Atdheu im, i vetmi vend në botë…

Nga PELLUMB KULLA May 1, 2013 12:33

Atdheu im, i vetmi vend në botë…

Atdheu im është i vetmi vend në botë, ku udhëheqësin e duan më shumë se udhën!

 

*     *     *

Atdheu im është i vetmi vend, ku njerëzit u këndojnë këngë dhe himne dashurie udhëheqësve që në të gjallë të tyre dhe udhëheqësit shkojnë mes rapsodëve me buzë në gaz dhe të veshur me antiplumb.

 

*     *     *

Atdheu im, ku kryetarët e partive zotohen solemnisht që në rast humbjesh të zgjedhjeve të japin dorëheqjen dhe qëndrojnë në majë të partive qysh prej 23 vjetësh.

 

*     *     *

Atdheu im është i vetmi vend, ku po të bësh një sondazh të sinqertë njerëzit do të preferonin që nga ajo kohë, më mirë t’ u kish mbetur komunizmi se sa u mbetën komunistët!

 

*     *     *

Atdheu im është i vetmi vend në botë, ku në karrigen më të lartë të parlamentit, gjen edukatën më të ulët!

 

*     *     *

Ësht’ vendi ku po të shkosh e të zgjosh pa pritur kryetarët e shtatëdhjetë e ca partive, duan kohë të mbledhin mendjen që të të përgjigjen në cilin koalicon zgjedhor janë ato ditë!

 

*     *     *

Atdheu im është vendi ku vazhdojnë kërkimet për një medikament që t’u injektohet tërë banorëve, që ata të mos kujtojnë dot, se çfarë kanë thënë kryepolitikanët për njëri tjetrin!

 

*     *     *

Atdheu im, ku gjenden të gjitha barnat dhe medikamentet e botës me përjashtimin jo në spitalet shtetërorë… ku shërbimi shëndetësor i shtetit dëshmon përditë se sa i mrekullueshëm është ai i privatëve… Dhe ku ministrat e shëndetësisë dhe kolegët e tyre lenë të dy këta shërbime dhe kurohen jashtë shtetit!

 

*      *     *

Atdheu im është I vetmi  vend në botë, ku të rrëmbesh një pronë, të zaptosh një truall e të ngresh një ndërtesë pa lejë, në vend që të të dënojnë të paisin me tapi!

 

*     *     *

Atdheu im është i vetmi vend, ku nuk mund të maten temperatura nën hije, pasi tërë pyjet janë prerë!

 

*     *     *

Është vendi, ku  shumë  prindër u urojnë fëmijëve jo që të bëhen shkencëtarë, por doganierë!

 

*     *     *

Është vendi, ku historia përdoret për nevoja politike dhe në çdo tetë vjet shkollat marrin tekste të rinj të histories, në të cilët nazistët largohen nga Shqipëria herë më 28 dhe herë më 29 nëntor.

 

*    *     *…

Atdheu im është vendi, ku shkollat më të rëndësishme janë Instituti i Fiskulturës dhe Fakultetit i Mjekësisë se studentët nuk shkojnë atje për t’u bërë trainerë, pediatër dhe kardiologë, por ministra dhe kryeministra e vitet që vijnë, premtojnë që fatet e vendit të jenë në duart e boksierve!

 

*     *     *

Është vendi, ku numri i turistëve vizitorë, është propaganda më banale dhe ky numër fryhet e fryhet edhe me pilotët e huaj dhe shoferët e autobuzëve që flenë atë natë në Shqipëri. Të kesh katër valixhe matanë trarit të kufirit dhe të shkosh t’i sjellësh një nga një, të numërojnë për katër turistë!

 

*     *     *

Është vendi, ku qëkurse shifrat e statistikaveve shqiptare  dalin nga zyra e kryeministrit, Amerika nuk është më vendi më i mirë në botë. Pra, tani që  shifrat i shpall qeveria vetë, vendi më i mirë në botë është këtu, ku jemi ne! Sipas shifrave!

 

*     *     *

Atdheu im është i vetmi vend, ku krenohen edhe pse janë të fundit në kontinent, që përmbysin komunizmin; të fundit që antarësohen në NATO dhe në Bashkimin Europian, dhe ku qeveria prêt urime të përzemërta që edhe në Shqipëri, pas vitit Dymijedymbëdhjetë, edhe tek ne erdhi Dymijetrembëdhjeta!

 

*     *     *

Atdheu im është i vetmi vend në botë, ku kriminelët i kërkon populli dhe i fsheh policia!

 

*     *     *

Atdheu im është i vetmi vend, ku  sigurimi i lëvizjes së lirë  u prishte punë skafeve dhe kur u arrit lëvizja e lire, skafet patën mbaruar punë në dëbimet masive të shqiptarëve.

 

*   *     *

Dhe së fundi, lemëni të huazoj e përshtas një shprehje të një poeti fqinj, një shprehje poetike: atdheu im është ai, ku tërë njerëzit duan të jetojnë në një vend tjetër, por duan që ai vendi tjetër të jetë këtu në Shqipëri!

Nga PELLUMB KULLA May 1, 2013 12:33
Komento

7 Komente

  1. Robespier May 1, 14:49

    Atdheu im eshte i vetmi vend ne bote ,ku opozita e quan qeverisjen regjim, nderkohe qe ka nen kontroll gjysmen e mediave ne vend,dhe ate me kryesoren (Top-Channel)!
    Atdheu im eshte i vetmi vend ne bote,ku opozita kerkon te vije ne pushtet duke bere aleance me pjesen me te korruptuar te tij!
    Atdheu im eshte i vetmi vend ne bote,ku analistet,gazetaret ,opinionistet jane mercenare apo argate ne sherbim te plote te kampeve kundershtare politike!
    Atdheu im eshte i vetmi ne bote,ku kandidati per kryeminister dhe shefi i opozites kapet per flokesh me nje diplomat te vendit te tij ne nje vend te huaj!
    Atdheu im eshte i vetmi vend ne bote,ku kandidati per kryeminister ka personalitet te shumefishte…
    Atdheu im eshte i vetmi vend ne bote,ku pozita dhe opozita ,armike te njera tjetres,behen bashke kunder nje partie tjeter (AK-se)!
    Atdheu im eshte i vetmi vend ne bote,ku media ,sipas urdherit te pozite-opozites,bojkoton teresisht aktivitetet normale te nje partie opozitare (AK-se)!
    Dhe se fundi ,ne jemi i vetmi vend ne NATO,ku poete dhe shkrimtare te fandaksur,shkruajne ne stilin e dikurshem totalitar,per te ndersyer njerezit kunder njeri-tjetrit;ku poete dhe shkrimtare u bejne vjersha dhe poezi kryetareve si ne diktature; ku poete dhe shkrimtare jane kthyer ne propagandues te rendomte te partive politike dhe interesave te tyre te qelbura!
    Ka edhe shume e shume qyfyre te tjera ne Atdheun tim…

    Reply to this comment
  2. mergimtari fv May 1, 20:49

    Atdheu im eshte vend Evropian pa politikane dhe qeveri , por me brumbuj te quajtur popull dhe qen rrugesh me dy dhe kater kembe qe enden rrugeve e kafeneve duke ngrene e pire politike tavolinash , me vjen mire dhe keq qe ju largova atdheut tim , ta gezojne alias-Robespieret e Maratet e atij stani .

    Reply to this comment
  3. matteo May 1, 21:30

    Atdheu im eshte bere nje moçalishte, ku rrojne mire vetem mushkonjat qe pijne gjakun e femijeve qe po rriten pa gjak ne trup.

    Reply to this comment
  4. kuerator May 1, 22:05

    Atdheu juaj eshte vendi me popullin me te dhjere ne bote.

    Reply to this comment
  5. studenti May 2, 08:10

    Atedheu eshte i te gjitheve, por askush nuk mund ta perdore si te doje ate.Nje ze nga koha e revolucionit freng, nga katakombet e Parisit ku ruhen eshtrat e te vrareve per “liri, barazi, vellazeri”, qe te mos perseritet ajo kosto e madhe e sakrifices njerezore, duket se vjen si koment i sentencave te Kulles me teper ne emer te egos e te harreses, se sa te kujteses publike.Grahmen shpirterore te publikut qe P:Kulla e ka percjelle si rralle ndonje tjeter ne vepren e tij, e shohim edhe theniet e mesiperme brilante, qe nuk meritojne te trazohen prej ndonje amatorizmi qe e personalizon partiakisht atedhene dhe e erreson iluminizmin si mendjen dhe gjakun e njerzimit, me te cilin duhet te ushqehemi.

    Reply to this comment
  6. ylli May 2, 11:38

    Atdheu im eshte ketu ku njerzit merren me opoziten dhe jo me qeverine si pergjegjesja kryesore per gjendjen mizerebal ku ndodhemi.
    ku detyrohemi te japim mendimet tona per gjendjen aktuale me pseudonime dhe duke biseduar me ze te ulet se mos te pergjojne nga frika e persekutimit jo vetem te pjestareve te familjes por e te gjithe fisit
    ku semaforet me kuqe i kalojne te fortet qe kane lidhje me qeveritaret dhe policia ndalon fshataret e varfer.
    ku paguan per cdo vizite ne spital. per cdo ilac qe duhet ta siguroje spitali. ku gjendja ne spitale eshte mizerabel.
    ku gjendja e sistemit te rrugeve e kanalizimeve eshte e tmershme
    ku ujet e pishem ne banese te vjen me orar dhe paradite ne kohen qe ti je ne pune dhe i lutesh komshiut te te mbushe bidonat me uje. per te bere dush as qe behet fjale
    ku energjia elektrike te vjen ne banese 150-190 v dhe paisjet elektrike nuk arrijne te punojne normalisht. ku te digjen te gjitha paisjet e shtepise si rezultat nderprerjeve te shumta dhe i mbingarkeses qe krijohet ne rrjet
    ku ne gjykate duhet te paguash per te zgjidhur hallin
    ku ne shkolla duhet te paguash per te marre provimin ose per te mos ta lene femijen mbas dore
    ku femijet tane qe mbarojne studimet ne vendet europiane nuk duan te kthehen ne atdhe per te punuar
    A KA NDONJE LIDHJE QEVERIA ME KETO GJERA.

    Reply to this comment
  7. Nimigje May 4, 19:02

    Memedhe-deshiroje une te vazhdoje leter-kembimin ne shtyp me Zotin P. Kulla, qe gjithemone ka ditur te shkruaj, dhe jo vetem drama, por edhe politike.
    Lum ajo meme, qe te lindi o Pellumb. Lum ai djep qe te rriti e lume bashkatdhetaret qe te degjuan ne kohe te veshtira por te kuptuan ndjenjat preje kohesh. Lume bashkeatdhetaret qe te degjojne edhe keto dite, o i respektuari Pellumb.
    Nenat e Aterit tane, te lidhur me memedheun, me ate cope toke e me bashkeatedhetaret, ngelen ne shekuj, patriotet e vertete te vendit ku te gjithe neve u rritem.

    Me i shtrenjti vend i botes eshte e do ngelet vendi ku nenat tona na linden e rriten, por nuke munden ta ruanin nga bishat qe vinin verdalle prej kohe te koheve.
    Mesuam, nga historia, shume e shume momente dramatike, se si memedheun na e copetuan te huajt, dhe kjo eshte e vertete. Mesuam e mesojme se memedheun e copetuar pushtuesit e perdoren si “trofe” lufte dhe ja dhane co-laboratoreve per meritat dhe besnikerine kundrejte pushtuesve.
    Kjo praktike vazhdoi e vazhdone edhe kesaje dite, memedheu i copetuar eshte prone ose trofe e luftrave dhene tek njeri tjetri tek ata kalemxhinje qe mprehen kalemin, kunder bijeve e bijave tona, o i nderuari Pellumb.
    Memat tona te dashura, nuke na mesuan dote neve, te lidheshim me njeri tjetrin, te njihnim njeri tjetrin, dhe te krijonim ate PARTI qe ka nevoje vendi. Perderisa ne do jemi te percare, gjithe dogmat e tjera, do behen akoma edhe me te fuqishme, e jo vetem pa memedhe qe na lane, por tani qe ate e kane nen kethetrat e tyre, ata do na marrin edhe piken e fundit te gjakut.
    Kucedra, qe ka lindur, me shtatedhjete apo 170 koka, e ka te lehte te gelltise, cfardo krijese te bukur qe nenat tona, kane lindur e do lindin.
    Ka ardhur nje kohe, qe kucedres me shume koka, i duhet dhene gjak i molepsur, dhe jo te bejme perpjekje te presim koken e kucedres, sepse e dime qe kjo si bene gje asaje. Nje koke tjeter po e asaj pjelle te keqe, do zerin vendin e asaj koke qe preme.
    Nenat tona te mrekullueshme, do gjejne gjakun e molepsur qe Kucedra kerkone, vetem keshtu Memedheu do lartesohet e do perparoje.
    Po qe se duam memedheun, le te mos harrojme perrallat qe nenat tona te dashura na mesuan, dhe te mos ju mesojme femive tane perrallat qe kucedra na mesone.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim