Baba Ali Tomori, kontributi letrar i një bektashiu të ditur

Bashkim Koçi February 28, 2016 20:45 Updated

Baba Ali Tomori, kontributi letrar i një bektashiu të ditur

Baba Ali Tomorri ishte nga fshati Shalës i Tepelenës (është njohur edhe me emrat baba Ali Kulmaku, baba Ali Prishta, Varf Ali Prishta, atë Ali Tomori, varf Ali Tepelena apo Ali Gjirokastra). Këta emra i ka marrë sipas vendeve ku ka shërbyer si bektashi. Ai si rrallëkush, ka qenë ndër klerikët bektashi më të arsimuar për kohën kur shërbeu si i tillë. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshat, vijoi mësimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës ku jepnin mësim intelektualë eruditë, me kulturë të gjerë. Ka dhënë ndihmesë të madhe në periodiket e komunitetit bektashian si “Reforma” dhe “Djersa”.

Baba Aliu kish marrë dorë nga baba Shabani i teqesë së Prishtës. Aty bëri betimin si bektashi, më pas, u vesh dervish. Ka qenë njeri i ditur. Është i njohur si kronikan, poet dhe përkthyes. Ka përshkruar në mënyrë shembullore, si të ketë qenë gazetar profesionist, ngjarjet dhe masakrat që bënë grekët në zonën e Skraparit, Tomorricës dhe Beratit gjatë pushtimit të Shqipërisë Jugore në vitin 1914. Kronikat që mbajnë në fund për autor Varf Aliun e Taronini janë të pashembullta. Dhe të mos harrojmë që atëherë ishte vetëm 20 vjeç. Për masakrat që po bëheshin nga ushtarët grekë, Varf Aliu është ndoshta i vetmi që i dërgoi një letër ministrit të Jashtëm të Greqisë, duke i kërkuar me shumë forcë, që të ndalej dora barbare e tyre, sepse po masakronin popullin e pafajshëm. Në këtë kuadër të veprimtarisë së tij patriotike, nuk mund të lëmë pa sjellë faktin që ai është ndoshta i pari atdhetar që u përpoq të sillte eshtrat e Naim Frashërit në Shqipëri që në vitin1925.

Mbas djegies së teqesë së Prishtës (atje ku sot vendi quhet Teqetë e Vjetra), varf Aliu, bashkë me baba Shabanin, baba Ahmet Koshtanin dhe disa dervishë të tjerë u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në teqenë e Kajros, te baba Lutfiu. Aty qëndruan derisa u largua rreziku i pushtuesve grekë. Sa për baba Shabanin, ai vdiq dhe u varros në Kajro. Të tjerët u kthyen në Shqipëri. Qendra për varf Ali Tomorrin ishte teqeja ku ai kish bërë betimin si bektashi, Prishta. Kjo është arsyeja që shumë shkrime të shkruara nga ai, nënshkruhen varf Ali Prishta apo Taronini. Si njeri i kompletuar (ai zotëronte gjuhën turke, arabe dhe frënge), ka luajtur një rol të veçantë në organizimin e Kongresit të Parë Bektashian që u mbajt në Prishtë. Ndërkohë varf Aliu ka qenë edhe në ceremoninë e dekretimit të baba Kamberit, mbasi në atë kohë ndërroi jetë baba Hyseni, i cili, deri atëherë kish qenë udhërrëfyesi i asaj teqeje.

Baba Ali Tomori (Prishta), si krijues, gazetar e shkrimtar, ishte i njohur edhe në rrethet letrare të vendit. Madje pas Çlirimit,  në vitin 1946, me rastin e krijimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Kryesisë  së Lidhjes. Është rasti që të sjellim  një nga poezitë e tij të shumta, e cila i kushtohet Kongresit të Parë Bektashian të mbajtur  në Prishtë: Lavdi Zotit, gjithësisë/ Në udhë të Bektashisë/ Të bijve të Shqipërisë/ Që ra dita me shkëlqim!…Falur në zotrinjtë e mirë/ Me zëmër e me dëshirë/ Nuk jemi n’errësirë…

Pas përfundimit të Kongresit, varf Ali Tomorri u dekretua baba, titull i cili iu dha nga baba Ahmet Turhani. Që nga kjo kohë u ngarkua të kryesonte teqenë e Tomorit, atë teqe me emër të madh, të cilën e kish themeluar dervish Iliazi. Nga kjo kohë e deri tani ai njihet me emrin baba Ali Tomori. Baba Ali Tomori ishte vjershëtor i zoti. Zotëronte shumë mirë gjuhën shqipe. Në kohën kur u mblodh Kongresi i Prishtës nxori një fletore të mbiquajtur “Reforma”. Vepra të tjera të baba Ali Tomorit janë Histori Bektashiane, Literatura e Bektashinjve, Bektashinjtë e Shqipërisë – një libër në prozë dhe vjersha, “Nefese dhe Gazele bektashiane”, “Flamurit të Shqipërisë”, poezi etj. Shumë nga krijimet e baba Ali Tomorit u botuan në gazetat e kohës.

Baba Ali Tomori ka qenë promotori i Kongresit të Dytë Bektashian, i cili u mblodh në teqenë e  baba Sulejmanit, në Gjirokastër. Në kongresin III të bektashizmit, i cili u mblodh në teqenë e shenjtë të Turanit, në Korçë, ku u votua për Rregulloren Bektashiane, një dokument ky me shumë rëndësi historike për fenë bektashiane,  baba Ali Tomori luajti rol vendimtar. Në këtë kongres morën pjesë jo vetëm baballarë, por edhe laikë, si: Veiz Sevrani, Mustafa Spathara, Ali Koprëncka, Hysni Toska dhe Bektash Çorrushi. Në vitin 1944  u transferua në teqenë e Asim babit, në këmbën e baba Selimit, i cili kish ndërruar jetë.

Baba Ali Tomori (Prishta), si krijues, gazetar e shkrimtar, ishte i njohur edhe në rrethet letrare të vendit. Madje pas Çlirimit,  në vitin 1946, me rastin e krijimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Kryesisë  së Lidhjes.

Ky bektashi i mirë mori pjesë drejtpërdrejt me armë në dorë, për të luftuar krah për krah me bashkatdhetarët kundër nazi-fashizmit. Është një fakt shumë domethënës (madje, do të thoshim unikal) që këtë personalitet të bektashizmit, mbledhja e Komitetit Qarkor për Beratin, e mbledhur në datat 2 – 3  të muajit gusht të vitit 1943,  e zgjodhi baba Ali Tomorin (Prishta) anëtar të Shtabit të Ushtrisë të Qarkut të Beratit, ku midis të tjerëve, bënin pjesë dhe figura të shquara të Luftës Nacionalçlirimtare, si: Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Gjin Marku, Mestan Ujaniku etj.

Më 14 janar të vitit 1948 ai u akuzua si “spiun” i anglezëve(!) Ndaj edhe e pushkatuan. Një fund ky, shumë tragjik, i pamerituar për një bektashi që kish kontribuar me aq dashuri për Shqipërinë dhe fenë bektashiane. Fjala e tij e fundit para pushkatimit ka qenë: “Ruani dorëshkrimet e mija. Rroftë Shqipëria !”

Kongresi i Parë i Bektashizmit në Prishtë dhe Baba Tomorri

Kongresi i Parë i Bektashizmit, që u mbajt në Prishtë, u pasqyrua gjerësisht në shtypin e kohës. Atij iu bë jehonë, ashtu si e meritonte, duke i dhënë një grusht të fortë atyre që kërkonin të shuanin “flakën e ndriçimit” të patriotizmës shqiptare. Që nga ky çast fshati Prishtë hyri në histori si  vendi ku hodhi rrënjë amaneti i Frashërllinjve për të lartësuar emrin e Shqipërisë. Ndërkohë, ky Kongres do të mbetej një gur i rëndë në themelet e besimit bektashi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e më gjerë. Ishte Kongresi i Parë Botëror, pas ndalimit  të këtij besimi në Turqi. Pas Kongresit teqeja e Prishtës do të bëhej qendër e madhe e bektashinjve për gjithë Jugun, duke përfshirë Skraparin, Përmetin, Beratin dhe Gjirokastrën. Madje, pas mbylljes  të  Qendrës Botërore Bektashiane në Turqi në vitin 1925, teqeja e Prishtës shërbeu për disa vjet si vend tranzicioni, deri sa ajo u vendos përfundimisht në Tiranë,  ku ndodhet edhe sot. Pra,  duhet të dimë që për një periudhë relativisht të shkurtër Teqeja e Prishtës së Skraparit ka qenë Qendra Botërore e Bektashizmit. Ai që i bëri jehonë Kongresit të Parë Bektashian ka qenë Baba Ali Tomori, të cilit iu ngarkua detyra të merrej personalisht me organizimin dhe të gjitha çështjet protokollare të Kongresit.

 

Bashkim Koçi February 28, 2016 20:45 Updated
Komento

4 Komente

  1. BLACK SWAN February 28, 21:59

    Po juve te gazetes cfare keni ??
    per cfare thekson ky shkronjesi “pushkatim per nje njeri te ditur ” ??? po pse te paditurit do pushkatonte partia ??
    jo ,ata i duheshin si zboriste ,kaptere ,koperativiste
    dje dhe sot delagate per ne kongres i duheshin
    sa me pak shkrim e kendim ,aq me mire
    ky paska qene armik qysh heret ,20 vjec dhe leter grekut i ka shkruar ….kete nuk ta fal partia
    se cfare te ….do ju spiunonte ne 48 anglezeve per morracaket e kuq ,dhe kete e di partia …e dine dhe keta qe do vdesin si envere ,blogistet qe ishin aq mire me partine …qe nuk po shuhen akoma

    RESPEKT BABA ALI TOMORIT !
    Respekt per keto rreshta qe i sillni ne kujtese te nje historie qe e ka zene alzhajmeri .

    Reply to this comment
  2. elio February 28, 22:37

    Ja edhe nje tepelens tjeter…Sa paskan qene mer….???!!!

    Reply to this comment
  3. ELIOT April 17, 19:05

    NUK CUDITEM …… ENVERI TE GJITHE SHQIPTARET QE KISHIN STUDIUAR JASHTE NE PERENDIM I PUSHKATOI ….NGA XHELOZIA ..SE VET 5 VJET NE FRANCE DHE SE MBAROI SHKOLLEN ISHTE I TRASHE I SHKRETI …ISHTE COBAN ..PASTAJ PER TU HAKMARUR I VRAU TE GJIHTHE INTILIGENCEN E SHQIPERISE ….E MBAJTI MEHMETIN PER NE FUND .SE E KISHTE SI USHTARIN E TIJE QE E RUANTE ….DHE PRANDAJ NA LA NE MJERIM ME MINISTRA COBANE SI TEFTA CAMI NGA LUSHNJA KOOPERATIVISTE ..HA HA HA .NUK CUDITEM QE SHQIPERIA ISHTE VENDI ME MJERE NE EUROPE …ME ENVER QENIN DHE SPIUNAT E TIJE CDO GJE POZITIVE DO TE ISHTE NJE EKSTAZE …NJE ENDER …..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*