Arratiset i plagosuri nga spitali, arrestohet polici

September 1, 2014 09:15

Arratiset i plagosuri nga spitali, arrestohet polici

Një person i kërkuar që ishte arrestuar në fundjavë, është arratisur mëngjesin e djeshëm nga Spitali Ushtarak në Tiranë, i ndihmuar dhe nga familja e tij. Kurse Policia e Tiranës ka arrestuar pak minuta pas ngjarjes edhe oficerin që ishte ngarkuar për ruajtjen e tij. Por arratia e Lulëzim Jahelezit ka zgjatur vetëm pak orë, pasi është riarrestuar pasditen e djeshme edhe me ndërmjetësimin e familjarëve. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka kryer ndërkohë arrestimin në flagrancë të 27-vjeçarit Eduard Laçi, me banim në Sauk, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.3. Oficeri kishte për detyrë ruajtjen e Jahelezit, që po mjekohej pas një plagosjeje, por ka mundur të arratiset si pasojë e neglizhencës së policit të shërbimit dhe ndihmës nga familjarët.

“Duke qenë me shërbim në SQU Tiranë, ku ishte i shtruar i plagosuri Lulëzim Jahelezi, person në kërkim, për veprimet dhe mosveprimet e kryera nga ana e tij, ka pasur dyshime se i ka krijuar kushte për arratisjen e tij me ndihmën e familjarëve”, njoftuan burime zyrtare të policisë së kryeqytetit për këtë ngjarje

Por arratia e Lulëzim Jahelezit, banues në Tiranë, ka zgjatur vetëm pak orë, pasi u lokalizua dhe arrestua teksa ishte fshehur në shtëpinë e një të njohuri të tij. Burime policore thanë se 25 vjeçari nuk ishte larguar shumë dhe u kap në Laprakë. Mësohet se Jahelezi ndodhej në spital, pasi dyshohet se është plagosur dy ditë më parë në rrugën “Pandi Dardha”, pranë një lokali. Ai gjithashtu ishte në kërkim nga policia edhe për akuzën “falsifikim dokumentesh”. Ai u sulmua me armë zjarri mesnatën e së premtes në Laprakë në një lokal nate pas një sherri banal, ndërkohë që policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 2 autorët e dyshuar. I plagosur mbeti edhe pronari i lokalit. Jahelezi mbahej nën arrest për shkak se ishte i kërkuar për falsifikim dhe duhet të jepte shpjegime për rrethanat e sherrit që solli plagosjen e dyfishtë.
Pas riarrestimit të të riut që u arratis nga spitali, pritet masa që SHKB dhe Prokuroria do të marrin ndaj oficerit të shërbimit që u arrestua për mosveprim. Sipas procedurave, 27-vjeçari e ka konsumuar shkeljen, pavarësisht se Jahelezi u arrestua. Pas rikthimit në spital, ndaj tij u shtuan masat e sigurisë dhe mbahet i prangosur.

September 1, 2014 09:15
Komento

1 Koment

  1. emira September 4, 14:44

    I lutem, gazetareve qe te bejne kujdes me lajmet qe transmetojne dhe te perdorin burime informacioni me te besueshme. sepse keqinformimi eshte nje krim. Ngjarja nuk ka ndodhur sic eshte pershkruar me siper. Kjo eshte nje keshille nga nje gazetare ndaj nje gazetari. Ju lutem edhe nje here te respektoni etiken profesonale.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*