Atdheu tek poetët

Ilir Cenollari April 11, 2016 15:59

Atdheu tek poetët

Më mirë se poetët askush tjetër s’e di se ç’është atdheu. Pse poetët? Për arsyen e thjeshtë se poetët janë krijuesit e vërtetë të atdheut;  poetët i japin një përmbajtje të lartë dhe të madhërishme atdheut, i japin shpirt, kuptim, ndërgjegje, vërtetësi, lavdi, shkëlqim, dashuri, jetë, bukuri. Poetët, atdheut fizik i dhurojnë një përmasë të dytë, atë të atdheut ideal, – një hapësirë e pafundme, e përjetshme, ngazëlluese. Le të shikojmë se si e konceptojnë atdheun poetët shqiptarë, le të shikojmë se sa të ditur, sa të fismë, sa të plotë, sa modernë janë ata në ide, frymëzime, ndjenja, mendime, vizione. Poetët e ngjallën atdheun kur po vdiste, e mbajtën gjallë me frymën e tyre të shenjtë, i dhanë shpresë, i dhanë forcë, i dhanë shpirt, i mjekuan plagët e shekujve, i treguan udhën e drejtë, udhën e së ardhmes.

Pashko Vaso,  një nga rilindësit e parë, këndon zemërvrarë: “O Moj Shqypni, e mjera Shqypni/ kush të ka qitë me krye n’hi? / Ti ke pas kenë një zonjë e randë/ burrat e dheut të thirrshin nanë…”. Pas kësaj hyrje prekëse, rrëfen virtytet e Shqipërisë dhe shqiptarëve nëpër shekuj, për të ngjallur ndjenjën e atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare. Por s’ndalet këtu, në pjesën tjetër të poemës, numëron të gjitha të zezat që kanë pllakosur shpirtin shqiptar, të gjitha veset, sëmundjet, shëmtitë, që e bluajnë nga brenda dhe s’e lënë të marrë frymë. Shqipëria është e prishur moralisht, në një qind çeta shpërnda, vëllai vritet me vëllanë, njeri thotë jam turk, tjetri latin, grek, shkja! Në fund Pashko Vaso lëshon kushtrimin drithërues: “Mos shikoni kisha e xhamija, feja e shqiptarit është shqiptaria!

Do vijnë Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Andon Zako Çajupi, Asdreni dhe plejada e poetëve shqiptarë, që do të krijojnë idealin e atdheut dhe të lirisë: Pa atdhe s’ka lumturi, pa liri s’ka atdhe! Naimi krijoi një Shqipëri tjetër, një Shqipëri të re, një Shqipëri të bukur, një Shqipëri të idealizuar dhe zbukuruar. “Ti Shqipëri më jep nder, më bën krenar, zemrën ma gatove plot me dëshirë dhe zjarr”! Naimi i këndoi natyrës shqiptare, virtuteve shqiptare, historisë shqiptare, heronjëve shqiptarë për ta nxjerrë atdheun nga robëria e tmerrshme në liri. Dhe thuri “Fjalët e qiririt”, një poezi-flijim: “Në mes tuaj kam qëndruar dhe jam duke u përvëluar, që t’ju bëj pakëz dritë, natën t’jua bëj ditë…”. Shqiptarët kanë nevojë për dritë, për dritë të vërtetë, për dritën e Zotit, për dritën e shpirtit, për dritën e diturisë, që të njohin njëri-tjetrin, të njohin veten, atdheun, lirinë. Në emër të lirisë ju drejtua historisë, ju drejtua heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut: “Krujë o qytet i bekuar prite-prite Skënderbenë, po të vjen si pëllumb i shkruar të shpëtojë mëmëdhenë”!

Andon Zako Çajupi, më i thjeshtë dhe më konkret, rreh të njëjtat shtigje. “Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënur koka, ku kam dashur mëm’e at, ku më njeh dhe guri i thatë…”. Ja ky është atdheu!  Vendi “ku balta është më e ëmbël se mjalta”! Por shqiptarët s’janë në rregull nga trutë, shqiptarët janë të turbullt, të çoroditur, të paditur, prandaj poeti lëshon kushtrimin: “Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq! Kujto vendin ku ke lerë dhe tek heq. Të ka bërë Perëndia luftëtar, si s’të lodhi robëria shqiptar”! Dashuria për atdheun është e pandarë nga dashuria për lirinë. Njeriu i lirë është luftëtar, thotë Niçe. Mirëpo njeriu që s’është i lirë nuk e shikon dot të vërtetën. Ja si ngërthehen për jetë a vdekje koncepti liri kombëtare me konceptin liri shoqërore. Rilindësit që në këtë kohë i kishin të qarta këto koncepte; ata nuk i ndanë asnjëherë përpjekjet për liri kombëtare nga përpjekjet për liri shoqërore dhe përsosje morale. Dhe për këtë dhanë shembullin personal, u bënë fanar ndriçues për popullin, sakrifikuan gjithçka, deri dhe jetën. Po kthehemi përsëri te Niçe, që shkruan: “Poeti duhet të punojë për të shpikur një pamje të bukur të njeriut, të triumfojë shpirti i bukur dhe i madh, të shndërrohet në shembull frymëzimi, në fuqi përsosmërie dhe progresi të njerëzimit”. Me shpirtra të ndryshkur, të tharë, të vegjël, të idhnuar, me skllevër, liria është iluzion, atdheu në udhëkryq, e ardhmja në pikëpyetje! Vijnë poetët e protestës shoqërore, vjen Noli i rrëmbyer dhe luftarak, Fishta epik dhe satirik, vjen Migjeni i thellë dhe i përvuajtur dhe boshti i poezisë zhvendoset tërësisht në planin e brendshëm, në atë të njeriut, të shtypjes shoqërore, të tiranisë, plogështisë, mjerimit, varfërisë. Dëshpërimi i Nolit arrin deri në atë pikë sa klith: “Skllevër dhe bij skllevërish, ju lirinë s’e meritoni”! Jo më i vogël është zemërimi i Fishtës me shqiptarët e drobitur dhe përgjumur: “Le ta marrë vesh bota mbarë, tash e tutje s’jam më shqiptar”! Dhe më i fuqishëm, dhe më shpërthyes, dhe më i drejtpërdrejtë Migjeni, që s’dinte s’i ta shkundte nga themelet botën e mykur shqiptare, ta binte në vete, ta përmendte, ta nxirrte nga letargjia e thellë: “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm,/ Malit që hesht, mu në zemër me ja ngjesh!

Prandaj Migjeni lëshon kushtrimin drithërues: “Të lindet njeriu”! “Na të birtë e shekullit të ri”! Pa fuqinë e njeriut, pa energjinë dhe gjallërinë e tij, atdheu është i vdekur, atdheu është pa jetë! Shqiptarët kishin shtetin e tyre, lirinë kombëtare, po a kishin liri individuale, liri shoqërore, mirëqeverisje, siguri, drejtësi, mirëqënie, a kishin atdhe? Ja, këto pyetje të tmerrshme torturonin poetët shqiptarë. Nuk është vetëm Migjeni.

Të vijmë tek Ali Asllani. Ja si këndon, në fakt hakërrin ai: “Që nga Korça gjer në te Shkodra mbretëron një errësirë!/ Nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!….Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,/ Gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!…”…Poeti demaskon pa mëshirë klikën e kusarëve, ushtrinë e të korruptuarëve, e trutharëve, e tregtarëve, e gjakpirësve të atdheut! Dhe në fund vendos pikat mbi “i”: “Koha është e maskarenjve por atdheu i shqiptarëve! Ju thoni si të doni…po e drejta dërrmon hekur! Poeti i bën thirrje popullit të mos lejojë t’ia rrëmbejnë atdheun, të mos e lënë pa atdhe! Kush? Cilët? Armiqtë e jashtëm? Jo, jo, pushtetarët, shqiptarët e zgjedhur me votat e popullit dhe në mënyrë demokratike!

Të kalojmë nga periudha e Mbretërisë së Zogut në periudhën socialiste. Shteti socialist, u përpoq me të gjitha forcat, mënyrat dhe mjetet, për të ngjallur entuziazëm të papërmbajtur në popull, besim të palëkundur tek forca udhëheqëse e vendit, tek revolucioni demokratik, tek vija politike dhe ideologjike e partisë, madje tek përjetësia e pushtetit të diktaturës së proletariatit, etj. Për këtë ju desh dhe ndihma e shkrimtarëve të brumosur me “frymën e re”, me ideologjinë komuniste, për t’i bërë jehonë fitoreve, sukseseve, reformave historike, rrënjësore, transformuese, etj. E gjithë propaganda zyrtare, partiake, shtetërore, letrare, e paraqiste realitetin shqiptar me ngjyra të ndezura, të zbukuruara, sureale, fantastike: populli jeton i lumtur, begatia ka zbritur nga qielli në tokë, drejtësia është ulur këmbëkryq, partia shkëlqen në mendim dhe udhëheqje të pagabueshme, e ardhmja e vendit është e sigurt, etj. etj. Por dhe në këtë periudhë trysnie të egër dhe ngurtësie të skajshme, do të dilnin poetë të guximshëm, që do ta përgënjeshtronin këtë realitet të gënjshtërt. Vështrimi i mprehtë i poetëve, do ta griste perden e dendur të mjegullës zyrtare, për ta nxjerrë atdheun lakuriq, siç ishte në të vërtetë. Ky akt i madh guximi do t’ju kushtonte kokën, por ata e bën detyrën përpara popullit dhe atdheut të tyre.

Le të marrim në radhë të parë poetin Trifon Xhagjika (1932 – 1963), që do të shkruante këto vargje të dhimbshme: E pashë atdheun lakuriq, /(vetëm, pa miq, pa shokë)… Vëllezër/ po e kërkuan atdheun/  e kam unë.

Në një poezi kushtuar Republikës, Xhagjika do të shkruante: E shkreta ti, Republikë/ u blatohesh të zotërve/ pa e ditur ç’janë./ Dritën ta shuajnë në terr/ e ditën ta ndezin;/ Bukën ta shtrojnë në sofër’ e duart t’i presin./ Në burim të çojnë/ e gojën ta mbyllin./ Ata të kthyen në metelikë!/E shkreta ti, o Republikë,/ e çmendura ti, o Republikë,/ gënjeshtarja ti, o Republikë,. kusarja ti, o Republikë,/ me emrin tënd të vjedhin jetën…Të urrej o Republikë,/ lavire e zotërve gjakprishur!

Poeti është i vetëdijshëm për fatin e vet por përsëri s’ndalet, s’heq dorë, s’hesht, përsëri lufton, i shkon deri në fund bindjeve të veta! Mu thell’ në brendësirë /ku ndjenja rron e lirë…Lindi një shqetësim/ që çeli varrin tënd!

Kjo ia rrit vlerat deri në lavdi. Një guxim të tillë, një sfidë të tillë, një demaskim të tillë, një shpirt të tillë, të lirë dhe madhështor, koha s’mund ta pranonte, s’mund ta duronte, s’mund ta toleronte, s’mund ta falte. Poeti u nxor para gjyqit dhe u pushkatua! Në një moshë fare të re! Vrasja e Xhagjikës kaloi në heshtje! Një pengesë më pak në udhën e ndritur të revolucionit politik, shoqëror, kulturor! Por me aktin vetëflijues, poeti Trifon Xhagjika rrëzoi gjithë nomenklaturën mendore, shpirtërore, morale, ideologjike të kohës, rrëzoi të gjitha monumentet e regjimit dhe ithtarëve të sistemit! Por as sot, çudi, ne nuk kemi një monument që të përjetësojë veprën e poetit martir, kjo harresë s’duket e paqëllimshme; ndoshta se ky monument do t’ju bëjë hije famës dhe lavdisë së shumë të tjerëve!

Pak më vonë, në kulmin e revolucionit socialist, dy poetë të tjerë të talentuar do të shkonin në plumb. Dhe këta nuk vinin nga qendra, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë! Ata vinin nga periferia, nga zona të humbura, nga provinca, nga fshati, nga zona ku ende ruhej e paprekur burrëria, bujaria, sinqeriteti, mirësia, liria. Ata janë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Vilson Blloshmi, shikon para syve po atë realitet të trishtë që shikonte një dekadë më herët sivëllai i tij, Trifon Xhagjika. Ai shkruan me dhimbje: “Saharaja s’di të ëndërrojë/ ajo bluan gurë me mend’ e saj…/Saharaja s’ka këngë të këndojë,/ Saharaja s’ka as lot të qajë/ Saharaja nuk ka miq e as shokë/ Saharaja nuk ka bijë, as bir, / Saharaja është një copë tokë/ thonë as me natën s’shkon mirë…”.

S’dua të zgjatem më shumë. Le të vijmë në epokën e “ndritur” të demokracisë. Të gjithë flligështitë e “vëna në gjumë”, në “konservim”, në “ngrirje” gjatë regjimit socialist shpërthyen fuqishëm, dolën në sipërfaqe dhe përmbytën Shqipërinë. Prishje shpirtërore, vese, cene, ndjenja të ulëta, korruptim moral, sëmundje të vjetra dhe të reja, morën zhvillim dhe lulëzuan me shpejtësi marramendëse. Revolucioni demokratik s’ka kurrëfarë ndikimi mbi shpirtrat njerëzorë, lakmia, urrejtja, ligësia, padrejtësia, anarkia, korrupsioni, kriminaliteti, bëjnë kërdinë. Atdhe s’ka gjëkundi! Ka vetëm etje dhe luftë për pushtet, vjedhje, abuzime, shpërdorime, plaçkitje, zhvatje, grabitje, dhunim, terror, kërcënim, frikësim, poshtërim, disfatizëm, demoralizim, ikje, braktisje, humbje shprese! Përballë këtij realiteti të trishtë, poetët e vërtetë përsëri e kryen detyrën, i thirrën ndërgjegjes njerëzore. Në këtë shkrim, s’mund të ndalemi tek të gjithë poetët e kësaj periudhe. Po mjaftohemi vetëm me një emër, me Pano Taçin, poetin që njohu burgun gjatë regjimit socialist, por që shijoi dhe frytet e hidhura të demokracisë! Ja se si e pikturon realitetin shqiptar Pano Taçi: “O Perëndi,/ në do të dish ç’është kob e zi,…si vritesh përhiçgjë, ç’është loti në sy, me vdekjen kush fle, çdo të thotë uri,…në do të dish të mos dish gjë, eja në Shqipëri”!

Nga shkretëtira e dëshpërimit, poeti s’e humb shpresën për të ardhmen: “Zot, na shkërmoqi varfëria/ na shtyn për udhën e varreve/ them se do bëhet Shqipëria, për inat të pushtetarëve/ për inat të kusarëve, për inat të shqiptarëve”.

Ata që e duan atdheun sinqerisht, dëshpërimisht, fuqimisht, pa kushte, siç duan mëmëm dhe atin e tyre, pyesin veten: çfarë bëra unë sot për atdheun tim? Ata që e duan atdheun për ta zhvatur, plaçkitur, pirë gjakun, poshtëruar, fyer, turpëruar, pyesin veten: çfarë bëra unë sot për t’u pasuruar në kurriz të popullit, në kurriz të interes publik, në kurriz të atdheut?

Poeti nga Kosova, Azem Shkreli, na ka lënë këto dy vargje sublime: “Sonte qava për ty Arbëri/ nuk më vjen turp pse qava/ më vjen turp pse s’munda të bëj gjë tjetër/ nga turpi qava”.

Mitrush Kuteli, shkon dhe më larg, në amanetin e vet: “Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje! Të mos u shkas zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj! Atdheu është atdhe, bile dhe atëherë kur të vret!”!

Nuk ka thirrje me tragjike dhe heroike se sa kjo! Nuk ka kushtrim më të dhimbshëm se sa ky!

Ja, pra, kërkojeni atdheun dhe do ta gjeni në veprat e poetëve shqiptarë, jo ashtu si është, ashtu si duhet të jetë: i drejtë, i bukur, i lulëzuar!

Ilir Cenollari April 11, 2016 15:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*