Aranit Çela: Provat dhe dëshmitë e gjeneralëve që pranojnë krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut

Kujtim Boriçi April 9, 2013 16:20

Aranit Çela: Provat dhe dëshmitë e gjeneralëve që pranojnë krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut

Ekskluzive / Dokumentet arkivore të procesit gjyqësor ndaj “puçistëve në ushtri”. Kryesuesi Aranit Çela sjell pohimet e dëshmitarëve, provat materiale dhe dëshmitë e të pandehurve Balluku, Dume, Çako e Parllaku

 

Kryegjyqtari: -Kreu i organizatës ishte Beqir Balluku. Aktiviteti armiqësor kryhej i planifikuar, me objekt dhe në mënyrë konspirative e kundër interesave të Partisë e Shqipërisë!

 

Në vazhdim të vendimit për dënimin e gjeneralëve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku (tre të parët me vdekje, Parllaku me 25 vite heqje lirie) për një sërë akuzash, Aranit Çela, Kryetar i Gjykatës së Lartë e njëkohësisht kreu i Gjykatës Speciale Ushtarake për gjykimin e ‘Gjeneralëve puçistë”, sjell provat, pohimet e dëshmitarëve dhe deponimet e vetë të akuzuarve që pranojnë qënien anëtarë të grupit ‘puçist’ dhe aktivitetin kriminal që kanë kryer. “Kreu i organizatës ishte Beqir Balluku. Aktiviteti armiqësor kryhej i planifikuar, me objekt dhe në mënyrë konspirative e kundër interesave të Partisë e Shqipërisë! Vetë të pandehurit kanë pranuar veprimtarinë armiqësore në bashkëpunim” – shton në vazhdim të vendimit Aranit Çela…

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Aranit Çela(Kryetar i Gjykatës): -Gjatë gjykimit është vërtetuar plotësisht fajësia e të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku. Veprimtaria armiqësore e tyre është zhvilluar në vendosjen e komandimit unik në ushtri, shmangien e rolit Udhëheqës të Partisë, sabotimi i stërvitjes, sabotimi i Shkollave të Lira Ushtarake, sabotimi në fortifikim, shkelja flagrante e ligjeve të shtetit, sabotimi në ekonomi e përvetësimi i pasurisë së popullit, etj… Akuzat e afruara nga prokuroria, pohimet e dëshmitarëve dhe dëshmitë e vetë të pandehurve në vazhdim, e provojnë veprimtarinë armiqësore dhe argumentojnë dënimin e dhënë nga ne…

 

Hito Çako: -Unë, edhe pas masave që mori Partia për heqjen e  komandimit unik, ruajta pikëpamjen që në Ministrinë e Mbrojtjes të ruhej komandimi unik. Drejtorinë Politike e kam trajtuar si një nga drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe si e tillë ka vartësi direkte nga Ministria dhe merr nga kjo urdhra dhe udhëzime si të gjitha hallkat e tjera të Ministrisë së Mbrojtjes. Unë, Beqir Balluku e Petrit Dume, duke filluar që nga viti 1966 e në vazhdim, kemi bërë ndryshime mbi strukturën e Drejtorisë Politike dhe për këtë nuk është marrë aprovimi i Komitetit Qendror, i cili e kishte vendosur këtë strukturë… Beqiri më tha se e keqja kryesore është në punën e Drejtorisë Politike sidomos të organizatave bazë e të komiteteve të Partisë që nuk janë në binarë fare. Këta janë bërë mbështetje për njerëzit liberalë e llafazanë dhe nuk mbështesin kërkesat e komandave dhe shtabeve, prandaj ti Hito, në raport, theksin duhet ta vesh në organizatat e Komitetet e Partisë dhe të mos spostohet vëmendja duke trajtuar probleme të komandave, shtabeve dhe të aparatit të Ministrisë.

 

Duke vazhduar në këtë mënyrë, të pandehurit krijuan ‘Komitetin e Vogël Qendror” në Ministrinë e Mbrojtjes, ku mblidheshin rregullisht e me tematikë, merrnin vendime të rëndësishme, gjë e cila ishte në kompetencë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Këtë veprimtari armiqësore, të pandehurit e kanë pranuar duke pohuar ndër të tjera dhe sa më poshtë:

 

Hito Çako: -Detyrën për aktivizimin e anëtarëve të komitetit Qendror të Partisë që punonin në ushtri, e shfrytëzuam për të forcuar e kristalizuar, deri duke krijuar dalëngadalë, ‘Komitetin e Vogël Qendror’ në Ministrinë e Mbrojtjes, që në periudhën e mëvonshme pruri dobësimin gjithnjë e më shumë të lidhjeve të Drejtorisë Politike me Komitetin Qendror të Partisë dhe izolimin e Këshillit të Mbrojtjes nga problemet e ushtrisë…

 

Petrit Dume: -Pra, nga njëra anë, ne anëtarët e Komitetit Qendror që punonim në ushtri, ishim një “Plenum i Vogël” i Komitetit Qendror dhe Drejtoria Politike ishte një “aparat i vogël” i këtij Plenumi.

 

Beqir Balluku: -Mbledhja e anëtarëve të Plenumit ka filluar gjoja si mbledhje konsultative, por unë e degjenerova me qëllim për të krijuar një fraksion antiparti… Është e vërtetë se ky forum u krijua për t’ju kundërvënë Partisë.

 

Si komplotistë dhe puçistë, të pandehurit, janë munduar në të gjitha mënyrat që të mos lejojnë që Komiteti Qendror i Partisë dhe Këshilli i Mbrojtjes të njohin gjendjen e vërtetë të punës në ushtri… Kështu, janë mbajtur ushtarë mbi limitin e miratuar, bëheshin dhe fshiheshin dëme të konsiderueshme ekonomike, etj… Këta, siç jepet në vazhdim, i kanë pranuar dhe vetë të pandehurit dhe dëshmitarët…

 

Petrit Dume: -Në raportet që unë kam parë, të cilët i shkonin Komitetit Qendror të Partisë, si në rrugë shtetërore dhe Partie, ka pasur shumë zbukurime, jepeshin ato që bënin fjalë për sukseset duke mbuluar dobësitë. Kjo ishte një sëmundje e përgjithshme tek ne. Kjo bëhej për t’i treguar Partisë se ‘punët shkojnë mirë’. Gënjeshtra, mashtrime, zbukurime dhe rrumbullakosja e gjërave ishin futur në tërë sistemin e ushtrisë sonë…

 

Hamdi Çobani(dëshmitar): -Hito Çako më tha se ju të Sigurimit (Ish-Kryetar i Degës së Sigurimit të Ushtrisë) nuk duhet të informoni Komitetin Qendror të Partisë për ngjarjet që ndodhin në ushtri, pa i parë më parë ne në Ministrinë e Mbrojtjes…

 

Kështu, të pandehurit Balluku, Dume, Çako e Parllaku kanë sabotuar politikën e Partisë lidhur me kuadrin, duke shkelur vendimet, udhëzimet e KQPPSH, ligjet e shtetit dhe vendimet e qeverisë për këtë problem. Për këtë ka dëshmi e prova të pakundërshtueshme, si dhe njëkohësisht, siç do e pohoj në vazhdim, i kanë pranuar dhe të pandehurit apo i kanë pohuar dhe dëshmitarët:

 

Beqir Balluku: -Shkelëm normat e Partisë në punën me kuadrin dhe bëmë politikë personale, krijuam privilegje për kuadrot e larta, të cilët janë konsideruar nga ne si kuadro të afirmuar dhe nuk kishte nevojë të pyetej dhe të merrej mendimi i organizatave bazë…

 

Rrahman Parllaku: -Në shkollat ushtarake janë futur kursantë të pafiltruar, me përbërje moralo-politike të keqe, si rezultat i ndërhyrjeve të bëra, mbi bazë miqësie, njohje e konsiderate të Petrit Dumes, Hito Çakos, Beqir Ballukut, e në ndonjë rast, edhe unë…

 

Beqir Balluku: -Në realitet, vija e masave u sabotua nga ne, unë, Petrit Dume, Hito Çako, e të tjerë se në esencë nuk kemi qenë dakord për këto masa. Është e kuptueshme se nuk mund të zbatonim vijën e masave përderisa ne i ishim kundërvënë rolit udhëheqës të Partisë në ushtri, përderisa ne vumë komandën mbi Partinë… Duke ecur në këtë rrugë, ne do të përplaseshim në luftë me pushkë kundër vijës së Partisë. (Faqe 29 e procesit gjyqësor).

 

2-Shokë Gjyqtarë!

Grupi armik dhe antiparti i komplotistëve në ushtri i kryesuar nga Beqir Balluku dhe me bashkëpunëtorë kryesorë Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun, ka zhvilluar një veprimtari të theksuar sabotimi në fushën e mbrojtjes së vendit. Siç doli nga provat, dëshmitë dhe pohimet e të pandehurve, kjo veprimtari armiqësore e sabotuese është zhvilluar në tre drejtime kryesore, përkatësisht në atë të Artit Ushtarak, atë të përgatitjes luftarake dhe në atë të fortifikimit të vendit. Ata, përgatitën antitezat armiqësore, që ishin në kundërshtim të plotë me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes… Ja deklarimet e të pandehurve:

 

Beqir Balluku: -Qysh në fillim të muajit korrik të vitit 1971, me iniciativën time dhe me dijeninë e plotë e aprovimin e të pandehurve Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman parllaku, u fillua puna për krijimin e materialit që më vonë, për arsye të kundërvënies hapur ndaj vijës ushtarake të Partisë, domethënë Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, mori emrin antiteza… Shpërndarja e materialit(Antitezat) tek kuadrot kryesor të ushtrisë, u bë me qëllim që, pasi të miratohej nga ata, t’i thoshim Këshillit të Mbrojtjes se ky është mendimi i gjithë ushtrisë. Kështu që, duke u ndodhur para një fakti të tillë, Këshilli i Mbrojtjes do të aprovonte antitezat. Në qoftë se nuk do t’i aprovonte,  do të krijoheshin artrite, do të kishte reaksion, do të ishte një pykë në unitetin e Partisë, do të çonte kuadrot ushtarakë në opozicion me Këshillin e Mbrojtjes…

 

Hito Çako: -Ne, si rezultat i pikëpamjeve revizioniste sovjetike që kishim edhe për çështjen e  stërvitjeve, i lamë ata pa program e rregullore të ndërtuar në bazën e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Si rezultat i sabotimeve tona, ushtarët dhe oficerët aktiv, të shpërndarë në grupeve të vogla nuk bënin asnjë lloj stërvitje taktike dhe të llojit më të thjeshtë… Si rezultat i sabotimeve tona, ushtarët e vitit të dytë e të tretë nuk stërviteshin, por çoheshin në punime xheniere apo në ndërtime të ndryshme që kishte ushtria. Stërvitjen e forcave rezerviste ne kurrë nuk e bëmë me atë intensitet që kërkohej. Në plan-kalendarin vjetor të stërvitjes, parashikonim stërvitje të mëdha që merrnin karakterin e manovrave… (Dosja nr 9, Fq 116-119)

 

Rrahman Parllaku: -Forcat vullnetare ne i nënvleftësonim, sidomos në koordinimin e veprimeve të tyre me strukturat e tjera të Forcave të Armatosura, ato nuk i përllogaritnin fare si forca kryesore. Ky është një qëndrim armiqësor që çon në nënvleftësimin e luftës popullore për mbrojtjen e vendit…

 

Petrit Dume: -Me veprimet tona kemi sabotuar direktivën e Partisë për Shkollën e Lirë. Beqir Balluku ka qenë sabotuesi kryesor. Kjo duket edhe në faktin që idetë e Komandantit Suprem (E.Hoxha) për Shkollat e Lira Ushtarake, u mbyllën në kasafortën e Beqir Ballukut për një kohë të gjatë…

 

Hito Çako: -Edhe unë kam influencuar në sabotimin e Shkollës së Lirë Ushtarake, duke u pajtuar me Beqir Ballukun… Moskryerja e elementëve kryesorë të mbrojtjes në punimet fortifikuese dhe sabotimi i mbrojtjes pozicionale aktive, ka ndodhur se as unë, as Beqiri, as Petriti e Rrahmani nuk i kemi dhënë prioritetin që kërkonin, sidomos bërjes së qendrave të zjarrit… Ne kemi bërë ndryshime në planet e punimeve operative, aprovonim plane për punime operative pa siguruar bazën materiale të nevojshme… Dëmtimet sabotuese që i kemi bërë fortifikimit të mbrojtjes së vendit janë rezultat i realizimit të pikëpamjeve tona antiparti…

 

Shokë gjyqtarë!

Armiqtë Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, të vendosur për misionin e tyre armiqësor, kanë përhapur sistematikisht helmin ideologjik në Forcat e Armatosura, nëpërmjet literaturës e rregulloreve të huaja… Ndër më të zellshmit(sipas pohimeve të vetë të pandehurve që jap në vazhdim) ishte Petrit Dume…

 

Petrit Dume: -Për këtë qëllim me urdhrin nr. 0103 dt. 6.03.1972 unë vura detyrën: “Njësitë, repartet dhe institucionet ushtarake të përgatisin brenda vitit 1972, lokale të përshtatshme ku të ekspozohen materiale figurative mbi ushtritë e huaja, ndërsa Drejtoria e Dytë

të paraqesë dhe të dërgojë materialet e nevojshme në formë albumesh dhe pllakatash si dhe të shtojë tirazhin e materialeve që botohen”.

 

Zotërinj gjyqtarë!

Të pandehurit Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku kanë qenë bashkëpunëtorët kryesorë dhe më të afërt të të pandehurit Beqir Balluku. Ata, me vendosmëri kriminale dhe konsekuencë kanë sabotuar në të gjitha sferat e jetës në ushtri. Që të gjithë të pandehurit janë treguar komplotistë e puçistë, njerëz me shumë fytyra, gënjeshtarë dhe mashtrues, arrogantë dhe prepotentë. Ndërsa të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako janë dhe hajdutë e në përgjithësi dhe imoralë…

Me gjithë këtë, Gjykata ka parasysh se veprimtaria armiqësore e të pandehurit Rrahman Parllaku për madhësinë dhe intensitetin e saj është e një shkalle më të ulët në krahasim me atë të të pandehurve të tjerë.

 

PËR KËTO ARSYE

Gjykata e Posaçme Ushtarake në mbështetje të neneve 278, 279 e 284 të Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipërisë,

 

VENDOSI:

Të deklarojë fajtorë të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako për akuzat e sipërcituara dhe t’i dënojë me vdekje, konfiskim të pasurisë së tyre, e humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet dhe heqjen e titujve e dekoratave që kanë marrë.

Të deklarojë fajtorë të pandehurin Rrahman Parllaku me konfiskim të pasurisë, ta dënojë me 25 vite heqje lirie, konfiskimin e pasurisë, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet dhe heqjen e titujve e dekoratave që ka marrë.

Vuajtja e dënimit për të gjithë të pandehurit fillon nga data e arrestimit të tyre, e shënuar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.

Të dënuarit me vdekje, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, kanë të drejtë, në bazë të nenit 349 të Kodit të Procedurës Penale t’i drejtohen për faljen e jetës Presidiumit të Kuvendit Popullor, brenda tre ditëve.

Vendimi për këta të dënuar nuk mund të ekzekutohet pa marrë përgjigjen e lutjeve të tyre për faljen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

-Ky vendim është i formës së prerë.

-U shpall në Tiranë më 5 nëntor 1975

 

ANËTARËT

Aranit Çela(Firma)

Hilmi Telegrafi(Firma)

Nazar Berberi(Firma)

Tahir Minxhozi(Firma)

Lirim Gjetja(Firma)

(Vijon nesër)

 

Kujtim Boriçi April 9, 2013 16:20
Komento

1 Koment

  1. Edliri April 10, 11:33

    Eshte folur shume dhe eshte shkruar po shume per tragjedine e gjeneraleve shqiptar ne diktature. Ne te shumten e rasteve, kane qene mendime te perseritura, e here here, mendoj, dhe te pa sakta. Ndersa ky botim i Gazetes Dita, mbeshtetur vtem ne dokumente, mendoj se jep nje tablo te qarte te asaj qe ka ndodhur. Sejcili eshte ne gjendje te nxjerre konkluzione per kete ngjarje, kush jane fajtoret e kush viktimat… Urime Dita-s e deshirojme publikime arkivore te kesaj natyre…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*