Australi, gjendet mesazhi më i vjetër në shishe

March 6, 2018 20:46

Australi, gjendet mesazhi më i vjetër në shishe

Një familje ka gjetur në një plazh në jugperëndim të Australisë një mesazh brenda një shisheje xhin që është hedhur më 12 qershor 1886 nga anija gjermane Paula, siç raportohet nga mediat lokale. Shënimi i shishes është më i vjetri i njohur në botë.

Zbulimi ndodhi kur Toni Illman po shëtiste me familjen e tij nëpër dunat e ishullit Wedge, rreth 180 kilometra në veri të Perthit dhe vërejti një “shishe të bukur të vjetër”, sipas rrëfimit të tij.

Brenda saj, gjendej një letër e mbështjellë me një fjongo. “E morëm në shtëpi dhe kur e hapëm, letra ishte e shkruar me dorë në gjermanisht”, tha Illman.

Mesazhi mbante datën 12 qershor 1886 dhe tregonte se ishte hedhur nga anija Paula, kur kjo po lundronte rreth 950 kilometra larg bregut jugperëndimor të Australisë. Illman kontaktoi Muzeun e Australisë Perëndimore dhe arkeologu detar Ross Anderson mësoi se ishte një shishe xhin holandeze e shekullit të XIX.

Anderson pastaj kontaktoi kolegët gjermanë dhe holandezë, të cilët e krahasuan dorëshkrimin me librin e navigimit të “Paulës”.

Ekspertët kanë konfirmuar se është një mesazh autentik nga anija gjermane. Shënimi në shishe, që mbante datën 12 qershor 1886, ishte hedhur nga anija gjermane “Paula”, si pjesë e një eksperimenti në oqean dhe trajektoreve të lundrimit nga ana e Observatorit Detar të Gjermanisë.

Me mijëra shishe janë hedhur në det gjatë eksperimentit 69-vjeçar të Gjermanisë. Familja Illman ia ka huazuar zbulimin e saj Muzeut Perëndimor australian, për dy vitet e ardhshme, e ai do të ekspozohet duke filluar nga e mërkura.

o.j/dita

 

March 6, 2018 20:46
Komento

2 Komente

  1. MH March 6, 21:12

    Mesazhi ma i ri gjindte ne malin e Dajtit hedhur po ne shishe nga Berisha.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*