Armët pa leje, qeveria pranon dështimin: Strategji e re

February 12, 2019 18:00

Armët pa leje, qeveria pranon dështimin: Strategji e re

Numri i armëve që mbahen në mënyrë të paligjshme mendohet se është i konsiderueshëm në Shqipëri. Alarmi jepet nga vetë Qeveria nëpërmjet një dokumenti zyrtar “Për miratimin e Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 dhe të Planit të Veprimit 2019-2021”.

Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit në vendin tonë aktualisht është shqetësuese, kjo për shkak të situatës së trashëguar në vite, por edhe për shkak të rritjes së qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, gjë që sjell si pasojë edhe rritjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe municioneve”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Zotërimi i armëve të zjarrit si dhe keqpërdorimi i tyre shfaqin një dimension të dukshëm gjinor. Shumica e mbajtësve të licencave të armëve të zjarrit në Shqipëri janë burra (99.9%).

Faksimile e dokumentit të Strategjisë

Shifrat e krimit

Një numër i konsiderueshëm i krimeve të rënda në Shqipëri, si ato brenda familjes, kanosjes apo veprave të tjera penale, ndodhin për shkak të posedimit të armëve pa leje. Shifrat zyrtare të këtij raporti janë alarmuese dhe tregojnë rritje. Kështu gjatë periudhës 2006-2017 në total në shkallë vendi janë evidentuar 9.380 vepra penale të armëmbajtjes pa leje, janë zbuluar 8,268 prej tyre, ose 88.1%, me 9.687 autorë.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se trendi i kësaj vepre penale pas vitit 2012 ka shënuar rritje në raport me vitet e mëparshme. Gjatë vitit 2017 janë identifikuar 1,090 autorë të veprave penale të armëmbajtjes pa leje, nga të cilët 587 janë arrestuar, ose 54%, 111 janë ndaluar, ose 10%, 246 ndiqen në gjendje të lirë, ose 23% dhe 139 autorë janë shpallur në kërkim, ose 13% e totalit të autorëve të veprave penale të armëmbajtjes pa leje”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Trafikimi i armëve, rrugët e hyrjes

Vetë vendndodhja e Shqipërisë duket se e lehtëson trafikimin e armëve të lehta, kryesisht pistoletave. Situata e trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve, lëndëve plasëse në territorin e Republikës së Shqipërisë, është kryer duke pasur parasysh faktorë të tillë si ekzistenca e armëve të zjarrit të trashëguara nga e kaluara, si dhe të armëve të reja dhe pozita gjeografike e vendit tonë.

Në përgjithësi nga rastet e konstatuara, trafikantët e armëve të zjarrit përdorin kufirin tokësor të gjelbër duke i fshehur në automjete, autobusë, kamionë, vetura ose i transportojnë në trup duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Nga rastet e hetuara është konstatuar se trafikimi i armëve të zjarrit bëhet në sasi të vogla, nga 1-2 copë. Grupmoshat e evidentuara janë kryesisht të seksit mashkull dhe variojnë nga mosha 16–45 vjeç.

Shifrat e grumbullimit të armëve gjatë dy amnistive

Amnistia e dytë u hartua në dhjetor 2002, me një amnisti dhe ligj për grumbullimin e armëve, që u miratua në 6 mars 2003, ligji nr. 9018, datë 6.3.2003, “Për mbledhjen e armëve, të municioneve dhe materialeve të tjera luftarake”. Edhe ky ligj kishte qëllime, parime, detyra të njëjta për policinë e ushtrinë, si dhe të njëjtën strukturë të komisioneve të grumbullimit të armëve në Shqipëri. Ligji qëndroi në fuqi deri në 31 maj 2005.

Amnistia e tretë u zbatua edhe gjatë periudhës janar–prill 2017, ku si rezultat i organizimit të punës dhe aktiviteteve sensibilizuese janë dorëzuar vullnetarisht në shkallë vendi: 1.603 armë zjarri të ndryshme; -1.558 granata dore; 580.634 municione të ndryshme. Mesatarisht i takon çdo ditë të jenë dorëzuar në shkallë vendi 13 armë zjarri të ndryshme. Kjo situatë tregon se akoma në duart e qytetarëve ndodhen një numër i konsiderueshëm armë zjarri dhe municione luftarake pa leje

Objektivat e strategjisë

Strategjia dhe plani i veprimit synojnë t‟i japin një zgjidhje gjithëpërfshirëse problematikave të armëmbajtjes pa leje dhe aktiviteteve në reduktimin e armëmbajtjes pa leje të armëve të zjarrit përmes konfiskimit, legalizimit, dorëzimit vullnetar, çaktivizimit. Për këtë është parashikuar një plan 6-vjeçar ku parashikohet ndërhyrja miratimi i legjislacionit për armët brenda 2023. Ulja e numrit dhe shkatërrimi i armëve është një tjetër objektiv. Për të realizuar këtë synohet që angazhohen edhe strukturat e shërbimit sekret, të agjentëve për evidentimin dhe mbledhjen e informacionit të armëve që mbajnë personat armë pa leje. Sigurisht do të synohet edhe pagesa e informatorëve të ndryshëm. “Të garantohet vendosja e masave ligjore që lejojnë legalizimin dhe dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit dhe zbatimin e tyre. Ndërgjegjësimi i personave armëmbajtës pa leje për çaktivizimin e tyre. Të gjitha vendet e rajonit, kanë miratuar ose parashikuar të miratojnë ligj për legalizimin. Në Shqipëri nuk kemi akoma dakordësi mbi nevojën e një ligji të tillë”, thuhet më tej në dokument.

burimi: gazetasi (marrë me shkurtime)

v.l/ Dita

February 12, 2019 18:00
Komento

2 Komente

  1. mirel February 12, 18:08

    Co ndonje nga keto cucat e reja tjua zbulojne armet te gjitheve.

    Reply to this comment
  2. Arben February 12, 19:32

    Kush qeverri?????!!!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*