As fillim, as fund. Gërr-mërr…

July 9, 2019 17:54

As fillim, as fund. Gërr-mërr…

Nga Xhevdet Shehu

Iku dhe 30 qershori i vitit 2019. Megjithëse ka kaluar vetëm një javë, sikur ka kaluar kushedi sa kohë, qytetarët e këtij vendi e kujtojnë si një ditë krejt të zakonshme. Atë ditë nuk ndodhi ndonjë gjë që të mbahej mend, ndaj dhe duket se njerëzit e harruan shumë shpejt. Më 30 qershor nuk pati viktima dhe ne jemi mësuar t’i lidhim ngjarjet me numrin e të vrarëve. Ishte paralajmëruar se atë ditë do të bëhej hataja, se 30 qershori do të ishte kulmi i një përplasjeje të madhe civile saqë 97-a do të dukej lule. Nuk u bë hataja atë ditë, pra nuk pati viktima. 21 janari mbahet mend dhe do të kujtohet për katër viktima të pafajshme që u vranë në vitin 2011. Më 30 qershor nuk pati viktima dhe ka të ngjarë të mos kujtohet, pavarësisht rëndësisë që përpiqet t’i japë mazhoranca në pushtet, apo mohimit total që i bën opozita e rrugës.

Por sherri vazhdon prej disa muajsh dhe duket se do të vazhdojë gjatë. Në realitetin shqiptar, prej rreth 30-vjetësh kjo është një situatë normale brenda anormalitetit të përgjithshëm që na sundon dhe na shoqëron në mënyrë të pamëshirshme nga dita në ditë e nga viti në vit. Pavarësisht se të gjithë lutemi dhe kërkojmë që një situatë e tillë të marrë fund njëherë e mirë, shpresat janë të vakëta.

Më kujtohet një episod i rreth njëzet viteve më parë, ku kam qenë i pranishëm si gazetar, kur Edi Rama u bë ministër i Kulturës në qeverinë e Fatos Nanos. Në muzeun Historik Kombëtar u organizua ceremonia e hapjes së javës së kulturës italiane në Shqipëri. Ishte ambasadori italian aty, ministra dhe deputetë, intelektualë të fushave të ndryshme. I fundmi erdhi ministri ynë i Kulturës dhe u ngjit direkt e në panelin ku e kishte vendin të rezervuar. Të gjithë u bëri përshtypje sjellja e këtij ministri. Vonesa e tij, por sidomos veshja e tij. Ai nuk kishte vënë kollare, sikurse e kërkonte ngjarja. Kishte veshur një këmishë të bardhë, sfondi i së cilës përthyhej nga disa zhgaravina të pafundme që lexoheshin në distancë. Gjithë këmisha ishte mbuluar me ca gjysmë belbëzime si gërr-mërrr, gërr-mërrrr. Si gërrhima dhe si grahma. Nuk mbahen mend fjalët që tha Edi Rama në atë mbledhje, por veshja e tij është komentuar gjatë. Edhe sot kam bindjen se jo më kot e kishte veshur atë këmishë…

Tashmë e kemi Kryeministër të vendit Edin. Është po ai. Shkon në samite me kryetarë shtetesh të rëndësishme me atlete, ndërsa shkon e voton me pantallona të shkurtra si më 30 qershor. Mirëpo, të mësuar me fjalët, gjestet dhe batutat e tij, jemi lodhur edhe për të kuptuar nëntekstet që ai kërkon të na transmetojë pas çdo shfaqje në publik. Dhe këto shfaqej janë të përditshme. Ekstravaganca e tij është e pafundme. Një pjesë e pëlqejnë, të tjerët e urrejnë dhe bërtasin rrugëve “Rama ik!”. Kush ka të drejtë e kush jo? Hajde merre vesh!

Ajo më e kuptueshmja në gjithë këtë sjellje është ajo që kërkon të na thotë ai dhe që mund të përmblidhet në këto fjalë:

Nuk ka as fillim, as fund. Gërrr-mërri ynë ka për të vazhduar gjatë… Por ne do të vazhdojmë të ecim përpara…

Për ku? Drejt kujt?

E di ai. Dje ai mbajti një fjalim në parlament ku shprehu vendosmërinë e partisë së tij për t’i shkuar deri në fund nismës për shkarkimin e presidentit të republikës. Ndërsa po dje pamë në mbrëmje protestën e opozitës e cila, pavarësisht se mbrëmë nuk hodhi molotovë, përplasjen civile dhe tritolin e ka të rrënjosur thellësisht në trurin e saj, madje dhe kryengritjen popullore, sikurse deklaroi po mbrëmë vetë Sali Berisha, udhëheqësi real i kësaj opozite të rrugës që me vendosmëri arriti ta mbysë me shumë sukses dhe ta fundosë ish-partinë e tij të dashur dhe krejt opozitën. Kjo papajtueshmëri është e frikshme.

Në të vërtetë, kriza është shtruar këmbëkryq në këtë vend dhe nuk i dihet fundi. Pavarësisht optimizmit të përmbajtur të mazhorancës aktuale. Kjo situatë nuk jep shpresë. Të paktën qetësi nuk garanton. Përkundrazi…

July 9, 2019 17:54
Komento

4 Komente

  1. antonio July 9, 19:28

    Habitem sot se si nuk ka shkruar asnjeri se cfare brekesh vishte Skenderbeu,se cfare pantallonash vishte Princ Vidi,se cfare librash ka shkruar Zogolli apo se cfare fustanesh vishte Maria Antuanete!
    Pas kaq shume hallesh qe ka ky popull,tani erdhi radha te harxhojme trute edhe me breket e nje sharlatani,qe na ka rene per pjese ta kemi kryeminister!
    Merruni me hallet e medha te popullit e jo me mbrockullat e Rames,se ai i ka rregulluar hallet e veta,aq sa nuk e di se sa miliard euro ka ne llogarite e tij!

    Reply to this comment
  2. fati July 9, 21:30

    Miliardat e sat’eme, o Antonio.

    Reply to this comment
    • antonio July 9, 23:38

      O fati!
      Te sat’eme dhe te tyt eti!
      Ndersa ty te ftoj per nje vizite ne Kavaje te lustrosh sumatricen mire qe ta keshe per pune!
      Me Ramen takohemi pas 13 tetorit,se ne ate dite nuk do jete me kryeminister!

      Reply to this comment
  3. s.g. July 9, 23:06

    Sa i përket garderobës të Ramës çortim me vend por edhe edhe disa fshatar e ca demagog kur fishen me katllëk e krevate atëher mirë ban Rama që vishet si cirkusant

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?