Aspekte rinovuese në pikturën tonë të viteve ’60-70

August 9, 2018 14:10

Aspekte rinovuese në pikturën tonë të viteve ’60-70

Llambi Blido

Mbi risitë që konstatojmë në vazhdimësi të periudhave të ndryshme në artin shqiptar në përgjithësi dhe në artin e realizmit socialist posaçërisht kemi  folur edhe herë të tjera. Kjo që dëshirojmë të vizatojmë sot ka të bëjë me një segment të  caktuar kohor, atë që nis nga viti 1964, vit i diplomantëve të parë të shkollës së lartë të artit në Shqipëri dhe përfundon  në vitin 1973, vit i një prapaktheu të  fortë, ndonëse të përkohshëm në ecurinë e artit modern shqiptar.

Nga ky brez artistësh të rinj që hynë në këtë periudhë në jetën tonë artistike dallojmë dy kategori. E para përbëhej prej studentëve-artisë të rinj të cilët i qëndruan besnikë mësimeve të shkollës sonë realiste të artit, mësimeve të transmetuara nga pedagogët tanë, të cilët  si pedagogë kishin ardhur  nga shkollat realiste të kampit socialist. Jo më pak vendimtare për këta  artistë  mbeti edhe kultura artistike e marrë dikur në Liceun Artistik “Jordan Misja” të kryeqytetit nën udhëheqjen e  mjeshtrave të tillë të artit pamor  realist si Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Janaq Paço, Kristina Koljaka, etj. Nga këta të diplomuar të parë dolën dhe ecën më tej  mjeshtra të spikatur të artit tonë realist, si Hasan Nallbani, Fatmir Haxhiu, Shaban Hysa, Nestor Jonuzi, etj.

Kategoria e dytë, për kontributin e të cilëve bën fjalë dhe ky shkrim, u dalluan, te  disa herët dhe te disa të tjerë më vonë, prirjet drejt përvojave moderniste të artit perëndimor. Ne që bënim pjesë në këtë kategori të dytë ishim pak në numër, sigurisht. I angazhuar edhe unë personalisht në këtë drejtim mund të them se  kolegu bashkëstudent i cili më bënte  përshtypje më tepër për këtë gjë ishte Naxhi Bakalli. I përgatitur mirë në shkollën  e mesme artsitike, Naxhiu vizatonte shkëlqyeshëm, punonte me përqendrim të lartë dhe ndërmerrte iniciativa të guximshme në trajtimin  koloristik.

Po kështu dalloheshin në kursin tonë edhe Gavril Priftuli, Kujtim Buza, Skënder Kamberi, secili për disa prirje të caktuara në përputhje me natyrën  dhe aftësitë e tij, por sidoqoftë si një përpjekje e nivelit studentor për të kuptuar diçka më tepër dhe për ta zgjeruar pak më shumë hapësirën të vënë në dispozicion nga leksionet shkollore. Të kuptohemi, prirjet që në këtë etapë u shfaqën  nga më të ndryshmet nganjëherë edhe tepër të ndryshme, por gjithmonë në kahjen pozitive të modernes.

Përpara nesh, ndër diplomantët e vitit 1964 kishte rënë në sy një i ri me kërkesa disi ndryshe nga studentët e tjerë të kursit të tij. Ky ishte Isuf Sulovari nga Elbasani, i ardhur nga shkolla rumune e artit ku kishte nisur studimet e tij, një djalë i talentuar, por edhe pak timid. Kjo pikërisht, si dhe rrethanat e vështira në të cilat u ndodh në  mjedisin artistik të  vendlindjes së tij ku edhe u emërua, penguan përpjekjet dhe aspiratat e tij për një formim të mëtejshëm të plotë e sidomos të pavarur. Megjithatë Sulovari mbetet një rast interesant.

Në vitet e mëpastajmë u shfaqën njeri pas tjetrit disa të rinj të tjerë të talentuar dhe të përkushtuar gjithashtu për rinovim të mëtejshëm të mjeteve shprehëse në artin pamor. Këta qenë Edison Gjergo, Alush Shima, Ali Oseku si dhe Edi Hila. Hila që duhet konsideruar jo vetëm si një i ri mjaft i talentuar dhe inteligjent, por edhe një rast i veçantë e me ecuri të spikatur në zhvillimin dhe modernizimin e pikturës  sonë bashkëkohore, ndonëse në mjetet e tij të preferuara hynte gjithçka me përjashtim të ngjyrave të cilat nuk kanë qenë kurrë preokupimi i tij i rëndësishëm sepse si duket edhe nuk i shërbenin. Në këtë pikë studenti i talentuar dhe artisti i ri ishte në harmoni të plotë edhe me pedagogun e tij më të preferuar-Danish Jukniu, pedagogun dhe artistin e shquar të përmendur për shijen e tij moderne, të sofistikuar, por gjithmonë realiste dhe jo koloristike.

Edison Gjergo ishte  një i ri i formuar si gjithë të tjerët në shkollën tonë realiste dhe gjer në diplomimin e tij nuk dallohej për ndonjë prirje të dukshme drejt modernes. Binte në sy tek ai një lloj force e brendshme. Shpejt tek piktura e Edisonit u vunë re se ai ra nën ndikimin e fuqishëm nga disa artistë të spikatur si të shekullit të njëzetë ashtu edhe më të vjetër. Autorë të preferuar të tij u bënë mjeshtra të këtillë si  El Greko, Pikaso, Shagall. Ndryshimet në pikturën e Gjergos kishin të bënin si me interpretimin plastik ekspresionist të formës vëllimore, ashtu edhe me gjuhën e ngjyrave.

Pranë Edison Gjergos dhe në solidaritet të plotë  me aspiratat e tij piktorike ndodhej përherë një i ri tjetër i talentuar dhe me kërkesa – Alush Shima. Tek Shima shumë shpejt ranë në sy përpjekjet e tij për një pikturë të fuqishme të kontrasteve të forta të  modelimit të gjerë me penelata të shtrira, që ruanin freskinë.

Artisti tjetër i kësaj kohe e me të njëjtat prirje qe Ali Oseku. Aliu u dallua për një farë elegance dhe përpunimi disi më delikat.

Më tej secili nga ne ndoqi rrugën e tij, në përputhje me prirjet individuale, mundësitë, rrethanat. Dikush vazhdoi me ngulm, dikush tjetër pësoi ndryshime dhe shndërrime, dikush tjetër i emëruar në vende pune që kërkonin angazhime të tjera artistike u detyrua të zgjerojë diapazonin e tij në atë drejtim dhe të braktisë kavaletin. Erdhën edhe ditë të vështira për artin shqiptar dhe prirjet moderniste dhe dikush ra edhe në fatkeqësi. Megjithatë kjo periudhë dhe këta artistë profesionistë të kësaj lëvizjeje, spontane, aspak e organizuar të viteve ’60-të – ‘70-të, hodhën farën e disa zhvillimeve moderne perëndimore që  i dhanë frutat e tyre si në atë kohë ashtu edhe me ndikimin që patën, por që nuk përmendet më, mbi brezat e mëpastajmë dhe ecurinë e pikturës sonë moderne. Nga ana tjetër përpjekjet e kësaj periudhe dhe këtyre artistëve profesionistë, mbetën si një fakt i rëndësishëm në historinë ende të pashkruar të artit shqiptar.

Ato risi që u shfaqën  më parë dhe qartësisht në trajtimin modern grafik dhe plastik dhe që kishin të bënin me prurje të rëndësishme nga shkolla e lartë e artit e Leningradit (Shën Pjetërburgut) si dhe nga shkollat e artit të Çekosllovakisë, Polonisë etj, risi që e gjallëruan mjaft shkollën tonë realiste me elementë ekspresivë por jo të natyrës koloristike, u pasuan nga këto përpjekje të këtij brezi artistësh të rinj të dalë kryesisht nga shkolla jonë e lartë, por që u nxitën dhe u furnizuan me ide të reja rinovuese e që vinin prej artit më të përparuar europian të kohës. Kështu  u rivendos edhe linja e vazhdimësisë, e nisur dikur në vitet e para të luftës nga koloristi ynë i parë i madh dhe deri  atëherë i vetmi i  pikturës sonë moderne, mjeshtri Abdurrahim Buza. Kështu mund të themi fare mirë se kemi të bëjmë historikisht me një lloj “revolucioni” në pikturën tonë, revolucion koloristik që lidhet doemos shumë më tepër  nga sa është menduar tradicionalisht nga studiuesit  deri tani.

18.07.2018

Piktori dhe kritiku i artit LLAMBI BLIDO

Ka kryer Politeknikumin “7 Nëntori” për degën gjeologji- miniera si diplomant i TABELËS SË ARTË në vitin 1958, por edhe me talent të veçantë për vizatim e pikturë. Në 1959, emrin e Llambi Blidos, atëherë laborant në fakultetin e gjeologji-minierave të Universitetit  Shtetëror të Tiranës, e gjejmë edhe në gazetat e revistat e kohës “Bashkimi”, ”Hosteni”, ”Zëri i Popullit” , ”Zëri i Rinisë” me karikaturat e tij.

Në tetor 1960, laborantin-gjeolog e gjejmë papritur student të artit viziv në Institutin “Rjepin” të  Leningradit (sot Shën Petërburg) -kalim ky tepër i vështirë për atë kohë-thuajse i pamundur.

Studenti i ri nga Shqipëria shfaqet në këtë kohë edhe si anëtar i Shoqatës së Karikaturistëve të Leningradit si dhe boton vizatime të tij satirike në gazetën rajonale “Leningradskaja Pravda”.

Ishte viti 1961 kur në gazetën më të rëndësishme të Kinës “Zhenminzhibao” së asaj kohe botohet një karikaturë nga studenti shqiptar në Leningrad.

Më 1961-1965, i kthyer siç dihet nga studimet e ndërprera për të gjithë studentët shqiptarë në Bashkimin Sovjetik, Llambi Blidon e gjejmë gjithashtu të ndjekë dhe të përfundojë studimet në Institutin e Lartë të Arteve Figurative në Tiranë. Artisti i ri mbron diplomën e tij me tablonë e mirënjohur “Në kopshtin e fëmijëve” me notën më të lartë dhe praktikisht që nga ajo datë bëhet pjesë aktive e jetës artistike të kryeqytetit shqiptar në artet e pikturës, vizatimit dhe ilustrimit, karikaturës, sikurse nis bashkëpunimin e tij aktiv me shkrime kritike dhe publicistike për artin në shtypin e kohës.

Duke mbetur në angazhimin e tij kryesor –pikturën e kavaletit, Llambi Blido paraqitet shumë shpejt thuajse në të gjitha ekspozitat vjetore të Tiranës, në atë kohë e në vazhdim, ekspozita të cilat qenë të mirorganizuara dhe të financuara nga shteti socialist. Kështu nis trajektoren e jetës së tij krijuese dhe interesante artistikisht dhe në të njëjtën kohë, të mbushur tejembanë me fërkime e përplasje, herë-herë ndonjë vlerësim, por më tepër kritika dhe denigrim. Të gjitha këto lidheshin kryekëput me qëndrimin e tij të pavarur në të drejtën individuale dhe normale të artistit për të kërkuar rrugën e tij, gjuhën e tij, objektivin e tij, për të shmangur sa qe e mundur skemat, klishetë, parafabrikatet, gjithçka që e kthente artin në mjaft raste në një zanatllëk pa vlerë.

Botime të veçanta të autorit

1987- “Shënime për pikturën dhe skulpturën”- përmbledhje studimesh, artikujsh kritikë dhe esesh (botim i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”,Tiranë.

1998-“Album me vizatime dhe poezi”- botim i shtëpisë botuese “Dituria” Tiranë.

Aktivitete  të artit viziv ku vepra e Ll. Blidos ka qenë pjesë e përfaqësimit të Shqipërisë në art:

–          Vienë, 1965;

–          Keln dhe Bon,1990-1991;

–          Pekin,2014

–          Athinë,“Dokument –Kasel”  2017;

 

 

 

 

August 9, 2018 14:10
Komento

1 Koment

  1. demo August 9, 17:44

    Kujtonim se i ndjeri nuk rronte me.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*