Foto/ Arkeologët nxjerrin në dritë një ‘qytetërim të ri’ të fshehur në rrënojat e Durrësit antik

June 6, 2016 12:08

Foto/ Arkeologët nxjerrin në dritë një ‘qytetërim të ri’ të fshehur në rrënojat e Durrësit antik

“Mund t’i imagjinosh ndërsa bëjnë banjo të freskët në këtë zonë ku po qëndrojmë tani, sikur të mos kenë kaluar shekuj,” shpjegon arkeologia franceze prof. Abadie Reynal, shumë e kënaqur për zbulimet e reja të nxjerra në dritë në banjat publike poshtë Pallatit të Kulturës në Durrës.

Së fundmi, puna 1-vjeçare e arkeologëve të projektit Topografia e Epidam-Dyrrahut u shpërblye pasi ata zbuluan rrënoja edhe më të hershme aty ku më parë ishin gërmuar banjat publike romake.

Një bashkëpunim mes Institutit Arkeologjik të Shqipërisë dhe Universitetit Lion 2 të Francës, projekti synon të njohë zhvillimin topografik dhe urban të qytetit antik të Dyrrahut.

“Qeramikat tregojnë se zbulimet tona datojnë në shekullin 3 përpara erës sonë, pra katër shekuj përpara banjave romake që njihen prej gërmimeve të viteve 1960 në këtë zonë. Ky qytetërim i zbuluar së fundmi i përket periudhës helenistike”, tha për BIRN prof. Abadie Reynal, e specializuar pranë Universitetit Lion 2 për tranzicionin helenistik-romak.

Ndërsa shëtit me shkathtësi në zonën e gërmimeve ajo vëren se puna më e fundit ka nxjerrë në dritë një shtëpi helenistike me dy dhoma në njërën prej të cilës ka ekzistuar një mozaik tashmë i shkatërruar.
Profesoresha mendon se ka qenë pikërisht periudha romake ajo që i ka dhënë Dyrrahut të vjetër kapërcimin gjigant drejt një jete më të mirë.“Arkitektura e përdorur ka qenë mjaft e zgjuar dhe nga zbulimet kuptojmë se qyteti ka qenë i pastër. Mund të imagjinojmë se si infrastruktura rrugore e qytetit ka filluar të ngrihet nga periudha helene te ajo romake e bizantine” shpjegon Reynal.

“Nën këmbët tona ndodhen shtresa të qytetërimeve që shtrihen përgjatë 1000 viteve, kjo është diçka që patjetër që do t’i lërë përshtypje të thella turistëve”, shton profesoresha Reynal.

Projekti Topografia e Epidam-Dyrrahut synon të krijojë brenda vitit një hartë arkeologjike GIS të monumenteve të zbuluara dhe të mbuluara të qytetit, të kryejë studimin gjeofizik përmes soundimeve elektromagnetike dhe të përdorë studimin gjeomorfologjik për të kuptuar evoluimin e qytetit përkundrejt detit.

“Durrësi është një qytet i cili ka fatin që është banuar përgjatë gjithnjë historisë së tij që nga themelimi dhe kjo e bën atë të favorshëm për kërkimet arkeologjike që janë përherë në evoluim,” tha për BIRN arkeologu Edi Shehu.

Sipas Shehut qyteti modern nuk të lejon shumë mundësi që të bësh kërkime masive, ndaj ai dhe kolegët janë të detyruar të punojnë me zona të vogla gërmimesh, pjesa më e madhe e të cilave rimbulohen për t’u ruajtur të padëmtuara.

“Vazhdimi i jetës ka çuar në dëmtime të disa zonave të caktuara arkeologjike dhe për këtë duhet që të forcohen kontrollet institucionale dhe të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve,” shtoi ai.

Një zbulim mjaft interesant ka dalë së fundmi nga dheu në kopshtin e Muzeut të Dëshmorëve në Durrës. Ndonëse të dhënat për ekzistencën e mundshme të tij kanë ekzistuar që prej gërmimeve të prof. Dr Fatos Tartarit në vitet 1980, u deshën gati 36 vite për ta lokalizuar atë.

Banjo romake me terakota dhe tulla, zbuluar pranë Muzeut të Dëshmorëve në Durrës. 4 qershor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Banjo romake me terakota dhe tulla, zbuluar pranë Muzeut të Dëshmorëve në Durrës

Arkeologu francez Arnaud Lefebvre ka gërmuar rreth tre metra thellë nën tokë, duke këqyrur nga afër një banjë romake të zbuluar së fundmi.

“Kjo banjo romake me terakota dhe tulla është një provë e rëndësishme sepse tregon se kjo zonë ka qenë e urbanizuar. Ende nuk mund ta kuptojmë vitin e saktë, por dimë që është romake,” tha për BIRN arkeologu Lefebvre.

“Ky zbulim na lejon të kuptojmë zhvillimin urbanistik të popullsisë së Durrësit që nga koha e romakëve deri te ribanimi në mesjetë  dhe në vazhdim në shekullin e 20, të dhëna që ne nuk i kishim më parë”, shtoi ai.

Pasi të kenë bërë studimet e nevojshme, arkeologët do të mbledhin veglat e tyre të punës dhe do të bëjnë mbulimin e kësaj banjoje që sipas tyre i ka përkitur një familjeje të pasur pasi konsiderohet luksoze për periudhën.

Ashtu si kolegët e saj francezë arkeologia Brikena Shkodra, ndodhet me ekipin e saj në muret e jashtme të kalasë së Durrësit duke bërë kërkime mbi sistemin e fortifikimit të periudhës bizantine pranë Torrës Veneciane.

Gërmimet dy metra të thella buzë murit bizantin ndonëse pa zbulime të reja përveç një varri të zbuluar rastësisht, janë po aq të rëndësishme për të kuptuar urbanizimin e qytetit të Durrësit ndër shekuj.

“Po kërkojmë të gjejmë prova që konfirmojnë ose hedhin poshtë teorinë e ngritjes së murit jugperëndimor bizantin që kalon nga Kulla Veneciane deri në lartësinë 98 metra te Vila e Zogut, mbi struktura më të hershme romake apo helenistike,” shpjegon arkeologia Shkodra për BIRN.

“Kërkimet tona tregojnë se me shumë gjasa kjo linjë e anës jugperëndimore të qytetit është ndërtuar nga periudha bizantine dhe nuk është ngritur mbi struktura më të hershme. Kjo tregon se qyteti në antikitet të vonë merr shtrirje më të madhe se qyteti romak dhe pararomak,” shtoi ajo.

Dyrrahu i lashtë besohet të jetë themeluar nga fiset ilire në shekullin XIII-XI para erës sonë dhe e ka marrë emrin nga dy mbretërit Epidamn dhe Dyrrah. Vendndodhja e favorshme buzë detit Adriatik e bëri atë një port të rëndësishëm ndërlidhës mes fiseve ilire dhe Europës në lashtësi.

“Ne duam gjithashtu të gjejmë data dhe të dhëna arkeologjike që konfirmojnë burimet historike për ndërtimin e murit bizantin nga perandori Anastas, qytetar i Durrësit,” përfundon arkeologia Shkodra.

Ivana Dervishi BIRN

 

2

4

6

7

12

13

June 6, 2016 12:08
Komento

4 Komente

  1. Arber June 6, 14:25

    Asgje e re nga fronti i perendimit te trojeve shqiptare, Durresi, Apollonia, Butrinti. Wow! Ndertime helene, dihet se Durresi, Apollonia dhe Butrinti kane qene koloni helene; wow! ndertime romake, kush nuk e di se pas periudhes helene, ne Durres, Apolloni e Butrint kane ardhur romaKet?! Zbuloni dhe varret helene dhe Anastas Janullatosi do te thote se nga Durresi e poshte eshte toke greke e pushtuar nga shqiptaret! .

    Reply to this comment
  2. Deti Jonë June 6, 18:03

    Gjuha “greke” e tanishme ishte gjuha e patriarkanes bizantine (mbeturine e perandorise romane lindore, byzantine – ashtu si ishte latinishtja per ate perendimore) ne Stamboll shume kohe para se te krijohej shteti “grek” me 1830. Edhe atekohe ajo gjuhe nuk ishte gjuha “greke” e popullit “grek” vendas. Nuk ka komb “grek” apo “helen”, nuk ka patur ndonjehere. Shihni historine e shkruar dhe hartat: nuk ka patur ndonjehere shtet “Greqi” apo “Helen”, as “helenë”. Shteti i vogel me emrin jo-grek “Greqi” u krijua nga fuqite europiane vetem ne vitin 1830. Nuk ka pakice “greke” ne Shqiperi; ato jane thjesht shqiptare besimtare te krishtere ortodokse.

    Reply to this comment
  3. - June 6, 18:40

    eke fjalen per helena kurven qe ra ne dashuri me paris Dardanin.

    Reply to this comment
  4. Arber Iliri June 7, 00:22

    Mos u merzisni hej burra, iliret jane te paret tane ,por si puna e jone edhe ata kane pas fqinje te forte qe i pushtuan.Ky eshte fati i te pareve tane.Shyqyr qe te behemi te zotet e vetes , le qe te le Enveri me Salihin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*