Audit të shpenzimeve të kryera, shlyerje borxhi ndaj biznesit

Edlira Shehu September 20, 2013 08:33

Audit të shpenzimeve të kryera, shlyerje borxhi ndaj biznesit

Marrëdhënie e re me biznesin, shlyerje e detyrimeve ndaj tij, audit ndërkombëtar të financave shqiptare, këto ishin tre pikat e para konkrete ku qeveria do të mbështesë punën e saj për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe krijimin e një fryme të re për sipërmarrjen dhe financat e shtetit shqiptar. Këtë qëndrim shefi i qeverisë e mbajti dje në seminarin e nivelit të lartë “Forcimi i Lidhjeve në Europën Juglindore” të organizuar nga Banka e Shqipërisë. Duke e vlerësuar si të rëndësishëm auditimin e administrimit të parasë dhe shpenzimeve të kryera deri më tani, proces ky që do të kryhet nga një prej katër kompanive të mëdha ndërkombëtare të auditimit, kryeministri u shpreh se “kemi marrë një angazhim dhe do të jemi besnikë të këtij angazhimi, për të filluar menjëherë auditimin e sistemit tonë të administrimit të parasë dhe njëkohësisht të shpenzimeve në të gjitha drejtimet, auditim që të bëhet nga një prej katër kompanive të mëdha të auditimit dhe që ne shpresojmë të na sjellë më në fund pasqyrën reale të ekonomisë sonë dhe të raporteve të shtetit me paranë publike dhe me atë private”.

 

Clirim tatimpaguesve të mëdhenj nga kontrolli tatimor

Një nga angazhimet që kryeministri i ri i vendit mori dje, në emër të qeverisë që drejton është clirimi i tatimpaguesve të mëdhenj nga kontrolli tatimor. “Ne duam ta çlirojmë sipërmarrjen e madhe, të paktën 1000 tatimpaguesit më të mëdhënj nga kontrolli tatimor. Ne nuk duam të kontrollojmë më sipërmarrjen e madhe, ne duam që sipërmarrja e madhe të vetëkontrollohet përmes auditit nga katër kompanitë e mëdha”, tha Rama. Për kryeministrin Rama gjendemi në një situatë, ku ekonomia është e ndarë në ekonomi për të cilën shteti interesohet, ajo e buxhetit dhe ekonomi e sektorit privat, ndaj së cilës shteti mban përgjegjësi, për shkak të borxhit të madh që duhet t’i kthejë e që shkon në mbi 400 milionë dollarë.  “Ne nuk mund të vazhdojmë të bashkëjetojmë me këtë ngërç të krijuar nga borxhi ndaj sektorit privat. Është një borxh që ka futur gjithë ekonominë në ngërç dhe paralizuar fuqinë ndikuese të bankave mbi ekonominë për shkak të ndërthurjes së të gjithë këtij zinxhiri borxhi. Po përgatitemi ta shlyejmë një orë e më parë”, u shpreh Rama.  Zoti Rama tha se qeveria e re do të punojë për të vendosur një marrëdhënie të re me bizneset, duke luftuar korrupsionin dhe arbitraritetin e nëpunësve publikë, veçanërisht në organet tatimore. Për të ndërtuar një dialog të përhershëm mes institucioneve publike, sistemit financiar dhe biznesve, kryeministri paralajmëroi se shumë shpejt do të rivendoset në funksionim Këshilli Kombëtar Ekonomik.

 

Modeli i ri ekonomik    

Kryeministri Rama cilësoi në takimin e djeshëm nevojën e krijimit të një modeli të ri ekonomik.  “Sot kemi nevojë për një ndryshim të strukturës dhe burimeve të rritjes dhe kontributit të sektorëve të ndryshëm në prodhimin e brendshëm, duke orientuar burimet e financimit drejt këtyre sektorëve”.  Sipas Ramës shteti do të jetë në shërbim të ekonomisë dhe jo e kundërta.  Duke i qëndruar këtij konteksti kryeministri shtoi se duhet të nxjerrim mësime nga kriza, duke synuar një model më dinamik dhe integrues të saj, me një strukturë që na afron më shumë me ekonominë europiane.  “Ne do të adresojmë disa çështje kyçe për të rifilluar menjëherë rimëkëmbjen e ekonomisë, por pa  pretenduar që kjo rimëkëmbje të jetë e menjëhershme. Ne besojmë për vetë kontekstin, gjeografinë përmbajtjen dhe numrin e popullsisë, që ndryshimi i marrëdhënieve të shtetit me ekonominë, të qeverisë me sipërmarrjen është një bazë mbi të cilën mund të ngremë shumë më pas”, u shpreh ai, duke shtuar se qeveria synon një model të ri të rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke ngritur marrëdhënie të re me biznesin, me prioritete atë të vogël; së dyti me politikat e punësimit dhe së treti me politikat e mbështetjes përmes financimeve.

Edlira Shehu September 20, 2013 08:33
Komento

1 Koment

  1. Reparti Riedukimit Nr.313 September 20, 16:56

    Z. Rama auditimi duhet te filloje tek Gropa e Zeze qe ka krijuar dhe ndihmuar Banka e Shqiperise me ne Krye Bolin e Saj Ardian Fullani. Lagimi sa me pare dhe venia para pergjegjesise se fakteve koprementuese te ketij Kryemediokri dhe bythelepiresi do te sjelle shendoshjen dhe venien ne binare te BSH, ne te kundert do te fusi te gjitheve ne vorbullen e tij dhe jeni te sigurt qe do te mbyteni.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*