne dhe te ekspozojne vlera te medha shkencore dhe historike me karakter kombetar e patriotik !

    Reply to this comment
    • N.VJOSA October 19, 18:42

      Jovan Jano , djali i nje luftetari antifashist te oreve te para ne Myzeqe, Llaq Janos, shkruan me dashuri per figura te tilla te Njerzimit , qe ju kushtuan Njeriut te thjeshte, atij qe mban boten mbi shpatulla.
      Pershendetje Jovan, nga miku yt me i mire i Pedagogjikes dhe Fakultetit te Histori Filologjise….

      Reply to this comment
  6. Halil Kapaj October 19, 18:04

    Jovan,
    Veç meritave të tua që ke në trajtimin e figurave të shquara botërore (gjithmonë të krahut të majtë, ke dhe një mik që kujdeset për shkrimet e tua, dhe ky është gazetari Zylyftar Hoxha, me të cilin ti ke një miqësi të ngushtë. Urime që të dyve!
    Një dashamirësi juaj!

    Reply to this comment
  7. Vladimir October 19, 19:57

    Mos harroni birin e nje familje arbereshe me tradita Rodotà, nje konstitucionalist me emer, i cili per nje grusht vota mund te qe zgjedhur presidenti i Italise.

    Reply to this comment
  8. Pëllumb zaimi October 19, 20:53

    Jam me autorin Jano për çdo gjë që shkruan për të madhin A. Gramshi? Nuk kam lexuar shumë gjera nga vepra e Gramshit por,mjaftoi artikulli ” Indiferentët” i tij,botuar para 3-4 vjetësh te “Shekulli” që unë menjëherë të kuptoja çfarë autori i jashtëzakonshëm ishte Gramshi ? Penë dhe mëndje nga ato që rrallë i vijnë njerëzimit? Shumë keq që vepra e Gramshit pak ,shumë pak njihet në vendin e tij të origjinës? Madje pa droje them se është turp për ne si shtet? Duhet botuar menjëherë? Z. Jano ka meritën që troket fort për veprën e një shqiptari kaq të madh,të nje filozofi,esteti , politikani dhe antifashisti pa të cilin ne nuk mund të quhemi shqiptarë të vërtetë dhe popull i civilizuar!? Partitë e majta nuk mund të jenë e të bëhen kurrë të majta pa studjuar dhe adhuruar politikisht, Gramshin e madh? Gramshi duhet të jetë klasiku i tyre? Nderime autorit Jano!

    Reply to this comment
  9. Pëllumb zaimi October 19, 20:54

    @@@ Jam me autorin Jano për çdo gjë që shkruan për të madhin A. Gramshi? Nuk kam lexuar shumë gjera nga vepra e Gramshit por,mjaftoi artikulli ” Indiferentët” i tij,botuar para 3-4 vjetësh te “Shekulli” që unë menjëherë të kuptoja çfarë autori i jashtëzakonshëm ishte Gramshi ? Penë dhe mëndje nga ato që rrallë i vijnë njerëzimit? Shumë keq që vepra e Gramshit pak ,shumë pak njihet në vendin e tij të origjinës? Madje pa droje them se është turp për ne si shtet? Duhet botuar menjëherë? Z. Jano ka meritën që troket fort për veprën e një shqiptari kaq të madh,të nje filozofi,esteti , politikani dhe antifashisti pa të cilin ne nuk mund të quhemi shqiptarë të vërtetë dhe popull i civilizuar!? Partitë e majta nuk mund të jenë e të bëhen kurrë të majta pa studjuar dhe adhuruar politikisht, Gramshin e madh? Gramshi duhet të jetë klasiku i tyre? Nderime autorit Jano!

    Reply to this comment
  10. arialibera October 19, 22:16

    Antonio Gramshi eshte nje nga mendimtaret me te medhenj te shekullit te kaluar,si perfaqesuesi kryesor i neo marksizmit influencoj gjithe levizjen e majte moderne teoria mbi hegjemonine eshte nje nga teorite me te respektuara ne shkencat politike dhe sociologjine politike origjina e tij shqiptare duhet te na krenoj te gjitheve.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*