Arben Malaj për LMN-në: Fevziu thotë të pavërteta, Ben Blushi na braktisi pas miqësisë me Ramën

December 13, 2015 16:14

Arben Malaj për LMN-në: Fevziu thotë të pavërteta, Ben Blushi na braktisi pas miqësisë me Ramën

Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Financave Arben Malaj reagoi pas një shkrimi të Blendi Fevziut në lidhje me Lëvizjen për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste, lëvizje e cila nisi pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Sipas tij, Fevziu thotë disa të pavërteta në lidhje me këtë çështje. Ai deklaron se anëtarët e kësaj Lëvizje u persekutuan dhe kjo ndodhi veçanërisht pas miqësisë midis Edi Ramës dhe Ben Blushit.

“Fatkeqësisht, por është e vërtetë, që ky ‘persekutim’ nisi që në kohën kur miqësia Blushi-Rama lulëzoi, ndoshta edhe nga braktisja e LMN­-së”, shkruan Malaj në një reagim.

Komenti i Arben Malaj:

Sot është një ditë e bukur dhe besoj nuk i prishet bukuria nga këto analiza dhe komente, por analiza e Fevziut lidhur me LMN-­në ka shumë të pavërteta dhe shumë “deformime”. Koha vërtetoi se LMN ishte një inspirim pozitiv për njerëzit e mrekullueshëm të vendit tonë dhe jo një aritmetikë personale e askujt prej kolegëve. Në mirënjohje të të gjithë kolegëve që e inspiruan dhe mbështetën LMN­në, kam detyrim të qartësoj nëpërmjet një artikulli, jo vetëm për saktësi historike – standard që Fevziu përbetohet se nuk e shkel asnjëherë, disa prej të pavërtetave dhe deformimeve.

Koha është aleati dhe gjykatësi më i mirë lidhur me motivet e angazhimeve dhe kontributeve publike dhe politike të individëve dhe forcave politike. Pas 20 vitesh angazhim politik ndjej detyrim edhe ndaj historianëve të shkencave politike, por sidomos ndaj mbështetësve të LMN-së në çdo nivel, të cilët u “persekutuan” edhe në kohë të “demokracisë” për këtë angazhim fisnik. Fatkeqësisht, por është e vërtetë, që ky “persekutim” nisi që në kohën kur miqësia Blushi­Rama lulëzoi, ndoshta edhe nga braktisja e LMN­së.

Persekutimi arriti deri aty sa djali i një ish­kolegut tonë, student i talentuar dhe i diplomuar në një universitet perëndimor, u hoq nga puna sapo socialistët erdhën në pushtet, sepse babai i tij u shpall armik i drejtuesve aktualë të PS­-së.

E trishtueshme deri në neveri – kjo sjellje, e cila shfaqet shpesh në politikën tonë edhe pas 25 viteve. Ky nuk është një rast i vetëm. Ku dallon këtu persekutimi sot nga ai i viteve të komunizmit?! Pse dëshpërohen disa nga “udhëheqësit” majtas apo djathtas kur analistë vendës dhe të huaj i cilësojnë se kanë mentalitete diktatoriale?!

Faktet janë kokëforta – fjalët shpesh prodhojnë demagogji. Personalisht përzgjodha që midis një karrigeje partiake dhe lirisë, t’u përkushtohesha angazhimeve jopartiake. Prandaj nuk vetëpërfshihem në të persekutuarit e aleancave parazgjedhore në PS.

Por, braktisja e shumë kolegëve të mirarsimuar, të përkushtuar, me integritet të lartë njerëzor dhe profesional, solidariteti qoftë edhe në heshtje me persekutimin e tyre, të cilët nuk u angazhuan në PS për asnjë interes të vogël, është një njollë/mëkat që na ndjek nga pas.

Kjo nuk është një pengesë e përhershme për asnjë koleg që të inspirojë, të organizojë dhe të udhëheqë lëvizje të reja edhe politike, të cilat mund të jenë për individë të caktuar, një mundësi shumë e mirë për të korrigjuar edhe gabime të së shkuarës.

Ne duhet të respektojmë çdo individ, që në çdo kohë reflekton për atë që duhet të bëjë më mirë për sfidat ekonomike, sociale dhe politike të vendit të tij. Askush prej tyre majtas apo djathtas nuk duhet penguar, askush prej tyre nuk duhet cilësuar armik, ndaj askujt prej tyre nuk duhet të përdoret asnjë qindarkë para private apo publike për t’i penguar apo për t’i “vrarë” politikisht.

Konkurrenca politike është shumë më e domosdoshme dhe e shëndetshme për demokracitë e reja. Institucionet e forta janë më të dobishme se individët e fortë. Në teoritë e zhvillimit, institucionet e forta nuk nënkuptojnë ndërtesa, por: lirinë e fjalës, lirinë e pronës, lirinë nga korrupsioni, lirinë nga kapja e shtetit, lirinë nga pengesat për barazi të mundësive për mirarsimim dhe shëndet, liri nga procedurat e gjata dhe kostot e rënda për të bërë biznes, liri për ta ndërtuar dhe shijuar jetën tënde si produkt të punës dhe aftësisë individuale, por në një shoqëri që krijon kohezion dhe solidaritet social.

December 13, 2015 16:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*