ASHK korrigjon të gjitha pronat në emër të një bashkëshorti

June 12, 2019 09:57

ASHK korrigjon të gjitha pronat në emër të një bashkëshorti

Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), në gjithë vendin ka nisur procesin e korrigjimit të kartelave pasurore, që pasqyrojnë prona bashkëshortore, por realisht figurojnë me vetëm një pronar, që është njeri prej bashkëshortëve.

Urdhëri i drejtorit të përgjithshëm të ASHK-së, Artan Lame, ka për qëllim korrigjimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme në rastet kur, pasuria e paluajtshme, ose pjesa takuese e saj, është regjistruar vetëm në emër të njërit bashkëshort, ndërkohë që përfitues të së drejtës së pronësisë janë të dy bashkëshortët, sipas dispozitave të Kodit të Familjes për bashkësinë ligjore, apo të legjislacionit të kohës për bashkëpronësinë mes bashkëshortëve.

Për të korrigjuar kartelat e regjistrit të pasurive të paluajtshme, drejtoritë vendore të ASHK-së konstatojnë nëse pasuria që figuron e regjistruar në kartelë është, ose jo, pasuri bashkëshortore.

Ky urdhër nuk zbatohet për të korrigjuar dhe plotësuar kartelat e mëparshme, në rastet kur me pasurinë është kryer transaksion (përveç trashëgimisë). Kur pasuria e paluajtshme e regjistruar në favor të vetëm njërit bashkëshort, në vijim u është kaluar në pronësi të tretëve (me përjashtim të kalimit me trashëgimi) dhe ky veprim është regjistruar më parë, drejtoria nuk mund të kryejë korrigjimin e kartelës se pasurisë objekt kërkese, pa pëlqimin e të tretëve që preken nga ky korrigjim. Subjekti i interesuar mund të kërkojë rregullimin e pasojave vetëm nëse arrihet marrëveshja me të tretët që preken nga ky korrigjim, ose në rrugë gjyqësore. Urdhëri nuk zbatohet as në rastin e pasurive të familjes bujqësore.

Shmangia e tatimit

Korrigjimi sipas këtij urdhri nuk përbën kalim të të drejtës së pronësisë, por vetëm pasqyrim të një të drejte të fituar më parë mbi pasurinë e regjistruar. Rrjedhimisht, ky pasqyrim nuk i nënshtrohet tatimit për kalimin e pronësisë.

Korrigjimi i regjistrit sipas këtij urdhri është thjesht një shërbim, që tarifohet në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe nuk i nënshtrohet tatimit për kalimin e pronësisë.

Krahas procedurave të korrigjimit sipas këtij urdhri, drejtoria vendore e ASHK-së, me kërkesë të të interesuarit lëshon edhe certifikatat e reja, sipas gjendjes së korrigjuar, në përputhje me nenin 17, të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”.

Familja

Të gjitha pasuritë e fituara nga individi gjatë martesës, në periudhën nga hyrja në fuqi e Kodit Civil të vitit 1981, deri në hyrjen në fuqi të Kodit të Familjes (2003), konsiderohen pasuri të dy bashkëshortëve

Kushtet

Konstatimi i bashkëpronësisë së bashkëshortëve (bashkësisë ligjore), bëhet duke u mbështetur në dy elemente:

1.Në llojin e aktit (dokumentit) të fitimit të pronësisë. Konsiderohen prona të të dy bashkëshortëve, ato të fituara gjatë martesës nëpërmjet shitjes; shkëmbimit (përjashtim bën rasti kur bashkëshorti ka shkëmbyer një pasuri të paluajtshme që i përkiste vetëm atij – pasuri që ishte fituar para martesës, ose, edhe nëse ishte fituar gjatë martesës, buronte nga dhurimi, trashëgimia ose legu, në përputhje me nenin 77 të Kodit të Familjes; ligjit të posaçëm, që parashikon përfitimin e pronësisë sipas regjimit të bashkësisë ligjore.

2.Në bazë të certifikatës së përbërjes familjare, në kohën që përkon me datën e aktit të fitimit të pronësisë (ose certifikata e martesës)

Përjashtimisht, për titujt e pronësisë që burojnë nga legjislacioni “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, merret për bazë certifikata familjare e momentit të aplikimit për legalizim.

e.t./dita

June 12, 2019 09:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*