AP: Romët po kërcënohen me jetë në sy të policisë. Braçe: Berisha nuk e ndal dot Delijorgjin

August 10, 2013 19:09

AP: Romët po kërcënohen me jetë në sy të policisë. Braçe: Berisha nuk e ndal dot Delijorgjin

Avokati i Popullit i ka dërguar një letër komisariatit numër 2, në lidhje me çështjen e romëve që po kërcënohen për t’u larguar nga vendbanimet e tyre, pasi aty do ndërtohen pallate.

Në letrën e AP thuhet se romët janë kërcënuar me jetë, ndërsa policia ka bërë sehir.

AP i kërkon Policisë së Shtetit të veprojë për rastin konkret.

“Nga ana e pjesëtarëve të komunitetit rom është pohuar para ekspertëve të Avokatit të Popullit se janë kërcënuar vazhdimisht gjatë këtyre ditëve me jetën dhe shëndetin e tyre, duke shkaktuar edhe gjendje ankthi dhe pasigurie për këto qytetarë dhe familjet e tyre. Në këto kushte, ato kanë deklaruar se kanë bërë edhe denoncimet përkatëse pranë Komisariatit të Policisë nr. 2 Tiranë. Po ashtu, përfaqësues të subjektit ndërtues i kanë pohuar ekspertëve të institucionit të Avokatit të Popullit, gjatë një inspektimi në sheshin e ndërtimit me datë 31.07.2013, se kishin vënë në dijeni Policinë e Shtetit për t’i mbështetur gjatë veprimeve të tyre për lirimin e truallit, e në mungesë të forcave të Policisë së Shtetit, do të kërkonin mbështetje nga një kompani private policie apo ruajtje të sigurisë fizike, pa pasur nevojë për një vendim gjykate apo Urdhër ekzekutimi të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sa më sipër, institucioni i Avokatit të Popullit ka ndërmarrë një proces hetimi të këtij problemi mjaft shqetësues për komunitetin e romëve, që jetojnë në kushte shumë të vështira familjare dhe ekonomike, por që tashmë ndihen jo vetëm të kërcënuar nga veprimet konkrete dhe dhuna verbale e përfaqësuesve të subjektit ndërtues, por edhe të diskriminuar nga mungesa e veprimeve konkrete nga ana e organeve të Policisë së Shtetit për hetimin dhe verifikimin e kallëzimeve penale që janë paraqitur nga pjesëtarët e komunitetit rom,” thuhet në letrën e AP.

Ndërkohë, deputeti socialist, Erion Braçe, duke komentuar faktin se pas këtyre ndërtimeve fshihet Mihal Delijorgji, thotë se Sali Berisha nuk po e ndal dot atë.

“Të paktën tre herë publikisht ka ndodhur kështu. Këtë herë ngjarja po ndodh brenda unazës së kryeqytetit. Bashkimi Evropian, OSBE, Amnesty International, në mënyrë të përsëritur, disa herë brenda javësh kanë reaguar ashpër! I kërkuan qeverisë, i kërkuan Bashkisë, i kërkuan policisë të reagojë, të mbrojë dhe japë zgjidhje për romët. Por, nuk ndodhi gjë. Ky është normalitet në këtë vend. E dini çfarë nuk është normale? Që asnjë politikan, asnjë deputet, asnjë këshilltar vendor nuk reagoi. Madje, madje nuk artikuloi asnjë fjalë për këtë çështje asnjë. Unë nuk e besoj përrallën se nuk kanë ndjeshmëri ndaj të drejtave të romëve e halleve të tyre. Gjetkë është arsyeja! Sali Berisha nuk mund ta ndalë Mihal Delijorgjin. Nuk ka pushtet ligjor e moral mbi të! Fare!”, shkruan Braçe në FB. / TEMA

August 10, 2013 19:09
Komento

5 Komente

  1. mero baze August 10, 20:59

    Shqipëria po përballet prej vitesh me një problem nga më seriozët për një shtet normal, problemin e socializimit të romëve. Ata kanë formuar geto rrotull qyteteve, në fusha, në lumenj, pas stadiumeve, në rrugë të madhe dhe bile m’u në mes të bulevardit në Tiranë. Ata po rriten nën një racizëm të pashoq shqiptarësh, të cilët gjithë komplekset e tyre të inferioritetit i zbrazin tek ata. I shajnë, i fyejnë, i rrahin, i lënë pa bukë, pa punë, pa shtëpi, pa të ardhme dhe kujtohen për ta kur dikush prej tyre vret apo bën ndonjë akt pervers publik.

    Këtë radhë shkak për t’u kujtuar ata u bë Delijorgji. Kam shkruar shumë për këtë biznesmen, për lidhjet e tij me të birin e Sali Berishës dhe sekserët e Familjes Berisha. Ajo që më tërhoqi vëmendjen është se media, përfshi dhe gazetën Tema, i referohet atij si Delijorgji i Gërdecit. Më tej akoma, një veprimtare e të drejtave të njeriut afër qeverisë Berisha, i referohet po ashtu si njeri i Gërdecit. Kjo kakofoni zërash dhe vajtojcash në të vërtetë nuk ka lidhje as me ndonjë keqardhje për Gërdecin dhe as më pak me romët.

    Së pari, Gërdeci nuk është i Delijorgjit, por i Familjes Berisha, dhe nëse dikush ka me nder b… ta zërë në gojë Gërdecin, të zërë autorin real që akoma nuk ka shkuar në prokurori, akoma nuk ka kërkuar ndjesë për viktimat dhe akoma ne nuk riparojmë dot dëmet që bëri në drejtësinë shqiptare, të cilën e përmbysi në favor të vet për të mos u dënuar. Mos t’ia lëmë Gërdecin atij që ia la drejtësia e Berishës, por t’ia lëmë Berishëve dhe të kërkojmë drejtësi për ta.

    Së dyti, marrja shkas nga Delijorgji për t’u marrë me romët është shumë fyese. Dhe këtu nuk më del e keqja me ata që vajtojnë romët duke gjetur shkak Delijorgjin. Delijorgji ka marrë një leje ndërtimi nga Lulëzim Basha, bile e ka marrë atëherë kur nuk ishte firmosur plani i rregullimit të Tiranës. E ka marrë kur nuk lejohej që Basha të firmoste leje ndërtimi. Ballauri ka qenë pjesë e enturazhit elektoral të Lulëzim Bashës, pjesë e Forumit të Intelektualëve që i bënin fresk në fushatë dhe mund t’i adresohet atij që ka ndihmuar në këtë situatë. Njeriu, që duhet të kujdeset për romët, që duhet t’u gjejë banesa, punë dhe t’u hapë perspektivë, është Lulëzim Basha. Është ai person që ka dhënë leje ndërtimi për Delijorgjin, dhe askush nuk i përmend emrin. Kjo është një hipokrizi vrasëse e shoqërisë civile, që tenton të merret me çështjen e romëve.

    Ishte Lulëzim Basha dhe njerëzit e tij që u dogjën kasollet dhe i zbuan në fushatë në premtim të ndërtimeve për bandat e tij. Kthimi i Delijorgjit në sebep për t’u dukur sikur mbrojmë romët është një hipokrizi e re. Ne mund t’i kërkojmë Delijorgjit dhe gjithë Delijorgjëve një kuotë në ndërtime për strehimin e romëve, mund të bëjmë presion për shkollimin dhe punësimin e tyre, mund të detyrojmë qeverinë të marrë seriozisht socializimin e tyre në shoqëri, por jo të tallemi me arsye që nuk kanë lidhje me fatin e tyre të keq, vetëm se nuk na e mban të përmendim kush është përgjegjës për ta.

    E treta që dua të theksoj është se media, shoqëria civile, por dhe aktorët politikë duhet të jenë seriozë kur flasin për Gërdecin, dhe kur duan ta shikojnë atë si një histori Delijorgjësh. Ajo është një histori e rëndë, me të vdekur që presin në varr drejtësi. Shumë pak njerëz në këtë vend kanë guxuar ta thonë të vërtetën kur ndodhi. Tani që ndodhi dhe që Berisha shkatërroi gjithë shtetin për të mos u vendosur drejtësi për atë gjë, mos ta thjeshtojmë si Gërdeci i Delijorgjëve. Është Gërdeci i Berishëve, dhe pa shkuar ata para drejtësisë për atë që kanë bërë para dhe pas Gërdecit për të mbuluar krimin, ky vend nuk do ketë kurrë qetësi. Por së paku mos vraponi ta mbuloni atë histori me Delijorgjin, të cilit në këtë rast i shkon fjala e urtë popullore, “kali që zihet në lëmë, shin grurin”.

    E njëjtë është dhe historia e romëve. Ajo është një histori e rëndë, e prodhuar nga shteti shqiptar, nga qeveritë shqiptare dhe këto tetë vite nga Sali Berisha. Në Tiranë, kampioni i poshtërimit të tyre mbetet Lulëzim Basha, i cili startoi në pushtet me metoda të Ku Klus Klanit ndaj tyre. Avokati i Popullit e ka thjeshtëzuar punën e tij duke u kthyer në qarës hallesh të tyre dhe jo në një aktor që duhet të detyrojë qeverinë të vendosë kuota në buxhet për socializimin e tyre. Mos ia lini Delijorgjit këtë gjëmë, se ka boll dhe pa këtë. Kur nuk guxoni të përmendni Berishën në Gërdec dhe Bashën që djeg barakat e romëve, mos u tallni me ta duke gjetur shkak Delijorgjin, i cili ka ende të patharë lejen e Bashës për të ndërtuar. Nëse e keni vërtet që doni të ndihmoni romët, problemi është shumë më i rëndë se sa ai i një ndërtuesi që po bën një pallat. Është problemi i një pushteti që, nëse nuk ke guxim të përballësh me të, më mirë hesht. Ashtu së paku je në heshtje me romët, që nuk kuptojnë asgjë pse flitet për ta, kur ata vazhdojnë të gdhihen në shi, në rrugë të madhe.

    Reply to this comment
  2. BrightEyes August 10, 21:33

    E para ne kete moment nga ana humanitare pervec Avokatit te Popullit duhet te nderhyjne Bashkesite Fetare. Te mos jene vetem per te bere ndertime per vete dhe gjoja Fiter Bajram etj cäbejne neper rruge, por ne kete moment te reagojne duke i ndihmuar Romet si qenie te zotit dhe te barabarte me te gjithe njerezit e tjere.
    Pra Bashkesite fetare duhet t’i dalin krah e t’i ndihmojne.
    Hapat e tjere jane hapa ligjore ndaj shtetit. Per kete duhet te kene mbeshtjetjen e gjere te shoqerise civile pasi Romet kane statusin e nje minoriteti dhe jane te mbrojtur me kushtetute. Kur shteti shkel ligjet e veta shteti duhet te ndeshkohet.
    Ne rradhe te pare dhe mbi te gjitha ROMET duhen pyetur, duhet degjuar zeri i tyri dhe kerkesat e tyre per te zgjidhur jo vetem kete problem por te gjithe problemet qe kane.

    Reply to this comment
  3. lavdosh August 10, 21:40

    Berisha, Basha jane shkaktaret e gjithe mizerjes qe jeton kjo pjese e margjinalizuar e Shqipetareve. Kuptohet e gjithe shoqeria duhet te ndjehet pergjegjese per gjendjen e tyre. Pa nje emancipim dhe zhvillim shoqeror te pakicave te neperkembura te shoqerise nuk ka zhvillim dhe ecje perpara te shoqerise ne teresi.
    Kjo nuk eshte pune Delijorgjesh, por problem mbarekombetar dhe ne rradhe te pare problem i qeverive, qendrore apo lokale.
    Eshte detyra e tyre te mbrojne shtresat ne nevoje dhe jo tja kalojne keto probleme bisnesmeneve qe normalisht duhet te paguaje taksat te cilat duhet te perdoren per programe sociale.
    Sa per tipat e spinuneve dhe b.thelepiresva si Ballauri, Hoxha etj etj nuk ja vlen te meresh. Eshte padrejtesi qe parate e taksapaguesve perdoren per te financuar OJQ si ajo e Ballaurit dhe Hoxhes dhe jo per romet, kjo pjese e popullsise e neperkembur nga ne racistet shqiptare
    Ka ardhur koha qe kjo te marri fund. Shpresojme qe qeveria e re te shprehet qarte per kete dhe te realizoje integrimin e romeve ne shoqeri. Per kete zeri i Meros, Braces, Thanos, Stefanit dhe te tjere nuk eshte i mjaftueshem. Duhet qe Rama te shprehet qarte dhe te paraqese nje program per kete qellim

    Reply to this comment
  4. ilir koka August 11, 01:01

    Mero per cdo gje akuzon Berishen, edhe kur e tradheton gruaja fajin e ka Berisha, po haron te thote se dhjetra palate te Delijorgjit jane dhene nga Rama, si duket I di shqiptaret budallenj, mbase pret ndonje koske tja hedhe Delijorgji, dhe si qen qe eshte te lepihet

    Reply to this comment
  5. ardi August 11, 10:20

    Delijorgjin nuk e ndal dot,as PD,as PS,as LSI.Le te shpresojme se do ta ndalin Romet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*