“Arsimimi i grave, thelbësor për të drejtat e tyre!”

DW October 5, 2013 13:58

“Arsimimi i grave, thelbësor për të drejtat e tyre!”

Ndryshim i opinionit të shoqërisë për gruan si qytetare e dorë së dytë, paraprin ligjet për respektimin e të drejtave të saj thotë Salma, aktiviste indiane për mbrojtjen e të drejtave të gruas dhe poete.

Ju keni qënë pothuajse në të gjitha premierat e filmit dokumentar që titullohet “Salma” me emrin tuaj dhe ju kushtohet juve. Premiera e tij ju solli edhe në Tiranë. Çfarë ju sjellin udhëtimet, largimi nga India për të ndjekur këtë film?

Salma: Kam qënë në shumë kryeqytete të Europës, madje edhe në SHBA, kur janë shfaqur premierat e filmit dokumentar “Salma” kushtuar jetës sime, realizuar nga regjisorja e mirënjohur britanike Kim Longinotto. Në shkurt të këtij viti isha në Festivalin ndërkombëtar të Filmit në Berlin, në Berlinale. Tani jam në Tiranë, e ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, ku u shfaq premiera e tij. Të vij në kryeqytetet e Europës nga India e largët më pëlqen shumë, mund të shoh kultura të ndryshme nga ajo indiane, pamje qytetesh, arkitekturë, stile, veshje, të dëgjoj gjuhë të ndryshme. Dhe më e rëndësishme të diskutoj me shikuesit, t’u tregoj tregoj jetën time, t’u flas për poezinë, për shpresën time se shoqëria ndryshon për mirë, se vjen një ditë kur ajo detyrohet ta pranojë gruan dhe t’i krijojë kushte të kultivohet dhe realizohet si njeri.

Përmes dokumentarit “Salma” jeta juaj është njohur kudo si simbol i mbijetesës ndaj dhunës , madje i fitores ndaj saj.Si ka qënë jeta juaj, e parë nga vetë ju?

Jam indu, nga India e Jugut. Në moshën 13 vjecare, kur pata për herë të parë periodat, më kyçën në një dhomë vetëm me një dritare nga ku vështroja çfare ndodhte përtej mureve. Në këtë burg të improvizuar u rrita dhe u maturova, e lodhur nga dënimi që kisha marrë thjesht se isha femër. Refuzova të martohem me burrin që më kishin fejuar që kur isha 2 vjeç. Ëndërroja një tjetër jetë, përtej asaj që jetoja. Kjo më çoi në etjen për të mësuar sa më shumë për botën rreth meje. Lexoja gazetat me të cilat nëna mbështillte perimet që blinte në treg dhe përmes tyre përfytyroja botën jashtë meje. Leximet më çuan tek poezia. Burri me të cilin u martova më rrihte kur shkruaja poezi, donte të më hidhte acid në fytyrë.

A e divorcuat kur u bëtë e famshme?

Jo, jo. Sepse ai ndryshoi, kuptoi se të shkruarit është diçka e mrekullueshme, është jeta ime. Vëllimi im poetik “ Ora pas mesnate” është përkthyer në anglisht dhe gjermanisht me titullin “Die stunde nach Mitternacht”. Burri im nuk është më i dhunshëm, punon në bashki, mbështet financiarisht familjen. Unë merrem me politikë , luftoj për të drejtat e grave, drejtoj një qëndër sociale konsultimi për familjen. Burri im tani pranon që unë të shkruaj poezi edhe pse nuk ka lexuar asnjë. Më parë më rrihte kur shkruaja.

Jeni një e mbijetuar nga dhuna dhe një fitimtare kundër saj. Dhuna ndaj gruas nuk është një dukuri që ekziston vetëm në Indi por edhe në Europë, edhe në Shqipëri. Çfarë do t’u thoni grave që janë viktima të saj ashtu si ishit ju dikur?

Të arsimohen, të arsimohen dhe përsëri të arsimohen. Arsimi i ndihmon të dalin nga shtëpia, të shkojnë në punë, të fitojnë para, të socializohen. Gratë duhet të luftojmë për të fituar të drejtat e tyre. Të drejtat nuk mund të na i japin të tjerët, duhet t‘i fitojmë vetë. Liria nuk mund të vijë nga jashtë, ajo vjen nga brenda nesh. Ky është mesazhi im për cilëndo grua që është objekt i dhunës. Shoqëritë ndërtojnë opinione për gruan: gruaja duhet të jetë kështu apo ashtu, të rrijë këtu apo aty, shkurt gratë shihen si qytetare të dorës së dytë. Dhe ka gra që këto opinione i besojnë si të vërteta, reale. Ndryshimi fillon nga ndryshimi i këtij opinion. Nuk kanë rëndësi ligjet para ndryshimit të mendimit të shoqërisë për gruan. Gruaja ka forcë të madhe. Burrat nuk e dinë këtë. Kjo ndodhi me mua, është e rëndësishme të besosh tek aftësitë e tua. I besova vetes time. Pas këtij besimi gratë mund të luftojnë për të drejtat e tyre.

DW October 5, 2013 13:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*