Argumentet kundër varrezave greke në Shqipëri

February 7, 2018 12:25

Argumentet kundër varrezave greke në Shqipëri

Prof.Dr. Bardhyl Spiro Çipi*

Respektimi i personave të vrarë në luftë, përbën një çështje shumë të ndjeshme që zakonisht shoqërohet me ndërtimin e monumenteve dhe varrezave përkujtimore ku prehen mbetjet e tyre, të cilat i emocionojnë njerëzit që i vizitojnë ato.

Sot në të gjithë botën ka shumë memoriale dhe varreza të tilla, që i bëjnë të njohur të rënët  në luftë. Nga ana tjetër, mosrespekimi i të vrarëve në beteja ushtarake krijon ndjenja dëshpërimi në popujt e vendeve  të ndryshme.

Në vendin tonë në lidhje me këtë problem, ka më shumë se dy javë që kanë filluar zhvarrimet e kufomave të pazbuluara deri tani të ushtarëve grekë, të vrarë në luftën Italo-Greke të viteve 1940 – 1941.

Për këtë, në bazë të një marrëveshjeje midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë, është krijuar një komision i përbashkët që do të drejtojë  proceset e zhvarrimeve, ekzaminimeve përkatëse identifikues dhe do përfundojë me varrimin e këtyre mbetjeve skeletike në territorin e Shqipërisë.

Por fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje u shoqërua me një reagim kundërshtues nga ana e popullsisë së vendit tonë, kryesisht asaj  të Çamërisë, që nuk pranon varrimin përfundimtar të ushtarëve të vrarë grekë në tokën shqiptare.

Përse një qëndrim i tillë nga ana e popullit tonë?

Për ta shpjeguar, le ta analizojmë këtë çështje më me hollësi.

Në marrëveshjen për këtë problem midis qeverive greke dhe shqiptare, kërkohet zgjidhja e dy çështjeve kryesore: zbulimi i varreve të panjohura deri tani dhe identifikimi i kufomave apo mbetjeve të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri në luftën e viteve 1940-1941, e pasuar kjo me varrimin e mbetjeve të tyre në varreza monumentale në vendin tonë.

Por a janë zbatuar dhe respektuar plotësisht legjislacioni ndërkombëtar përkatës si dhe parimet apo rregullat etike të shkencës së antropologjisë mjekoligjore në këtë marrëveshje?

Në këto ligje ku vendin kryesor e zënë Konventa e Gjenevës 1949 (Geneva Convention 1949) dhe Protokolli shtesë i saj ( Protocol additional to the Geneva Convention of 12 August 1949), pa u futur në detajet e neneve përkatëse të tyre, si rregull mbetjet e ushtarëve të vrarë në luftëra të ndryshme, kthehen në vendin e origjinës së tyre (GC I, GC II), por pa u përjashtuar edhe mundësia që ato të varrosen përfundimisht në vendin ku janë vrarë. Në këto raste duhet të respektohet edhe dëshira e të afërmve të tyre për vendin se ku duhet që ato të prehen (GC IV).

Sidoqoftë, tendenca e përgjithshme sot, në bazë të këtij legjislacioni, është që këto mbetje të transferohen në vendin e origjinës së tyre etj.(GC III).

Për sa i përket zbulimit dhe ekzaminimit të këtyre mbetjeve kockore, rolin kryesor e luan padyshim disiplina e antropologjisë mjekoligjore dhe fizike, zbatimi i të cilave kërkon gjithashtu respektimin e një sërë rregullash etike, të pasqyruara në kodet përkatëse të vendeve të ndryshme. Këto rregulla i përkasin standardeve të sjelljes dhe gjykimeve morale që ndeshen gjatë ekzaminimeve osteologjike të fushave të ndryshme: mjekoligjore, anatomike, antropologjike, osteologjike etj.

Sipas tyre, mbetjet kockore duhet të trajtohen me respekt, duhet marrë konsenti i viktimave për vendin e varrimit, por që zakonisht ai mungon dhe ky konsent do të merret nga familjarët e tyre.

Përveç kësaj, specialistët e fushave të antropologjisë mjekoligjore dhe fizike duhet të tregohen të kujdesshëm për aspektet sociale dhe politike të ekzaminimeve të tyre.

Kështu, përvoja e vendeve të tjera ka treguar se në disa raste, presioni i popullsisë vendase i ka detyruar specialistët të ndërpresin ose të shkurtojnë kohën e ekzaminimeve të tyre.

Për shembull, ekzaminimi i mbetjeve në vendprehjet e tyre të indianëve autoktonë të mëparshëm të masakrës së Crow Creek në SHBA,   për shkak të kundërshtimit të ashpër të banorëve indianë aktualë, nuk u lejua  të bëhet i plotë.

Në vendin tonë, në zhvarrimet që po kryhen aktualisht, përveç mjekëve ligjorë të vendit tonë marrin pjesë edhe disa specialistë antropologë dhe mjekoligjorë grekë etj.

Por me këtë rast duhet kujtuar përvoja e hidhur e shumë viteve më parë, kur në ekzaminimet e kryera të dy prej ekspertëve mjekoligjorë më me përvojë të vendit tonë, të eshtrave të kishës së fshatit Kosinë të rrethit të Përmetit, që pretendohej se ishin të ushtarëve grekë të vrarë në luftën Italo-Greke 1940 – 1941, ato rezultuan se i përkisnin kryesisht grave dhe fëmijëve shqiptarë. Pra, një skandal  i vërtetë.

Në të vërtetë, protestat në vendin tonë për këto zhvarrime, nuk janë për moszbulimin dhe mosidentifikimin e mbetjeve të ushtarëve grekë të vrarë në luftë, sepse kjo përbën një veprim human, që populli ynë e respekton.

Këto kundërshtime po bëhen me qëllim që në marrëveshjen midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë, të mos pranohet që mbetjet e ushtarëve grekë të kësaj lufte të prehen përfundimisht në varreza përkujtimore në Shqipëri.

Ka disa arsye për këtë qëndrim, përveç atyre të sapopërmendura që u përkasin rregullave etike të antropologjisë mjekoligjore dhe legjislacionit ndërkombëtar përkatës:

-Ushtria greke  në tokën shqiptare në luftën Italo-Greke të viteve 1940- 1941, u fut për ta pushtuar pjesën e jugut të vendit tonë, sepse Greqia gjithmonë më parë ka pasur si qëllim të aneksojë jugun e Shqipërisë, i ashtuquajtur “Vorio Epir”. Prandaj këta ushtarë grekë të rënë në këtë luftë nuk kanë asnjë të drejtë morale të prehen në tokën shqiptare. Në të kundërtën, varret e tyre në të ardhmen mund të kthehen në vende pelegrinazhi në Shqipëri për përkrahësit grekë të “Vorio Epirit”.

-Nga ana tjetër, nuk dihet nëse këta ushtarë grekë të vrarë, e kanë shprehur dëshirën përpara vdekjes së tyre për t’u prehur në Shqipëri, apo në mungesë, të saj, kjo dëshirë të jetë shprehur nga familjet e tyre.

Më në fund, në këtë marrëveshje ndërshtetërore, nuk është zbatuar një nga parimet kryesore të marrëdhënieve midis vendeve sovrane: reciprociteti, sipas të cilit në këtë rast, edhe në tokën greke, sidomos në pjesën veriore të saj, të hapen varreza të ushtarëve shqiptarë të vrarë në po atë luftë, apo në mungesë të tyre, të popullsisë çame të masakruar dhe vrarë nga grekët, në atë periudhë kohore, gjatë spastrimit etnik nga trojet e tyre.

Ka ende kohë që kjo marrëveshje të korrigjohet. Në të kundërtën mund të lindin konflikte të tjera, siç ka ndodhur në rastin e Estonisë, një nga republikat balltike. Pas viteve 1990,në kryeqytetin e saj, Talin, në bazë të një vendimi qeveritar, u prishën varrezat e ushtarëve rusë të rënë në Estoni, në luftë kundër Gjermanisë Naziste, sepse për popullin estonez, çlirimi i vendit të tyre prej fashizmit nga ushtarët sovjetikë konsiderohej si fillimi i një pushtimi të ri. Në fakt, ky veprim u shoqërua me protesta të shumta nga ana e Rusisë dhe e  përkrahësve të saj në Estoni.

Pra, sa më shpejt duhet që nga ana e vendit tonë të insistohet  që varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri në luftën Italo–Greke 1940 – 1941, të ndërtohen jo në Shqipëri por në Greqi.

*Fakulteti i mjekësisë, universiteti i mjekësisë, Tiranë

 

February 7, 2018 12:25
Komento

1 Koment

  1. Nene Pashako Emigrante. February 8, 22:12

    Atdhetari po atdhetar -si.Pr.Dr,Bardhyl Spiro Cipi…
    Homologu shqiptar(Presidenti), ti jape pergjigjen e merituar atij ;President-Gekut-grek i vertete,armik i shqiperise.
    Nene Pashako. D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*