Athina i dorëzon paktin Shkupit, Kotzias do e vizitojë pas disa ditësh

March 19, 2018 22:04

Athina i dorëzon paktin Shkupit, Kotzias do e vizitojë pas disa ditësh

Athina ka hartuar dhe i ka dorëzuar disa ditë më parë Shkupit një pakt me të gjitha propozimet e palës greke, përsa i përket problemeve me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe një agjendë bashkëpunimi në të ardhmen që sjell përfitime për të dyja shtetet.

Këtë deklaratë e ka bërë disa orë më parë për mediet, nga Brukseli, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, që shkon në Shkup pas disa ditësh, pa dhënë hollësi të tjera.

Muajin e kaluar, ai kishte theksuar se pakti do të kishte 7 paragrafe për të gjithë spektrin e përdorimit në lidhje me emrin, një kapitull të veçantë për irredentizmin dhe ndryshimin e Kushtetutës së ish-Republikës Jugosllave. Gjithashtu, ai kishte deklaruar se për palën greke do të kishte rëndësi të veçantë një emër i përbërë në gjuhën sllave dhe i pa përkthyer.

Ndërkohë që orët e fundit flitet gjithnjë e më shumë se, të dyja palët kanë rënë thuajse dakord për emrin “Gorna Makedonia”. Megjithëse, Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos thotë se nuk do të prishë kurrë aleancën qeveritare, edhe pse nuk pranon një emër që do të ketë termin “Maqedonia”.

“As e Veriut, as e Jugut, as e Lindjes dhe as e Perëndimit. Maqedonia është një dhe është greke. Kështu që presim nga Shkupi të bëjë disa ndryshime kushtetuese”, tha Panos Kammenos, ministër i Mbrojtjes.

Ndërkohë, kreu i Parlamentit grek, Nikos Voutsis ka deklaruar se shumë deputetë grekë kanë marrë letra ku kërcënohen me vdekje ose me burg të përjetshëm, nëse votojnë një emër me termin “Maqedoni”.

“Po tejkalohen caqet dhe nuk e kam fjalën vetëm për krerët e Agimit të Artë, por edhe për persona të tjerë në Greqi dhe në Europë, të cilët po zhvillojnë vitet e fundit teori, të cilat çojnë në adhurimin e nazistëve”, ka paralajmëruar kryeparlamentari grek.

l.h/ dita

March 19, 2018 22:04
Komento

1 Koment

  1. Lapi March 19, 23:51

    Gjithashtu, ai kishte deklaruar se për palën greke do të kishte rëndësi të veçantë një emër i përbërë në gjuhën sllave dhe i pa përkthyer.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*