Arsyet pse duhet t’i kushtojmë kujdes të veçantë higjienës dentare

December 25, 2017 13:38

Arsyet pse duhet t’i kushtojmë kujdes të veçantë higjienës dentare

 

Pranvera Kola

Higjiena dentare nuk ka të bëjë vetëm me dhëmbët e pastër, por të gjithë shëndetin e gojës. Këtu përfshihen dhëmbët, mishi dhëmbëve, gjuha, e gjithashtu edhe fyti. Këshillat për sigurimin e një higjiene të mirë të gojës duhet të nisin që në moshën fëminore, në të kundërt ndërlikimet që mund të shfaqen në shëndet janë të shumta. Mjekja Ilda Xhelili, në vijim të shkrimit tregon se sa e rëndësishme është higjiena dentare, duke u ndalur veçanërisht në veprimet që duhet të kryejmë për të shmangur infektimin e dhëmbëve, mishrave të dhëmbëve, erën e keqe të gojës, etj. Sipas saj, këto sëmundje mund të parandalohen dhe trajtohen nëse tregohemi të kujdesshëm dhe bëjmë pjesë të përditshmërisë tonë disa rregulla të thjeshta që kanë të bëjnë kryesisht me higjienën dentare. Këto veprime përfshijnë larjen e rregullt të dhëmbëve dhe përdorimin e fillit dentar, përdorimin e shpëlarësve të gojës dhe ndjekjen periodike të shëndetit të gojës tek stomatologu, si dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt ushqimor. “Goja dhe dhëmbët përveç pamjes së jashtme dhe komunikimit, luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e organizmit të njeriut. Dhëmbët janë të parët që bluajnë ushqimin dhe së bashku me pështymën dhe enzimat që prodhohen në gojë e bëjnë atë më të lehtë për t’u përpunuar nga stomaku dhe në vazhdim. Dhëmbët sigurojnë gjithashtu edhe një mbështetje strukturore për fytyrën, ndërsa në gojë gjenden qeliza imune që ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit nga mikrobet. Marrja e kujdesit të mirë për gojën dhe dhëmbët është një pjesë thelbësore e ruajtjes së shëndetit të mirë”, vë në dukje mjekja Xhelili. Nëse nuk kujdesemi sa duhet për higjienën e gojës, atëherë dhe problemet që shfaqen janë të shumta.

Kujdesi për infeksionet e dhëmbëve

Një ndër problemet më delikate është infeksioni i dhëmbëve dhe në mënyrë të veçantë abscesi i dhëmbit. Kjo ndodh kur infeksioni shkon deri në pulpën e dhëmbit dhe vendoset në rrënjën e tij pranë kockës së nofullës dhe formon një zonë aty të mbushur me qelb (pus). Një absces i tillë i patrajtuar mund të çojë në infeksione të rrezikshme të kockave të nofullës dhe indeve të tjera përreth. Shenja kryesore klinike në këtë rast është era e keqe e gojës dhe dhimbja. Trajtimi i asbceseve varet nga shtrirja e infeksionit. Në rastet e rënda kërkohet edhe ndërhyrja kirurgjikale. Nën praninë e sheqernave ushqimore bakteret janë të afta të prodhojnë substanca acide që dëmtojnë smaltin e dhëmbëve dhe ekspozojnë dentinën (shtresa poshtë smaltit të dhëmbëve) ndaj infeksioneve. Higjiena e mirë e dhëmbëve përfshin pastrimin e mirë të dhëmbëve dhe të gojës, mundësisht pas çdo vakti ushqimor, ose të paktën në mëngjes herët dhe në darkë para gjumit.

Mbrojtja nëpërmjet kurorave dentare

Në rastin e dëmtimeve të dhëmbëve mund të shërbejnë si mbrojtje kurorat dentare. Një kurorë dentare është një këllëf që vendoset mbi dhëmbin e dëmtuar për ta bërë atë më të fortë, ose për të përmirësuar pamjen e tij. Një kurorë mund të vendoset gjithashtu për të shërbyer si mbështetje për një urë (kalim) dentare, apo edhe për të maskuar një dhëmb të keqformuar, ose me njolla. Kurorat dentare mund të jenë prej materialeve të ndryshme (porcelan, porcelan dhe metal, ose aliazh metalik dhe më tepër).

Gingivitis (infeksioni i mishrave të dhëmbëve)

Një patologji mjaft e zakonshme është edhe gingivitis, me të cilin kuptojmë inflamacionin (infeksionin) e mishrave të dhëmbëve. Gingivitis shkaktohet nga bakteret, të cilat prodhojnë pllakëza të cilat ngjiten në sipërfaqe të dhëmbëve. Shenjat kryesore klinike janë era e keqe e gojës, dhimbja e mishrave të dhëmbëve, skuqja e tyre, fryrja dhe gjakderdhja. Mungesa e  higjienës së mirë të dhëmbëve rrit rrezikun e gingivitit. Po ashtu gingivitin e favorizojnë pirja e duhanit, diabeti, shtatzania (ndryshimet hormonale), faktorët gjenetikë, apo edhe medikamente të caktuara (si për shembull preparatet kortizonike). Kjo patologji nëse trajtohet në kohën e duhur është e rikthyeshme. Pastrimi i rregullt, fluorizimi, si edhe trajtimet e veçanta dentare mund të ndihmojnë në parandalimin dhe trajtimin e gingivitit.

Halitosis (era e keqe e gojës)

Mjaft shpesh ndeshet edhe aroma e keqe e gojës (halitosis), e cila është e parehatshme dhe mund të ketë shkaqe të ndryshme. Një shkak potencial i aromës së keqe është ushqimi, si për shembull hudhrat dhe qepët. Mungesa e higjienës së mirë së gojës mund të lejojë bakteret të përhapen duke kontribuar në aromën e keqe të gojës. Ndonjëherë, fryma e keqe mund të jetë rezultat i një gjendjeje tjetër mjekësore, si: goja e thatë, diabeti, infeksioni i bronkeve dhe i mushkërive, etj. Prandaj është e rëndësishme që në këto raste të fokusoheni edhe të analizën e situatës individuale shëndetësore. Përveç higjienës së dhëmbëve është e rëndësishme edhe higjiena e gjuhës. Ajo duhet pastruar e kruajtur me furçë të butë rregullisht, njësoj si dhëmbët.

Kujdes nga lëngjet e nxehta dhe të ftohta

Kujdes duhet treguar me përdorimin e lëngjeve shumë të nxehta dhe shumë të ftohta pasi ato irritojnë nervat e dhëmbëve. Dhëmbët mbulohen nga një substancë e bardhë mbrojtëse, e cila quhet smalt dhe poshtë smaltit ndodhet dentina. Dentina shërben si mbështetje për smaltin dhe mbron pulpën e dhëmbëve, si edhe rrënjën nervore që kalon në mes të dhëmbit. Kështu që nëse ka gërryerje (erozion) të smaltit dhe dentinës mundësohet prekja e nervit dhe si rezultat shkaktohet dhimbje. Dëmtimet e ndryshme, gingivitis mund të kontribuojnë në rritjen e ndjeshmërisë së dhëmbëve. Trajtimi i këtij problemi mund të përfshijë përdorimin e pastës së dhëmbëve të fluorizuar, e cila bllokon ndjeshmërinë, apo edhe materiale të ndryshme lidhëse që aplikojnë dentistët. Më së shpeshti, erozioni dentar ndodh kur lëngjet shumë të nxehta, lëngjet shumë të ftohta, acidet në ushqime dhe pije të caktuara dëmtojnë smaltin e dhëmbëve.

Kujdesi që duhet të tregojmë me ushqimet 

Burimet më të zakonshme të acideve në dietë janë frutat, pijet e buta alkoolike dhe lëngjet e frutave. Shmangia e pijeve me sheqer ndihmon në mbrojtjen e smaltit të dhëmbëve. Frutat në sasi të arsyeshme (rreth 600 gram në ditë) dhe lëngjet e tyre (100 për qind të freskëta) janë pjesë e një diete të shëndetshme. Po ashtu shumë e rëndësishme është higjiena e gojës në përgjithësi, pastrimi i dhëmbëve dhe gjuhës me pastë të fluorizuar dhe shpëlarja e gojës me desinfektanktë oralë (si për shembull Listerina).

Përzgjedhja e shpëlarësit

Mos harro se shpërfillja e shëndetit të gojës mundet që jo vetëm të shkaktojë rreziqe shëndetësore si mostretja por, gjithashtu çon edhe në shkaktimin e ulcerës së gojës dhe sëmundjeve të mishit të dhëmbëve. Pirja e duhanit është armiku kryesor i shëndetit oral. Dhe nëse mundeni, e sigurisht që mundeni po qe se jeni të vendosur, lëreni duhanin. Një arsye tjetër që era e keqe e gojës shkaktohet është edhe mos pastrimi periodik i dhëmbëve te dentisti. Rekomandohet që çdo 6 muaj të vizitohet dentisti për të kontrolluar gojën për ndonjë problem eventual të dhëmbëve dhe gojës dhe për t’i pastruar dhëmbët që të largohen njollat dhe pllakat. Pastrimi para fjetjes është gjithashtu i mirë pasi lufton bakteret që mund të zhvillohen nga mbetjet e copëzave të ushqimit e përveç të tjerash goja mbetet e pastër gjatë gjithë kohës sa flini. Kujdesu për shëndetin oral dhe kështu ju mund të mbani gojën pa erë të keqe dhe ndoshta edhe të parandaloni problemet që mund të vijnë si pasojë e pastrimit jo të mirë të gojës. Mos harro se goja është hyrja e të gjitha organeve të brendshme.

Ndërlikimet që shkaktojnë nëse dhëmbët nuk trajtohen në kohë

Dhëmbët janë burim infeksioni për të gjithë organizmin. Nëse dhëmbët dhe indet përreth tyre dëmtohen dhe infektohen, atëherë infeksioni përhapet shumë shpejt nëpërmjet rrymës së gjakut në të gjithë organizmin. Prandaj, profilaksia e gojës është një profilaksi (parandalim) e shëndetit të mirë në përgjithësi. Rekomandohen kontrolle të rregullta të mjeku stomatolog një herë në gjashtë muaj, si edhe pastrimi i gojës me pastë dhëmbësh të fluorizuar, mundësisht pas çdo vakti ushqimor.

 

Masat që duhet të merrni

  • Mbani një dietë të shëndetshme dhe zgjidhni ushqime nga grupet ushqimore si: bukë, drithëra, fruta, perime, mish, peshk, qumësht, djathë dhe kos.
  • Përdorni ujë pas ushqimit.
  • Mos konsumoni ushqime të thata dhe me shumë sheqer.
  • Lani dy herë në ditë dhëmbët me pastë me përmbajtje fluori.
  • Përdorni floss dentar (fije dentare) për heqjen e mbeturinave ushqimore mes dhëmbëve.
  • Reduktoni shpeshtësinë e marrjes së karbohidrateve (sheqernave)gjatë ditës.
  • Përdorni furçën e dhëmbëve 3 herë në ditë me pastë të fluorizuar.
  • Kontrolle periodike te dentisti.
  • Ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 6 muaj.

 

 

December 25, 2017 13:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*