ART-KULTURË / Dixhej Flama vendos rregull, nuk i duron padrejtësitë

June 19, 2018 20:41

ART-KULTURË / Dixhej Flama vendos rregull, nuk i duron padrejtësitë

Një nga intelektualët më të spikatur të rajonit, elementi kyç i grupit death metal QUPSH dhe muzikanti me nam Dixhej Flama, dha një tjetër shembull të reagimit ndaj padrejtësive ditën e djeshme, kur hapi krahët si pëllumb i pashkruar dhe përfshiu një tavolinë drejtkëndëshe, pohojnë burimet.

“Këto tavolina drejkëndëshe janë turpi i vendit”, deklaroi Flama, emri i vërtetë i të cilit, siç të gjithë të apasionuarit e artit serioz e dinë, është Mul Udbashi. “Unë do luftoj për tryeza të rrumbullakëta,” shtoi artisti i madh.

Dixhej Flama është shquar edhe herë të tjera për akte vetëmohimi dhe gjeste të pashoqe të bamirësisë sociale.

Dixhej Flama pas nje koncerti

Mjaft të kujtojmë këtu pajisjen me apartamente sociale banimi në Sarandë, të disa familjeve Flamëmëdha nga një qytet aty afër, Kukësi. Ose protestën e tij fisnike prej tribuni kombëtar, kundër betonizimit të Parkut të Tiranës, bashkë me artistë të tjerë të shquar si Strazo Pisqolla, Bujar Cinguni etj.

Dixhej Flama i është kushtuar artit që herët, edhe pse është shkolluar 15 vjet rresht për mjekësi. Por historia mban mend se ditën e diplomimit atij i humbi stetoskopi që ja kishte bërë dhurata daja i mamasë në Prizren në vitin 1991. Dhe që atëherë vendosi të kontribuojë në sektorin e flamës dhe lemerisë publike.

Për t’u rikthyer te lajmi, mësohet se pas incidentit të mësipërm, Dixhej Flama zbërtheu këmishën duke zbuluar muskujt e hijshëm pektoralë dhe iu turr tavolinave drejtkëndëshe te Sheshi Skëndërbej.

“Hiqini mor kto birra, kto salsice”, bërtiti Flama.

Por turma prej 1500 njerëzish që po shikonte ndeshjet e Botërorit qëlloi e gjitha vegël e reaksionit dhe e pa shtrembër artistin bohem.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Çdo përputhje e këtij materiali me realitetin është totalisht e qëllimshme  

June 19, 2018 20:41
Komento

1 Koment

  1. info analitike June 22, 12:37

    Qy qenka me keq se repisti me fame boterore Dhjeliaj qe dha disa koncerte bamiresie te njepasnjeshme ne sheshin e Tiranes te cilin e ndertoi vete me kursimet e mamit pensioniste.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*