Për Ramën dhe molotovët

July 8, 2019 11:01

Për Ramën dhe molotovët

Në këtë intervistë Sabit Brokaj analizon në shumanshmërinë e tyre zgjedhjet vendore që u mbajtën më 30 qershor.

Ai thotë se ishte më mirë të mbaheshin këto zgjedhje se sa të shtyheshin për një afat tjetër, duke argumentuar sipas tij pse duhej të ndodhte kështu.

Dominimi i pushtetit nga një parti e vetme ka rrezik ta kthejë kryeministrin e vendit në një autoritarist, por është në dorën e Partisë Socialiste që të mos lejojë të ndodhë kjo, mendon Brokaj.

Ndërsa për opozitën ka mendimin të presë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të ngrihet së shpejti, para se të hedhë sërish molotovët e saj para godinave të institucioneve shtetërore.

Ndërkaq, Dr. Brokaj trajton edhe çështjen se a duhet të shkarkohet në këto momente Presidenti Ilir Meta.

Ai pavarësisht se thotë se presidenti muajt e fundit u tregua i njëanshëm dhe doli nga roli që i jep Kushtetuta, beson se nisma e ndërmarrë nga Partia Socialiste nuk do të shkojë deri në fund.

Me Brokajn bisedoi gazetari i Ditës Xhevdet Shehu

– Doktor Brokaj, po e quaj këtë intervistë të sotme me ju si vazhdim të një interviste që kemi bërë bashkë para zgjedhjeve të 30 qershorit. E pra, si duhet të ndihemi pas 30 qershorit? Ju si ndiheni më i qetë apo më i shqetësuar?

– Të them të drejtën jam më i qetë, por edhe pak i bezdisur. Jam më i qetë se duke dëgjuar molotovë, duke parë dhunë dhe duke dëgjuar thirrjet për përplasje civile, për bllokime zgjedhjesh dhe përsëritje të vitit 1997, isha i shqetësuar. Në fakt këto nuk ndodhën. Nuk ndodhën edhe për shkak të paralajmërimeve të forta që mori opozita në prag të zgjedhjeve. Por kam besim edhe se Gjykata Kushtetuese problemin e këtyre dilemave të sajuara nga opozita. Gjykata Kushtetuese do të ngrihet së shpejti dhe opozita duhet të presë verdiktin e saj. Vendimi i Gjykatës mua si qytetar më jep siguri, natyrisht dhe qetësi. Zgjedhjet u bënë dhe tani ndodhemi në një fazë tjetër që po e quajmë të pas 30 qershorit dhe duhet të ndodhë një reflektim i thellë nga të dyja palët…

– Thatë se jeni i bezdisur. Pse?

– Sepse opozita këmbëngul në skenarët e saj për destabilitet. Këto protestat që i kemi parë se si i ka bërë dhe që ajo premton t’i vazhdojë të krijojnë një ndjenjë pasigurie dhe pa-qetësie. Sonte në mbrëmje është njoftuar protesta e opozitës, me të njëjtat kërkesa si para zgjedhjeve, që tregon se nuk ka ndryshuar aspak në qëndrimin e saj dhe nuk ka reflektuar mbi gabimet e saj dhe kërkesat absurde që ka parashtruar. Në fakt është koha që opozita të reflektojë thellë mbi atë që ndodhi dhe të ndryshojë me doemos sjelljen dhe qasjet e saj. Vazhdimi në të njëjtën rrugë dhe të njëjtat qëndrime është më shumë se nervozues. Është alarmant, pavarësisht se ata e dinë shumë mirë se një rrugë e tillë nuk të çon asgjëkundi. Në intervistën e mëparshme, nga fillimi i majit, kur folëm për protestat e opozitës, ju kam thënë: “E kam fjalën për atë pakicë që përfaqëson kjo opozitë me pjesën tjetër të popullit që përfaqëson shumicën dhe që mbron si luftën ashtu dhe progresin. Ajo protestë nuk ka pasur kauzë që kur u nis disa muaj më parë. Është për të ardhur keq që opozita është katandisur në atë gjendje të mjerueshme. Kjo opozitë rrugaçe është kundër integrimit të vendit në BE, është kundër interesave të këtij populli. Në të vërtetë truri që i pjell dhe ëndërron konfliktet civile është ai i Sali Berishës.” Dhe tani, pas janë bërë zgjedhjet, a më jepni të drejtë për atë pohim që u kam bërë? E keni dëgjuar si flet Berisha edhe pas 30 qershorit? Ai e ëndërron dhe mezi e pret konfliktin civil, më shumë për të shpëtuar lëkurën e tij se sa për interesa të partisë së tij që e ka marrë lumi.

– Pra ju, Doktor, mendoni se më mirë që u bënë zgjedhjet se sa të shtyheshin?

– Natyrisht që më mirë që u bënë. Për arsyen e thjeshtë se pretekstet dhe arsyet që u paraqitën për shtyrjen e tyre ishin krejtësisht artificiale dhe të pabaza. Shqiptarët duhet mësohen të respektohet me vendosmëri Kushtetuta dhe askush të mos ketë të drejtë të luajë me rregullat e saj dhe me afatet që përcakton ajo. Mua më gëzon fakti që shteti im dhe strukturat e tij i binden Kushtetutës. Shtyrja do të krijonte një precedent të rrezikshëm dhe do të prishte rregullat e sistemit duke shkelur kushtetutën. Jo, prandaj dhe them se më mirë që u bënë zgjedhjet më 30 qershor.

– Mirëpo ato zgjedhje ishin thuajse njëpartiake. A nuk është ky një defekt i rëndë pasi kanë kaluar afro 30 vjet nga përmbysja e regjimit komunist që mund të sjellë diktatin e force të vetme politike, Partisë Socialiste?

– Natyrisht, pushteti i një partie i shtrirë në gjithë vertikalen e tij, përveç presidentit, krijon premisa autoritarizmi. Është diskutuar kjo ide, por unë nuk e besoj se do të ketë kthim prapa. Procesi është në zhvillim, kam parasysh këtu Vettingun, Gjykatën Kushtetuese, strukturat e ligjit dhe gjykatat e tjera, ndaj mendoj se nuk ka ndonjë merak që lidhet me pushtetin njëpartiak. Asnjë parti nuk është e imunizuar nga ligji dhe strukturat ligjore që janë jashtë ndikimeve të saj. Kjo më jep sigurinë se asnjë pushtet i ndonjë partie të strukturohet si autoritarit që t’i imponohet popullit. Historia e kaluar nuk mund dhe nuk do të përsëritet në rrethanat e reja që janë krijuar. Këto zgjedhje nuk ishin të përkryera, pikërisht nga ky fakt, nga bojkotimi që u bëri opozita zgjedhjeve. Por kjo nuk do të thotë se zgjedhjet nuk ishin legjitime. Kërkesat e opozitës dhe veprimet që ajo ndërmori për të prishur zgjedhjet ishin të papranueshme, jo vetëm nga mazhoranca aktuale në pushtet, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Ndaj dhe u pa më e arsyeshme që zgjedhjet të bëheshin.

– Edi Rama është kritikuar në vijimësi gjatë viteve në pushtet për gabime në qeverisje. A nuk rrezikon fitorja e 30 qershorit që Rama të shndërrohet në një diktator të ri?

– Tani Edi Rama ka në dorë gjithë sistemin vertikal të pushtetit, nga ai lokal deri në atë qendror. Mbase jo për fajin e tij. Unë mendoj se, jo vetëm opozita, por Edi Rama dhe partia e tij në pushtet në radhë të parë duhet të nxjerrë mësimet e tij nga kjo që ndodhi. Vetë Edi Rama i ka pohuar dobësitë e tij kur ka thënë se ne nuk jemi të përsosur, kemi bërë edhe gabime etj. etj. Këto i kanë thënë nëpër takime gjatë fushatës për të forcuar më shumë besimin te zgjedhësit. Por meraku im është tjetërkund më i madh: Partia Socialiste duhet të demokratizohet dhe të thellohet në këtë demokratizim. Ky është dhe çelësi nëse Rama do të bëjë një pushtet autoritarit ose jo. Kjo vlen për të gjitha partitë. Por meqë po flasim për Partinë Socialiste kjo është një nevojë e ngutshme për të bindur qytetarët e këtij vendi dhe sidomos anëtarët dhe militantët e PS-së që partia e tyre nuk do të jetë autoritariste. Pra, nuk duhet të pushtohet nga euforia dhe të vazhdojë të përsërisë gabimet e këtyre gjashtë vjetëve qeverisjeje. Sepse Rama është kritikuar jo vetëm nga opozita për gabimet që ka bërë në qeverisje gjatë këtyre viteve, por edhe nga qytetarë dhe intelektualë, madje edhe brenda partisë së tij. Pra unë shpresoj që Rama të ndryshojë në shumë çështje, madje dhe në raport me opozitën.

– Çfarë duhet të ndryshojë dhe si mund të merret vesh ai me opozitën përballë atyre kërkesave ultimative të saj?

– Kur them duhet të ndryshojë, unë kam parasysh precedentët, kur në momente të caktuara, edhe në momente krizash ata janë marrë vesh. Unë po i referohem një fakti, një marrëveshjeje që ka bërë Rama me Berishën në prill të vitit 2008 për ndryshimet në kushtetutë. Ato ndryshme ishin dhe janë burimi i të gjitha problemeve që krijohen në vijimësi nga politika. Ka ardhur koha që ai gabim i rëndë të ndreqet dhe gjërat të hyjnë në hullinë e tyre normale. Kjo është një domosdoshmëri. Këtë duhet ta kërkojë edhe opozita dhe prej këtu duhet të bëhen marrëveshjet e tjera në të mirë të së ardhmes së vendit. Mirëpo çfarë ndodh? Megjithëse ka vite që theksohet dhe tregohet me gisht marrëveshja katastrofale e 2008-s për ndryshmet kushtetuese dhe kodin zgjedhor, si burimi i të gjitha të këqijave, të dyja palët heshtin, bëjnë sikur nuk dëgjojnë nga ai vesh. Edi Rama nuk e ka pohuar bindshëm asnjëherë me gojën plotë prishjen e asaj marrëveshjeje dhe korrigjimin e një gabimi të rëndë që i ka kushtuar aq shumë vendit. E duke mos pranuar korrigjimin e atij gabimi, premtimet e tjera duken llafe në erë dhe bëhen të pabesueshme. E theksoj, kthesa duhet të fillojë nga gabimi katastrofë i prillit 2008.

– Prej më shumë se një muaji Partia Socialiste ka nisur në Parlament procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Sot ngrihet edhe Komisioni i posaçëm parlamentar që do të hetojë shkeljet kushtetuese që ka bërë Presidenti. Besoni ju se do t’i shkohet deri në fund kësaj nisme dhe do ta përmirësonte apo do ta përkeqësonte situatën shkarkimi i presidentit?

– Unë nuk besoj se do t’i shkohet deri në fund kësaj nisme dhe se presidenti do të shkarkohet. Që u ndërmor një nismë e tillë dhe nisi një procedurë e tillë e pati një arsye të fortë. Them se nuk do t’i shkohet deri në fund kësaj nisme nisur edhe nga kriza politike e cila nuk duhet të tensionohet më tej. Prandaj dhe them se socialistët do të shkojnë deri në një farë vendi dhe duhet të tërhiqen.

– Megjithatë, edhe Meta duhet të tërhiqet nga qëndrimet e tij të deritanishme, apo jo?

– Natyrisht. Presidenti doli nga roli që i takon me kushtetutë për të qenë mbi palët. Muajt e fundit, presidenti Meta nuk ishte mbi palët, ai u tregua partiak i njëanshëm dhe u bë palë me opozitën. Kjo e dëmtoi imazhin e tij. Kanë dalë hapur mosmarrëveshjet e tij me Ramën dhe duket sikur mes tyre nuk ka asnjë pikë pajtimi, sidomos pas nismës për shkarkimin e tij. Ata nuk janë takuar asnjëherë zyrtarisht gjatë kësaj periudhe zhvillimesh të tensionuara, nuk janë ulur në tavolinë për të biseduar dhe gjetur rrugët e zgjidhjes së krizës, ndërkohë që kjo ishte më se e domosdoshme. Presidenti nuk arriti t’i ulë në tavolinë palët… E megjithatë unë nuk besoj se presidenti do të shkarkohet, PS nuk do t’i shkojë deri në fund nismës së saj.

– Pas kësaj disfate që ka pësuar opozita në 30 qershor, çfarë do t’i rekomandonit kësaj opozite, dhe sidomos shefave të saj, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit?

– Do t’i këshilloja të mos vazhdonin edhe më tej në atë rrugë pa krye ku janë futur prej disa muajsh. Mësimi që ta kanë marrë gjatë muajve të fundit duhet t’i vërë thellësisht në mendime dhe unë mendoj se ata kanë nevojë urgjente për të ndryshuar shumë gjëra në sjelljet dhe qasjet e tyre politike. Nëse do të vazhdojnë si deri më tani, do të jetë një vetëvrasje e parikuperueshme për ta. Ata urgjentisht duhet të binden se nuk ka rrugë tjetër, por të ulen dhe të fillojnë nga puna për reformën zgjedhore. Po vazhduan me skenarët e molotovëve nuk kanë për ta marrë kurrë veten dhe nuk do t’i besojë kush.

– Po në opsionin e zgjedhjeve të parakohshme që ka kërkuar dhe kërkon me ngulm opozita, a besoni?

– Kërkesa për zgjedhje të parakohshme nga ana e opozitës është e justifikuar gjithmonë, mbështetur në argumentet që ajo sjell duke parë të metat në qeverisjen e vendit. Por në këtë rast unë mendoj se kërkesa e opozitës nuk është e besueshme. Para se të kërkojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, opozita duhet të kërkojë me këmbëngulje  dhe ta detyrojë Ramën të pranojë ndreqjen e gabimeve që u bënë në prill të 2008-s nga marrëveshja për ndryshimin e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor. Kjo mendoj se është sa në të mirë të opozitës, aq dhe të Partisë Socialiste, por edhe të skenës politike shqiptare. Atëherë po, le të bëhen zgjedhjet e parakohshme dhe kryetarët e partive nuk do të kishin hyqmin autoritarist të deritanishëm.

 Intervistoi Xhevdet Shehu

 

July 8, 2019 11:01
Komento

6 Komente

  1. ETHEM LALAJ July 8, 11:50

    TE LUMT Z.BROKAJ.VETEM NJE GJE NUK E THE.
    -SALIU NUK PRANON DIALOG ME RAMEN K.MINISTER.KJO I SHUMZON TE GJITHA ME NJE ” 0 ” TE MADHE.
    -SALIU PO TREGOHET IDIOT 100 % KUR DIHET SE DIALIGJET JANE TE DOMOSDOSHME EDHE NE KOHE-LUFTE.
    -PSE NUK PRANON SALIU DIALOG:
    1-SE E DI QE ME PS E ME RAMEN KM NUK FITON KURRE.JO SE RAMA VJEDH VOTAT SI AI,APO ESHTE I GJATE.POR PS ESHTE NJE ORTEK I MADH VOTASH I PA THYESHEM NGA ASNJE PARTI TJERER EDHE SIKUR SALIU TE GRUMBULLOI TE GJITHE QENT E RTUGES TE VIÇIDOLIT.PD VETEM NE 92 FITOI KUR PD E SALIU NUK NJIHEJ KUSH ISHTE.DHE DIHET SI KA FITUARE BE VITE.SB ESHTE NJE KRINEL VOTASH,PRONASH E VRASES..NDAJ POPULLI NUK E VOTON MË..!
    2-SE RAMA KA BERE REFIRMA TE NDHA PER VENDIN DHE PO DON TE BEJ SHTET E JO RTUMPALLHABE SALISTE.RAMA KA MBESHTJTJEN E 75-80 % TE POLPULLIT SI DHE TE SHBA+BE …PER REFORMAT E BERA.
    3-RAMA DO ÇOI PARA REFORMEN NE DREJTESI SI INVESTIM AMETIKAN E GHJRNAN.NDRYSHE REFORMA NE DREJTESI DO SABOTOHEJ.KTE DO SALIZMI NGA FRIKA E BURGUT PER KATRAUREN QE KAN BERE NE 30 VITE.
    -PER 4 KRYEOPOZITARET KA DOSJE ME ZE E FIGURE,PER RANEN NUK KA TE TILLA.KJO PO I TMERRON ATA TE 4.
    Nga ish ushtaraku madhor mallakastriot jo anonim.

    Reply to this comment
  2. Buzuku July 8, 12:45

    Po pse duhet te terhiqe PS nga kerkesa per shkarkimin e Metes, SI nje precedent per shkaqe morale e politike te faktuara tashme, Apo ata qe kane qene e jane ne krye Jane te paprekshem. Jam dakord qe marreveshja e 2008 te korigjohen sa me pare.
    ja

    Reply to this comment
  3. Feniks July 8, 13:05

    Z.Brokaj!
    Ne se ju akoma keni mbetur ne gjykimin tuaj vetem tek KONSTATIMI i realitetit,me mire te mos shkruani!
    Nuk besoj se ka mbetur njeri ne Shqiperi qe te mos jete bindur se ne keto 30 vjet ky sistem dhe kjo klase politiuke ka DESHTUAR totalisht!
    Sot Shqiperia ka nevoje per njerez qe ta nxjerrin nga humnera ku kemi rewne,de denoncohen shkaktaret dhe te organizojne politiken per te krijuar nje klase politike qe t’i kete rrenjet ne popull e jo ne zyrat apo kafenete!
    Sot nuk duhen parti te Nanos,Metes,Milos,Rames etj,por parti te te gjithe shqiptareve ku ne themel te tyre te kene IDEALET E LUFTES ANTIFASHISTE NACIONAL CLIRIMTARE dhe jo nderimin per kuinslinget!
    Sot duhet nje parti,qe te ktheje besimin e shqiptareve se ky vend mund te behet dhe ne radhe te pare te siguroje punen,arsimin ,shendetesine,siugurine e jetes dhe drejtesine per te gjithe njelloj!Na duhet nje parti ,qe t’u ngope njerezve barkun me buke,se jetojme ne nje vend me pasuri prallore si rralle kush ne bote!
    Ne se ne Arabi pasuria e madhe eshte NAFTE,ne Shqipoeri pervec naftes kemi edhe KROMIN,BAKRIN,HEKUR NIKELIN,kemi nje natyre fantastike dhe mbi bte gjitrhe nje bregdet te pa krahasuar ne bote!
    Duam nje parti,qe t’i shohe sahqiptaret te gjithe njelloj e jo te ndare ne komuniste,balliste,socialiste apo demokrate!
    Te rrezohet i gjithe legjislaciuoni i deri tanishem se ai ka lindur dhe mbrojtur korrupsionin dhe padrejtesine!
    Duam nje shgtet,qe jo te beje Vetingje mashtruese gjoja se po pastron te keqinjte,por nje shtewt,qe te mos lejoje te keqinjte te futin hundet ne shtet!

    Reply to this comment
  4. Orakulli i Dypakut July 8, 14:28

    Ky Saboja thot me mire qe u bene zgjedhjet per arsye se kujton se vjedhja e votave eshte e ligjshme si ne diktature. Pra zgjidhja eshte te bejme nje ligj qe te lejoje vjedhjen e votave, te bejme te paligjshme PPP-te se ashtu vidhet me ligj dhe te legalizojme drogen se i pelqen njecike Ed Drames?
    Dhe e dyta si institucion a u be ndonje perpjekje per marre vesh arsyen pse nuk deshin zgjedhje apo muri 30 Qershor u ça nga koka e nje personi ?

    Reply to this comment
  5. BK July 8, 15:23

    Sistemi zgjedhor duhet te jete propocional i paster ne shkallle vendi, ku cdo parti qe kalon pragun e perfaqesimit ne parlament, te marre aq mandate ne baze te votave popullore.

    Te gjitha sistemet e tjera jane abuzive, ku plotesojne tekat e partive te medha.

    Me e keqja eshte se sistemi i meparshem, ku 100 deputet dilnin nga mazhoritari dhe 40 ne baze te votave, ishte shume me i mire se sistemi aktual mbi baze qarku.

    Pra, ne e prekim kushtetuten, por e prekim per ta shqyer dhe jo permiresuar.

    Kush mban pergjegjesi per deputetet analfabet ne parlament, ku nuk meritojne te zgjidhen as kryeplak fshati.
    Keta do te vazhdojne te marrin pensionin e deputetit, qe ja njeh statusi i deputetit.

    Edhe cilesia e kryetareve te partise, pergjithesisht eshte e ulet. Akademiket nuk jane te perfaqesuar ne politike.
    Partite politike ne Shqiperi, nuk sillen si parti, por thjesht veprojne si klube politke, pse jo edhe si shoqate, ku i hapet rruga vetem servileve rreth kryetarit.

    Votimet e 30 Qershorit, nxoren me shume probleme per mazhorancen.
    Pjesemarrja ka qene mjaft e ulet, shume socialiste, por edhe votues te PS, qe kane n je status ne shoqeri, nuk kane votuar, jo se nuk kishte gare, por ka qene nje vote kunder.

    Per mua, te dya partite e medha, nuk jane te konsoliduara si me pare, se te demokratizuara, nuk kane qene asnjehere.

    Pa u eliminuar korrupsioni ne parti, nuk mund te eliminohet ne pushtet.

    Reply to this comment
  6. Genti July 9, 07:00

    Ore zgjidhni e beni be per ke te doni ju. Loja eshte e stisur qe ne fillim dhe rezultati dihet, sepse eshte dakortesuar nga te gjitha palet, qe te jete ai rezultat. Nuk flet kot drogaxhiu i Netes kur citon fjalet Gjeneralit Kinez, per humbes e fitimtare.

    Gjithe te tjerat jane shashka teatri.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*