Arlind Ajeti gati për ndeshjen me Danimarkën

August 31, 2015 11:29

Arlind Ajeti gati për ndeshjen me Danimarkën

Në pritje të një skuadre të re, Arlind Ajeti ishte ndër të parët që iu bashkua grumbullimit të Kombëtares në Kodrat e Trevizos në Itali. Mungesat e Mavrajt dhe Currit në qendër të mbrojtjes, bëjnë që 21-vjeçari të jetë alternativë e parë për të luajtur përkrah kapitenit Cana më 4 shtator në Kopenhagen. Trajneri De Biasi dhe stafi teknik do të vijojnë ta vlerësojnë gjendjen fizike të lojtarit, që nga ana e tij shprehet gati.

“Kur mbylla kontratën me Baselin, gjatë pushimeve nisa të stërvitesha me një trajner personal. Besoj që më ka ndihmuar shumë. Më pas nisa të stërvitesha me skuadrën e Naser Alijit, Vaduzin në Superligë. U përgatita atje për dy tre javë dhe besoj se jam gati për ndeshjen e parë me Danimarkën”.

Në fitoren historike 1- 0 përballë Francës në “Elbasan Arena”, Arlind Ajeti ishte titullar, duke dhënë garanci në qendër të mbrojtjes. Pas tre ndeshjeve me fanellën kuqezi në miqësore, 21-vjeçari tani pret debutimin edhe në sfidat zyrtare. Ai vlerëson kundërshtarët e radhës së Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2016.

“E dimë që Danimarka dhe Portugalia kanë kualitete shumë të mëdha dhe besoj se do të jenë ndeshje shumë të vështira. Ne nuk luajmë vetëm me këmbë, por edhe me zemër dhe me kokë dhe kjo na bën të fort”, thotë ai për Supersport.

Gjatë merkatos së verës, Ajeti refuzoi ofertën e Luzernës në Superligën zvicerane, pasi kërkonte një eksperiencë të re, në një tjetër kampionat Europian. Ofertat nuk kanë munguar nga Liga e Dytë spanjolle dhe Gjermania.

August 31, 2015 11:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*