Aranit Çela: Kadri Hazbiu, je terrorist, ke djegur me dorën tënde fshatrat Sinë dhe Fushë-Aliaj në Dibër!

Kujtim Boriçi January 27, 2013 09:47

Aranit Çela: Kadri Hazbiu, je terrorist, ke djegur me dorën tënde fshatrat Sinë dhe Fushë-Aliaj në Dibër!

Hazbiu: Na organizuan pritë dhe na vranë partizanët. U thirrëm nga Hysni Kapo dhe na u hoq vërejtje për aktin që kryem në vitin 1944!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Seanca e 10-të e gjyqit vazhdon me përballjen e Kadri Hazbiut me akuzën e terrorizmit, gjatë kohës që ai drejtonte repartet partizane për çlirimin e Dibrës. “Me urdhrin tuaj, ju i pandehuri Kadri Hazbiu keni djegur gjatë luftës dy fshatra në Dibër, përkatësisht fshatrat Sinë dhe Fushë-Aliaj. Kjo është një vepër e rëndë terroriste. Po në këtë kuadër, ju keni qenë hartuesi i planit të dhënë nga Mehmet Shehu e miratuar nga zbulimet e huaja, për asgjësimin fizik(vrasje me armë) të Enver Hoxhës. Jepni shpjegime për këto akuza!’- kërkon mes të tjerave në këtë seancë Aranit Çela….

Kryetari(Aranit Çela):- I pandehur Kadri Hazbiu. Ti akuzohesh se ke bërë pjesë në një organizatë kundër revolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu e cila kishte si pikësynim rrëzimin e pushtetit popullor me anë të puçit ushtarak dhe kryerjen e akteve të terrorit. Kjo organizatë kishte në planin e sajë likuidimin fizik të Sekretarit të Parë, Enver Hoxhës. Jep shpjegime rreth kësaj….

Kadri Hazbiu:- Unë, i nderuar trup gjykues, kam hedhur poshtë akuzën që në fillim, ashtu siç më është bërë. E kam hedhur poshtë dhe kur është bërë rikualifikimi i saj, si të thuash një ri cilësim më 29 maj….

Kryetari:- E kemi në dosje…

Kadriu:- E di. Desha të theksoj që në fillim para trupit gjykues se për sa i përket likuidimit të Sekretarit të Parë, në hetim nuk jam pyetur dhe nuk kam dhënë shpjegime, sepse një pyetje e tillë nuk më është dhënë. Pas kualifikimit që bëri akuza, ku ishte dhe Prokurori i Përgjithshëm, nuk vinte ai këtu që të thoshte ç’mendon ti, akuzohesh për këtë. Edhe pyetje direkt, po për këtë, po për atë të më bënte që të njihesha me atribuimet dhe të jepja shpjegime midis tyre.  Kjo nuk është bërë. Unë i kam hedhur poshtë këto, po i hedh poshtë me përbuzje edhe para gjykatës, para trupit gjykues si shpifje, si akuzë e ndërtuar plotësisht mbi shpifje, mbi dizinformacion ndaj mete….

Prokurori(Rrapi Mino):- Me lejë shoku kryetar. Thuaj të pandehurit Kadri Hazbiu se akuzën nuk e kanë ngritur armiqtë, akuzën e ka ngritur hetuesia që është organ i Partisë.  Është tjetër punë nëse i pëlqen apo nuk i pëlqen , ai mund të flasë për provat. Por nuk mund të flasësh ti që kjo akuzë është një shpifje. Akuzën nuk ta bëjnë persona ët veçantë, akuzën ta ka ngritur partia, ta ka ngritur organi i Partisë, ta ka ngritur hetuesia. Prandaj mos fol me gjuhë armiqësore deri në fund. Unë këtë të bëj thirrje, nuk të bëj thirrje të pranosh. Mos i prano hiç, por vetëm të jesh korrekt ne shprehjet e tua edhe me akuzën, edhe me thirrjen….

Kadri Hazbiu:- Unë nuk thashë që akuzën ma kanë bërë armiqtë e bazuar në shpifje dhe në dizinformacion të armiqve. Dëgjojeni mirë i nderuar prokuror. Dhe thashë, me një interpretim tendecioz të bërë fakteve. Kjo i përket akuzës. Ju, kupton, mbrojeni këtë se tamam jeni mbrojtës i akuzës, por unë përpara gjyqit kështu e them, kështu e gjykoj, pra saktë. Evidencoj para trupit gjykues lidhur me këtë çështje, me këto akuza, me këto pretendime, që mundësisht, të drejtoj vëmendje të posaçme tek atribuimet e armiqve Fiqret Shehu, armiqve pra, si të thuash dekonspiratorëve të regjur Fiqret Shehu, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti. E pastaj, edhe në deponimet e Ali çenos për këtë çështje.

… E thashë dhe e nënvizoj se nuk është rastësi që të gjithë këta  japin si burime njerëz që nuk jetojnë si Mehmet Shehun, Liri Gegën, Nako Spiron. .. Dua të evidentoj para gjykatës si një fakt, këtë,  si një fenomen që i karakterizon këta konspiratorë si shpifës  të regjur që çdo gjë e kanë thënë në mënyrë të tillë, që të vështirësojnë nxjerrjen e të vërtetës në shesh. Theksoj para gjykatës se në tërë këto akuza që më bëhen mua për këto çështje nuk ka një dokument sidoqoftë, që të hedhë dritë sado të zbehtë mbi qenien time në aktivitetet e kësaj organizate….

Kryetari:- Çfarë dokumentesh kërkon ti?

Kadriu:- Dokument shkresor.

Kryetari:- Po pse çfarë thotë ai dokumenti, që ti për shembull je agjent?

Kadriu:- Nuk dua të them për atë, sepse ajo mbase nuk është ashtu, por për aktivitetin tim në pjesëmarrjen në këtë organizatë , në zbatim të detyrave të kësaj organizate, në dijeni të një platforme të kësaj organizate, një dokument s’ka…..

Kryetari:- Ja do të vijnë të na japin orientime që ke dhënë me shkrim, që je me karakter armiqësor të thonë!!!

Kadriu:-… Gjithashtu është tipike në akuzat që bëjnë këta njerëz , këta armiq,  sidomos disa prej tyre-thonë ma merr mendja, e mora me mend-…. Është tipike i nderuar trup gjykues që këta njerëz që ka zbuluar Partia dhe që janë përpara drejtësisë, deri tani kanë përdorur, me sa mendoj unë, metodën e kusarit që ditën trembej nga bualli, dhe natën vidhte.  Nuk është e rastësishme, për shembull, që Llambi Ziçishti, siç e pohon edhe vetë, ka qenë agjent dhe kolaborator i vjetër i Mehmet Shehut… Nuk është e rastësishme që Nesti Nae, si ministër i jashtëm, për mjaft probleme që lidheshin edhe me zbulimin, pra me Ministrinë e Punëve të Brendshme kur vinte puna, unë i thosha, ngrija këtë kryeministrit ngrije në mbledhje të kryesisë, ngriji këto në qeveri…. Ai më thoshte: Ba, ba, ba, nuk mund ta bëj këtë, s’pranon, të nxjerrë me shkelma jashtë kryeministri!. … Mihallaq Ziçishti vjen tek unë duke kërkuar që po të ishte e mundur të ndërmjetësoja tek Sekretari i komitetit Qendror  që të shkonte për vizitë jashtë. Pse nuk vajti tek Mehmet Shehu? Pra, ju lutem shumë, këta njerëz, këta konspiratorë, këto armiq të egër, në formatin e tyre janë mjaft të djallëzuar…. Për sa i përket aktit të terrorit kundër udhëheqjes, jo vetëm e hedh poshtë me neveri, por me ndjenja ose indinjatë ndjenjash, e dua me gjithë shpirt Udhëheqësin e Partisë (Enver Hoxhën)… Këta janë dokumente dhe mua nuk më ka shkuar kurrë ndër mend  të ruaja jetën e Udhëheqësit(Enver Hoxhës) nga Mehmet Shehu. Se nuk e kam ditur që ka qenë tradhtar. Unë mbajë përgjegjësi për mos zbulimin e Mehmet Shehut, për mos zbulimin e këtij rrjeti që në gjithë këtë luftë që është bërë nën drejtimin e Partisë nga Sigurimi i Shtetit, nuk u arrit të zbulohej, por që edhe të akuzohem me kaq fakte ose prova për pjesëmarrje në një akt të tillë, pa marr në kompleks veprimtarinë time, mua më duket jo e drejtë….

Kryetari:- Një herë kishim këtë, lidhur me atë çështjen që të është ngritur ty dhe në hetuesi lidhur me takimin me Mehmet shehun, atë takimin e parë, lidhur me atë të famshmin program të Mehmet Shehut Kadri Hazbiu, ti nuk e pranon këtë, apo jo. Unë thëniet e tuaja i kam lexuar, por këtu jemi në gjyq….

Kadriu:- në asnjë mënyrë jo.  Jo vetëm të më ketë thënë si program, por as si mendim. Takimi im me Mehmet Shehun ka qenë takim gjysmë ore… Unë ika në punën time, ai në punën e tij. Asgjë më tepër.

Kryetari:- Vetëm për këtë ne kemi dy deponime, . Kemi deponimin e Skënder Shehut që ti e di, edhe të Fiqret Shehut që e kanë nga Mehmet Shehu, edhe e thënë që Kadri Hazbiu është njohur me ‘të.

Kadriu:- Të dy thonë, por Skënderi thotë që atij ja ka thënë mamaja, Fiqreti. Kjo, Fiqreti thotë ma tha Mehmeti.. Pra burimi është një dhe jo dy…

Kryetari:- Ti thua që kjo nuk është e vërtetë?

Kadriu:- Nuk është e vërtetë dhe për një gjë tjetër… Ju lutem shumë, unë nuk i kam parasysh datat e procesverbaleve kur është pyetur Skënder Shehu për këtë, kur ka dhënë shpjegime për këto programe….

Kryetari:- me çfarë e lidh këtë ti?

Kadriu:- Unë e lidh me një gjë shumë interesante, e vogël por interesante…

Kryetari:- Ta ka thënë në ballafaqim ai, më 19 maj 1983, do të ta lexoj?

Kadriu:- Më fal, nuk ka nevojë. Kam dhënë shpjegimet se ku u takuam me Mehmet shehun, e kam thënë ekzakt, ju e dini dhe vendin… Hetuesi, Çoma Tutulani që mbante procesverbalin e shkroi… Është bërë në një qafë në Çorrush, midis shtëpive të Teqes dhe shtëpive të Begtash Haxhiut…  Unë këtë program e kam mësuar nga Lalmbi Gegprifti, para se të bëhej Mbledhja e Byrosë Politike, pra, që kam parë një program të tillë në bibliotekën e Mehmet Shehut… Asgjë më tepës s’kam…

Kryetari:- Lidhur me këtë çështjen e këtij puçit ushtarak, për të cilin the që nuk e pranon. Nesti Nase thotë tekstualisht kështu:’ Mehmet Shehu më ka thirrur vetë në zyrë me pretekstin për të biseduar për problemin e reparacioneve. Pas kësaj shkëmbyem dhe disa fjalë lidhur me problemin e atasheut francez. Pastaj ai më tha se me hir nuk u bë gjë, ngjarjet nuk u zhvilluan siç i kishim parashikuar në. Duhet vepruar me pahir . Unë kam biseduar dhe u kam ngarkuar detyra konkrete Kadri Hazbiut e Feçor Shehut për masat që duhet të marrin dhe për realizimin me forcë të qëllimit tonë’. Tani, këtë nuk e pranon ti?

Kadriu:- Kategorikisht. Kam edhe shpjegime për të thënë. Ka një gjë të tillë ndaj Nesti Nases. … Në qoftë se Nesti Nase këto deponime i ka dhënë pas deponimeve të mia e ballafaqimit, këto janë një shpifje. Po është nga Mehmet Shehu, apo është nga Nesti Nase  këtë unë nuk e di…  Për këto çështje ai shpif, e si spiun i vjetër dhe armik që është, edhe për hakmarrje drejt për së drejti… Veç kësaj desha të them një gjë për deponimet që bën Fiqret Shehu kundër meje. Sipas deponimeve të saj, Mehmet Shehu kishte ngarkuar Nazar Berberin dhe Veli Llakën, dhe u kishte thënë që forcat e tankeve të mos lëvizin pa urdhrin tim.  Tani Fiqret Shehu këtë e hedh poshtë dhe nxjerrë një gjë të tillë, në qoftë se konkluzioni është ky. Në qoftë se isha unë komplotist në këtë çështje, atëehrë, pse për tanket do të urdhëronte zëvendësministrat kur mund të urdhërohesha unë? Mehmet Shehun mund ta lexojmë nëpërmjet veprimtarisë së tij, dhe testamenti i tij kundër meje…………..

Kryetari:- Mirë mo mirë, ai testamenti i tij kundër teje, atë e shpjegon Fiqret Shehu. “Midis tyre qe rivaliteti”- thotë ajo. Në dosjen nr 21 , faqe 61 lidhur me këtë çështjen e puçit, kjo Fiqreti thotë: ”Pasi dëgjova bisedën telefonike që bënte Mehmet Shehu me Feçor Shehun , unë e pyeta Mehmetin pse ti e ke biseduar planin e likuidimit fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë me Feçor Shehun, ai më tha që e kishte biseduar, por nuk më dha hollësira. Ndërsa në një rast tjetër Mehmet Shehu më ka thënë se këtë plan kriminal jo vetëm e kishte biseduar me hollësi me Feçor Shehun, por dhe me persona të tjerë të organizatës kundërrevolucionare. Mehmeti më tha se pasi të bëhej kjo, vrasja e Enver Hoxhës, unë do të marr pushtetin qoftë edhe me dhunë. Më tha se për të bëtë këtë ishin ngarkuar Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Dhe në rast nevoje, do të rrethohej dhe me tanke selia e Komitetit Qendror nga forcat e Gardës. E po të qe e nevojshme, do të përdoreshin edhe forca të reparteve ushtarake. Për këtë qëllim do të ishte në gatishmëri në momentin e caktuar dhe reparti i tankeve në Sauk!”. Pra ky është një deponim që bën Fiqret Shehu.

Kadriu:- Shpif, fund e krye shpif…

Kryetari:- …Lidhur me atë çështjen e Sinës në Peshkopi që ti ke folur e ku di unë… Ky fshat, u dogj Kadri hazbiu apo s’u dogj?

Kadriu:- U dogj.

Kryetari:- Me urdhrin tuaj?

Kadriu:- Jo me urdhrin tim… Ajo është një çështje aksidentale. Ne, për të kaluar n ë prapavijat e armikut, si brigadë, u ndamë në dy grupe. … Do të dilnim në grykën e Sinës për të që të siguronim ardhjen e kolonës… Për shkak të drejtuesve vendas, ne zumë një bari dhe e mbajtëm gjithë natën. I thamë të na nxjerrësh në Sinë të nesërmen…. Ndërsa kolona tjetër e jona ra në pritë…Ne vajtëm atje, kishte të dëmtuar, të vrarë. U futëm në aksion e në fakt i thyem ata…Kur forcat partizane kishin hyrë në fshat, , në një shtëpi prapa, kishte mbetur një fshatar që kishte hipur në kullë. Ai qëllon dhe vret një partizan.  I bie dhe nënkomandantit të batalionit dhe e godet… Më thonë mua, e unë u them vrajeni. Por ata thonë se nuk na le të afrohemi, na godet… Atë herë thash vini zjarrin se do të dalë ai se s’bën dhe vriteni… Dhe ika unë… Me urdhrin tim është djegur ajo shtëpi…

Kryetari:- Po shtëpitë e tjera kush i dogji?

Kadriu:- Shtëpitë e tjera u dogjën krejt në mënyrë spontane.. Duke u futur partizanët nëpër fshat, vër zjarr këtu e vër zjarr atje, dhe përgjegjësia për këtë në fakt, mbeti e imja… U përpoqëm pastaj ti fiknim, por në fakt, nuk di mbetën dy apo tre shtëpi… Të nesërmen e kësaj unë jam thirrur së bashku me Hetem Gjinushin që ishte zëvendës komisar, e na foli Hysni Kapo, që ishte i deleguar i Shtabit të Përgjithshëm. Në fakt, urdhrin për djegien e fshatit Sinë e kishte dhënë një komisar kompanie, konkretisht Shaqo Arapi. Gjatë drekës, një batalion i Brigadës së IV, i futet Fushë Alisë, e pa pushkë, pa gjë e djeg krejt. Ata e dogjën pa asnjë rezistencë. Në këto rrethana, pas dreke, ne na u tërhoq vërejtja, edhe Hetem Gjinushit, edhe mua. Po ky, u dënua si akt, por u konsiderua si një akt djegie aksidentale…

(Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

SOM 1

“Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Fiqret Shehu, këta njerëz konspiratorë, këto armiq të egër, në formatin e tyre janë mjaft të djallëzuar…. Për sa i përket aktit të terrorit kundër udhëheqjes, unë Kadri Hazbiu, jo vetëm e hedh poshtë me neveri, por me ndjenja ose indinjatë ndjenjash, e dua me gjithë shpirt Enver Hoxhën. Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend të ruaja jetën e Enver Hoxhës nga Mehmet Shehu. Se nuk e kam ditur që ka qenë tradhtar. Unë mbajë përgjegjësi për mos zbulimin e Mehmet Shehut, për mos zbulimin e këtij rrjeti që në gjithë këtë luftë që është bërë nën drejtimin e Partisë nga Sigurimi i Shtetit, nuk u arrit të zbulohej, por që edhe të akuzohem unë si pjesëtar i tyre për veprimtari armiqësore”

 

SOM 2

“Aranit Çela i drejtohet Kadri Hazbiut: Lidhur me këtë çështjen e këtij puçit ushtarak, për të cilin the që nuk e pranon. Nesti Nase thotë tekstualisht kështu:’ Mehmet Shehu më ka thirrur vetë në zyrë me pretekstin për të biseduar për problemin e reparacioneve. Pas kësaj shkëmbyem dhe disa fjalë lidhur me problemin e atasheut francez. Pastaj ai më tha se me hir nuk u bë gjë, ngjarjet nuk u zhvilluan siç i kishim parashikuar në. Duhet vepruar me pahir . Unë kam biseduar dhe u kam ngarkuar detyra konkrete Kadri Hazbiut e Feçor Shehut për masat që duhet të marrin dhe për realizimin me forcë të qëllimit tonë’. Tani, këtë nuk e pranon ti?”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Misteri i zhdukjes së emrit dhe dosjes së Mehmet Shehut si agjent i zbulimit amerikan, rekrutuar nga Fulci në kohën që Mehmeti ishte në shkollën teknike dhe akuzat ndaj Kadri Hazbiut për këtë fakt.

-Debati mes Aranit Çelës, kryesuesit të seancës gjyqësore me Kadri Hazbiun lidhur me dorëzimin UDB-së të listës së bashkëpunëtorëve në Kosovë dhe pasojat që erdhën nga ky veprim armiqësor.

-Si përpunohej informacioni për Sigurimin e Shtetit, ushtrinë e policinë nga ‘Grupi agjenturor i vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’ para se të shkonte tek Enver Hoxha.

Kujtim Boriçi January 27, 2013 09:47
Komento

7 Komente

  1. Agron January 27, 12:49

    Pallavra asnje nga keta nuk ka qene puçist dhe ska tentuar te vrase udheheqesin e madhe.Te gjitha jane iskenime per ti eleminuar si nje lufte e ashper brenda lloit.

    Reply to this comment
  2. saviano January 27, 14:35

    Sina u dogj per faj te Halil Alise. Ishte ai qe organizoi priten ne te cilen u vra Nimete Progonati. Fshati nuk kishte faj por partizanet kujtuan se ishte fshati i cili u beri prite dhe per hakmarrje te demeve qe u shkaktuan forcave partizane u dogj Sina e Eperme. Ende ka njerez qe e kane jetuar ate dite. Pyetni dh e pike.

    Reply to this comment
  3. Mallakastrioti January 27, 19:41

    More qe ka qen pucist Kadiu dhe mehmeti dhe shum te tier nuk diskutohet,po me kete rast u futin dhe nje dru ekstra dhe ne halet te gjith =D

    Reply to this comment
  4. maksuti qe ua futi January 27, 20:05

    KETA MASKARENJE duhet te KISHIN helmuar veten si HAKIM NEXHIPI (CANAJ) NGA KLOSI I MALLAKASTRES
    pak ilac miu si HAKIMI I PARE e shkoj pertej

    Reply to this comment
  5. Noshi June 8, 01:17

    Keta kane bere namin por kane patur mbeshytetje te forte
    http://shkodra.ws/lajme/leter-e-hapur

    Reply to this comment
  6. Kujtimi October 20, 20:41

    në 22 Korrik, 2013
    26 spiunë të Sigurimit, punonjës të Ambasadës Amerikane

    Fenomeni nuk është i panjohur, por pranimi i së vërtetës është i vonuar. Në Ambasadën amerikane në Tiranë, pikërisht në tempullin e demokracisë botërore, janë punësuar 26 ish-spiunë, të Sigurimit të shtetit, ish komunistë të rrezikshëm, apo përfaqësues të ish nomenklaturës, të cilët prej 45 vjetësh, spiunuan ose dolën dëshmitarë nëpër gjyqe kundër disidentëve të vërtetë, të këtij vendi. Dhe sikur të mos mjaftonte vetëm kjo gjë, sot bie në sy se kjo ambasadë i ka hapur kanatat e saj, për pseudointelektualët dhe spiunët e shumtë të komunizmit, të cilët pas viteve 90-të synuan rehabilitimin, duke trokitur me delikatesë dhe “kulturë”, në portat e kësaj ambasade. Aq e vërtetë dhe e zakonshme është kjo gjë saqë, rreth 90 për qind, e atyre që hyjnë dhe dalin në ambasadë, janë të pajisur me dosje spiuni dhe madje, me pseudonim. Për këtë arsye, para disa viteve, Geri Kokalari, i ka dërguar një letër konfidenciale ambasadores Marsi Ries si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ku bën të ditur faktin tronditës për prezencën e ambasadës amerikane në Shqipëri. Sipas letrës së tij, janë konkretisht 26 punonjës të kësaj ambasade që kanë qenë spiunë, apo ish-anëtarë të partisë Komuniste Shqiptare. Kokalari, thotë se gjatë procesit të punësimit, atyre u është dhënë një formular dhe një ndër pyetjet, është ajo nëse kanë qenë anëtarë të partisë Komuniste, apo edhe ndonjë organizate fashiste. Dhe këta të fundit janë përgjigjur “jo”, por kjo ishte pjesë e mashtrimit të këtyre individëve. Sepse dihet mirë se këta 26 persona, ish- anëtarë të partisë Komuniste, u punësuan në ambasadën amerikane. Dhe personi i fundit në këtë listë ka qenë rezident në Boston.
    Letra
    Letra e shkruar me një guxim qytetar nga Geri Kokalari në adresë të ish- ambasadores amerikane në Shqipëri nënvizon se: “Disa nga ish-punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare. Nga këndvështrimi im për t’u bërë punonjës në këtë ambasadë të gjithë kanë plotësuar më parë një formular kualifikimi të Departamentit të Shtetit, OMB Nr. 1405-0029. Seksioni 35 i këtij formulari shtron pyetjen: Jeni ju tani, ose keni qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste, ose i ndonjë organizate komuniste, ose fashiste? Nga këndvështrimi im personat e listuar më poshtë mund të kenë qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe mund të jenë përgjigjur “jo” në seksionin 35 të formularit të përshkruar më poshtë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këta persona kanë bërë një paraqitje jo të denjë në një aplikim punësimi, me një agjenci të qeverisë amerikane dhe nëse është kështu unë marr përsipër të them se ky është një fakt i kryer”. Kokalari e vazhdon arsyetimin dhe akuzën e tij, edhe për personat e lidhur me Kadri Hazbiun. Duke e konsideruar Hazbiun, si arkitektin e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në kohën e diktaturës, Kokalari i ka shprehur shqetësimin ambasadës amerikane, se ish komunistët mund të kenë tashmë në këtë ambasadë spiunët e tyre. “Punonjësit në Ambasadë dhe ka mundësi që edhe të tjerë, të ishin direkt të varur nga Kadri Hazbiu, kur ai ka shërbyer si Ministër i Brendshëm nën regjimin e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Në këtë pozicion, Hazbiu ishte gjithashtu edhe në krye të sigurimit sekret shqiptar, operacion policie që vepronte si inteligjencë dhe ushtri e fortë për regjimin brutal të Enver Hoxhës. Siç është e ditur tashmë, pjesa më e madhe, në mos të gjithë, të gjithë njerëzit që punonin nën pozicionin e Hazbiut, u konsideruan “sigurimi” dhe shërbyen si bërthamë e aparatit të inteligjencës për Partinë Komuniste Shqiptare. Ajo që është shqetësuese për këtë situatë, ka të bëjë me faktin, se ka mundësi, që anëtarë të ish-qeverisë komuniste të kenë futur spiunë në Ambasadën Amerikane”, shkruan Kokalari. Më tej, në letër përmendet edhe kryeministri Berisha, por edhe ish -kryeministri Fatos Nano, si ish anëtarë të Partisë Komuniste dhe ai, i konsideron ata, si kontigjentë të mundshëm. “Kjo mund të jetë shumë e rëndësishme sepse mund të thotë që këta individë mbajnë lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare dhe kanë shërbyer si një rrjet, inteligjent, brenda ambasadës tuaj. Për më tepër, kjo gjë mund të shpjegojë gjithashtu, të dhënat, që ish-kryeministri Fatos Nano kishte burime inteligjence brenda Ambasadës për shkak të faktit, se ai ka qenë një anëtar kyç i ish-regjimit komunist dhe mban lidhje të ngushta me “ish-sigurimin”, vazhdon letra. Në përfundim të saj, Kokalari sqaron edhe arsyet e letrës dhe informacionit që jep. “Si qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë pyes, nëse ju e investigoni këtë çështje dhe përcaktoni nëse ndonjë nga informacionet që dhamë më lart kishte ndonjë gjë të bazuar në fakte reale. Vëmendja juaj e menjëhershme dhe përgjigja kërkohet me shumë respekt”, përfundon letra e Geri Kokalarit. Kjo letër është shkruar disa vite më parë, por fenomeni vazhdon dhe Geri Kokolari me të drejtë kërkon zgjidhjen e dilemës. Sepse në një shënim tjetër ai ka sqaruar se edhe sot e kësaj dite, po të bëjmë një radioskopi të njerëzve që hyjnë e dalin në këtë ambasadë, do të shohim se ata janë pikërisht, eksponentë të njohur, në lidhjet e tyre me Sigurimin e Shtetit, pavarësisht, nga pasojat e rënda apo të lehta, që u kanë shkaktuar njerëzve të thjeshtë, në jetën private. Këtu mund të përmendim, disa pseudonime të tyre, si Holta, Çorapja, Çibuku, Çiftelia, Shkrimtari, Profesori, etj, etj. Në fillimin e viteve 90-të, në këtë ambasadë kanë kërkuar gjithashtu, ndihmë, spiunët më të rrezikshëm të historisë së diktaturës komuniste. Ata që çuan në litar, apo drejt pushkatimit, kolegët e tyre, fqinjët e tyre dhe ndonjëherë të afërmit e tyre. Përpara lëkurës së vet, ata nuk patën mëshirë për asgjë tjetër, dhe spiunimet i raportonin me letër. Ata çuan në litar shumë prej disidentëve që shprehnin vlerësim dhe mirënjohje për Amerikën, por raportet e fshehta të spiunëve i degdisën nëpër qelitë e burgjeve, apo prapa kloneve të dëbim –internimeve. Por këta spiunë nuk ngopeshin me bëmat e tyre dhe hapnin sytë lart e poshtë për të gjetur viktimën e rradhës, ndërsa në vitet 90-të, pamë se si derdhnin lot krokodili për dashurinë ndaj ambasadës amerikane. Në këtë kontekst, kontributi i Kokalarit për zbardhjen e listës së spiunëve përbën një triumf. Sepse, tregon që rezistenca e fisnikëve të këtij vendi, do të jetë kurdoherë, prezente ndaj hipokrizisë së pandalshme të zyrtarëve tanë, burokratëve, apo hileqarëve që e ndërrojnë ngjyrën e flamurit politik, sipas interesave të momentit
    Lista e spiunëve dhe ish-komunistëve të Ambasadës
    Geri Kokalari, jep një panoramë të qartë të fenomenit që mbërtheu mjedisin shqiptar, pas viteve 90-të, por ai jep edhe një listë të plotë të ish-komunistëve dhe ish spiunëve, që u punësuan në ambasadën amerikane. Këtë listë, ai e ka pasqyruar me emër dhe mbiemër. Por, për efekte etike dhe për të zbatuar korrektësinë e ligjshmërisë, ne, po i botojmë vetëm inicialet e emrave dhe mbiemrave të tyre. Kjo edhe për faktin, se ligji i hapjes së dosjeve të spiunëve, ende nuk është miratuar.
    Tabela e spiunëve të punësuar në ambasadën amerikane

    1- Astrit Pullazi, nga Tirana.

    Ka filluar punë në ambasadën amerikane sapo ajo hapi portat e saj në Tiranë më 1991. Ky privilegj i është rezervuar prej amerikanëve për merita të veçanta: Pullazi ka qenë shofer i Enver Hoxhës. Në çdo rast që ndodhet vetëm, Astriti këndon këngën e tij të preferuar: «Enver Hoxha, o tungjatjeta!» Dhe jo pa të drejtë.

    2- Belul Cuka, nga Peshkopia.

    Ish-shofer i Kadri Hazbiut. Krenarinë për të kaluarën e tij e përmbledh në këto fjalë: «Kudo që e çoja me veturën luksoze “grushtin e hekurt të diktaturës” dridhej foshnja në bark të nënës.»

    3- Besnik Malo Çala, nga Vlora.

    Ka filluar punë në ambasadën amerikane bashkë me Pullazin më 1999.
    Cilësia e tij më e preferuar prej amerikanëve: Ka qenë kuadër i mirënjohur i Ministrisë së Punëve të Brendshme të diktaturës, ekspert i stërvitjes së grupeve terroriste marksiste-leniniste të mbiquajtura «Brigadat e Kuqe», të cilat stërviteshin në Shqipërinë diktatoriale. E ka ushtruar aktivitetin në kampet stërvitore në malet e Burrelit dhe në Pishë Poro të Vlorës. Lidhur me të kaluarën e tij, Besniku i Partisë shprehet me krenari: «Bin Laden do ta kishte pasur zili aftësinë time stërvitore të terroristëve.»

    4- Emri Baja, nga Kukësi, survejues i ambasadës amerikane në Tiranë.

    Gjatë veprimtarisë 15 vjeçare në Ministrinë e Punëve të Brendshme të diktaturës ka qenë krahu i djathtë i Kadri Hazbiut. I mirënjohur për egërsinë e tij ndaj “armikut të klasës”, Hazbiu e emëroi për disa vjet shef të kampeve të internimit në rrethin e Lushnjës për të mbjellë terror. Të internuarit e rrethit të Lushnjës të asaj periudhe shpreheshin:
    «Xhebraili nuk mund të ketë pamje tjetër veç asaj të Emri Bajës.»
    Lidhur me veprimtarinë e tij përkrah Kadri Hazbiut, Baja kujton me nostalgji:
    «Ministri më kishte thënë disa herë: Kur ti mendon se lufta e klasave është zbutur, unë ia bëj të njohur këtë shokut Enver dhe për armikun e klasës bien kambanat e vdekjes».
    I mbiquajtur me humor prej ambasadorit amerikan «Barometër i luftës së klasave», komunistit veteran Baja i është besuar survejimi i ambasadës së «imperializmit amerikan».

    5- Hasan Spahiu, nga Skrapari.

    Kuadër i sprovuar i Sigurimit të Shtetit i rekomanduar për punësim prej Sulo Gradecit, i cili ka shkruar dikur për të:
    «Sikur shoku Enver të më pyeste: “Pas teje, kush është personi që më do mua më shumë?”, unë do t’i përgjigjesha pa u menduar: Hasani.»
    Hasani ka qenë sekretar partie ne Farkë të Tiranës, tek helikopterët. Në çdo xhep të tij mban një fotografi të Enver Hoxhës, ndërsa në shtëpi ruan me mall një statujë të vogël fildishi të diktatorit, të cilën e ledhaton në mbrëmje deri sa e zë gjumi.

    6- Selami Liço, nga Peshkopia.

    Ish-oficer zbulimi në kohën e diktaturës dhe oficer ushtrie deri më 1997. I akuzuar për kontrabandë masive armësh prej vitit 1997 e në vazhdim, Liçon e mori në mbrojtje ambasada amerikane në Tiranë, ku edhe u punësua në vitin 2000. Atje vazhdon të jetë edhe sot. I befasuar prej ngrirjes së dosjes së tij penale mjaft të ngarkuar, nuk lodhet së përsërituri fjalët:
    «Mallkuar qoftë kush mendon se amerikanët janë antikomunistë!»Gruaja e tij ka punuar gjithmonë në “Bllok”.

    7- Agim Bllaci, nga Gjirokastra.

    Ka filluar punë në ambasadën amerikane qysh më 1991, me “ajkën” e të punësuarve atje.
    Deri më 1973 – sa kishte gjallë babanë –, ka jetuar në “Bllok”. Është dëgjuar të përmendë shpesh kujtimin më të shtrenjtë që ruan nga jeta në «Bllokun e Udhëheqjes”:
    «Sa herë që vinte për vizitë tek ne, shoku Enver nuk harronte t’i thoshte babait: “Prokurorët e vendosur si ti janë maja e shpatës së diktaturës së proletariatit, shoku Misto Bllaci. I tmerrove klerikët me pretencat e tua, që s’njohin dënim tjetër veç atij me vdekje. Uroj që edhe Agimi të eci në gjurmët e tua.»
    Për meritat e babait dhe të tijat, Agimi dhe gruaja e tij ndodhen të dy të punësuar në ambasadën amerikane.

    8- Bashkim Male, nga Erseka.

    Ish-oficer, pilot, aktualisht mbikëqyrës në ambasadën amerikane. Bashkëpunëtor aktiv i Sigurimit të Shtetit. Shokët e tij të punës trembeshin më shumë nga Bashkimi, se sa prej kryetarit të Degës së Brendshme.
    «Përpiqem të jem më tolerant kur më shajnë për familjen, se sa kur më përgojojnë karrierën time si anëtar besnik i Partisë së Punës», pranon me çiltërsi Bashkimi.

    9- Sadik Hasko, nga Skrapari.

    Një tjetër rekomandim i goditur i Sulo Gradecit, i cili është shprehur me respekt të thellë si për patriotin e tij edhe për ambasadorin amerikan në Tiranë:
    «I vetmi komisar që i ka lexuar nga tri herë të gjitha veprat e shokut Enver është pikërisht Sadiku. Një ditë Sadiku, i përhumbur në kujtime, shkroi instinktivisht me bojë të kuqe mbi një mur të ambasadës emrin e pavdekshëm “Enver”. Falënderoj nga zemra ambasadorin amerikan i cili, në vend që ta pushonte nga puna mikun tim për pakujdesinë e treguar, e thirri në zyrë dhe i dhuroi një flakon parfumi Nostalgji. Vetëm tani po arrij ta kuptoj disi shprehjen e hollë që më kishte përsëritur disa herë shoku Enver gjatë viteve të fundit të jetës së tij të ndritur:
    “Sillo, në politikë gjërat nuk janë ashtu si duken. I shikon ata anglo‑amerikanët ti? Aq sa jam unë besimtar se kam mbiemrin Hoxhë, aq janë edhe ata antikomunistë”. »

    10- Veli Varfri, nga Tepelena.

    « Bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit për mua ka qenë po aq i domosdoshëm sa edhe frymëmarrja», thekson Veliu me modesti.
    «Edhe sikur të mos quhej “Lug i Zi”, ai vend atë emër do të kishte marrë prej nënave të shumta tropojane që veshi me të zeza Veli Varfri, duke iu vrarë djemtë në kufi.»
    Sa herë që bie fjala për Enver Hoxhën në ambasadën amerikane, Veliu përdor epitetin «I paharruari», duke psherëtirë dhe sytë e tij mbushen menjëherë me lot. Nëpërmjet një sajti privat shpërndan stema të ish-diktatorit.

    11- Bardhyl Poda, nga Erseka.

    Një ndër komunistët fanatikë që e ka vizituar më shpesh shtëpinë muze të diktatorit në Gjirokastër, duke pozuar çdo vit para saj. «Sigurimi i Shtetit për mua ka qenë Zoti në tokë», shprehet Bardhyli në konfidencë.

    12- Qemal Bashkurti,nga Tropoja.

    I pyetur nëse do të dëshironte që t’i ngjallej njeriu i tij më i dashur që nuk jetonte më apo ish-diktatori, Qemali është përgjigjur pa ngurruar:
    «Nuk kam pasur në jetë njeri më të dashur nga Enver Hoxha.»

    13- Kasëm Ymeri, nga Skrapari.

    Dëshira e tij më e madhe në jetë: «Të kisha vdekur në të njëjtën ditë dhe orë me Enver Hoxhën!»

    14- Albert Hasanballiu, nga Skrapari.

    Ky është i rekomanduari i tretë i Sulo Gradecit, për të cilin Sulua vetë shprehej dikur me modesti:
    «Sikur shoku Enver të kishte njohur Albertin para meje, historia shqiptare do të kishte mbetur pa Sillo.»

    15- Aleks Ndini, nga Korça.

    Shprehja e tij më e spikatur:
    «Një ditë pësova një krizë kardiake pranë vendit ku ka qenë liceu francez në Korçë, të cilin e vizitoj shpesh. Në çast mendova: “Ç’vdekje të lumtur paskam pasur fat! Duke u rrëzuar përtokë, do të kem rastin të vë kokën atje ku ka vënë këmbën dikur shoku Enver!”»

    16- Peti Çala, nga Fieri.

    Ditën që u rrëzua monumenti i diktatorit në Tiranë, duke u ngashëryer Peti deklaroi: «Do të kisha qenë i lumtur sikur të vdisja duke më rënë përsipër ai monument.»

    17- Shkëlqim Xhagolli, nga Tirana.

    «Po të kisha vdekur duke qenë anëtar i Partisë së Punës, me siguri vdekja do të kishte qenë shumë më e ëmbël për mua nga ç’do të jetë një ditë në të ardhmen», është shprehur mes miqsh Xhagolli.

    18- Hajri Mazaj, nga Vlora.

    I paepur në zhvillimin e luftës së klasave edhe brenda fisit të tij të cilit i krijoi probleme serioze, Mazaj u kishte dhënë urdhër të prerë postave të kufirit në Peshkopi:
    «Ose asgjësoni thyesit e kufirit, ose vrisni veten; rrugë të mesme nuk ka.» Idenë e tij për vlerën e jetës, Hajriu e ka përmbledhur në pak fjalë:
    «Sa boshe do të më dukej jeta, sikur shoku Enver të mos më dilte çdo javë në ëndërr!»

    19- Fejzi Hoxholli, nga Korça.

    «Shumë herë u kam tërhequr vërejtjen prindërve që nuk më kanë çuar emrin Enver», ka thënë Fejziu me keqardhje.

    20- Mels Arapi, nga Vlora.

    Të afërmve të tij u ka lënë këtë amanet: «Nuk duhet të harroni të çoni mbi gjoksin tim në arkivol teserën e Partisë së Punës.»

    21- Isa Lumani, nga Erseka.

    Çdo i interesuar mund të gjejë në shtëpinë e Isait secilën prej “veprave” të ish diktatorit. «Veprën 19» në anglisht ia ka bërë dhuratë ambasadori amerikan më 16 tetor 2008, me rastin e 100 vjetorit të ditëlindjes së diktatorit.

    22- Aleksander Shtepani, nga Tirana.

    «Sikur shoku Enver të kishte jetuar edhe 9 vjet, Shqipëria do të kishte mbërritur në komunizëm», ka profetizuar Shtepani.

    23- Muharrem Ibrahimi, nga Fieri.

    «Po ratë në vështirësi, kujtoni shokun Enver; po ratë në nevojë, kujtoni Partinë e Punës!», i ka këshilluar të afërmit e tij Muharremi.

    24- Halit Haliti, nga Erseka.

    «Kur mora teserën e Partisë së Punës nuk më ka zënë gjumi dy net nga gëzimi», është shprehur i përlotur Haliti.

    25- Jorgo Kaçi, nga Saranda.

    Kur ishte komandant kufiri në rrethin e tij, Jorgua nuk harronte t’iu thoshte në çdo mbledhje forcave të mbrojtjes:«Çdo shqiptar që arrin të arratiset bëhet vegël e imperialistëve, për të luftuar kundër popullit e vendit të tij. Një atdhetar i vërtetë pranon më parë të vdesë, se sa të vihet në shërbim të amerikanëve.»Kur “atdhetari i vërtetë” Jorgo Kaçi pranoi të vihej në shërbim të amerikanëve në ambasadë (sigurisht pa vdekur), atje mësoi disa gjëra që nuk i dinte më parë dhe thirri i entuziazmuar:«Nuk ma priste mendja kurrë që karriera ime komuniste, e ideuar në Komitetin e Partisë të Sarandës, do të realizohej në selinë e ambasadës së “imperialistëve amerikanë” në Tiranë! I ftoj gjithë shokët e mi të idealit që parullën “Lavdi Marksizëm-Leninizmit!” ta zëvendësojmë me “Lavdi prapaskenave të politikës!”»

    26- Rrapo Hazizi, nga Skrapari.

    Shef i kufirit të jugut deri më 1991. Rrapo Hazizi mbahet mend për vrasjet e shumta në kufirin e jugut të shtetasve që tentonin të arratiseshin. Për këtë “meritë të spikatur”, Ramiz Alia e dekoroi posaçërisht në fund të vitit 1990. Po për të njëjtën meritë, ambasada amerikane e punësoi duarpërgjakurin Rrapo pak kohë pas dekorimit.
    E vërteta e denoncimeve të Pjetër Arbnorit, Bilal Xhaferrit dhe Petro Markos.
    Fushat kryesore që drejtohen nga spiunët, nga arti në ushtri.
    Ashtu siç shihet lista e spiunëve që kanë nxituar për t’u punësuar në Ambasadën Amerikane është tepër e gjatë dhe në pamjen e parë, duket se kjo ambasadë ka shpallur një garë për të krahasuar meritat më të mëdha të ish bashkëpunëtorëve të shtetit, apo ish- komunistëve, të rrezikshëm të Shqipërisë. Dhe nëse një ditë kjo ambasadë do të hapte një panair të spiunëve, atëhere postjerët nuk do të lodheshin shumë për të shpërndarë ftesat. Sepse, 26 prej tyre do t’i gjente në mjediset e brendshme të ambasadës. Lind pyetja: Po sot? Çfarë po ndodh vallë sot, në mjediset e Ambasadës amerikane, pikërisht, 21 vjet pas montimit të sistemit demokratik në Shqipëri? Sipas, Geri Kokolarit, alarmi është i dukshëm dhe kambanat e paralajmërimit, bien gjithmonë, për ata që kanë vesh. Ndërmjet të tjerave, Kokalari ka udhëzuar zyrtarët e kësaj ambasade për të pasur kujdes me spiunët: “Ata mund t’ju spiunojnë”, është shprehur Kokalari. Dhe duke pasur parasysh, shprehjen e Tolstoit se “njeriu nuk ndryshon kurrë”, mund të themi se spiunët e djeshëm, kanë shumë pak shanse të ndryshojnë prirjet e tyre. Pra, ata mbeten spiunë, por në këtë rast rrezikohet që spiunët, të mos kenë ndryshuar profesionin, por padronin. Dhe ata, tanimë, nuk dihet se për kë punojnë. Por një dukuri tjetër e frikshme që duket se vazhdon të funksionojë në ambasadën amerikane është afrimi dhe marrja me të mirë e intelektualëve-spiunë, të cilët nuk punojnë aty, por hyjnë e dalin për të folur mbi udhëtime, takime ndërkombëtare, vizita në SHBA, apo projekte të ndryshme, prej të cilave përfitojnë, herë më pak dhe herë më shumë. Ajo që bie në sy, edhe pse dosjet nuk janë hapur, akoma, është fakti se pseudonimet e këtyre intelektualëve, sot i ka mësuar edhe një fëmijë i vogël, por për çudi zyrtarët e ambasadës bëjnë sikur nuk dinë gjë. Ata hyjnë e dalin në ambasadë, planifikojnë prerjen e biletave të avionëve, prenotojnë vendet e hoteleve dhe pijnë kafe me zyrtarë të lartë të ambasadës. I pyetur për këtë fenomen, ish kreu i SHISH-it, Klosi u shpreh për gazetën “Sot”, se “spiunët nuk duhen denigruar dhe as nuk duhen publikuar, sepse ata mund t’i nevojiten më vonë, vendit tonë”. Ose, një argument tjetër, që thotë Klosi, ka të bëjë me frikën e spiunëve të ardhshëm, për të punuar në strukturat sekrete, nga frika se mos një ditë, emrat e tyre publikohen, njëlloj, si ata, të sotmit”. Natyrisht, në arsyetimin e Klosit, ka një pjesë që duhet diskutuar, por kundërshtimi ndaj tij, vjen për shkak të dy problemeve: E para, ka të bëjë me faktin, se mijra spiunë të djeshëm, sot komandojnë fatet e vendit tonë, ose, përfaqësojnë majat e larta të diplomacisë, kulturës, shkencës, sportit, gazetarisë, etj, pa pasur as një shfaqje pendese, apo ndjese. Dhe e dyta, ka të bëjë me akuzat që ata vetë u bëjnë njerëzve të tjerë, të pafajshëm, si “bashkëpunëtorë apo servilë të rregjimit”. Ndërsa, në rastin e punësimit të tyre në ambasadën amerikane, kjo e ngre shumë lart stekën e tyre, të përfaqësimit dhe këtu nuk bëhet më fjalë për një garë vlerash, por për një keqkuptim, që mund të rishikohet, ose për një gabim të bërë me dashje, nuk dihet se për çfarë arsyeje.
    Fillimet
    Gjithçka filloi nga frika e asaj që mund të ndodhte më vonë. Ish-spiunët kërkuan mbështetjen e dy partive të mëdha, duke u strehuar në postet e larta, për t’u mbrojtur nga breshëri i së nesërmes, ose nga urrejtja e viktimave të tyre. Përveç partive, ata kërkuan të lidhen me ambasadat e huaja, për t’u punësuar, ose për të marrë një vizë largimi. Mbahet mend mirë, se denoncuesit, apo informatorët që raportuan Pjetër Arbnorin, Petro Markon, Bilal Xhaferin, Visar Zhitin, Sherif Merdanin, etj, në fillim tentuan të iknin jashtë shtetit, ose disa prej tyre, arritën të largoheshin. Por, më vonë, doli që edhe vetë Arbnori kishte firmosur si bashkëpunëtor i Sigurimit, ndërsa në familjen e Petro Markos, kishte depërtuar Sigurimi i Shtetit në thellësi. Disa guxuan të hedhin akuza edhe mbi Bilal Xhaferrin, por shumica e akuzave hynin në kuadrin e tejkalimit të së drejtës, me argumentin, apo faktin. Ndërkohë, disa prej ish-bashkëpunëtorëve, apo ish-spiunëve të tjerë, nuk lëvizën nga vendi. Ata heshtën, duke e kuptuar se kishin kryer një gabim, nën diktatin e dhunës, apo detyrimit. Disa në një moshë më të pjekur, disa të tjerë në një moshë më të re. Disa në rrethana të rënda detyruese, disa të tjerë duke bërë dhjetra lutje, me dëshirën për t’u pranuar. Por, në fund, fare, erdhi pendimi. Dhe kush pendohet, duhet vlerësuar për luftën e pastër me ndërgjegjen. Prandaj, koha e sotme në apelin e vet kërkon pajtim dhe paqe, për të gjithë, por në rradhë të parë pasi t’a kemi njohur, njëri-tjetrin edhe në tunelin e errët të prapaskenave periodike.
    Zhiti: Më spiunuan anëtarët e Lidhjes
    Nëse e vutë re akt-ekspertizën, ajo fillonte me anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve. Librin që kisha dorëzuar për botim ua kisha dhënë unë në duart e tyre dhe deklaratat e tyre bënë që të merrej ai dënim që u mor. Mua më bën përshtypje se akt-ekspertiza është bërë para se unë të dënohesha dhe ata avancojnë në drejtimin e së keqes, sepse më konsiderojnë armik. Unë nuk isha cilësuar ende armik në atë kohë. Se të jesh armik e vendoste gjyqi. Ata thoshin ky pseudopoet, ky armik, etj. Pra ata kanë paraprirë gjyqin, ndoshta-ndoshta ata ishin gjyqi i vërtetë! Aktualisht janë në detyra të ndjeshme. Po një pjesë e tyre janë edhe në Itali apo Angli. Gjithsesi, ky ndoshta është shkrimi më i mirë i tyre, akt-ekspertiza për mua. Është i vetmi rast ku ata janë botuar edhe në vende të tjera të botës.
    Kasem Trebeshina: Më spiunuan shokët e mi

    “Mua më spiunuan shokët e mi dhe në gjyq dolën si dëshmitarë kundër meje, 11 shkrimtarë e poetë”. Kështu, rrëfen Kasem Trebeshina, i cili thotë, se ka edhe më keq. Sepse, dikujt i ka dalë gruaja, apo vëllezërit, dikujt, motra dhe babai. Kjo pozitë është mjaft e tmerrshme dhe çdo dëgjues i vëmendshëm, thotë: “Mjaft”. Kjo është diçka e rëndë për ta dëgjuar sepse na trondit me vërtetësinë e vet. Por ka ndodhur edhe kështu.
    Ilir Bushi/SOT NEWS
    29 Shtator 2011

    Reply to this comment
    • gjergji December 2, 10:13

      Kot s’qenkemi bere spiune dhe vrases edhe ne,se keshtu filloke pune ku ta paska qefi.Bote e qelbur!!Ke te te dish me te mire te del me mut se muti!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*