Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Mendimi i shfaqur herë pas here se, “asgjë nuk është mbi lirinë e njeriut, as vetë liria e kombit”, në në shkrime të ndryshme polemizues të kohës postmoniste, më ka trazuar më shumë se sa mendimi postballist, aspak origjinal, i fetishizimit të një lufte, e cila nuk ndodhi vetëm në Shqipëri dhe jo për herë të parë, që dihet tashmë se si ka qenë: me të vërtetën e saj dhe me të papriturat e saj.
Nuk jam bërë, si mund të isha, pjesë e këtij debati, në atë përmasë që u tërkuzua e gjithë kjo histori. Në një shkrim të hershëm kam sjellë shembullin e një djali të ri, nga qyteti i Shkodrës, prijës i Rinisë Antifashiste në qarkun e Shkodrës, komunist, i cili është zënë nga ballistët dhe xhandarët , i njohur me emërin e tij të luftës “ Mali”, për që të vërtetë është historia e Heroit të Popullit, e Manush Alimanit. Manush Alimani, megjithëse i plagosur, është dorëzuar menjëherë te Gestapo në Shkodër, ku ishin edhe ushtarakë shqiptarë.
Në një bisedë të Ramiz Alisë me grup gazetarësh në muzeun e kalasë së Shkodrës, dëgjova se manush Alimani kishte qenë udhëheqësi i tij, i brishtë në trup dhe që i porosiste shokët se, “ nëse zihem i gjallë, ikni nga qyteti, sepse nuk besoj se do i duroj torturat”. Megjithatë ai qëndroi stoikisht 27 ditë, në bodrumin e zyrave të gestapos në Shkodër, i varur në çengelë, deri sa vdiq.
E kam sjellë shembullin e tij, o si spekullohet naivisht për të rritur rolin e udheheqësit të një lufte, por që të mund të më sillnin një shembull analog, edhe në krahun tjetër të luftës: në ballistët. Nuk di asnjë ballist të arrestuar, të torturuar dhe të vrarë nga gjermanët dhe nuk mund të kishte, sepse ishin palë e njëmendtë; dhe, po ashtu, nuk di asnjë rast që lëvizja nacional çlirimtare, që në mbi 90 për qind nuk ishte komuniste, pavarësisht se prinin komunistët, të kenë dorëzuar tek gjermanët ballistë të zënë robër.
Në shumicën e rasteve ato i kanë nisur në shtëpitë e tyre, nganjëherë u kanë dhënë edhe ndonjë shkelm pas, dhe, kur ka pasur mes tyre njerëz që e kishin mbushur kupën, kanë dhënë dënimin, që mund të ishte i gabuar në kohë paqeje. Ata që e mendojnë të djeshmen me syrin e të sotmes shpesh herë janë të gabuar. Lufta ka qenë dhe mbetet një gjë serioze, e rreptë, e vështirë dhe e mundimshme. Ka qenë gjë serioze , sepse përmes saj përcaktohej e ardhmja e vendit. Rrëshqitja në kahun e gabuar historik do të ishte fataliteti i së ardhmes.
Ka qenë e rreptë, sepse në luftë mund të vritesh dhe, në të njëjtën kohë, do të vrasësh. Ka qenë e vështirë, pasi, të gjithë ata që morën pjesë në luftë kishin para vetes vite të gjata mungesash, sakrificash dhe përpjekjesh.
Interesant është një fakt i vënë re : gjatë luftës, në shumë familje ndodhi ndarja, një pjesë me nacional çlirimtaren, pjesa tjetër me ballin apo legalitetin. Jo rastësisht, të rinjtë e këtyre ndarjeve, edhe kur ishin nga familje të mëdha, u bënë pjesë e nacional çlirimtares. Të vjetrit mbetën në petkun e kolaboracionizmit. Tre fëmijët e Osman Gazepit, djali Piro, dhe dy vajzat , ishin me nacional çlirimtaren. Osmani mbeti me Ballin. Piro u vra në luftimet e tendës së Qypit, si partizan i Brigadës së Parë. Tahir Hoxha ishte komandant i Ballit në Vlorë, djemtë i kishte në brigadat partizane. Halim Xhelo e kishte të atin me Ballin, vetë ishte drejtues brigade dhe në Luftën e Gjormit u ndodhën ballë njëri tjetrit. Në Shkodër, po ashtu.
Musa Juka kishte qenë ministri i brendshëm i Zogut, mbesa e tij, Shejnaze Juka do të vritej në radhët e nacional çlirimtares në Çermenikë dhe do të shpallej Heroinë e Popullit. Bushatlinjtë e ndarë në dysh, Gjylbegajt e ndarë në dysh. Të rinjtë përgjithsisht me nacional çlirimtaren, të vjetrit me Ballin apo Legalitetin.
Shumiva e atyre që përbënin elitën e Ballit Kombëtar kishin qenë kundërshtarë të Zogut, të larguar nga Shqipëria, emigrantë politikë që luanin boxhoz dhe hidhnin letrat në kafetë e Vjenës, e më pas të Parisit, por, dhe kjo përcakton edhe vazhdimin e tyre, që nga janari i vitit 1925, sapo ishin larguar nga Shqipëria dhe deri në prill 1939, kur u kthyen bashkë me fashizmin, ata ishin paguar nga qeveria e Beogradit. Ndërsa një pjesë, të njohur si Grupi i Zares, me Mustafa Krujën në qendër, ishin paguar nga qeveria e Musolinit.
Ata erdhën me mendimin se ishin etërit e kombit, por kombi i kishte harruar. Ndërkohë, kishte dalë një klasë e re e mesme, aspak analfabete, që kërkonte jo vetëm pjesën e saj në qeverisjen e vendit, por të ishin vetë qeverisja.
Si thashë kjo nuk më trazon ideja e një mendimi të kundërt. Shumë kush mund të ngulë këmbë të rrijë në idetë e tij, se fillimisht duhet liria e individit, pastaj liria e kombit, dhe këtat nuk kanë as pse mallkohen e as pse leçiten. Secili është në të drejtën e tij, pavarësisht se kjo e drejtë nuk është e vërtetë historike.
Liria e njeriut dhe liria e kombit, a mund të jenë ata një ekuivalent, apo njëra prej tyre ka përparësinë e saj të domosdoshme?
A mund të jetë një njeri i lirë, si dëshiron githësecili, nëse kombi nuk është i lirë?
Cili raport është mes lirisë së kombit dhe lirisë së njeriut, çfarë është primare dhe çfarë rrjedh nga njëra tjetra?
Lufta nacionalçlirimtare ishte e organizuar për lirinë e vendit të pushtuar. Është krejt normale që fitimtarët do të kishin edhe pushtetin. Kjo ka ndodhur në të gjithë kohërat dhe në të gjithë sistemet. Aq më shumë që përballë tyre, apo edhe anash tyre, nuk kishte asnjë forcë tjetër politike.
Idealja në këtë botë do të ishte bashkëudhëtimi i lirisë së kombit me lirinë e njeriut. Një komb i lirë mund të ketë njerëz të lirë, krijon premisën e domosdoshme për lirinë e secilit.
Një komb i shtypur, i palirë, nuk mund të ofrojë lirinë e askujt, të asnjërit, aq më tepër të atyre që i janë përshtatur shtypjes, rëndesës dhe janë bërë subjekt i regjimit.
Në një komb të shtypur vetëm disidentët kanë të drejtën të shpallin lirinë e tyre.
Desidenti, njeriu që nuk pranon “ të konformohet”, që kërkon të gjykojë çdo gjë përmes ndërgjegjes së tij, që është mësuar të jetë në pakicë dhe, si e ka zgjedhur rrugën e tij, i qëndron besik asaj, qoftë edhe duke rrezikuar jetën, nuk është një tip i panjohur në Shqipëri. Ai, më shumë se gjithçka tjetër, e ka zanafillën pikërisht tek idealistët e nacionalçlirimtares, që bënë kauzën e tyre luftën kundër pushtuesit, për një Shqipëri ndryshe, demokratike; për të shkuar më tej, tek ata që, edhe në një shtypje të rëndë të lirisë, e kërkuan atë, qoftë edhe duke u bërë jeta e tyre pjesë e burgjeve të gjata.
Nuk ka patur parlament më historik se ai i vitit 1946. Figura të shquara. Të jashtëzakonshëm. Secili ishte një histori. Shumica e tyre ishin pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Disa prej tyre në majën e Këshillit. U ekzekutuan sepse kërkuan lirinë e individit në kohën kur shteti po humbiste lirinë e kombit.
Të krahasosh parlamentin e sotëm me atë të vitit 1946 të merr vaji. Dallkaukët janë deputetë, pazarxhinjtë bëjnë ligjet, gjysma e tyre e ngre kartonin, pasi e ka ngritur shefi i tyre politik, dhe gjysma tjetër shikon se çfarë do të bëjë shefi tjetër. Nuk jemi më në një republikë mendimi, por në pazarin e batakçinjve. Jemi në republikën e shefave.
Cili prej tyre , deputetëve të sotëm, mund të rrezikonte jetën e tij sot për një vizion historik? Ndonjë i pakët.
Liria e kombit është domosdoshmëria e parë për të pasur lirinë e njeriut.
Pak javë para se të vritej, në një intervistë të njohur në gazetën gjermane “Tageszeitung”, pyetjes në se, do të kishin dashur të bashkoheshin me Shqipërinë, edhe nëse ajo do të ishte monarki, republikë borgjeze, shtet kapitalist apo ashtu si ishte një vend komunist, prijësi i Lëvizjes Çlirimtare të Shqiptarëve në Kosovë, Jusuf Gërvalla, do i përgjigjej shkurt, “ Pa asnjë dyshim”.
Në se një komb është i palirë, askush nuk mund të jetë i lirë. As drejtuesi më i lartë, dhe as njeriu më i zakonshëm, bujk në arën e tij majë malit.
Një komb i lirë bëhet përmes idesë së lirisë , dhe kjo kërkon njerëz të vizionit të qartë për kombin, si prioritet mbi gjithçka tjetër, qoftë edhe mbi vetveten.
Është e pamundur që një njeri të jetë i lirë, të gëzojë të drejtën demokratike, të rrojë i mosvarur, në një komb të palirë. Kombi është fillesa.
A mund të ishin të lirë mbi 2 milionë dhqiptarë në Kosovë në kohën e pushimit klasik serb? Në pamjen e parë dukej se ndodhte ashtu, bile shpesh herë, edhe nga liderë të njohur në pluralizmit, në dy kahet kryesore, është shkruar e përsëritur se , në Kosovë, ka pasur më shumë liri se në shtetin amë.
Një tezë e përgatitur me kujdes nga Akademia serbe e Beogradit, e shpërndarë mjeshtërisht përmes rrjetit medial të krijuar pas vitit 1990 dhe me bulime edhe të sotme.
Shqiptari ka pasur të drejtën e lëvizjes së lirë në perëndim dhe të punësimit aty, por nuk ka pasur të drejtën e jetës. Në periudhën pas luftës së dytë botërore në Kosovë janë vrarë nga shërbimet sekrete apo ushtria serbe mbi 48 mijë vetë, pa cituar këtu të vrarët e luftës së fundit; ka pasur mbi 360 mijë arrestime politike; më shumë se gjysma e lëndinave, arave dhe tokës pjellore të Kosovës është kolonizuar; e megjithatë aty kishte me qindra që aspironin të ishin njerëz të lirë, përmes një kombi të lirë.
Le të kthehemi në kohën e tashme: ka mbi 33 vite që kemi dalë, të paktën teorikisht, nga dhuna e sistemit. Jemi, si të thuash, njerëz të lirë. Mund të shkruajmë çfarë të duam, askush nuk na dënon; mund të themi gjithë ditën e gjithë natën, “poshtë kryeministri”, “ presidenti është hor”, , “kryeprokurorja është lavire bulevardi”, “ SPAK është organizate terroriste”, “ende nuk keni parë asgjë se çfarë do të ndodhë me ju”, “ ta bëj fytyrën si shollë këpuce”; mund të shetitim në të gjithë Shqipërinë, pa na ndalur askush në një zonë kufitare, mund të reabilitojmë ballistët, mund të ngremë përmendore për vrasësit e herojve, e përsëri nuk jemi të lirë.
Në Tropojë shtatorja e Azem Hajdarit ishte shumë më e lartë se shtatorja e Bajram Currit, kur mes tyre nuk ka e as nuk mund të ketë asnjë shenjë përafrie.
Përse ndodh kjo: sepse vetë kombi nuk është i lirë: Është ende i mbetur nën mentalitetin e rajasë, të heshtjes dhe roli i desidentit tani duket i vjetëruar, aq sa, për hir të modernes dhe të “ndryshimit”, vendosim para kombit – njeriun. Edhe kur ai nuk është i lirë.
Hiqeni mendjen, vetëm një komb i lirë bën njerëz të lirë.
Dhe kombin e lirë e bëjnë vizionarët, desidentët, të pabindurit, të cilët tek ne bëhen gjithnjë e më të paktë.
Për fat të keq, duket se janë një racë drejt zhdukjes.