ART / Faqja online e quan daljen me mbathje të këngëtares, “stil i veçantë”

January 19, 2018 17:29

ART / Faqja online e quan daljen me mbathje të këngëtares, “stil i veçantë”

 

Një arritje të re kreu ditën e djeshme një faqe shqiptare e gazetarisë online, në përpjekjen e vazhdueshme për t’u veshur terma dhe fraza të rrumbullakosura dukurive të shoubizit dhe objekteve lidhur me to, që janë shumë të thjeshta për t’u ngatërruar me diçka tjetër.

Kështu, konkretisht fjala është për një nga shfaqjet e fundit të këngëtares britanike me origjinë shqiptare, Rita Sahatçiu (Ora), ku sipas faqes online ajo bëri “një dalje sensacionale në skenë me një kostum dy pjesësh”.

Sipas një sondazhi të shpejtë të Gojëve të Liga, 100 përqind e të anketuarve panë një dalje në skenë me brekë dhe sutjena. Kjo për faqen online quhet “stil i veçantë”.

“Nuk e di, mbase tani i thonë kostum, por mesa di unë këto janë brekë”, thanë shumica e të pyeturve. “Ndoshta kështu quhen mbathjet e shtrenjta”, shtuan ata.

Ndërkaq, dukurinë e shfaqjes pothuajse zhveshur të artistëve dhe këngëtarëve, faqja në fjalë e komenton si “eksperiment të guximshëm” dhe “mos-hezitim për të shfaqur format e mrekullueshme”.

Nuk kanë munguar rastet kur publikimi i fotografive gollomesh nga këto personazhe është shndërruar në lajm, me perifrazimin “shfaqje origjinale”.

Ndërsa procesi i zhveshjes së ngadaltë për disa minuta nga këngëtaret femra në skenë përballë një publiku të zhurmshëm dhe përgjithësisht të dehur, rëndom nga faqja online është quajtur “performancë”.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që ka një ‘stil të veçantë’ në trajtimin e fenomeneve të jetës së përditshme.    

January 19, 2018 17:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*