Pranga në Rinas kolumbianit, bos i dy linjave të kokainës?

Mariglen Mullai June 12, 2014 08:30 Updated

Pranga në Rinas kolumbianit,  bos i dy linjave të kokainës?

Një kolumbiano-spanjoll që lëvizte levat e trafikut të kokainës në Shqipëri u arrestua mbrëmjen e së martës, teksa ikte nga Tirana, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, pasi “kishte mbaruar punë” në vendin tonë. Zyrtarisht, Policia e Tiranës tha se bëhet fjalë për 36-vjeçarin Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, i cili u arrestua në Rinas, teksa nuk specifikohen të tjera detaje rreth këtij personi, apo linjave që ai manovronte. Përgjatë ditës së djeshme ai është mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku mësohet se ka përmendur disa emra të rëndësishëm, që mbeten për t’u verifikuar. Një mundësi mbetet ajo e një linje krejt të re dhe pa lidhje me atë të 250 kg kokainë të sekuestruar në Malin e Zi, por edhe kjo pistë nuk përjashtohet. Në orët në vijim priten detaje të deklarimeve të tij në polici, teksa paraprakisht mësohet se 36-vjeçari ishte person me precedentë penalë.

 

Arrestimi….krejt rastësisht

Kur ora shënonte 21.30 e ditës së martë, një shtetas kolumbiano-spanjoll u paraqit pranë autoriteteve kontrollore të aeroportit të Rinasit, për të proceduar me largimin e tij për në Spanjë. Burime pranë Antidrogës në Policinë e Tiranës thanë për gazetën “DITA” se gjatë kontrollit, janë vërejtur disa mangësi në dokumentacion. Triana kishte mbërritur më 19 maj në Tiranë, për qëllime turistike, siç kishte deklaruar, mirëpo nuk justifikonte dot mungesat në dokumentacion. Kontrollorët thirrën në ndihmë ekspertët e komisariatit të Rinasit, të cilët e vunë në pranga, me dyshimin e trafikut të drogës.

 

I maskuar në hotele të lira

Kolumbiano-spanjolli, për të humbur gjurmët dhe për të mos rënë në sy për lëvizjet e tij, kishte zgjedhur disa hotele të lira, për t’i kaluar ditët e “pushimeve”. Thuajse gjithë kohën ai ka qendruar në këto hotele (nga 30 deri në 50 euro nata), ku mendohet se ka zhvilluar takime me pikat e tij të kontaktit.

 

Lëvizte levat e trafikut të kokainës

Të njëjtat burime të rezervuara pranë Policisë së Tiranës thanë se 36-vjeçari kolumbiano-spanjoll kishte lidhje me persona të fuqishëm në Tiranë. Politikanët ishin “specialiteti” i tij, por edhe zyrtarët e niveleve të dyta mund të quheshin si pika kontakti. Ekspertët po punojnë në këtë drejtim, pasi paraprakisht, për të nuk kishte asnjë informacion të mëparshëm, pra nuk është mbajtur nën vëzhgim këto ditë që ka qendruar në Tiranë. Nga dyshimet e para rezulton se 36-vjeçari ka drejtuar një linjë kokaine që e sillte drogën nga Amerika Latine, për ta dërguar në Europë. Ndëkaq, po verifikohen edhe dyshimet, sipas të cilave ai ishte personi që do të merrte paratë e 250 kg kokainë, që u kap në Malin e Zi, kur ajo të mbërrinte në Tiranë. Droga u bllokua nga autoritet doganore në portin e Barit në Malin e Zi në një nga tre kontenierët me banane të cilat vinin nga Ekuadori të porositura nga kompania Rrapaj nga Fieri.

 

Linjat shqiptare të kokainës

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, në Ekuador u sekuestruan 145 kg kokainë që mendohej se kishte si destinacion Shqipërinë. Droga u zbulua në kontenierin e bananeve në portin Guayaquil, ndërsa nuk pati asnjë reagim të mëtejshëm. Pak javë më parë, po në kët vend u kapën 89 kg kokainë, kësaj radhe në kontenierët e ushqimit të qenve, me destinacion të dyshuar portin e Durrësit. Së fundmi, u kapën 250 kg kokainë në Malin e Zi, drogë e cila dyshohet se do të mbërrinte në Shqipëri.

 

Mariglen Mullai June 12, 2014 08:30 Updated
Komento

1 Koment

  1. . June 11, 15:57

    ——————————–
    Ka filluar te vij ere shtet.
    ——————————–

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*