Artan Lame: Ja si do të hipotekohen pallatet e reja të braktisura nga pronari

October 5, 2016 10:14

Artan Lame: Ja si do të hipotekohen pallatet e reja të braktisura nga pronari

Kreu i ALUIZNI-t sqaron fatin e objekteve që janë ndërtuar në zonat e mbrojtura dhe procedurat që do të ndiqen për ndërtimet që preken nga projektet. Brenda këtij mandati qeverisës  do të mbyllet procesi i legalizimeve

Erion Habilaj

Për çdo pallat i cili nuk është hipotekuar ende pasi ndërtuesi i tij mund të jetë larguar, do të ketë një procedurë të veçantë nga ana e ALUZINI-t. Drejtori i ALUZINI-t , Artan Lame gjatë raportimit në Komisionin e  veprimtarisë prodhuese sqaroi se kjo problematikë është tepër komplekse.

“Jemi duke i trajtuar. Kanë vetëm një problem: kompleksiteti i çdo pallati është shumë i madh sepse është një objekt i ndërtuar pa leje ose me shkelje të lejes. Janë një koshere dhe kjo na ka çuar në përfundimin se çdo pallat do të merret më vete sepse nuk mund të përdoret një skemë për të gjithë. Kur flasim për pallatet pa leje, doja të mos shohim pronarin. Ai është një atje, por janë 100 familje që kanë marrë shtëpi dhe nuk gjejnë zgjidhje”, tha Lame.

Kur përmbyllet procesi i legalizimit

Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaroi se brenda këtij mandati qeverisës do të mbyllet procesi i legalizimeve në zonat më të mëdha informale rreth qyteteve.

“Deri në fund të këtij mandati, do të përmbyllen legalizimet në zonat informale përreth qyteteve. Pra për të lënë për mandatin tjetër pjesën e vogël të ndërtimeve që mbeten brenda qyteteve”, deklaron Lame. Drejtori i ALUIZNI-t deklaroi se sfidë tani mbetet urbanizimi i zonave informale që janë legalizuar.

“Si do të urbanizohen këto zona, infrastruktura rrugore, ujësjellësi, elektriku, hapësirat e përbashkëta, shkolla e kopshte e kështu me radhë”, tha ai. Lame raportoi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se janë 320 mijë vetëdeklarime, nga të cilat për 88 mijë është dhënë leja e legalizimit. Mjaft objekte janë në zona të ndaluara, për të cilat do studiohen zgjidhjet.

Objektet në zonat e mbrojtura

Drejtori i  ALUIZNI-t komentoi dhe procedurat që do të ndiqen për ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe ato që preken nga projektet infrastrukturore.

“Dy janë problemet e të ardhmes: urbanizimi i zonave informale dhe ndërtimet që mbeten pa legalizuar, sepse ligji parashikon disa ndalime. Stoku ka të bëjë më zonën që përmbyten të mbrojtura ose aty ku do të kalojë një projekt. Këto ndërtime nuk prishen por as nuk legalizohen. Deri në momentin e zbatimeve të projektit, banorët do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe në momentin e fundit do t’ju thuhet më vjen keq, por është infrastruktura prioritare. Janë dhjetëra mijë ndërtime në këtë kategori. Për ndërtimet që janë në këtë kategori në Tiranë ka një projekt për t’u dhënë shtëpi banesa sociale ose për t’u dhënë truall. Këto janë ndërtime në bulevardin e ri, në lumin e Tiranës. Bashkia po bën të projektet për të dhënë më shumë se dy vjet qira. Këto probleme duhen trajtuar në afat gjatë”,tha Lame.

Lejet e legalizimit

Si pasojë e miratimit të kuadrit të plotë ligjor u bë i mundur përshpejtimi i ritmeve të procesit të legalizimit duke mundësuar legalizimin e 15.294 ndërtimeve në vitin 2014, për vitin 2015 të 21.748 ndërtimeve informale dhe vetëm gjatë 9 muajve të 2016 janë lëshuar 29.529 leje legalizimi.

Shifra prej 66.571 lejesh në gati tre vjet, është rreth 3.1 herë më i madh se sa ajo e tetë viteve të qeverisjes së mëparshme.

Paralelisht, janë kryer procedurat administrative të përjashtimit për rreth 1.000 ndërtime, të cilat nuk përmbushin kushtet për legalizim, sipas nenit 39 të ligjit nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” dhe VKM nr.280/2014.

Kompensimi financiar i pronarëve

Procesi i rregullimit ligjor të situatës, midis poseduesve të ndërtimeve pa leje dhe pronarëve, trualli i të cilëve është zënë nga ndërtime informale, është  bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Në periudhën objekt raportimi janë miratuar propozimet e ALUIZNI-t për: Kalimin e të drejtës së pronësisë për 8.606 parcela ndërtimore, të zëna nga ndërtimet pa leje; Shpërblimin financiar për 2.980 subjekte, pronarë të pasurive të paluajtshme, të prekura nga ndërtimet pa leje.

Gjatë kësaj periudhe ALUIZNI ka arkëtuar rreth 2.4 miliard lekë, nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore. Nga kjo vlerë janë transferuar në fondin financiar të kompensimit të pronarëve afro 1.7 miliardë lekë.

Udhëzimi i ri

Si do të realizohet kompensimi financiar ose kalimi i pronësisë mbi parcelën

Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale ka nxjerrë një udhëzim për mënyrën se si do të përcaktohen procedurat e hartimit të propozimit, për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe miratimin e masës dhe vlerës së kompensimit financiar.

Si rregull, paraqitja dhe llogaritja e sipërfaqeve të parcelave për të cilat do të kryhet kalimi i pronësisë dhe/ose kompensimi i pronarëve joposedues, bëhet duke përputhur hartën dixhitale të ZVRPP-së dhe hartën vektoriale nëpërmjet kopjimit me koordinata.

Nëse ZVRPP-ja nuk e disponon hartën kadastrale në formën e sipërpërmendur dhe është në pamundësi për ta realizuar atë, atëherë kryhet përputhja nga punonjësit e ALUIZNI-t, duke paraqitur në hartën vektoriale në mënyrë qartë dhe të dukshme pikat e referimit të përputhjes për objektin/objektet, që janë marrë si referues të dukshme pikat e referimit të përputhjes për objektin/objektet, që janë marrë si referues.

Në zbatim të pikës 27, të VKM-së nr. 465, datë 22.6.2016, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, për parcelat që ndodhen në toka bujqësore të fituara me AMTP-në, drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t do të përgatitin propozimet për projektvendim vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet e përcaktuara në këtë dispozitë.

Për këtë qëllim, pjesë e dokumentacionit të propozimit do të jetë edhe kopja e korrespondencës së mbajtur me ZVRPP-në, në të cilën konfirmohet se procedurat sipas VKM-së nr. 994/2015 janë përfunduar (ose nuk janë të nevojshme).

October 5, 2016 10:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*