Atdheun e dua në çdo milimetër

January 13, 2016 09:57

Atdheun e dua në çdo milimetër

Reagim, në vend të një sqarimi për disa vargje)

 

Nga Haxhi Kalluci

 

 

Më vjen mirë që disa mediokërve në trevën e Myzeqesë, u është ndezur shqisa e vetëveprimit e aksionit. Për këtë jam i lumtur. Por natyrisht për këta lloj syresh e gjedhesh. Ndërsa për ata që njohin fjalën, gjuhën, kuptimin, tekstin, nëntekstin, apo konteksin, dua të sqaroj vargjet në fjalë, për të cilat, dallkaukët, bashibozukët, derberderët, mercenarët…, kërkojnë të ngrenë stuhi në gotë, u shtyva të shkruaj këto radhë. Jo si përgjigje ndaj këtyre që nuk janë myzeqarë, ose të paktën jo ata që e përfaqësojnë Myzeqenë, pavarësisht grupimeve të tyre fantazma. Fatkeqësisht këta janë mercenarë. Mercenarë që bartin frymën e ligë të bashkëjetesës komunitare në Myzeqe. Në një rast tjetër mbase do të kishte një kuptim, por përveç të tjerave, këta janë edhe mercenarë të vetvetes, si patologji (sëmundje e pashërueshme individuale), si sindromë e inferioritetit, që edhe kur, kurrkush s’ka ndër mend t’iu hedhë baltë, ata e marrin vetë baltën në gjymtyrë e këmba doras, ia hedhin vetvehtes si boomerang. Vargjet në fjalë, janë pikërisht në mbrojtjen tonë të përbashkët qytetare, sigurisht dhe të tyren, si një domosdoshmëri për reagim, shqetësim, trishtim e pse jo dhe dëshpërim, përballë brutalitetit me të cilin jemi ndeshur dhe po ndeshemi në vite, në shoqërinë ku jetojmë.

Këto janë zonat alegorike të poetit, që nuk i kanë të paktat rastet në traditën e letërsisë sonë, por edhe të asaj botërore, që nga koha e Rilindjes Kombëtare, nga Faik Konica, Fan Stilian Noli, Ali Asllani, Migjeni etj. etj., e më pas deri në ditët tona, ku shkruan e stigmatizon në të përditshmen “Dita”, poeti Arben Duka, që s’lë pa “gudulisur” me sarkazmën e vet, as president, as kryeministër, as ministër dhe as shpurën e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri. Nëse, nuk do të kuptoheshin vargjet e tij, trilli i tij, ironia, shpotia, pas botimit të çdo numri të gazetës “Dita”, të tërë këta personazhe do t’i turreshin poetit dhe shpirtit të tij të shqetësuar, duke e kryqëzuar atë.

Ato vargje, për të cilat ky soj pseudointelektualësh, gjoja nën flamurin myzeqar, është ngritur në një revoltë butakësh dhe kujtojnë si miza në bythën e kaut e të buallit se tërheqin qerren, kanë një kontekst tërësisht tjetër me atë që duan të lexojnë dhe trumbetojnë kudo me miopinë e tyre dashakeqe. Vargjet e kësaj poezie, së cilës i janë referuar dhe për të cilën lëshojnë mallkime sodomike, në kontekstin e tyre alegorik, nuk vënë në lojë Myzeqenë në veçanti, apo më keq akoma, siç duan ta interpretojnë këta, me dashakeqësi, por nisin nga Myzeqeja ku poeti jeton dhe e njeh më mirë, dhe kapin më pas një aspekt më të gjerë shqiptar, asnjëherë si tallje, por si shqetësim qytetar të fenomenit të pajtimit të njeriut me të keqen, mosreagimin qytetar përballë të keqes. Poezia lidhet me një kontekst të caktuar, siç e thashë dhe me sipër, është shkruar shumë kohë më parë, kur njerëzit e këtushëm dhe ata që vinin nga emigracioni rriheshin në mes të rrugëve dhe shesheve të Fierit, u rrëmbeheshin makinat me gjoba shumë të rënda, me vendim të këshillit bashkiak, si dhe në zonën naftëmbajtëse bëheshin shpërthime e shtëpive të atyre zonave u kthehesh themeli e u çahesh tavani mbi kokë. Këto e të tjera kanë dalë sot në dritën e diellit, dhe koha më dha të drejtë, për dëmin që u është bërë njerëzve e atdheut, i cili është nën një flamur dhe jo pjesë-pjesë, në koncepte primitive enklavash, apo principtash. Nuk ka flamur dhe interesa krahinore, por shtetërore dhe mbarëkombëtare. Kur i cënohet interesi një krahine, cilado qoftë ajo, (aq më shumë ajo e Myzeqesë që ka të bëjë me asetin më të madh kombëtar), është cënuar çdo krahine e këtij vendi, sepse resurset, pasuria edhe vitaliteti njerëzor, nuk janë absolutisht krahinorë, lokalë e parcialë, por unitarë. Nuk mund të jenë ujërat, as dhe malet, as të Përmetit, as të Skraparit, as të Librazhdit a Devollit këta tre lumenj që kalojnë në Myzeqe e derdhen në det. Përmetarët, skraparllinjtë, devollitët, apo librazhdiotët, apo ku di unë, nuk mund t’iu devijojnë rrjedhën lumenjëve, apo t’i sharrojnë transferojnë dhe transferojnë malet, ashtu sikurse ne dhe kushdo qoftë, s’mund të transferojë fushën e dashur të Myzeqesë gjetkë. Këto janë binome, trinome, aksonometri, lartësi dhe thellësi e atdheut. Atdheu është vetëm një. Kush përpiqet ta ndajë, ndan kokën e vet, por kurrësesi atdheun dhe shqiptarët. Prandaj vargu i fundit i poezisë “blasfemike”, mbyllet me “Oi, o moj Shqipëri, oi!” Dhe ky varg ka dalë nga dëshpërimi i madh, dhe nga dashuria e madhe dhe, po nënvizoj se ky truall e ky vend, që quhet Shqipëri, duhet dashur me dashuri e përkushtim, pse jo edhe vetëmohim. Ne, pavarësisht prej cilësdo krahine që jemi, duhet dhe do ta donim më shumë vendin tonë, duke mbajtur qëndrim kriticist ndaj fenomeneve që cënojnë të drejtat natyrale të asaj çka na jep të paturit një atdhe të përbashkët, e njëkohësisht të madhërishëm për të gjithë.

 

*Poet, nënkryetar i Bashkisë Fier

 

 

 

Milimetër

 

Pëllumb Xhufit

 

Gjeometrinë e atmëmedheut dua …

Aq sa është.

Trigonometrinë e Shqipërisë dua,

këto pika majash si mish e si thua,

ujërat po se po.

 

S’e dua këtë vend të bekuar e mallkuar

dot me kilometër,

as me metër,

as me decimetër,

as me centimetër …

 

Të varrosem për të dua,

dhe për një milimetër …!

 

12 maj 2015

 

 

Myzeqeja

 

Mesi i fushës u përndez nga gjelbërimi,

Yjet në qiell u strehuan në çdo pikël vese,

Zemra e fushës u hepua nga lindja e perëndimi,

E kavakët si pikëçuditëse u mbushën me rreze.

Qetë në kashaisje e buajt duke tërhequr qerre,

Era e detit, rrënqeth barin dhe shtyn kanatën e një dere,

Jeta buisi e zogjtë nga marinat u shtynë drejt reve;

Ansambël natyre, ti ia kalon çdo treve.

 

27 maj 2007

 

January 13, 2016 09:57
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim