Pas dy vrasjeve mbrëmjen e kaluar në Sarandë dhe Elbasan, një tjetër krim i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme (18 gusht), këtë herë në Vlorë, ku dyshohet se janë vrarë dy persona dhe ka mbetur një i plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në autostradën Fier-Vlorë, pranë nënkalimit të Panajasë, ndërsa raportohet se personat janë vrarë brenda në makinë.
Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një makine, ku dyshohet se udhëtonin viktimat dhe i plagosuri.
Njëri prej viktimave njihej si “Shpati” në zonën e Vlorës. Shpati Lena nga Vlora, 37-vjeç dhe Haki Xhezo, 34-vjeç janë dy viktimat e atentatit. Shpati Lena ka qenë i përfshirë në një ngjarje për të cilën ka kryer disa vite burg dhe dyshohet se pista kryesore është ajo e hakmarrjes.
Menjëherë forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave.
Një makinë e djegur është gjendur në Levan-Tepelenë, e cila dyshohet të jetë e autorëve.
Ndërkohë, mësohet se autorët kanë ndjekur dhe vëzhguar makinën që po udhëtonin viktimat dhe më pas i janë afruar paralel duke qëlluar me breshëri plumbash. Pas plumbave makina e viktimave përfundoi në kanal.
Kujtojmë që një ditë më parë, Madrit Ulqinaku u qëllua me disa plumba në momentin që po tentonte të hipte në automjetin e tij që ishte parkuar anës rrugës pranë stadiumit të Elbasanit.
Ndërsa dy vëllezër i morën jetën nga goditjet me thikë 41-vjeçarit Klodian Bakiaj, pas sherrit banal për një vend parkimi.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në rrethana ende të pa qarta, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ndodhen brenda një automjeti tip “Benz”.
Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identfikimin dhe kapjen e autorit/ve, si dhe identifikimin e dy shtetasve të gjendur pa shenja jete.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
j.l./ dita