Arresti kardiak, njihuni me simptomat dhe këshillat si të kujdesemi!

May 25, 2020 10:53

Arresti kardiak, njihuni me simptomat dhe këshillat si të kujdesemi!

Pranvera Kola

Sëmundjet e zemrës janë ndër patologjitë më të shpeshta që shfaqen në vendin tonë. Për shkak të një sërë faktorëve, shqetësimet në zemër prekin më shumë moshat e rritura. Arresti kardiak, ose siç njihet në gjuhën e përditshme goditja në zemër është një prej patologjive që kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor, pasi vlerësohet si emergjencë mjekësore. Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit se cilët janë shkaktarët që shtojnë riskun për arrest kardiak, simptomat dalluese në rastet kur janë të dukshme, si dhe këshillat se si duhet të kujdesemi.

Çfarë duhet të kuptojmë me arrest kardiak?

Me arrest kardiak, ose goditje të papritur në zemër kuptojmë një ndalim të papritur të rrahjeve të zemrës. Ndalimi i zemrës ndërpret rrjedhjen e gjakut në tru dhe në organet e tjera. Zemra jonë ka një sistem elektrik, nëpërmjet të cilit realizohen rrahjet e rregullta të saj. Nëse këto impulse çrregullohen, ose nuk arrijnë të transmetohen, atëherë do të ndeshemi me çrregullime të rrahjeve të zemrës (aritmi), të cilat janë të llojeve të ndryshme. Shumica aritmive nuk janë të rrezikshme. Më shpesh çon në arrest kardiak aritmia e quajtur “fibrilacion ventricular”. Në këtë rast zemra nuk pompon mjaftueshëm gjak për trupin tonë dhe kjo është kërcënuese për jetën brenda disa minutash. Arresti kardiak është një emergjencë mjekësore dhe është vdekjeprurëse nëse nuk trajtohet menjëherë.

Cilat janë shenjat klinike?

Arresti kardiak është i shpejtë dhe drastik. Papritmas, pacienti rrëzohet, humbet vetëdijen, nuk ka puls dhe nuk merr më frymë. Përpara se të ndodhë, pacienti mund të jetë shumë i lodhur, ka marrje mendsh, ka një dobësi të përgjithshme, si edhe çrregullime të sistemit të tretjes (si përshembull ndjesia e stomakut plot, të përziera, neveria ndaj ushqimeve), apo edhe shtrëngime dhe dhimbje gjoksi. Por duhet të dimë se jo gjithmonë mund të kemi shenja paralajmëruese. Arresti kardiak mund të ndodhë papritur, pa shenja paralajmëruese.

Përse ndodh arresti kardiak dhe cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të tij?

Shumica e njerëzve që pësojnë arrest kardiak vuajnë edhe nga sëmundje të tjera të zemrës dhe në mënyrë të veçante janë të prekur nga sëmundja e arterieve koronare që janë enët kryesore të gjakut, të cilat ushqejnë muskulin e zemrës me gjak (miokardin). Të kesh sëmundje të arterieve koronare do të thotë që të rrjedhë më pak gjak në zemër. Kjo mund të çojë në një sulm të zemrës që dëmton sistemin elektrik të saj.

Përveç sëmundjes së arterieve koronare, janë edhe një sërë kushtesh të tjera që mund të çojnë drejt arrestit kardiak. Këtu do të përmendim gjendje të tilla, si: Humbja e madhe e gjakut ose mungesa e rëndë e oksigjenit, ushtrimet fizike intensive nëse keni probleme me zemrën, nivele shumë të larta të kalciumit dhe të magnezit në gjak të cilat mund të çojnë në një ritëm vdekjeprurës të zemrës. Po ashtu faktor risku është edhe predispozicioni familjar, vihet re një tendencë e aritmive në rrethin familjar. Tjetër shkak mund të jenë edhe ndryshimet në strukturën e zemrës, si për shembull një zemër e zmadhuar ose ndryshime të shkaktuara në zemër nga infeksione të caktuara.

Arresti kardiak dhe sulmi në zemër a janë e njëjta gjë?

Është e rëndësishme të theksojmë se arresti kardiak nuk është i njëjtë me sulmin në zemër. Gjatë një sulmi në zemër, zakonisht zemra nuk ndalet, por bllokohet diku në muskulin e saj rrjedhja e gjakut, kështu që zemra nuk merr oksigjen mjaftueshëm. Kjo mund të dëmtojë, ose vrasë pjesë të caktuara të muskujve të zemrës. E rëndësishme në këtë rast është madhësia e dëmtimit, si edhe shkalla e dëmtimit të sistemit elektrik të zemrës. Pra edhe një sulm në zemër në vetvete mund të çojë në arrest kardiak por, jo patjetër.

Në arrest kardiak mund të çojë edhe dështimi i punës së zemrës (insuficienca kardiake). Dështimi i punës së zemrës është një gjendje ku zemra dobësohet me kalimin e kohës derisa nuk mund të dërgojë mjaftueshëm gjak dhe oksigjen në të gjithë trupin tonë. Kur qelizat e trupit nuk ushqehen mjaftueshëm trupi nuk do të funksionojë normalisht. Pacienti do të ndjejë vështirësi në frymëmarrje edhe për veprime të thjeshta që normalisht nuk shkaktojnë lodhje (si për shembull gjatë një shëtitjeje të thjeshtë). Dhe sigurisht që nëse zemra është vazhdimisht e lodhur dhe e sforcuar në punën e saj, mund të ndalojë papritur, pra të kemi një arrest kardiak.

Po stili i jetesës si ndikon?

Si faktorë të tjerë të mundshëm që çojnë në arrest kardiak njihen diabeti, presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, abuzimi me alkoolin dhe drogërat. Po ashtu ndjenja e papritura të forta, vecanërisht zemërimi jashtë kontrollit mund të shkaktojnë aritmi të rrezikshme që shkaktojnë arrest kardiak. Kushtet e shëndetit mendor si për shembull ankthi dhe depresioni konsiderohen si faktorë predispozues për të zhvilluar një arrest kardiak.

Si trajtohet arresti kardiak?

Siç e theksova edhe më lart, arresti kardiak përbën një emergjencë mjekësore, pra kërkon një ndërhyrje të menjëhershme me defibrilator, një makinë që dërgon goditje elektrike në zemër. Këto goditje mund të bëjë që zemra e ndaluar të rifillojë përsëri rrahjet e saj. Por, kjo duhet realizuar brenda pak minutash dhe jo gjithmonë mund të rezultojë efikase. Pra ndërhyrja duhet të jetë jashtëzakonisht e shpejtë, gjë e cila fatkeqësisht nuk mund të realizohet gjithmonë për efekt të kohës. Nëse pacienti ndodhet në spital, atëherë rritet shumë mundësia e rezultateve pozitive. Më pas është shumë i rëndësishëm trajtimi i zemrës për të parandaluar goditje të tjera. Padyshim që duhet pasur parasysh konsumimi i alkoolit, duhanit si edhe kontrolli i diabetit, presionit të gjakut, obezitetit, menaxhimi i stresit.

May 25, 2020 10:53
Komento

2 Komente

  1. anticensurë25642654 May 27, 12:05

    të arrestoka dhe zëmra!?
    nuk na mjafton rama që nuk po lë gjë pa arrestuar,tashti duhet me na arrestu dhe zëmra??

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim