Arti i manipulimit të masave

October 15, 2016 10:57

Arti i manipulimit të masave

Dezinformimi dhe propaganda kanë qenë gjithmonë instrumente lufte. Por, me zhvillimin e epokës së internetit, ato kanë arritur kulme të reja. BE, ka kohë që shfaq një shqetësim gjithnjë e në rritje ndaj Rusisë, duke e vlerësuar politikën e saj, si më agresive dhe arrogante jo vetëm kundër politikave të BE dhe atyre Perëndimore, por sidomos ndaj vendeve fqinje të saj, si edhe ndaj Ballkanit Perëndimor. Një sërë masash për të përballuar kundër-propagandën, kanë kohë që kanë filluar të ndërmerren, dhe janë në një terren të vazhdueshëm përforcimi. Rezoluta e fundit e miratuar këtë javë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, vjen në këtë kuadër dhe sugjeron ndër të tjera rritjen e bashkëpunimit mes shteteve anëtare dhe NATO, për sa i përket komunikimit strategjik. Por, ku shtrihet realisht shqetësimi i BE ndaj Rusisë, ndaj propagandës agresive që ajo ushtron në Union, në vendet e fqinjësisë, si edhe në Ballkanin Perëndimor ?

Një analizë e muajve të fundit, e kërkuar nga Komisioni Jashtëm i Parlamentit Evropian, dhe e kryer nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS), me titull: “Strategjia e komunikimeve të BE me synim për të luftuar propagandën” shfaq një sërë shqetësimesh. Propaganda ruse ka në fokusin e saj sistematik jo vetëm opinionin publik evropian, por edhe vendet e fqinjësisë së BE, që luhaten mes projekteve konkurrues evropianë dhe euro-aziatikë për bashkëpunim dhe partneritet, si edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Filozofia e propagandës vjen e kombinuar nëpërmjet mesazheve kyçe, mbi çdo zhvillim, që prek Bashkimin Evropian, duke e portretizuar situatën me tone negative, e kombinuar kjo edhe me hedhjen e teorive të konspiracionit. Në këtë propagandë sistematike, BE përshkruhet si një entitet agresiv dhe ekspansionist, por njëkohësisht edhe i dobët dhe se po shkon drejt kolapsit. Një kolaps që do të shkaktohet nën presionin e kombinuar të krizës fiskale dhe krizës së migrimit. BE përshkruhet gjithashtu si një entitet i ngathët, që është i paaftë të marrë vendime për shkak të valëve të nxituara të zgjerimit në Lindje. Këto dy portretizime, ushqejnë gjithashtu parashikime në lidhje me dështimin e afërt të BE, ashtu si Bashkimi Sovjetik u shemb njëzet e pesë vjet më parë.

Dezinformimet sistematike shoqërohen edhe me shpërndarjen e teorive të konspiracionit. Nga pesë teori
të përmendura në studim, tërheqin vëmendjen dy prej tyre, që lidhen me çështjen e Kosovës. Teoria e parë supozon se: “Perëndimi po vret dëshmitarët e mbrojtjes, të kriminelëve serbë të luftës, në Hagë”, ndërsa e dyta, pretendon se: “Politikanët perëndimorë, si Madlen Ollbrajt, kanë një urrejtje patologjike për sllavët dhe lufta në Kosovë, u konsiderua vetëm si hapi i parë për të mundësuar kontrollin mbi Rusinë.” Këto pretendime, janë përcaktuar nga një ish oficer i KGB, i cili paska aftësinë të lexojë mendjen e njeriut.

Audienca që synohet në BE, sipas studimit, është specifike, duke filluar që nga mbështetësit e ekstremit të djathtë, të cilët konsumojnë lajme mbi BE, por kjo audiencë shtrihet edhe tek mbështetësit e ekstremit të majtë. Mbështetësit e ekstremit të djathtë, ushqehen me lajme mbi një BE, që promovon rënien dhe dekadencën morale, duke mbështetur LGTB, duke neglizhuar rrënjët e krishtera evropiane, si edhe duke rrezikuar islamizimin e Evropës. Ndërsa mbështetësit e ekstremit të majtë, ushqehen me lajme kryesisht anti-amerikane duke e portretizuar BE, si një partner të nënshtruar apo një kukull të Uashingtonit.

Si djathtas dhe majtas, Rusia pozicionohet në një shpjegim kundër ndërhyrjeve, duke i përshkruar ndërhyrjet ushtarake të Perëndimit në Kosovë, Afganistan, Irak, Libi si edhe në Ukrainë si veprime agresive të paligjshme. Dështimi në Irak, ofrohet si shembull për të inkuadruar debatin në lidhje me krizat e tjera si në Kosovë, apo në Ukrainë.

Në të njëjtën linjë, ushtrohet edhe propaganda në lidhje me sanksionet kundër saj, ato konsiderohen si të dëmshme për vetë Evropën dhe me kosto të lartë për qeveritë kombëtare, pasi këto sanksione kanë shkaktuar humbje të larta të vendeve të punës.

Përfshirja e Rusisë, sipas studimit, është e lartë edhe në çështjet e brendshme evropiane, si referendumi në Skoci, fushata e Brexit, apo edhe çështja e refugjatëve. Çdo ndarje e brendshme zgjidhet, përpunohet dhe amplifikohet.

Përveç rrjetit të konsiderueshëm të mbulimeve mediatike në gjuhën ruse, transmetime të njëanshme pro-ruse, janë konstatuar edhe tek transmetuesi shumëgjuhësh Euronews, që është krijuar në vitin 1993 për promovimin e unitetit evropian, duke prezantuar informacion nga një këndvështrim thellësisht evropian. Pikërisht në seksionin e tij në gjuhën ruse, në shumë raste ka pasur transmetime të njëanshme, si në mbulimin e luftës në Gjeorgji në vitin 2008, në 20 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës në vitin 2011, përgjatë referendumit në vitin 2014 në Donbas dhe konfliktit të Ukrainës Lindore, si edhe gjatë ngjarjeve në Transnistri, duke u shfaqur haptazi me lajme të pa balancuara dhe pro-Rusisë.

Propaganda në vendet e fqinjësisë

E njëjta politikë dezinformimi përdoret edhe në vendet e Partneritetit Lindor të BE, me variacione lokale. Sulmi ndaj politikave të BE, sipas studimit, është një lajtmotiv dhe BE barazohet me Bashkimin Sovjetik, duke u përshkruar si një projekt gjeopolitik armiqësor. Mesazhi i nënkuptuar, sipas studimit, është se këto vende i ikën Bashkimit Sovjetik, vetëm për të humbur sërish lirinë e tyre, në një entitet të ngjashëm, tashmë në prag të kolapsit ekonomik. Në terma kulturorë, Evropa prezantohet si një civilizim moralisht dekadent, që po i kthen kurrizin traditave kristiane. Mediat pro Kremlinit paralajmërojnë gjithashtu për një rrezik imediat të shpërndarjes së refugjatëve nga BE, tek këto vende, apo se Marrëveshjet e Asocimit, do t’i detyrojnë nënshkruesit të pranojnë martesat homoseksuale, etj.

Qëllimi kryesor i përpjekjeve të komunikimit strategjik të Rusisë, sipas studimit, është për të krijuar perceptime të njohura në lidhje me BE-në. Kjo, është lehtësuar nga gjuha në të cilën mesazhet komunikohen, popullariteti relativ i mediave ruse dhe rrjetet sociale, ekzistenca e konsiderueshme e pakicave rusisht-folëse, tërheqja e stilit të udhëheqjes të Putinit, avancimi agresiv i Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU), si një alternativë e besueshme kundrejt BE, si edhe predispozita e njerëzve për teoritë e konspiracionit. Faktorët të tjerë shtesë të brendshëm, të përmendur në studim, lidhen me një retorikë anti-BE të elitave lokale dhe dështimet e dukshme të koalicioneve qeverisëse pro-BE.

Por, studimi shfaq shenja shqetësimi, pasi kjo propagandë negative sistematike e Rusisë, ka shfaqur rezultatet e saj në terren. Duke u përkthyer në një ulje të ndjeshme të mbështetjes pro-evropiane në vendet e fqinjësisë. Provat e kësaj rënie, sillen nga një sërë sondazhesh të kryera në këto vende.

Sipas Barometrit të Fqinjësisë Evropiane, numri i personave në Lindje, që e shikojnë BE në një aspekt negativ, ka shkuar nga 13% në vitin 2012, në 21% në vitin 2014. Sondazhet kanë shfaqur gjithashtu një rritje (nga 26% në 34%) të atyre që nuk besojnë se, BE po sjell stabilitet dhe paqe në rajon. Imazhi i BE, vuan kryesisht në vendet, që janë më pak të angazhuara (Armeni, Azerbajxhan dhe Bjellorusi), por edhe në Gjeorgji. Në Ukrainë dhe në Moldavi, edhe seksionet anti-ruse të publikut, apo të spektrit politik i hanë disa prej dezinformimeve në lidhje me BE.

Studimi konfirmon se, atje ku ndjenjat pro BE janë të forta, Moska punon të ushqejë apo të thellojë ndarjet ekzistuese në shoqëri. Rasti tipik, vjen me Gjeorgjinë teksa kujtimet e luftës së vitit 2008, po zbehen gradualisht dhe sjelljet kundrejt Rusisë dhe Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU) po ngrohen. Sipas sondazheve të kryera nga Instituti Kombëtar Demokratik, mbështetja për BE, ka rënë nga 80% në fund të vitit 2013, në 61% në mesin e vitit 2015. Vetëm 45% e gjeorgjianëve në vitin 2015, besonin se integrimi në BE do të sjellë përfitime, nga 60%, në vitin 2014. Sipas, IPPR, numri i njerëzve në Moldavi që do të votonin kundër hyrjes në BE, është rritur nga 18% në vitin 2010, në 33% në vitin 2015. Nëse do të jenë të detyruar të zgjedhin, 42% e moldavianëve do
të votonin për futjen në Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU) dhe vetëm 39% e tyre për futjen në Bashkimin Evropian.

Edhe në Ukrainë, ekspozohet e njëjta problematikë, pasi aneksimi i Krimesë, dhe konflikti i fundit në Donbas e kanë minuar joshjen ndaj Rusisë, por nuk e kanë shkatërruar atë plotësisht. Sipas, sondazheve të Razumkov Centre, në konkurrencë mes projekteve integruese, BE gëzon ende një kryesim ndaj Bashkimit Ekonomik Euro- Aziatik (EAEU) 57% kundrejt 16%. Por, edhe këtu, sipas studimit, kemi një ndarje të qartë rajonale: mbështetja në perëndim dhe në qendër të vendit është e lartë, ndërkohë që në jug dhe në lindje kundërshtarët e bashkimit me BE kryesojnë /Im.Ta./DITA

Vijon me Ballkanin Perëndimor…

October 15, 2016 10:57