Arratisja e Panajot Plakut: Sherri mes Kadri Hazbiut dhe këshilltarit rus për ndëshkimet

Kujtim Boriçi March 19, 2013 12:58

Arratisja e Panajot Plakut: Sherri mes Kadri Hazbiut dhe këshilltarit rus për ndëshkimet

75-vjeçari Servet Tartari rrëfen arratisjen e bujshme të gjeneralit më 17 maj 1957

 

Tartari: “Këshilltari rus tha që oficerët të shkojnë në burg, ndërsa Kadri Hazbiu kundërshtoi prerë duke thënë që oficerët s’kanë faj”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Arratisja e Panajot Plakut më 17 maj të vitit 1957 në zonën e Linit në Pogradec (pjerrësitë e Qafë Thanës), bëri që drejt vendit të ngjarjes të udhëtojë Ministri i Brendshëm Kadri hazbiu, këshilltari rus me gradën e gjeneralit si dhe shumë oficerë madhorë në ministri. Pas verifikimit të arratisjes së Panajot Plakut, nis analiza në efektivin kufitar për ndëshkimin e përgjegjësve të ngjarjes. Detajet e atyre orëve të vështira i rrëfen në vazhdim për ‘Dita’ ish-kufitari Servet Tartari, dëshmitar i kësaj ngjarje…

 

Si u zbulua arratisja e gjeneralit Panajot Plaku në sektorin kufitar që mbulonte posta e Linit?

-Kujtoj këtu se efektivi i postës së Linit ku bëja pjesë edhe unë, ditën e 17 majit 1957 ishte në situatë të zakonshme. Papritur, rreth orës 17:30 të kësaj date, në postë, u dha alarmi i përgjithshëm. Na u tha se ka një situatë të jashtëzakonshme kufitare. Nuk ishte hera e parë që ne kalonim në gatishmëri të tillë, por tek drejtuesit e postës pamë një shqetësim që rrallë më parë e ta kishim vënë re në situata gatishmërie për sigurimin e kufirit… Me të marrë detyrat, shkuam të gjithë nëpër pozicionet tona luftarake. Për më tepër, pamë se erdhën me shpejtësi tek ne dhe drejtues të shërbimit kufitar të Pogradecit e drejtues të Degës së Brendshme. Më vonë do të mësonim se alarmi ishte dhënë pas një informacioni të rëndësishëm…

 

Mbi çfarë informacioni u dha urdhri për gatishmëri luftarake?

-Kishte të bënte me dyshimin dhe njoftimin e peshkatarëve në postë për kërkesën këmbëngulëse të të prezantuarit si gjeneral Panajot Plaku, e njëkohësisht, Ministër pa Portofol. Atë mbrëmje, ky alarm ishte dhënë dhe për Postën e Tushemishtit e gjithë pikave kufitare në zonë. Tashmë, zhdukja e Panajot Plakut ishte konstatuar edhe për faktin se ishte gjetur makina e braktisur në anë të majtë të rrugës nacionale, pak metra larg saj, pikërisht në kthesën e tretë të pjerrësisë së Qafë Thanës… Dhe dyshimi i parë ishte arratisje e mundshme në Jugosllavi. Ishte një ngjarje e rëndë, e cila nuk kishte ndodhur që nga lufta e deri atë ditë… Ishte arratisur(në fakt ende nuk kishim gjetur provat) një ministër, një gjeneral…

 

Çfarë kishte ndodhur në fakt?

-Ja, ta them tani. Po kujtoj se në ato çaste, mësuam se në Degën e Brendshme të Pogradecit ishin shoqëruar dhe shoferi i Panajot Plakut që priste në sektorin e minierës si dhe disa dëshmitarë që e kishin parë gjeneralin pak orë më parë në ato mjedise… Sapo ishte larguar Panajot Plaku nga Piskupati (Pogradec), peshkatarët kishin dyshuar në kërkesën këmbëngulëse të tij për shëtitje në liqen dhe kishin shkuar me shpejtësi e kishin informuar në postën e kufirit të Udenishtit, që ishte disi larg nga liqeni. Atëherë bëhej një punë e madhe me banorët e zonës, përfshi fëmijët, që të ishin vigjilentë e të njoftonin në çdo kohë në postën e kufirit po të konstatonin ndonjë person që nuk e njihnin, apo të dyshuar… Jo vetëm kaq, por në situata kufitare, shumë banorë, pa bërë fjalë për persona të paracaktuar e që rrinin nëpër shtëpi të armatosur, viheshin në krahë të kufitarëve për të kapur shkelës kufiri nga jashtë, apo për të ndaluar të dyshuar për arratisje apo në tentativë…

 

Çfarë veprimesh kryet si repart kufitar pas marrjes së këtij informacioni?

-Që në atë moment u lajmërua komandanti i batalionit të kufirit për Pogradecin, Major Bektash Rama nga Shkoza e Vlorës. Dhe sipas shkallëve hierarkike, komandanti vuri në dijeni Drejtorin e Kufirit Tiranë. Pra u desh njëfarë kohe për t’u verifikuar e zbuluar, se kush ishte ky shkelës kufiri. Dhe kjo kohë (informacioni e kalimi në gatishmëri) ishte e mjaftueshme që Panajot Plaku të kalonte kufirin. Posta e kufirit në fshatin Lin është lajmëruar rreth orës 19:30, të mbrëmjes.

U dha urdhër që të mbyllej gjithë vija e kufirit, nga posta e Linit deri në postën e Qafë Thanës. Përveç forcave të postës arritën edhe përforcime me forca të tjera nga Pogradeci. Por siç e përmenda, Panajoti kishte kaluar kufirin më përpara se të mbyllej vija e kufirit. Sa u bë njoftimi menjëherë u vu në përdorim qeni i kufirit me instruktorin që e mbante të lidhur në distancë, bashkë me forca të tjera. Thashë më parë se në fillim u zbulua makina. Me anë të qenit që ecte me shpejtësi, duke ndjekur erën nëpër kodra, zbritëm tek mulliri anës së liqenit. Shkonim nga na udhëhiqte qeni i kufirit, që në fakt, ishte rruga që kishte ndjekur Panajoti. Shkuam kështu deri tek piramida, që ndan kufirin tonë me Jugosllavinë (sot Maqedonia). E ndiqnim me shpejtësi qenin që ecte pa ndaluar, dhe arritëm tek piramida nr. 49 – siç quhej në atë kohë. Aty qeni vuri të dy këmbët mbi piramidë duke lehur dy-tre herë. Ky ishte edhe sinjali, që dha qeni se personi kishte kaluar kufirin. Kuptohet situata në të cilën u ndodhëm. Ishte shkelur kufiri, kishte kaluar në Jugosllavi një person e ne nuk kishim mundur ta kapnim. E nuk ishte një njeri dosido, por gjeneral e ministër… Prisnim ‘furtunë’ ndëshkimesh tek kuadri i kufirit…

 

Çfarë ndodhi të nesërmen?

-Kaluam një natë tmerri, një natë të pa gjumë në shërbim përgjatë kufirit me fqinjët. Ditën e nesërme erdhi me urgjencë Ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, bashkë me një këshilltar rus me gradën Gjeneral Leitnant, si dhe shumë oficerë e kuadro të rëndësishëm. Do të niste analiza, por më parë, Kadri Hazbiu, pas konsultës me gjeneralin rus, urdhëroi që të bëhej dhe një herë verifikimi nëse është arratisur Panajot Plaku e nëse do risaktësoheshin konkluzionet paraprake që u nxorën lidhur me ngjarjen… Këto detaje teknike të kësaj ngjarje, unë i kam të fiksuara pasi isha specializuar për këtë fushë…

 

Cila ishte kualifikimi juaj specifik?

-Ju përmenda më parë se kisha bërë një kurs në Përrenjas për shkeljet në kufi para se të kryeja shërbim në postën e Linit. Dhe në këtë ngjarje, ashtu si dhe në ngjarjet e tjera gjatë 7 muajve që unë shërbeva në këtë repart kufitar, isha me grupin që gjurmonin shkeljen e kufirit…

 

Si u veprua pas dhënies së këtij urdhri nga Kadri Hazbiu?

-U kërkua edhe një herë të vihej qeni i kufirit, nga vendi ku ishte rrëzuar mjeti e deri tek piramida. Qeni bëri të njëjtat veprime që kishte bërë dhe në rastin e parë. Kështu u bindën se kufiri ishte shkelur dhe tashmë dihej që ishte gjeneral Panajot Plaku shkelësi i kufirit…

 

Çfarë u trajtua në analizën për këtë arratisje të bujshme?

-Kuadrot kryesore u kthyen në postën e kufirit Lin. Ishte një moment tepër i vështirë për personelin e postës, pasi ngjarja ishte e rëndë, e pritej që dhe ndëshkimet të ishin të tilla. Për këtë kishte ardhur ministri Kadri Hazbiu nga Tirana, si dhe shumë ushtarakë të tjerë madhorë. Veçanërisht, ne na vinte keq për komandantin dhe komisarin e postës së Linit, të cilët ishin përgjegjësit kryesor për ngjarjen. Por dhe komandanti për kufirin në Degën e Punëve të Brendshme në Pogradec. Komandant kufiri në Pogradec në atë kohë ka qenë Bektash Rama, ndërsa  komandant i postës së Linit në Pogradec ishte Bajram Sulka nga Lushnja, një njeri i mirë, trim, i zgjuar dhe komunikues… Para se të fillonte kjo mbledhje, ndodhi dhe një incident gjatë kthimit për në postë midis komandantit të postës Bajram Sulka dhe një prej shoferëve të oficerëve madhorë që kishin ardhur nga Tirana…

 

Çfarë incidenti ndodhi?

-Gjatë udhëtimit për në postë, një shofer i një oficeri madhor të ministrisë, ju drejtua komandantit të postës: “Shoku komandant, jeni për të marrë flamurin!” Ishte një pohim ironik që nënkuptonte të kundërtën, pra ndëshkimin e komandantit të postës. Komandanti, një djalë i porsa martuar, një djalë i përgatitur, i shkathët dhe trim, gati sa donte ta ‘hante’ të gjallë shoferin. Debatoi ashpër me të, duke i kujtuar se nuk ishte ai njeriu që duhej të vendoste për masat, e se i duhej të heshte… Siç e thashë dhe më lart, ne prisnim masa të rënda, ndjekje penale apo arrestime në vend… Se ngjarja, ishte e rëndë…

 

Çfarë ndodhi në analizë?

-Në fillim foli Kadri Hazbiu. Ai e cilësoi ngjarjen të rëndë dhe se kufitarët duhet të ishin më vigjilentë. Foli dhe komandanti. Ai theksoi përgjegjësinë që ndjente për këtë ngjarje që ndodhi në rajonin kufitar të postës që drejtonte ai, ndonëse ishin përpjekur e kishin punuar vazhdimisht për të penguar arratisje apo shkelje kufiri… Ne konstatuam se lidhur me ndëshkimet për oficerët, Kadri Hazbiu qe më objektiv, duke kërkuar masa ndëshkimore administrative dhe nuk zuri në gojë ndjekje penale apo arrestime. Pra, ndryshe nga çfarë pritej. Dhe më vonë, kështu ndodhi. Kadri Hazbiu u ndal tek analiza e mëtejshme e ngjarjes në elementët teknikë të saj, me synim rritjen e aftësive profesionale të efektivit kufitar, që ngjarje të tilla të rënda të mos përsëriten. Por kur erdhi puna tek masat, u hodh këshilltari sovjetik i cili nuk ishte dakord me ato që pohoi Kadri Hazbiu. Gjenerali rus iu drejtua Kadriut dhe i tha: “Panajot Plaku ka kaluar ngjitur me njësitin dhe nuk e kanë parë. Ndaj përgjegjësia është e rëndë dhe masat duhet të jenë të tilla.” Kadriu iu përgjigj: “Jo, nuk është ashtu. Drejtuesit e postës kanë punuar mirë, kufitarët gjithashtu. Por Panajot Plaku e njihte kufirin mirë pëllëmbë për pëllëmbë dhe vështirë që të pengohej gjatë arratisjes.” Kështu ishte kjo ngjarje e rëndë. Unë qëndrova 7 muaj në postën kufitare të Linit, pasi erdha në Gardën e Republikës në Tiranë. Ruaj respekt për kuadrot e asaj poste, ndonëse fati i tyre në jetë, më pas, nuk qe i mirë…

 

Pse, cili ishte fati i tyre?

-Përmenda më lart komandantin e kufiri në Pogradec, Bektash Ramën, i cili ishte një kuadër i aftë profesionalisht dhe një njeri i mirë. Ai, u godit më vonë vetëm për shkakun se në zonën kufitare që kishte në administrim, kaluan kufirin, ‘u arratisën’ rreth 2000 bagëti…

 

Ndonjë detaj tjetër lidhur me këtë ngjarje?

-Kuptohet, që pas arratisjes së bujshme të gjeneralit Panajot Plaku, u rrit kërkesa në shërbimin e kufirit dhe vështirësitë për kuadrot dhe ushtarët. Më mbeti në kujtesë fjala e nënës së Panajot Plakut, ku mbas disa ditësh ajo foli në radio, ku midis të tjerave tha: “Haram qumështi që i kam dhënë, më turpëroi!” Kuptohet që nuk është zemra e nënës që thotë këto fjalë për djalin, që është gjaku dhe mishi i saj. Por ishte e detyruar nga rrethanat, pasi diheshin pasojat për arratisjet nga vendi. Nëse ai që mund t’i shpëtonte kapjes ose plumbave në zonën kufitare, pasoja të rënda vuanin familjarë dhe të afërm të tij… (Fund)

 

Kujtim Boriçi March 19, 2013 12:58
Komento

12 Komente

  1. shqiptar March 20, 07:05

    “Haram qumeshti qe i kam dhene”. Kjo ishte jo sa per te lare gojen por nje mallkim i nje nene qe i kishte plasur shpirti nga tradhetia e te birit.
    Ai ishte tradhetar dhe vdiq ne Beograd si nje qen.

    Reply to this comment
  2. Shkodra March 20, 22:18

    O zoti shqipetar ne Beograd e helmuan njerezit e sigurimit te shtetit.Ti nga ata pisa do jesh dhe ti ore horre i pa ndyshueshem.

    Reply to this comment
  3. eglio March 21, 16:02

    sigurimsat e shtetit skane qene gje tjeter vetem agjente … aty ishte Mehmet shehu dhe kadri azbiu tradhetar jo me ca sigurimsa. Me vjen keq qe paska ende injorant ne kete toke dhe ende se kuptojne lojen e Amerikes ne kete bote.

    Reply to this comment
  4. ijs March 21, 20:35

    Ka kenaqesi njeriu te lexoje historite e vjetra te kohes se arte,kur ky popull barbar jetonte i organizuar nen-shtet, pra ne civilizim!!! E veshtire te besohet koha para 1990, kur njeriu shikon sot kete lloj race plot mafioze dhe kriminele, qe ky popull te kete patur ate forme organizimi te persosur dhe nje perkushtim e pergjegjesi ne maximum, sidhe nje kerkese llogarie taman si ne boten perendimore!!!
    Se si e transformoj vendin, llumi shqiptar pas 1990 kete nuk ka legjende biblike ta pershkruaj!!! Cfare mallkimi te jetosh sot ne mes te llumit shqiptar me ne krye,kryemafiozin Don Berisha,te ben te mendosh, qe ajo kohe e arte ishte e kunderta e asaj kohe, qe perjeton njeriu sot, prandaj njeriut qe jeton ne perendim sot me te njejtat norma dhe rregulla e kerkese llogarie si tek ne dikur para 1990, i duket vetja sikur po lexon ndonje perralle apo legjende te vjeter!!

    Reply to this comment
  5. babo March 22, 17:08

    Tek kjo gazete paska vetem komentuesa komuniste ose pasardhesit e tyre qe kane nostalgji per kohen kur hanim buke me djathe dhe visheshim si kinezet, e sa e sa te tjera…..

    Reply to this comment
  6. eglio March 22, 18:10

    Njerezit e mbeshtesin Socializmin jo per nostalgjira … por sepse jane te drejte … te zgjuar … Socializmi urrehet sepse ky sistem demaskon , denon rende vetem kapitalistin … vetem kapitalistat e urrejne kete sistem … ose me qarte ”fashistat”. Njeqind here me mire buke me djathe …sesa mish kali apo qumesht me kancer .

    Reply to this comment
  7. luti March 24, 00:33

    Esht kollaj te flasesh sot e te thuash cte duash pa pasur frik se te hyn gjemb ne kembe . Sigurisht AJO nene mallkimin per te birin ka qene e imponuar ta beje ( frika ne ate kohe ishte bashkudhetare per te gjith , ) kete duhet te keni parasysh ju parafoles . Sigurisht arratisja e tij nuk ka asnje hezitim se esht veprim i keq por mos harrojm nje gje se ai ishte nje ushtarak dhe nje njeri me vlera qe kish nje familje te rrespektuar per nivelin e tyre e sigurish ka qene nje ” ze me i fuqishem ” qe e detyroi te marri ate vendim duke denuar me vuajtje gjer ne dhembje ate familje te nderuar. ???????????????????????????

    Reply to this comment
  8. plaku November 22, 18:45

    ma e mir ësht një cop buk e that se sot të jetosh me frig nga cubat,a po të vijn sot apo nesër.prandaj të nderuar demokracija ësht të jesh i lir të punosh,dhe të hecësh para e jo të vidhësh të vrasësh,faj e pa faj,për ket e simpatizoj fort ligjin komunist,përshendetje nga një plak budall.

    Reply to this comment
  9. plaku November 22, 18:55

    të nderuar zotëri më ka ra libri i panajot plakut ndor,dhe e kam lexu disa her,aq ësht dhimbse sa që vështir ësht e mos të qash,ju lutem shiqone sot tradhtija ësht ba vepër e mburrejs,hajnija ësht duke lulzuer,droga që esht edhe ma e zez se të gjitha sepse e shkatrron një rini apo një popull të tër,i thuani ligj i mir?ju lutem jam plak dhe vërtet kam kalue botën,por përpara kem jetu në demokraci,e jo sot,nuk mundet askush të me bind të kundërten.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin