ATENTATI / Policia mbërrin në çast, rrethon vendgjarjen, të plagosurit, dëshmitarët

November 4, 2019 15:52

ATENTATI / Policia mbërrin në çast, rrethon vendgjarjen, të plagosurit, dëshmitarët

DIKU mes SHIJAKUT dhe DURRËSIT – Një rrethim shembullor i ka bërë së fundmi Policia e Shtetit, vendngjarjes së një atentati shembullor diku mes Shijakut dhe Durrësit, duke fshirë si me magji të gjitha pikëpyetjet mbi profesionalizmin e uniformave blu.

Gojët e Liga mësojnë se edhe disa ditë më pas, vendngjarja shembullore mbetet e rrethuar me shiritin prestigjioz dhe mitik, ku shkruhet “Plako jena tu hetu, hec tashi!”.

Historia nisi kur një makinë ku udhëtonte një shofer, një prokuror dhe një çun problematik u sharrua nga plumbat e qëlluar nga një makinë tjetër. Policia reagoi në kohë rekord dhe mbërriti pranë makinës së dëmtuar dhe njerëzve të plagosur brenda saj, duke rrethuar menjëherë hendekun buzë rruge.

Jo vetëm kaq, por siç mësojnë Gojët e Liga, policia rrethoi edhe dëshmitarët e rastësishëm që u afruan për të dhënë ndihmën e parë ndaj të plagosurve. Ata nuk u lanë të largoheshin, pasi së shpejti zona do të vizitohej nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtori i Policisë Kriminale, prokurorja e Krimeve të Rënda etj.

Bëhet me dije se të plagosurve iu rekomandua të mos lëviznin sa të kryheshin hetimet e rastit, të merreshin gjurmët e gishtërinjve, mostra ADN-je, të bëheshin fotografitë dhe matjet e duhura, sipas të gjithë metodave të fundit të kriminalistikës dhe forensikës.

Në vijim, mësohet se u dha urdhri që gjithçka brenda rrethimit duhet të mbetej e paprekur dhe pakontaminuar. Kësisoj, pas katër ditësh ende gjenden matanë shiritit jo vetëm makina, të dëmtuarit dhe dëshimtarët e rastësishëm, por edhe disa policë të gradës së ulët që qëlloi të ndodheshin nga ana e gabuar e shiritit mitik. Si dhe dy lopë që po kullosnin atypari.

“Askush të mos lëvizë asgjë, gjithçka do verifikohet me profesionalizëm” – deklaruan kokat e mëdha të policisë.

Nga ana e tij, prokurori i plagosur u ofrua ta hetojë ai vetë vendngjarjen.

“Shiko, unë jam që jam këtu, pse mundoni kot kolegë nga ana e anës? Ja, i bëj unë pyetjet, matjet, fotografitë etj,” deklaroi ai me entuziazëm profesional.

Besohet se së shpejti do të mbërrijë një ekip xhirimi për të realizuar një dokumentar të shkurtër mbi ngjarjen e rëndë.

“Pastaj, punë tre-katër ditësh, të plagosurit dhe lopët edhe mund të lëvizin,” thanë burime të larta policore, “ndërsa dëshmitarët, policët brenda rrethimit dhe ndonjë infermier i rastit na nevojiten ende në vendngjarje”.

Hetimet vazhdojnë…

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike që proteston ashpër kundër rrethimit të lopëve… 

November 4, 2019 15:52