Asgjësohen 55 tonë drogë në Lazarat, kapen edhe 3 të kërkuar

June 25, 2014 08:31

Asgjësohen 55 tonë drogë në Lazarat, kapen edhe 3 të kërkuar

Operacioni në Lazarat hyri në ditën e njëmbëdhjetë të tij. Policia e Shtetit vijon kontrollin e territorit të mbetur në komunë, ndërsa ka zbuluar sasi të tjera droge dhe armatimi. Ditën e djeshme u sekuestruan edhe rreth 8 tonë drogë të tjera të fshehura në banesa apo tunele, duke e çuar sasinë e përgjithshme në rreth 55 tonë lëndë narkotike. Po kështu u gjetën të fshehura në një tunel sasi armatimi e municione, një snajper i vjetër që i ishte marrë forcave speciale në 1998 gjatë një operacioni dhe sende të tjera materiale. Po kështu u shkulën nga parcelat edhe rreth 2 mijë bimë narkotike.

 

Shifrat    

Në total bëhet fjalë për rreth 55 tonë drogë të sekuestruar dhe rreth 144 mijë bimë hashashi të mbjella. Pa llogaritur mbi 300 armë e qindra granata, kallëpe tritoli, predha si dhe mijëra fishekë apo pajisje të sofistikuara. Gjatë 24 orëve të fundit në kontrollet e kryera janë sekuestruar nëpër banesa dhe asgjësuar 7,8 tonë marijuanë, nga të cilat 5,8 tonë boçe kanabis, si dhe 148 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Janë sekuestruar 57 automatikë dhe pushkë, 6 mitraloza të lehtë, 1 mitraloz i rëndë dhe 1 gulinov, 5 pistoleta, 1 antitank dhe 3 armë gjahu. Janë sekuestruar gjithashtu dhe një sasi e konsiderueshme municioni, 15800 fishekë, 70 granata, 78 kallëpe tritoli dhe një arkë me tritol, 23 predha antitank, 9 mbushje predhash, 42 krehra fishekësh, fitil zjarrpërcjellës dhe 1370 kapsolla detonatore, 1 metalkërkues, si dhe 2 targa. U kontrolluan 33 banesa, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 620 shtëpi. U gjetën edhe 13 armë të djegura, 1 snajper, 2 armë të vjetra gjermane dhe deri silenciator, 3 kasaforta dhe pajisje presimi.

 

Të kërkuarit

Policia ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë gjatë ditës së djeshme edhe 3 persona nga lista e të kërkuarve të saj. Maliq Skënderi, 55 vjeç, Zenel Shurdhi, 28 vjeç dhe Adem Selimi, 42 vjeç, të tre banues në Lazarat. Burime zyrtare thanë se Skënderi kërkohej pasi në banesë i janë gjetur armatim dhe drogë, e pajisje të ndryshme. E njëjta gjë edhe në shtëpinë e të dyshuarit Shurdhi, ndërsa Selimi ishte në kërkim pasi Gjykata e Krimeve të Rënda më 11 maj ka dhënë “arrest në burg” ndaj tij si i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike në një nga rastet e goditura nga policia, ku i ka shpëtuar ndjekjes së parë.

 

Sekuestrimet në total:

620 banesa të kontrolluara

55 tonë drogë e kapur

133567 bimë narkotike

8 pako me heroinë

1,3 kg drogë çokollatë

3 kg farë kanabis sativa

5 laboratorë droge

293 armë zjarri automatikë e pushkë

13 pistoleta

2 snajper

1 mitraloz kundërajror

22 mitralozë, 1 gulinov

4 antitank

1 murtajë dhe 4 granatahedhës

2 armë të vjetra, si dhe 15 armë gjahu

45 armë të djegura

116733 fishekë të ndryshëm

315 kallëpe tritoli

217 granata

67 predha granatahedhës

1620 kapsolla detonatore

9 mbushje predhash.

11 mjete me armë e kanabis

23 automjete të tjera

32 targa automjetesh.

9 pajisje presuese droge

1 aparat kërkues floriri, 4 kasaforta

dokumente identitetesh të ndryshme

uniforma policie, 1 maskë, 1 jelek, 1 dylbi

2,6 milionë lekë të reja

26 persona të arrestuar

 

 

Sulmoi policët me mitraloz, një muaj burg Brahimit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje një muaj burg për 21-vjeçarin Minush Brahimi nga Lazarati, i cili u arrestua nga policia si pjesëmarrës në grupin e personave që sulmuan me armë kundër policisë gjatë ndërhyrjes në fshat. Brahimi akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese. Ai është i pesti ndër të arrestuarit me të njëjtën akuzë nga Lazarati. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, por mësohet se Brahimi nuk i ka pranuar akuzat ndaj tij, duke pretenduar se nuk ka qenë fare në Lazarat.

I dyshuari ka folur shumë pak dhe është përfaqësuar nga avokati, por mohoi kategorikisht se ndodhej në fshat gjatë ditëve të operacionit, apo të ishte i përfshirë në sulm. Sipas prokurorisë dhe policisë, 21-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë të rënda nga prita e ngritur afër banesës së tij, ku për dy ditë me radhë grupi kriminal qëllonte ndaj specialeve. Gjatë kontrolleve u gjetën armatim i rëndë dhe i lehtë dhe sasi të mëdha droge. “Unë nuk kam qenë fare në Lazarat gjatë atyre ditëve, madje jam habitur kur dëgjova emrin”, tha Brahimi para gjyqtarit të gatshëm të Krimeve të Rënda.

Avokati kundërshtoi prokurorinë, duke deklaruar mungesën e provave nga organi i akuzës. Kurse Gjykata la vetëm burg për 30 ditë masë sigurie Brahimin, duke i dhënë këtë afat prokurorisë për të vërtetuar akuzat që kishte. Ndaj Minush Brahimit rëndojnë akuzat e “vrasjes së mbetur në tentativë e punonjësit të policisë” dhe “kultivim narkotikësh”. Me Minush Brahimin, Razip Mahmutaj, njohur si Gatja, djalin e tij Vandamin, Matias Boçin e Emiljano Aliko, pas hekurave nën akuzë nga Krimet e Rënda ndodhen 5 persona. Deri tani janë arrestuar 26 persona, ku pjesa më e madhe hetohen në Gjirokastër pasi kanë akuza më të lehta.

 

Llalla çon edhe 2 prokurorë të tjerë në Lazarat, jepen 25 masa sigurie

Dy prokurorë janë deleguar nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në Gjirokastër, për të koordinuar veprimtarinë hetimore për zonën e Lazaratit. Ky fakt bëhet i ditur nga vetë Prokuroria, me anë të një njoftimi për shtyp, sipas së cilës puna kryhet ndërmjet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokurorët e ngarkuar për hetimet në Lazarat janë Adnan Kosova dhe Alfred Progonati. “Ndërkohë, për Lazaratin, që prej disa ditësh, vetëm për veprimet hetimore dhe ndjekjen të çështjeve në gjykatë, janë caktuar 5 prokurorë, nga të cilët 3 nga prokuroria e Gjirokastrës dhe dy nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këta 5 prokurorë po drejtojnë hetimin për 15 grupe hetimore në terren (3 grupe policore drejtohen nga një prokuror)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë, bëhet me dije se Prokurori i Përgjithshëm ka komanduar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër edhe dy prokurorë të tjerë, konkretisht, Asllan Bajrami, i cili është prokuror në Përmet dhe Çlirim Sino, i cili është prokuror në Fier.
“Deri më tani, në bazë të kërkesave nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës, gjykata ka dhënë rreth 20 masa “arrest me burg”, për shtetas nga Lazarati, të akuzuar për kultivim dhe mbajtje të lëndëve narkotike, si edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, deri më tani janë dhënë 5 masa “arresti me burg” për shtetas nga Lazarati, të akuzuar për vrasje e mbetur në tentativë e punonjësit të policisë, armëmbajtje pa leje, prodhimi dhe shitje lëndësh narkotike dhe kultivim të lëndëve narkotike”, thuhet më tej në njoftim. Bazuar në veprimet në terren, sipas Prokurorisë, pritet të vijojë të rritet numri i personave nga zona e Lazaratit që janë kompetencë e Prokurorisë së Gjirokastrës, por edhe e Prokurorisë për Krime të Rënda.

 

June 25, 2014 08:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim