Babai i vëllezërve Xhaka, letër të hapur: E dëgjuat FIFA-n? Tani na kërkoni falje!

September 8, 2016 18:01

Babai i vëllezërve Xhaka, letër të hapur: E dëgjuat FIFA-n? Tani na kërkoni falje!

Familja Xhaka nuk e ka pasur aspak të vështirë këto ditë, ndërsa ka qenë e sulmuar mediatikisht për futbollistin e Zvicrës, Granitin, i cili sqaroi më parë pse nuk zgjodhi Kombëtaren e Kosovës, por atë të Zvicrës. Graniti deklaroi se e kishte pasur të pamundur të luante për Kosovën për shkak të rregulloreve të FIFA-­s, por kjo u cilësua si një justifikim i kotë për opinionin në Kosovë dhe më gjerë, madje një pjesë e tifozëve nuk nguruan as ta etiketonin edhe si tradhtar.

I ndodhur në një presion të tillë mediatik, i ati i dy vëllezërve, Ragip Xhaka, u ka dërguar një letër të hapur mediave kosovare, përmes së cilës ka kërkuar ndjesë publike ndaj djalit të tij që luan për Zvicrën. Pas konfirmimit nga FIFA se praktikisht Graniti e kishte pasur të pamundur të luante për Kosovën, Ragip Xhaka kërkon që tani të gjithë të kërkojnë falje për fyerjet e lëshuara në adresë të tij. Por kryesisht, letra i drejtohej Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila nëpërmjet zyrtarëve të saj, pak ditë më parë deklaroi se Granit Xhaka mashtronte me justifikimet që kishte dhënë.

43511a2c0e8979d686f07608d7ffba7e

Ja letra e plotë e Ragip Xhakës që u është dërguar mediave kosovare:

Të nderuara media sportive, të nderuar tifozë, të nderuar përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës! Me një shpejtësi të rrufeshme hodhët baltë mbi djemtë e mi duke i etiketuar si tradhtarë apo si njerëz që e shesin veten për para, ose edhe më keq, kur dikush edhe kërcënonte që të mos vijmë në Kosovë, etj. etj. etj. Që ta dini, shpirti me ka dhimb, zemra më ka lëshuar, sepse isha 100 për qind i bindur se po akuzoni me të padrejtë, sepse ju edhe nuk i dinit të gjitha. Kam kaluar net pa gjumë, doja të reagoja, por ndoqa këshillën e djalit tim, që edhe pse në moshë të re, si një burrë i mençur më tha: “Baba, rri i qetë, e drejta vonon, por nuk harron.” Dëgjova këshillën e Granitit dhe heshta. Heshta duke respektuar vendimin dhe mençurinë e djalit, por shpirti më dhimbte. Graniti pak ditë më vonë iu drejtua të gjithëve me një letër të hapur, sepse ai nuk mund të duronte kaq shume të pavërteta dhe padrejtësi. Aty ai sqaroi gjithçka dhe ishte shumë i saktë. Unë, si baba, kisha shumë e shumë gjëra të tjera për të thënë, por përsëri heshta, sepse besova tek e drejta dhe forca e së vërtetës, tek djali im. Letra u shpërnda dhe u kuptua në masë të gjerë, por prapë kishte nga ata që thoshin. “Pse të jenë të vërteta të gjitha këto që shkruan Granit Xhaka?” E dija dhe isha i bindur që një ditë gjithçka do sqarohej, por jo që Zoti dhe e drejta do e sillnin brenda një jave. E pikërisht tani, FIFA, organi më i lartë i futbollit botëror, sqaroi pikërisht gjithçka çfarë Graniti kishte thënë në letrën e hapur. Gjithë ditën e lexoja dhe nuk mund ta besoja që e drejta e djalit tim doli në një kohë rekord, por edhe pse shumë i lumtur për një drejtësi dhe moral të vënë në vend, nuk doja përsëri të komentoja dhe të zgjatem tek askush nga ata që hodhën baltë mbi djemtë e mi, por dua t´u drejtohem të gjithëve me një pyetje-­kërkesë për të gjithë ata që shkruajtën, ofenduan edhe shanë.

Ragip Xhaka, në emër të familjes XHAKA, ju pyet: “A nuk e ka merituar tani XHAKA një falje publike, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë??” Unë them që po! Kjo është më e pakta që ju mund të bëni, sepse dëmin shpirtëror, ju kurrë nuk do mund të na e ktheni. Ato media, ata tifozë edhe për më së shumti Federata e Futbollit të Kosovës duhet te dalin në një prononcim me një falje publike. Ky është minimumi i minimumit që mund të bëni, sepse më shumë as nuk keni në dorë dhe as nuk mund ta realizoni. Një kërkim falje na e keni borxh mua, familjes Xhaka edhe gjithë shqiptarisë. Xhakat do nderojnë shqiptarët kudo që janë dhe do jenë një shembull i mirë për të gjithë, ambasadorë të vërtetë.

Me respekt Ragip XHAKA dhe familja”.

 

picture_supplied_by_action_images_168328

September 8, 2016 18:01
Komento

1 Koment

  1. Call of Duty September 8, 19:07

    Është anti SHqiptarizëm të shash vëllezërit XHaka. Ata dhe familja e tyre janë krenaria e kombit SHqipëtar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim