Ato që nuk po i thotë askush për borën e shkurtit

February 28, 2018 14:42

Ato që nuk po i thotë askush për borën e shkurtit

I nderuar Kryeredaktor

Bardhësia e dëborës ka mbuluar thuajse gjithë Shqipërinë, nga Veriu në Jug, maleve, madje edhe fushave… Mjetet e komunikimit masiv e kanë fiksuar objektivin rrugëve të zëna e rrugëve me “kujdes në qarkullim”.

E natyrshme. Në kohë të tilla njeriu është i pari. Si fëmija në rrugën për në shkollë e kthim në shtëpi ashtu edhe ai që del nga shtëpia për në punë, që udhëton me automjet, që është në shërbim të njerëzve në spitale, polic në rrugë e kudo ku është e nevojshme për ndihmë.

E kam një përvojë timen vetjake në dimrin e madh 1985 kur bëra një udhëtim të gjatë maleve të Dibrës, fshat më fshat të Luznisë, Muhurrit, Selishtës për tu gjendur pranë njerëzve. E kujtoj me nostalgji…

Po ndërsa kronikat dhe kronistët e mërdhirë sa u dridhet mikrofoni e u lëkundet kamera nga dora, fokusohen në pamjet e bardha, pak për të mos thënë aspak e thellojnë kronikën në vlerën e bardhësisë së këtyre ditëve, në atë që populli e quan “Floriri i bardhë i bujkut”.

Dëbora e shkurtit, në ndryshim nga ajo e dhjetorit dhe e janarit, është borë e butë, e mbushur me lagështi aq sa flokët e saj duken si zogj që bien nga qielli.

Bujku, me gjithë ngushtësinë si blegtor për shkak të kufirit të të ushqyerit të bagëtive, e pret borën e shkurtit me dëshirë, me mirëpritje. Kjo lidhet me vlagën që depërton në tokë, që qëndron gjatë dhe është baza e hapave të parë të zhvillimit të bimës. Kjo, veçanërisht kur punimi bazë i tokës është bërë në janar.

“Punimi i janarit-vlaga e beharit”- thotë populli.

Bora e shkurtit mbush malet. Trashësia e saj që jepet nga kronikat televizive në zonat malore është një sihariq për bujkun. Bardhësia e saj mbi male do të ruhet deri në muajt më të nxehtë të vitit, korrik dhe gusht. Bora do të shkrihet ngadalë duke mbushur burimet ujore rrjedha e të cilëve do të përfundojë në arat e mbjella.

Por jo vetëm burimet ujitëse por edhe ata që lidhen me ujësjellësit, me ujin e pijshëm në fshat e qytet.

Bora e shkurtit, shtresuar në male, është rezervuari më i madh natyror për jetën e njeriut, kafshëve, bimësinë e egër dhe atë të kultivuar. Bora e amulluar në male, veçanërisht tash kur niveli i ujëmbledhësve të hidrocentraleve, jo vetëm mbi Drin, është afër pikës më të lartë, është një sihariq për sistemin energjetik ujor.

Malet e mbushura me dëborë, veçanërisht ato të pellgut ujëmbledhës të Drinit të Zi e të Bardhë, të Valbonës e të lumenjve të vegjël që derdhen mbi liqenet e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës, janë një rezervuar gjigand hidroenergjetik çka nuk mund të gëzojë vetëm prodhuesit e energjisë elektrike por çdo njeri që ka mbi tavanin e shtëpisë së tij një llambë elektrike për tu ngjitur më tej tek konsumatorët e mëdhenj të saj, por edhe për eksport.

Këto ditë në Shqipëri po bije borë… Është momenti që kamera dhe shkronja e gazetarit të drejtohet tek vlera e saj. Është koha që në studiot shurdhuese me emra nga më të çuditshmit në të gjithë televizionet shqipfolës, të dilet nga temat tepër lodhëse për publikun me motivin “e lagu apo nuk e lagu bishtin dhelpra e politikës”, të mblidhen specialistë të fushës së bujqësisë dhe energjetikës, njerëz që të na mësojnë se si “arin e bardhë” të këtij shkurti ta shndërrojmë në prodhim bujqësor e blegtoral, në energji elektrike për vatrat tona.

Ka shumë mënyra për ta mbledhë këtë “flori”, me lera në kullota për blegtorinë, me ujëmbledhës për të ujitur qoftë edhe një dynym tokë, me… (pyesni bujqit, atyre që ia dinë shpirtin tokës)

Do të desha që kësaj jave ndonjë televizion “kombëtar” t’i lexonte këto radhë për të folur jo vetëm për motin si “përmbytje” e për “dëmshpërblime”, por edhe për motin si dhuratë e natyrës për bujkun, blegtorin, prodhuesin e energjisë elektrike, shëndetin…

Ekranit të televizioneve tona, zërit të radiove tona, germës së gazetave tona… mendoj se i mungon shikimi “te këmbët”.

Këto shënime, nga larg, i bëra me dashurinë e agronomit për vlagën e tokës…

Abdurahim Ashiku

February 28, 2018 14:42
Komento

6 Komente

  1. Monkey February 28, 19:45

    Një artikull informues që lexohet butë e qetë porsi bora e shkurtit. Përgëzime të sinqerta për shkrimin tuaj z.Ashiku.

    Reply to this comment
    • Osman Lala March 3, 13:11

      I nderuar Thano

      jam pak jashte teme por doja te terhiqja vemendjen tuaj dhe te forumisteve te gazetes (ketu kam parasysh ata te hershmt dhe seriozet jo tipat si Marku dhe Info anali) mbi debatin televiziv në Top-Channel mes biznesmenit Samir Mane dhe dy gazetarëve, Ylli Rakipi dhe Andi Bushati,

      Kush nuk e ka parë nuk është keq t’i hedhë një sy.
      Jo vetëm për kompozimin anormal të diskutimit – një moderator – një biznesmen – një analist që ndjek modën “ideologjike” të të varfërve, por edhe për faktin konvencional të guhës së përdorur aty.
      Normalisht me një njeri që drejton kaq shumë biznese, që menaxhon qindra milionë dhe ka të punësuar shumë njerëz, do të duhej një tjetër skemë pyetjesh, pritet një tjetër standard bisede. Nga njerëz të tillë vijnë zakonisht këshilla, zbulohen projekte dhe ambicie të reja, flitet për të ardhmen.
      Jo. Në atë debat u fol njësoj sikur të ishe duke këmbyer euro me lekë te ndonjë kambist informal në rrugë. Që të sqarohemi menjëherë: me fjalor të kambistit nuk është fjala për formimin dhe integritetin personal të kambistit, por për raportin shumë të kufizuar të shqipes komunikative në këtë rast që mund ta riprodhojmë pak a shumë:
      – Me sa e ke euron?
      – Me 1.3
      – Më bëj 500
      – Numëroji
      – Ok janë. Natën!

      Ky raport komunikativ nuk na dëshmon detyrimisht kapacitetin e kambistit dhe të klientit, por vetëm marrëdhënien e punës që këta të dy kanë në një proces shumë konkret.
      Pak a shumë kjo gjuhë, kjo shqipe u përdor në një debat prej nga ku pritet tjetër gjë. Mane në rolin e dikujt që pyetej, thumbohej apo akuzohej se i ka të gjithë në xhep, nxitonte që me një shqipe pazari të sqaronte dhe formulonte alibitë e veta. “Neptuni konkuron në treg”, ishte fjalia më ekonomike e z. Mane.
      Rasti në fjalë është emblematik për të ashtquajturin kapitalizëm shqiptar. Shqipja e varfër që ngjitet kaq lart na rrëfen më mirë se çfarëdo lloj gjëje tjetër, atë që në realitet është marrëdhënia e punës në këtë vend, suksesi, biznesi dhe i ashtuquajtur treg.
      Një kapitalizëm që nis me intuitën dhe përfundon në model matrapazi. Shkelje, syril dorovitje, pazar dhe lobim gjithëarmësh ndaj pushtetit.
      Nuk dëgjon te z. Mane asnjë moment nga stresi dhe jeta e biznesmenit, asnjë parashtrim për tregun, as edhe ndonjë akuzë për pushtetin, për rregullat e lojës që prishen dhe ndryshojnë. E kundërta madje na vjen në veshët tanë.

      Një shqipe të tillë kaq të varfër e hasim tek Ilir Meta, lloji i politikanit që dikur bëri moto të vetën: “Koha për veprim”. Suksesi që arriti i dha të drejtë, por kjo është një e drejtë e zhdrejtë që afirmohet në kuadër të rrëgjimit të çdo rregulli.
      Z. Meta, i hoqi politikës rëndësinë e Fjalës, lëvrimit të saj dhe diferencimit të komunikimit në emër të një filozofie praktike që ka si objektiv angazhimin dhe madje dhënien e një roli protagonist të pjesës më të margjinalizuar të shoqërisë. Atij nuk i hyn në punë Fjala, por mbajtja e Llafit që është edhe ashtu një premtim për punë në administratë, e të tjera dhurata banale që bëjnë shumë punë në këtë vend.

      Përkimi është fatkeq sepse dy modele suksesi si këto na thonë shumë për atë që ndodh pas kuintave. Duhen pak fjalë, pak letra, duhet të jesh në tavolinën e duhur, të japësh atë që duhet dhe punët nisin e ecin. MInistrat duket se binden më lehtë sesa votuesit, ndonëse siç mund të pritet janë më të shtrenjtë.
      Kujt i duhet atëherë stërhollimi? Askujt. Në botën e biznesit, të paktën atë që shohim nga jashtë, Gjuha nuk është veçanësi, apo hobi, por domosdoshmëri në krye të një procesi të ndërlikuar që kërkon patjetër edhe aftësimin dhe familjarizimin me rregulla tregu dhe norma juridike. Kjo përbën bazën e një kulture të domosdoshme që reflektohet patjetër edhe te gjuha që siç mund ta vëmë re, është shumë e ngritur.

      Ndaj Shqipja e z. Mane na thotë diçka më shumë se të gjtha miliardat e tij të cilat urojmë t’i gëzojë.

      Reply to this comment
  2. MH March 1, 13:51

    Nji shkrim i bukur per ta kujtue ne cdo diskutim per qef dhe me dashuri per punen e bujkut,te zbutjes se vshetiresive ku krahas se keqes ne padeshiren e te ftohtit per momentin na rrezevohet begati e gezim pa e kuptue per te nesermen qe me kaq bukuri dhe filozofi e pershkruan i nderuemi Abdurahim Ashiku.
    E meriton ta pershendesim.
    Askush nuk ma merr mendja ti ket shkue mendja per te shkrue kaq bukur dhe thjesht natyres dhe perfitimit te saj nga koha e “keqe” sot po neser e begate.Zaten nga ferra lind lulja dhe nga lulja lind ferra.Shkurt:E keqja me te miren dhe e mira me te keqen shoqerojne njera tjeter perjetesisht.
    Perseris.
    Pershendetje.

    Reply to this comment
  3. Juglindori nga Korça March 1, 20:22

    Bravo Abdurahim , nje shkrim i veçante , i bukur dhe çuditerisht , i rralle ne keto kohra , kur flitet per çdo gje te keqe e te merziteshme , vetem per punen , jeten , bukurine , token e dashurine , askush nuk flet ….

    Reply to this comment
  4. njerezit te zbulojne March 2, 11:15

    Te pershendes Abdurraman si agronom qe je dhe per shkrimin aktual mbi te mirat e bores qe natyra i ka rregulluar gjerat shume here me mire se i rregullon njeriu. Do te shtoja vetem diçka, po nuk te ngelet qejfi; Eshte ashtu si thua ti qe debora siell gjithe ato avantazhe, por per agronomin ka dhe nje gje shume te rendesishme: debora vret e vdes gjithe vemjet dhe mikroorganizmat e demeshme per bimet dhe si e tille prodhimi i ardhshem ka nje rritje te konsiderueshme dhe nje cilesi me te larte. Nuk zgjatem teknikisht, ndoshta mes bukurise se mendimit dhe rreshtave te mesiperm, te ka shpetuar kjo. Faleminderit.

    Reply to this comment
  5. LORA March 3, 10:19

    Keni plotesisht te drejte zoti Abdurrahim.
    Kur nisi bora,Nena ime tha ,-hajde o mbaresi dhe bereqet i shtuar per kete vit,ishalla mban kjo bore.
    Mirenjohje per kete dhe shkrime te tjera tuajat ,qe reflektojne pozitivitet dhe njerzillek te respektueshem,,,,fatkeqesisht te munguar ne mediat shqiptare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*