AP, Hamiti: Idrizi hodhi baltë në ditën përkujtimore të gjenocidit mbi çamët

Redaksia Online June 17, 2013 20:45

AP, Hamiti: Idrizi hodhi baltë në ditën përkujtimore të gjenocidit mbi çamët

Aleanca Popullore kërkon që të mos hidhet baltë me ditën e përkujtimit të genocidit çam për interesa politike. Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të Aleancës Popullore në Tiranë, Arjan Hamiti, i ftuar në “Intervistën e mbrëmjes” tek TV “Ora News”, deklaroi se 27 qershori është një ditë historike, e cila nuk mund të zëvendësohet me asnjë ditë tjetër. “Çdo tentativë e çdo lloj force politike që ka në programin e saj çështjen kombëtare çame dhe më konkretisht e PDIU, për ta superuar ose për ta afruar brenda periudhës së fushatës elektorale tregon qartë që kjo është thjesht për interesat e ngushta meskine dhe elektorale. Ne kemi qenë dhe do jemi prezent në Kllogjer në datën 27 qershor të gjithë së bashku, sepse Çamëria është një dhe nuk mund të tjetërsohet ndryshe. Nuk do lejojmë cilindo që kërkon të hedhi baltë dhe të cenoj këtë datë historike, e cila është një ditë e dhimbjes së komunitetit çam, ditë në të cilën ne përkujtojmë me shumë dhimbje atë genocid famëkeq ku bandat shoviniste greke të Napolon Zerbës vranë e masakruan me qindra njerëz të pafajshëm nga komuniteti ynë çam”, – u shpreh kandidati për deputet i AP në Tiranë.

Hamiti ka kundërshtuar idenë se komuniteti çam është i përçarë, për faktin se këtë herë garojnë dy parti çame në zgjedhje. “Komuniteti çam nuk është i përçarë. Aleanca Popullore është një emergjencë dhe domosdoshmëri masive e komunitetit tonë çam për t’u përfaqësuar ndryshe në kauzën tonë çame. Ne i jemi përgjigjur thirrjes së komunitetit çam për të zëvendësuar këto matrapazllëqe politike me një përfaqësim dinjitoz, real të kauzës sonë çame. Për fatin e keq, përfaqësimi i deritanishëm tregon qartë dështimin spektakolar dhe të turpshëm që ka prekur këtë nivel të komunitetit çam”, – deklaroi më tej Hamiti.

Gjatë intervistës në “Ora News”, kandidati për deputet i AP në Tiranë, Arjan Hamiti foli edhe për rolin e kësaj partie pas 23 qershorit. “Aleanca jonë me PS është programore për kauzën çame dhe për qeverisjen, sepse që çështja çame që të jetë prezente duhet të jetë në qeverisje. Pika e parë e programit të Aleancës Popullore është legalizimi i çështjes çame në nivel politik. Aleanca Popullore nuk është një format i ri në skenën politike, sepse në përmbajtjen e saj janë figura që kanë investuar për Çamërinë që në krijimet e saj. Aleanca Popullore do jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve. Ne do përfaqësohemi në kuvendin e ardhshëm me 4 deputet. Roli ynë kryesor do të jetë transparenca dhe zgjidhja e çështjes kombëtare çame, nuk kanë vlerë as portofolet as nivelet e qeverisjes”, – tha Hamiti. Ndër të tjera, ai bëri të ditura edhe disa nga pikat e programit të Aleancës Popullore për shëndetësinë që përkon edhe me atë të PS. Hamiti tha se Aleanca Popullore, në programin e saj një nga pikat më të rëndësishme e ka për shëndetësinë. Në këtë kuadër, Hamiti bëri të ditur se një grup ekspertësh brenda Aleancës Popullore ka hartuar një projektligj për sistemin shëndetësor, ku prioritet i jepet zhvillimit të shërbimit shëndetësor në bazë komunale dhe rolit të mjekut të familjes.

Redaksia Online June 17, 2013 20:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*