Apeli i heq pezullimin gjyqtarit Ken Dhima, fshehu pasurinë

May 29, 2014 08:34

Apeli i heq pezullimin gjyqtarit Ken Dhima, fshehu pasurinë

Nga 3 gjyqtarët që ILDKP denoncoi për fshehje të pasurisë dhe falsifikimit, asnjë prej tyre nuk do ta humbasë postin deri në përfundim të hetimeve, megjithë kërkesën e bërë nga prokuroria. Organi i akuzës ka humbur betejën e parë, pasi ditën e djeshme, u hoq edhe pezullimi 3 mujor i vendosur më 16 maj nga Gjykata e Durrësit ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Ken Dhima. Vendimi është marrë në një kohë rekord nga Gjykata e Apelit Durrës ditën e djeshme dhe pa dhënë ndonjë argument juridik konkret. Më parë Gjykata e Faktit rrëzoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e gjyqtares Klorinda Çela (bashkëshortja e Ken Dhimës), e cila vijon detyrën si pjesëtare e Gjykatës së Tiranës, pavarësisht akuzave për fshehje pasurie. Po kështu u rrëzua edhe kërkesa për pezullimin nga detyra në Apelin e Tiranës të gjyqtarit Gjin Gjoni, njëkohësisht anëtar i KLD-së. Vendimi u mor nga Miranda Çekrezi (Konica), në Gjykatën e Elbasanit, e cila më 2011 ishte shpëtuar nga Gjin Gjoni për masën e vërejtjes që ishte marrë nga KLD në dëm të Çekrezit. Ministria e Drejtësisë e quajti kthim nderi vendimin dhe e çoi gjyqtaren për procedim në KLD.

 

Vendimi

Ditën e djeshme, në një seancë pa prani të medias, Gjykata e Apelit Durrës hoqi masën e pezullimit nga detyra për Ken Dhimën. Në këtë mënyrë u rrëzua Shkalla e Parë, që kishte dhënë 3 muaj pezullim për gjyqtarin. Ken Dhima ushtron detyrën në Gjykatën e Vlorës. Prokuroria e Durrësit i kishte kërkuar gjykatës pezullimin nga detyra të gjykatësit Ken Dhima, pasi ishte kallëzuar nga ILDKP për fshehje të pasurisë. Nuk ka argument juridik përse është hequr kjo masë pezullimi, sikurse edhe në dy rastet e tjera. Ministria e Drejtësisë pritet të nisë një inspektim edhe për vendimin e djeshëm. Kurse Prokuroria pritet të ankimojë më tej këtë vendim. Po kështu organi i akuzës ka apeluar dy vendimet për mospezullim të Klorinda Çelës dhe Gjin Gjonit, nga Gjykata e Durrësit dhe Elbasanit dhe ende gjykata nuk është mbledhur. Ndryshe nga apelimi që ka bërë Ken Dhima, për të cilin Apeli Durrës ka vendosur në kohë rekord. Dy bashkëshortët gjyqtarë dhe Gjin Gjoni janë të kallëzuar penalisht nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) në datë 24 mars 2014 pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Për çfarë akuzohen bashkëshortët gjyqtarë

Më poshtë, disa nga fshehjet e pasurisë të renditura në këtë raport për gjyqtaren Klorinda Çela, ku bien në sy manovrat me huamarrje dhe kredi: Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e një apartamenti. Mungesa e burimit të krijimit të depozitës në Tirana Bank përdorur për blerjen e një apartamenti. Deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. për blerjen e një apartamenti në Rr. “Don Bosko”. Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 Euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008-2011 nga shtetasi A.M. Fshehje e shumës së derdhur në katër transaksione në llogarinë në RFZ Bank, nga burime të dyshimta. Fshehja e blerjes së automjetit tip Benz. Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë e RFZ Bank Fshehje e gjendjeve të mbetura në llogarinë rrjedhëse në Union Bank. Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare – Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis Çelës dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të këtij personi pranë Raiffeisen Bank. Mosparaqitja e dokumenteve provues të kërkuara nga ILDKPKI. Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme. Edhe në shqyrtimin e pasurisë së bashkëshortit të Klorinda Çela, gjyqtarit Ken Dhima, ILDKP ka gjetur fshehje dhe deklarime të rreme. 150 mijë euro ka fshehur vetëm në një kontratë dyqani. Disa nga pikat e renditura për këtë gjykatës janë: Deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e një apartamenti. Mungesa e burimit të krijimit të depozitës përdorur për blerjen e një apartamenti. Deklarim i rremë për huamarrje nga shtetasi A.Ç. Deklarim i rremë për shumën prej 59.300 euro në total, dhënë në formën e shpërblimeve, dhuratave, sponsorizimeve për periudhën 2008 – 2011 nga shtetasi me inicialet A.M. Fshehja e kontratës së porosisë të lidhur midis shoqërisë së ndërtimit, porositësit A.Ç. dhe garantuesit Ken Dhima. Në këtë kontratë është porositur ndërtimi i një dyqani në Rr.“Don Bosko”, me sip.124 m2 me vlerë 150.000 euro. Fshehje e depozitës në Bankën Kombëtare Tregtare. Mosdeklarim i raportit të huadhënies midis tij dhe shtetasit A.Ç. e shprehur kjo në formën e pagesës së kësteve të kredisë në favor të ketij personi pranë Raiffeisen Bank. Mosparaqitja e dokumenteve justifikues të kërkuara nga ILDKPKI. Mosmbulim i vlerës së krijimit të aseteve dhe shpenzimeve me burime të ligjshme.

 

‘Nderi’ që shpëtoi Gjin Gjonin

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan apeloi pranë Gjykatës së Apelit vendimin për “pezullimin nga detyra” të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, njëkohësisht anëtar i KLD-së, Gjin Gjoni. Vendimi i dhënë pak ditë më parë nga gjyqtarja Miranda Çekrezi shkaktoi shumë debate. Gazeta Dita botoi pas vendimit një dokument që vërtetonte se gjyqtarja e kishte dhënë këtë vendim si ‘kthim borxhi’ për një vendim që Gjoni kishte dhënë ndaj saj për heqjen e masës disiplinore “vërejtje”, që KLD-ja kishte dhënë ndaj saj në vitin 2011. Ministria e Drejtësisë deklaroi se do kërkojë shkarkimin e Çekrezit, duke e cilësuar vendimin e dhënë prej saj si të paligjshëm, pasi gjykimi i çështjes përbënte konflikt interesi. Prokuroria apeloi duke theksuar se “kjo Gjykatë nuk përmend të gjitha rrethanat e faktit që ka paraqitur organi i Prokurorisë, nuk i analizon ato dhe për pasojë në mënyrë të paarsyetuar drejt rrëzon kërkesën për caktimin e masës ndaluese”.

 

 

May 29, 2014 08:34
Komento

5 Komente

  1. bigu May 29, 09:25

    Cfare pleherash qe jane. Te presesh drejtesi nga keta ordinera. Keta duan turren e druve ose dhomen e gazit. Vetem keshtu shpetohet prej tyre.

    Reply to this comment
  2. Shpresa May 29, 09:35

    Gjykata dhe drejtesia shqiptare na dhane perseri shembullin se sa ” korrekte” jane ne zbatimin e ligjit kur vjen puna per te vetet , se sa te “pavaruar” jane kur gjykojne veteveten.
    SFIDA me e madhe qe kemi ne shqiptaret eshte DREJTESIA .Ti gezojme Gjinet e Gjomet , Kelet e Dhimet e mos bezajme perderisa bejme pseudoprotesta per drogen , pseudoprotesta per leket e demshperblmet , pseudoprotesta per largimet nga administratat e pseudot nuk kane te sosur .Vetem per ato qe duhet guxuam e protrestuam njeher me 21 janar e mbeten te vreare 4 protestues. Ja pse nuk protestojme dot per ate qe duhet e protestojme per ate qe nuk duhet .
    Ne kete vend te cudirave gjitheshka qe behet mbrapsh eshte e ligjeshmme dhe e moralshme .Nuk eshte e lejuar gjitheshka qe eshte e moralshme dhe e ligjeshme .

    Reply to this comment
  3. ora09 May 29, 10:57

    Te gjithe e pranojne se drejtesia shqiptare eshte segmenti me i korruptuar ne Shqiperi.
    Vetem kupola KLD nuk e pranon kete fakt. Ironi shqiptare….

    Reply to this comment
  4. dajti May 29, 12:43

    mire na i bejne …kur rim ne si dele …ngrihuni o mileet …se padrejtesia qe i behet …mikut ,shokut ,gjitonit ,.tend neser do te vij dhe te ty ………Drejtesia eshkateroi kete vend !!!!! .Mos u fryfshiin dh eu dalcin nga hundet …..Haka e zotit rente mbi gjithe gjykatesit ekoruptuar …..Ishalla atje ku u dhemb me shume .

    Reply to this comment
  5. iremila May 29, 14:30

    Rama i ka 84 vota, nuk ka c’far prete nga kjo palo drejtesi ,qe te gjithe jane bere nje per te mbrojtur krimin dhe pasurit e tyre.Te gjithe jane te inkriminuare dhe ja dine njeritjetrit.Kjo flliqesire jo drejtesi kerkon reforme te thell.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin