ART / Dyqani i veglave muzikore, vetëm 88% e blerësve bëhen yje

July 13, 2018 19:07

ART / Dyqani i veglave muzikore, vetëm 88% e blerësve bëhen yje

TIRANE – Në kundërshtim me logjikën e shëndoshë dhe besimin e gjithëpërhapur, se blerja e një instrumenti muzikor në një dyqan instrumentesh muzikore të garanton një sukses të madh dhe famë të përjetshme në muzikë, një studim i pardjeshëm ka nxjerrë rezultate dramatike. Kampioni i studimit është bërë dyqani i veglave muzikore “Bjeri defit”, ku rezulton se vetëm 88% e myshterinjve ecën përpara në karrierë, për t’u bërë muzikantë të rëndësishëm.

“Çudituni sa të doni, por kjo është e vërtetë”, pohoi vetë pronarja e dyqanit ikonik të veglave muzikore, Klara Neta, “me një llogari të thjeshtë të regjistrave të dyqanit, del se plot 12% e klientëve që kanë blerë në vite tek unë dajre, qemane, violina, qithara, klarineta, bokse, mikrofona, amplifikatorë etj, nuk ja kanë dalë kurrë të bëjnë hajër në jetën e vërtetë”.

Sigurisht, sipas Netës, kjo nuk do të thotë se ata nuk arrijnë ta nxjerrin bukën e gojës, të prodhojnë dy-tre albume e të këndojnë e luajnë rregullisht nëpër dasma.

“Por e kam fjalën për atë sukses ngjethës dhe flakërues që kanë arritur 88 përqindshi tjetër”, theksoi Klara Neta, duke renditur disa emra tashmë legjendarë të muzikës shqiptare, që veglat e para i kanë blerë tek ajo.

“Nga ky dyqan kanë dalë artistë drithërues si Xhemal Ziu, Mandi i NTUS’it, Çakërr Sybardhi, reperi i njohur Ankthi, DJ Paniku, sopranoja Ulkonja Berisha, këngëtari popullor Tiqofsh Malltezi etj,” tha Klara Neta.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike me vesh muzike

July 13, 2018 19:07
Komento

1 Koment

  1. Lad July 14, 13:10

    Jamarbri eshte vertet tiqofsh, qe mos qofsh, hahaha

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*