Athina në flakë, dhunë përpara parlamentit, përjashtohen 7 deputetë

Redaksia Online November 8, 2012 05:55

Athina në flakë, dhunë përpara parlamentit, përjashtohen 7 deputetë

Shtatë deputetë u përjashtuan nga partitë e tyre pasi votuan kundër shkurtimeve në buxhet. Lideri i PASOK-ut, Evangjel Venizelos vendosi largimin nga partia e 6 deputetëve që votuan kundër dhe të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri i vendit Antonio Samara me një deputet të partisë së tij. Megjithatë paketa e shkurtimeve u miratua me 153 vota pro dhe me 128 kundër.

Ndërkohë, që në fillim të seancës parlamentare, qendra e Athinës u kthye në një shesh-betejë mes dhjetëra mijë punonjësve të zemëruar dhe forcave të rendit që ruajnë Parlamentin në ditën kur diskutoheshin pikërisht amendamentet për kursime të mëtejshme. 100 mijë punonjës të zemëruar u mblodhën jashtë Parlamentit për të protestuar kundër valës së re të masave shtrënguese që po diskutohej nga ligjvënësit përpara votimit përfundimtar.

Nuk munguan në tubim parullat kundër qeverisë dhe as përplasjet me forcat e rendit të cilat u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës. Nën presionin e turmës së jashtëzakonshme, u ndërpre seanca parlamentare ndërsa mësohet se dhe Ministri i Financave, Yannis Stournaras ka tërhequr një prej amendamenteve të ligjit të debatuar. Turma e punonjësve të sindikatave filloi të mblidhej pak pas mesditës në ditën e dytë të grevës kombëtare që ka ndalur transportin publik,  ka mbyllur shkollat, bankat dhe zyrat qeveritare. Ligjvënësit filluan një debat të nxehtë mbi shkurtimet e shpenzimeve dhe rritjen e taksave, me qëllim kursimin e 13.5 miliardë eurove.

Nëse miratohet, do të jetë çelësi për zhbllokimin e këstit prej më shumë se 31 miliardë euro nga Bashkimi Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Mbështetur nga opozita e majtë, sindikatat thonë se masat do të godasin të varfrit dhe mbrojnë të pasurit, duke thelluar një recesion pesëvjeçar që ka ulur me 1/5-n e PBB-së dhe ka shtyrë papunësinë në nivelin e 25 për qind.

Redaksia Online November 8, 2012 05:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*