Audiopërgjimi/ Denar Biba i kundërpërgjigjet akuzave të Bashës

September 5, 2018 09:52

Audiopërgjimi/ Denar Biba i kundërpërgjigjet akuzave të Bashës

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, i është rikthyer sërish sot çështjes së audiopërgjimit, ku ai dëgjohet duke bërë një bisedë me gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Biba sqaron atë që ai quan qasje mes shtetarëve si dhe diletantizmin e politikës.

Biba i kujton Bashës, në përgjigje të akuzave, takimin me Ramën dhe paktin përpara zgjedhjeve.

“Z.Basha, përpara se të shprehej për takimin tim me z.Bianku, do të bënte mirë të kishte sjellë ndër mend orët e gjata të kaluara vetëm për vetëm me z.Rama në mesnatën e 17-18 majit 2017, si edhe etiketimet e gjithfarëllojshme që i mveshën kësaj bisede keqdashësit e tij politikë”, shkruan ndër të tjera ai.

Postimi i Denar Bibës

“Qasjet” mes shtetarëve dhe diletantizmi i politikës.

Kur e lexova për herë të parë shkrimin e portalit Exit.al në lidhje me audio-përgjimin mes meje e gjyqtarit të Gjykatës së Strasburgut, z.Ledi Bianku, fillimisht nuk më bëri ndonjë përshtypje kushedi dhe, tani mbrapa, më vjen mire për këtë. Të dëgjuarit e zërit tënd përmes një linku, ashtu, publikisht, nuk ishte ndjesi e këndshme, por kjo vetëm nga këndveshtrimi i cënimit të privatësisë, për më tepër në zemër të gjykatës që mbron të drejtat e njeriut. Transkriptimi i bisedës, nga ana tjetër, më la indiferent, pasi nga teksti i publikuar nuk arrije dot të kuptoje gjë.

Por, ndërsa minutat kalonin, telefonatat e miqve gazetarë shtoheshin dhe, më pas, lajmi se kryetari i opozitës do të dilte në konferencë për shtyp posaçërisht për këtë çështje e do ta etiketonte atë si “shantazh” të qeverisë Rama ndaj Strasburgut(!) më dha shqetësim.

I mësuar me lojrat politike prej vitesh tashmë, më duhet të vërej se ishte një shqetësim ndryshe. Ishte i përzierë me habi. A mos vallë e kishin keqinformuar z.Basha? Une e kujtoja (lajme se jo saktë) bisedën dhe isha i bindur se nuk kishte asgjë në të gjithë atë (se në tekstin e publikuar jo e jo) që të meritonte vëmendjen e kujdoqoftë, aq më pak të shndërrohej në debat publik me akuza e kundërakuza. Jam i vetëdijshëm për etjen që ka opozita për skandale qeveritare, por sërish, nga pozita e atij që dinte të vërtetën, nuk arrija dot ta vendosja tekstin e publikuar në kornizën e një skandali. Dje lexova një shkrim nga Prec Zogaj te “Panorama”, dhe me erdhi mirë që edhe brenda kampit opozitar ka njerez që e mendojnë si unë (http://ëëë.panorama.com.al/analiza-klasifikimi-i-bombave-p…/).

Sidoqoftë, për tjetër gjë u ula të shkruaj.

Së pari, por jo nga rëndësia, dua të vërej për lexuesin “babalizimin që iu bë një bisede mes dy miqsh, ndonëse në një pjesë të saj u fol edhe për interesa shtetërore. Përgjimi e degradon një bisedë, i humb asaj sinqeritetin dhe e teatralizon. E zhbën qëllimin e vërtetë, duke qenë se qellimi i njërit prej bashkëbiseduesve nuk është me diskutimi, përballja e ideve apo zgjidhja e problemit të parashtruar, por ajo çfarë do kuptohet nga dëgjues të tretë më pas, kohe më pas. Edhe në hipotezën se të dy bashkëbiseduesit nuk janë në dijeni të përgjimit, sërish, fenomeni “babale” ka potencial të rrënojë një instrument, i cili është shumë i rëndësishëm, veçanërisht në nivele të larta të shoqërisë, aty ku diskutohen politika. Historikisht, marrëveshje të mëdha, të cilat kanë vendosur deri edhe fate të një shoqërie e më gjerë, e kanë gjenezën e tyre te një bisedë mes vetëm 2-3 individësh. Në historinë e viteve të fundit – për të sjellë vetëm një nga disa raste, ishte pikërisht një bisede e tillë mes liderit të pozitës dhe atij të opozitës që mundësoi zhbllokimin e situatës politike në vend dhe i hapi rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në 2017. Biseda të tilla ka pasur e do të ketë, gjithmonë. Duke i “babalizuar” ato, opozita nuk bën gjë tjetër veçse, me naivitet, i jep një dimension negativ, krejtësisht të panevojshëm, një instrumenti që më së shumti është ne favor të saj. 

Etiketime të tilla si “ndikim”, “shantazh” “sekser”, “korruptim” janë budallallëqe – nëse behen nga naiviteti, ose djallëzore – nëse bëhen me vetëdije. Z.Basha, përpara se të shprehej për takimin tim me z.Bianku, do të bente mire të kishte sjellë ndër mend orët e gjata të kaluara vetëm për vetëm me z.Rama në mesnatën e 17-18 majit 2017, si edhe etiketimet e gjithfarëllojshme që i mveshën kësaj bisede keqdashësit e tij politikë. Shumë herë më e parëndesishme ishte biseda ime me z.Bianku, nëse merr parasysh faktin se, si unë dhe ai, nuk kishim asnjë kapacitet vendimmarrës në lidhje me shtyrjen e kërkuar. Sikundër sqaroi së fundmi edhe Gjykata e Strasburgut, ajo ishte një procedurë që nuk mund të realizohej në block, por vetëm rast pas rasti. Mirë për mua nuk mendoi, por z.Basha kishte detyrim të mendonte për imazhin e gjyqtarit shqiptar në Strasburg dhe të parashikonte sesi do dilte ky imazh pas publikimit të një bisede krejt të parëndësishme për politikën.

Së dyti, dua të ndalem edhe te perceptimi i kësaj bisede dhe koncepti i “papërshtatshmërisë”. Kjo fjalë në fakt nuk të thote asgjë, është sa anemike aq edhe keqdrejtuese, duke qenë se është subjektive në  thelbin e vet. Një çështje që diskutohet është ose e drejtë, ose e padrejtë, në kuptim të standardeve morale dhe/ose ligjore, që e minimizojnë subjektivitetin (në pamundësi për ta zhdukur). Po jap një shembull për ta konkretizuar idenë. Media e famshme amerikane CNN, në një editorial të datës 4 Shtator shpreh shqetësimin se një jurisprudencë e tërë shumëvjeçare e Gjykatës Supreme mund të ndryshojë nëse Republikanët, të cilët kontrollojnë Senatin dhe menaxhojnë procesin e vetingut të kandidatëve, ia dalin të zgjedhin të preferuarin e tyre, z.Brett Kavanaugh si gjyqtar të 9-të. Sipas CNN, Gjykata Supreme, që për momentin ka mbetur me 8 anëtarë, prej të cilëve 4 të zgjedhur nga Demokratët – liberalë dhe 4 nga Republikanët – konservatorë, “qëndron në buzë të humnerës, me shumë të drejta (ato që lidhen me abortin dhe diskriminimin pozitiv – për të dhënë si shembull vetëm dy) që varen nga një votë e vetme”. Vota dhe qasja që do adoptohet në lidhje me to nga gjyqtari Kanavaugh.

Sepse kur bëhet fjalë për të drejta e liri kushtetuese, e drejta i largohet konvencialitetit dhe i qaset filozofisë. Natyrshëm, një individ që s’ka edukimin profesional përkatës mund të çuditet sesi thjesht një gjyqtar i ri mund të ndryshojë kursin që gjykata më e lartë e SHBA ka mbajtur për disa dekada, por për studiuesin e të drejtës kushtetuese kjo është lehtësisht e kuptueshme, ndonëse jo lehtësisht e pranueshme. Kështu edhe në bisedën me z.Bianku, une dhe ai ndamë qasje të ndryshme në lidhje me kufizimin e të drejtave individuale. Në gjykimin tim, atëherë dhe sot, shtyrja me disa muaj e detyrimit të Shtetit shqiptar për të paguar disa individë ish-pronarë, ishte një masë e nevojshme në një shoqëri demokratike dhe në interes të publikut të gjerë, nga taksat e të cilit do të vilej pagesa. Përkundrazi, ekzekutimi i menjëhershëm i detyrimit do i linte punonjësit e administratës publike dhe pensionistët pa paga e pensione. Kjo ishte dhe është qasja ime filozofike dhe motivimi im në atë bisedë. “Babalizimi” i tekstit dhe kontekstit më tej është një histori naivësh që ju tashmë e dini. Shumë zhurmë për asgjë, vërtetë, por që ekspozoi një diletantizëm të frikshëm nga një pjesë e politikës shqiptare.

s.a/dita

September 5, 2018 09:52
Komento

1 Koment

  1. Arben September 5, 10:03

    Ky ka te drejte. Edkokaina dergoi zyrtarisht ministreshet e vet per te kerkuar mbylljen e gjykates strasburgut per popullin shqipetar, cfare ndryshimi perben seeTha edhe dhe ky dy llafe gjyqetarit, I cili duhet te jape doreheqje , s pse pas vendimit per tu mbyllur gjykata per popullin shqipetar nuk perfaqesn me shqipetaret ne ate vend.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*