Armitage (BB): Borxhi 60% e PBB, rrezik për Shqipërinë

Genc Kondi November 7, 2012 12:37

Armitage (BB): Borxhi 60% e PBB, rrezik për Shqipërinë

Shqipëria rrezikon shumë nga nivelil aktual i borxhit publik në raport më Prodhimin e Brendshëm Bruto. “Borxhi në disa vende është shumë i lartë. Borxhi në Mal të Zi dhe në Shqipëri është në nivele shumë të rrezikshme, sidomos në Shqipëri, praktikisht në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por ka një rritje të shpejtë edhe në Serbi,” ka deklaruar dje koordinatorja për Ballkanin Perëndimor, Jane Armitage, në një intervistë për agjencinë ekonomike të lajmeve Reuters.

 

Sipas saj, Shqipëria dhe ish-republikat e Jugosllavisë kanë patur rënie në eksportet e tyre dhe në investimet e huaja direkte për shkak të krizës së borxhit në zonën e euros. Remitancat nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit kanë pësuar rënie, ndërsa vera e nxehtë goditi sektorin e bujqësisë dhe atë të prodhimit të energjisë, tha Armitage.

 

Sipas saj, vetëm Kosova, një shtet i ri dhe me një ekonomi të vogël ka të ngjarë të vazhdojë të rritet në sajë të nivelit të ulët të integrimit me tregun evropian.

 

Ballkani Perëndimor do të përballet me recesion këtë vit, shtoi ajo.

 

Disa ditë më parë, në Tiranë, zyrtarja e lartë deklaroi se performanca e ekonomisë shqiptare nuk është ajo që raportohet në statistikat zyrtare, duke vënë theksin në rrezikshmërinë e borxhit të akumuluar ngfa qeveria ndaj privatëve. “Një nga shqetësimet që ne kemi në Shqipëri si edhe në vende të tjera është një rritje e konsiderueshme e detyrimeve të pagesave të prapambetura të sektorit publik, si në lidhje me rimbursimin e tyre ashtu edhe për pagesat për punime ndërtimi apo shërbime, të cilat janë kryer për sektorin publik. Megjithëse ne nuk i kemi shifrat e sakta, jemi të shqetësuar se niveli i pagesave të prapambetura të sektorit publik mund të jetë midis 1%-2% të PBB-së”, tha ajo.

Genc Kondi November 7, 2012 12:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*