Babai im, Drago Siliqi

February 18, 2021 13:34

Babai im, Drago Siliqi

Laura Siliqi Konda

Unë nuk e kam njohur babain tim. Isha më pak se dy vjeçe kur ai humbi jetën në një aksident ajror. Largimi i tij nga jeta, në imagjinatën time prej fëmije, mori përmasa hyjnore: një supernjeri që shkëputet nga toka drejt qiellit dhe mbetet përherë në fluturim, e unë në pritje që një ditë ai të zbresë në tokë e ta përqafoj përsëri. Me kalimin e viteve, ndërsa njihesha më mirë me tim atë përmes pranisë së tij të përhershme në jetën e nënës sime, e cila e kujtonte vazhdimisht në episode të ndryshme të jetës së përditshme, si dhe përmes historive të miqve të tij të shumtë, që vinin te ne të paktën dy herë në vit (ditën kur lindi dhe në atë të vdekjes) gjithmonë i kam bërë pyetjen vetes: çfarë mund ta bëjë një njeri kaq të dashur dhe të paharruar për të afërmit, miqtë e ish-kolegët? Përse vazhdon të kujtohet me adhurim mbas kaq vitesh njeriu, poeti, kritiku e botuesi Drago Siliqi? Është pamja e tij prej Pegasusi, e ngulur në mendjen e njerëzve, përmasat e tij fizike madhështore, apo ishte temperamenti i tij i zjarrtë, shprehja me guxim e mendimeve, ndjeshmëria e thellë dhe dashuria që ai kishte për njerëzit? Ndoshta të gjitha së bashku…

Ndërsa shfletoj kujtimet e miqve dhe të ish-kolegëve, shoh vlerësimin e tyre të sinqertë, edhe pas shumë vitesh të ikjes nga kjo jetë, për një njeri që, siç kujtojnë ata, gëzohej së tepërmi me suksesin e të tjerëve. E parë përmes lenteve të kontekstit historik, nuk është e vështirë të kuptosh ndikimin pozitiv që Drago Siliqi pati në kohën kur ai jetoi. Në një kohë kur lufta e klasave forcohej vazhdimisht ai qëndroi në anën e progresit: i dha mundësinë për të ushtruar profesionin e përkthyesit intelektualëve me vlerë dhe mjeshtërve të përkthimit, një pjesë e të cilëve kishin vuajtur dënimet e diktaturës dhe ishin izoluar si të tillë, si Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Vedat Kokona, Sotir Caci, Gjon Shllaku, Klio Evangjeli, Robert Shvarc… Në vitet kur ai ishte Drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e vetmja në atë kohë, lexuesi shqiptar u njoh për herë të parë me krijimtarinë e kolosëve të letërsisë botërore si Gollsuorthit, Drajzerit, Hemingueit, Eluarit, Remarkut e sa e sa të tjerëve.

Në një intervistë, përkthyesi i mirënjohur i Iliadës, Gjon Shllaku, kujton: “… Dragoja ka qenë promotori i botimit të Iliadës. Sipas meje ai ka qenë një njeri ideal, një mecenat i palodhun”. Lasgush Poradeci, të cilin im atë e vlerësonte shumë si poet, do të thoshte se: “na qeshi fati kur drejtor u vu Drago Siliqi”. Shkrimtari Naum Prifti, me të cilin ishin kolegë në Shtëpinë Botuese, kujton: “Ai solli një frymë të re në fushën e përkthimit. Për Dragon, ruajtja e bukurisë së origjinalit ishte aq parësore sa edhe arritja e këtij

efekti te lexuesi në gjuhën e përkthyer”.

Poezia ishte dashuria e tij e parë si shkrimtar. Ndonëse u nda nga jeta kur ishte vetëm 33 vjeç, im atë la pas poezi të ndjera, si “Atdheu”, “Nana”, “Dashunia”, apo poemën filozofike “Kangë e re për dashuninë e vjetër”, një vepër që vazhdon të vlerësohet për analizën psikologjike të personazheve, si dhe për temën e kurbetit që mbetet ende aktuale. Kolegët e tij shkrimtarë e mbajnë mend si kritikun e tyre të drejtë e të paanshëm, që i analizoi e i vlerësoi veprat e tyre, që mbrojti teza mjaft të avancuara për kohën, duke kritikuar skematizimin e formalizmin në art, tendenca që po viheshin re në rritje në atë kohë; ai në analizën që i bënte veprës përmbajtjen e merrte të lidhur ngushtë me formën. Në debatin e fillimit të viteve ’60, kur u vunë përballë dy grupe krijuesish, ata tradicionalë e konservatorë dhe ata të sapoafirmuar, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Vangjush Ziko e të tjerë, ai vlerësoi dhe doli në mbrojtje të poetëve e shkrimtarëve të rinj, që sollën një frymë moderne në letërsinë shqipe. Në artikullin “Në kërkim të së resë” ai do të shkruante: “… E reja e çan rrugën me vështirësi, por herët a vonë, fitorja e saj është e sigurt. Kështu ngjet veçanërisht me të renë poetike. Elementët konservatorë, shpeshherë s’e kuptojnë kërkimin në këtë lëmë e bile, kur gjenden përballë faktit real të zbulimit poetik, ta quajmë kështu, prapëseprapë ngurrojnë në pohimin e së drejtës së ekzistencës së saj…”. Natyrisht që çdo periudhë historike ka ndikimin e vet tek autori. Por analiza nuk është e plotë, nëse nuk shohim edhe anën tjetër të medaljes, atë të ndikimit të shkrimtarit dhe kritikut në kohën kur ai jetoi. Gjithmonë më kanë vënë në mendime për miopinë e tyre disa njerëz që pretendojnë se “bëjnë kritikë objektive”, duke mohuar gjithçka të krijuar në periudhën e Letërsisë së Realizmit Socialist. E vërteta është që, brenda kornizave të një jete nën diktaturë e shtypjeje të paprecedent të fjalës së lirë, pati shkrimtarë, që falë kurajës dhe talentit të tyre, bënë të mundur që shoqëria shqiptare të mos binte në një terr të plotë intelektual e moral. I tillë ishte edhe im atë, Drago Siliqi.

Kadareja kujton vazhdimisht, krahas me këmbënguljen e mikut të tij Drago Siliqi për ta shndërruar tregimin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në romanin me famë botërore që kemi sot, edhe mbështetjen që ai i ka dhënë në vitet e para të krijimtarisë së tij, sidomos për botimin e vëllimit poetik “Shekulli im”, tepër i avancuar për kohën, duke marrë përsipër me guxim, veç përgjegjësisë si drejtor i Shtëpisë Botuese, edhe detyrën e redaktimit të librit.

Ndërsa kritiku Dalan Shapllo kujtonte: “Ai e thoshte shumë haptazi dhe me çiltërsi shoqërore mendimin e tij mbi veprat e problemet letrare, hynte në polemikë; kur diskutoheshin veprat letrare ose fenomene të veçanta, ai mbante qëndrim dhe e mbronte pikëpamjen e vet sinqerisht…”. Profesor Ymer Çiraku, duke i bërë një analizë artikujve kritikë, shkruan: “Si vëllim, këto tekste kritike të D. Siliqit, nuk janë shumë. Por ato kanë vlerën e madhe se burojnë prej ideve të guximshme dhe këto ide përqendrohen te një vizion/projeksion i palëkundur…”. Në kujtimet e tij, poeti Fatos Arapi shkruan: “Ishim përplasur disa herë, por Dragua ishte nga ata të paktët, me të cilët përplasja ia vlente. Ishte i sinqertë e guximtar… Humbja e Dragos ishte një humbje për të gjithë, për miqtë dhe për kundërshtarët, sepse tek ai kishte vend për të gjithë ne”. Shumë vite më pas, shkrimtari i ri Teodor Keko do të shkruante: “Kur ne i rilexojmë artikujt kritikë të Drago Siliqit, themi me bindje: ‘ja kritiku!’. Atje gjen analizën e hollësishme kritike të një realiteti, të cilin ne e njohëm thuajse siç e parashikon dy dekada e ca më parë kritiku ynë i njohur. Ai e zbuloi artistin që në fazën embrionale, e përkrahu atë dhe as përhapi opinione të rreme ‘S’ka vepra!’, as qëndroi indiferent ndaj botimeve më bashkëkohore”.

Këtë analizë të hollësishme të veprave e gjen edhe në letërkëmbimin e tim eti me bashkëshorten e ardhshme, nënën time, Drita Shundi Siliqi, gjatë viteve 1952-1957 kur ai ishte student në Moskë. Në këto letra mes të tjerash ai jep gjykimet e tij për shkrimtarë të traditës, si Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Asdreni, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda e Migjeni. Në një kohë kur Fishta kritikohej nga regjimi i kohës, ai do të shkruante se “…

Lahuta e Malcisë” është një vepër patriotike se i këndon heroizmit të shqiptarëve”, apo do të analizonte me hollësi veprën e Migjenit: “Sipas mendimit tim, Migjeni mbetet më i fuqishmi poet e shkrimtar i letërsisë së re shqipe. ‘Vargjet e lira’ dhe prozat e tij janë prodhime vërtet të bukura që e stolisin letërsinë tonë”. Një pjesë e vogël e këtij letërkëmbimi është përfshirë edhe në këtë botim. Është ky letërkëmbim mes dy të rinjve të dashuruar, të cilët që në embrion të lidhjes së tyre të sinqertë, janë të përkushtuar ta ndërtojnë jetën me punë të ndershme, si intelektualë të vërtetë. Por vdekja i ndau ata, duke i lënë Dritës barrën e rëndë të rritjes së të dy vajzave e vetme, duke mbajtur përherë të gjallë dashurinë për Dragon. Gjatë një periudhe 30-vjeçare ajo i botoi disa herë shkrimet e tij.

Synimi im në ribotimin e kësaj vepre përmbledhëse të poezive dhe kritikave të tim eti, si dhe i disa prej shkrimeve dhe kujtimeve të ish-kolegëve e miqve të tij, të botuara në shtypin e kohës dhe shumë vite më pas, është që lexuesi të njihet jo thjesht me Drago Siliqin, botuesin, shkrimtarin e kritikun, krijimtaria e të cilit u ndërpre në mënyrë tragjike në moshën 33-vjeçare, por përmes tij, edhe me kohën kur ai jetoi, duke lënë gjurmën e një njeriu që e dashuroi letërsinë dhe po aq shumë edhe njerëzit. Siç e parashikoi vetë im atë, Drago Siliqi kredon e tij, “Ka zogj që gjithë jetën fluturojnë,/ edhe vdesin duke fluturuar./ Ka dhe zogj që plehrave rrëmojnë/ dhe në çerdhe ngordhin të harruar”.

 

Dy fjalë për autorin

Drago Siliqi lindi më 9 qershor të vitit 1930 në Tiranë, në një familje me tradita patriotike. Bir i poetit Bllazho Siliqi dhe nip i rilindësit të shquar Risto Siliqi, Dragoja u lidh fare i ri me Luftën Antifashiste. Në fillim të viteve 1950, ai punoi në shtypin e rinisë dhe të fëmijëve dhe filloi të botojë vjershat e para. Nga viti 1952 deri në vitin 1957 studioi në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitet 1957-1958, punoi si korrespondent i gazetës “Zëri i popullit” në Shkodër. Në vitin 1958 filloi punën si redaktor e më pas drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, ku punoi derisa humbi jetën më 13 korrik të vitit 1963, në një aksident  ajror në Irkutsk të Rusisë.

Drago Siliqi ishte poet, kritik letrar dhe botues; ai i ka lënë trashëgim letërsisë shqipe poezi të frymëzuara, si dhe një numër artikujsh kritikë. Ai drejtoi me aftësi dhe pasion shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe bëri të mundur botimin në shqip të shumë kryeveprave të letërsisë botërore. Vëllimi i tij i parë me poezi, “Zgjimi i pranverës”, u botua në vitin 1950 dhe më pas u ribotua në vitin 1965. Krijimtaria e Drago Siliqit është përmbledhur në disa botime: “Kur zemra flet” (1970); “Poezi të zgjedhura për fëmijë” (1976); “Çdo vit agimet zbardhëllojnë” (1977); “Në kërkim të së resë” (1969, 1973, 1987); “Vepra letrare” botuar në dy vëllime (1986) dhe “Poezi të zgjedhura” e “Në kërkim të së resë” në dy vëllime (2000). Drago Siliqi la pas bashkëshorten e tij, Drita Shundi Siliqi (1933-2013), dhe dy vajzat Darina Siliqi Demiri e Laura Siliqi Konda.

February 18, 2021 13:34
Komento

12 Komente

  1. Veli Stafa February 18, 14:39

    Personalitete te tilla te Botes Intelektuale,ne harbuterine dhe cnjerzimin e pergjithshem te shoqnise shqiptare,ndricojne si meteore me shkelqimin iluzionist te fjales se Madhe-Njeri.

    Reply to this comment
  2. Fatmiri February 18, 17:38

    Drita-Drago nji cift i perkryer qe pa frike mund ta perkthesh si ndricim te dashurise(Drit-ndricim – Drago -i dashur),por qe pati fare pak jete!;Drita rrezatonte drite ne Tiranene e viteve ”50 dhe dashuri e embelsi tek neve nxenesit e saj te atyre viteve !
    Kujtimi i tyre ,mbetet i paharruar jo vetem tek njerzit e aferm ,por edhe tek ata qe i kane njohur apo kane puniar me ta !

    Reply to this comment
  3. Besniku February 18, 17:40

    Njenjeri me vlera njerzore, profesionale dhe shoqerore.
    Nje jete e keputur shpejt por qe la nje trashegimi per te cilen femijet krenohen me te drejte

    Reply to this comment
  4. LEON February 18, 18:05

    Ishte Engjelli mbrojtes i talenteve te rinj,si e kujtonte im ate qe ishte moshatar me te.
    Me ate pafajsi qe kishte,nuk do t`i kishte shpetuar spastrimeve te viteve 1973-1984.

    Reply to this comment
  5. Rebus February 18, 18:39

    Per mua sot,mjafton, per te vleresuar Drago Siliqin,si kollos kur ka pohuar se,

    “Sipas mendimit tim, Migjeni mbetet më i fuqishmi poet e shkrimtar i letërsisë së re shqipe. ‘Vargjet e lira’ dhe prozat e tij janë prodhime vërtet të bukura që e stolisin letërsinë tonë”!

    Edhe une ashtu gjykoj:
    Migjeni eshte poeti dhe shkrimtari me i mire i letersise shqipe!
    Se Migjeni ka bere letersi per popullin dhe ishte kundershtar i pa epur i regjimeve diktatoriale!
    Migjeni i ka bere ne kohen e duhur radiografine regjimit satrap te Ahmet Zogollit dhe kete gje deri me sot nuk e ka bere askush si ai!
    Edhe poetet dhe shkrimtaret e soitem jane ne radhe te pare lolo oborri,se ne kohen e realizmit socialist heshten,ndersa keto 30 vjet,po heshtin nga krimeve pa fund te pushtetit antikombetar,por me servilizem,shkruajne duke share kohen e shkuar , ate kohe kur u lepinin kepucet komisareve e sekretareve!

    Reply to this comment
  6. Petrit February 18, 19:39

    Eh,Drago Siliqi !
    U njohem ne Phenian,RDP Korese,qershor 1963,ku ne,te rij 19 vjecare vazhdonim studimet ne inxhineri dhe Drago – ne nje vizite zyrtare aty nga Lidhja e Shkrimtareve. Qendruam shume mbremje bashke, shetitur brigjeve te Lumit Tetong, ku ngjitur Drago kish hotelin, duke folur e biseduar si te barabarte,pavaresisht diferences se moshes.
    Mua me te me lidhi dhe fakti, qe e shoqja e tij, mesuesja e letersise Drita Siliqi, me kish dhene mesim ne shkollen Petro Nini, 1-2 vite me pare.
    Pastaj u ritakuam me Dragon ne Pekin, fillim korriku 1963, nje jave para katastrofes, te merzitur ne kulm, ngaqe kthimi per ne atdhe ishte shtyre gjate nga mungesa e biletave te avionit Moske-Budapest. Na shprehte edhe mallin e pafund per familjen, sidomos per vajzat e vogla!
    Ai u gezua pa mase, kur nje punonjes i ambasades ne Pekin e shtyu kthimin per ne Shqiperi dhe i dha Dragos bileten e tij. Qelloi te ishte bileta e vdekjes!!!
    Rrezimi i avionit ne pisten e Irkutskut dhe humbja e jetes se Dragos dhe disa shqiptareve te tjere me 13 korrik na tronditi rende!…
    Per aq kohe te shkurter te njohjes, por ne rrethana te vecanta, do te na mbetet e pashlyer nga kujtesa figura e tij e bukur, buzeqeshja e tij, ajo menyra e cilter e komunikimit me ne te rinjte dhe kurioziteti i tij gati feminor per jeten ne ate vend aziatik te mbyllur!
    I paharruar qofte!!

    Reply to this comment
  7. Guri Naimit D.(Dh.Xh) February 18, 21:00

    E nderuara CUPE e te ndiriturit , sa te pa harurit si PENE-Drago Siliqi,- njohur mes Tiranes sa,ato dite nisur drejt Moskes Student,sa kuaderi gazetar kuader i viteve, une bashkekohes, 5 vjet Ai para meje, une, Stdent,mare dhimbjen me te madhe,per ate aksident mesuar, Avioni mes Siberise, jeten marre ,Atij MODELI te te RNJVE tane, KUADRO te PRA dale pas clirimit te vendit,,bere bere MODEL-Kuader sa i penave letrare te kohes,. i Madhi *MIGJEN*(e quaj Une).
    Urate pac moj bije e nderuar Laura-Silqi=Konda,,per keto mbresa sjelle ,per ate BABA ,2 vjec mbetur pa Te.
    Miresi Ju uroj.familiarisht.
    I perjetshem Kujtimi i Drago Siliqit. 33 vjecar ndare tragjikisht nga jeta krye deryres-
    Ai……..
    *Migjeni* i kohes sone

    85 vjecari *Pasues veteran*-MESUES.
    Biri *Dangellise Naimjane*

    Toronto 18-02-2021 Dhimiter M.Xhoga.*G.N,D.*

    Reply to this comment
  8. demo February 18, 21:28

    Zoti Petrit keni dhene nje pershkrim te gjalle per Mbrojtesin e kultures boterore ne Ndermarrjen Botuese Drago Siliqi.Duke mbrojtur kulturen Ai solli ne Letersine e perkthyer emra si Cvajg,Paustovskij,Mopasan,Esenin,Franz,qe ne ne vitet 70 pyesnim:si ka mundesi te kete lejuar enver hoxha perkthimin e tyre?Mbrojti perkthyesit e tyre te burgosurit politike Gjon Shllaku,Pashko Gjeci,Dhimiter Pasko,Vexhi Buharaja,.Edhe atehere ne Ndermarrjen botuese dhe Lidhjen e shkrimtareve ishin ca shpirtqen te luftes se klasave si Dhimiter Fullani,Luan Qafeziu,Fatmir Gjata,Koco Biqiku,Razi Brahimi,Thanas Nano,,qe ja nxine jeten Kin Dushit,shokut me te ngushte te Dragos se ndjere.

    Reply to this comment
  9. alphade February 19, 02:03

    E nderuara zonje, Laura Siliqi ! Thjeshte per kuriozitet : Kam patur nde-
    rin dhe privilegjin ta njoh une babain tend ne vitin 1963-64 nuk me kujtohet me saktesi ! Erdhi me Javer Malon per
    nje vizite ne nje vend te larget dhe qen-
    druan rreth nje muaj e gjys ! I shoqero-
    va kudo ! Me pershtypje te jashtzakon-
    shme, mbi te gjitha per humorin e tij,ka-
    karakterin e tij rinor, sinqeritetin e tij te
    admirueshem , thjeshtesine ! Ate mund
    ta beje shok dhe mik qysh sa hidhje dy
    hapa ! Por ajo qe me ka lene mbresa te
    pashlyeshme ne kujtesen time eshte “premonitioni” i tij ! Kur I ndame ne ae-
    ropprtin “X” me thote: “Pas 3 muajsh do
    te nisem per ne Kine por nuk e di se
    c’kam nje parandjeje (premonition) jo te
    mire per kete ushering……! Kur mora
    vesht per tragjedine e rrezimit te avionit
    ne Siberi ku lane jeten 5 shqiptare : 3 nga familia e R.M , nje diplomat elbasa-
    nas dhe Drago te them te drejten pa e
    tepruar sa here e kujtoj kete emblema-
    tik njeri te ralle me shkon mendja te “premononition-I” ! Eh sa kujtime ruan-
    ka njeriu be kete moshe nga fundi i je-
    tes por qe ne rini nuk i vlereson …… !
    Thjeshte e bera per kuriozitet kete koment …..! I perjetshem qofte kujtimi i
    tij …..!!!!

    Reply to this comment
  10. alphade February 19, 02:11

    E nderuara zonje, Laura Siliqi ! Thjeshte per kuriozitet : Kam patur nde-
    rin dhe privilegjin ta njoh une babain tend ne vitin 1963-64 nuk me kujtohet me saktesi ! Erdhi me Javer Malon per
    nje vizite ne nje vend te larget dhe qen-
    druan rreth nje muaj e gjys ! I shoqero-
    va kudo ! Me pershtypje te jashtzakon-
    shme, mbi te gjitha per humorin e tij,ka-
    karakterin e tij rinor, sinqeritetin e tij te
    admirueshem , thjeshtesine ! Ate mund
    ta beje shok dhe mik qysh sa hidhje dy
    hapa ! Por ajo qe me ka lene mbresa te
    pashlyeshme ne kujtesen time eshte “premonitioni” i tij ! Kur I ndame ne ae-
    ropprtin “X” me thote: “Pas 3 muajsh do
    te nisem per ne Kine por nuk e di se
    c’kam nje parandjeje (premonition) jo te
    mire per kete udhetim …! Kur mora
    vesht per tragjedine e rrezimit te avionit
    ne Siberi ku lane jeten 5 shqiptare : 3 nga familia e R.M , nje diplomat elbasa-
    nas dhe Drago te them te drejten pa e
    tepruar sa here e kujtoj kete emblema-
    tik njeri te ralle me shkon mendja te “premononition-I” ! Eh sa kujtime ruan-
    ka njeriu be kete moshe nga fundi i je-
    tes por qe ne rini nuk i vlereson …… !
    Thjeshte e bera per kuriozitet kete koment …..! I perjetshem qofte kujtimi i
    tij …..!!!!

    Reply to this comment
  11. AD February 20, 07:19

    ASKUSH NUK NDERON SI I NDERUARI !

    – Nga Alban Dega, Nju Jork

    Keto dite shkrimtari, kritiku letrar, poeti, gazetari, publicisti Drago Siliqi do te festonte 80 vjetorin e ditelindjes se tij. Do at festonte po te mos humbiste jeten ne 33 vjetorin e diltindjes se tij, kur avioni me te cilin udhetonte, nje “ Tupolev” socvjetik te mos rrezohej ne Aeroportin e Irkuskut, ne Siberi me 13 korrik te vitit 1963.
    Ne kete pervjetor te lindjes se tij, shkrimtari i shquar dhe jetshkruesi me i mire shqiptar i te gjithe kohrave , Nasho Jorgaqi ka botuar nje perkujtimore me titull “ Drago, një jetë e shkurtër, një emër jetëgjatë” ne gazeten e sotme “Shekulli”
    Si gjithnje penda e Nasho Jorgaqit na ringjall dhe sjell te gjalle midis nesh nje krijues, nje poet, nje shkrimtar, nje kritik, nje gazetar te nderuar si Drago Siliqi.
    Disa detaje te panjohura dhe te pabotuara kurre te vdekjes se tij tragjike nga goja e nje viktime te gjalle shpirterore te te njejtit aksident…

    Nje nate ne krahet e vdekjes

    … Ka qene java e dyte e dhjetorit te vitit 1990, kur sapo kishin nisur protestat studentore ne Tirane. Ktheheshim nga Buenos Ajresi pas nje vizite disaditeshe ne tri shtete te Amerikes Latine, ku u pritem ne nivelet me te larta. Beja rolin e perkthyesit dhe gazetarit shoqerues te ish- Ministrit te Jashtem te Shqiperise Reiz Malile ne ato tre vende. Nje dite me pare ai ishte pritur nga ish- Presidenti i Argjentines Carlos Menem, ne pallatin e tij ne Buenos Aires.
    Ishte fillimi i veresne Buenos Aires, ndersa dimri i ashper ne Shqiperi kishte nisur me pranveren studentore demokratike
    Sapo u ngritem nga aeroporti i Rio De Zhaneiros, avioni u godit nga nje varg rrufesh sferike ne nje uragan te jashtezakonshem tropikal. Per fat ishte nje “Boeing 747” gjigand amerikan i “ Ai Fransit” …
    Per te dhjeten e sekondes dritat brenda avionit u fiken dhe u rikthyen perseri. Sistemi rezerve u fut ne pune atehere kur ne ishim shume me afer vdekjes se jetes… Teknologjia amerikane e fluturimit eshte mbreti i Botes.
    Sapo u ngrit mbi shtellungat perbindeshe e te zjarrta te stuhise, nga lart dukej sikur fluturonim mbi nje vullkan gjigand nga vetetimat pa fund qe ndiznin flake rete, dallget e oqeanit, gjithcka. Avioni dridhej dhe kerciste si nje kuti me arra. Kthej koken ne anen e djathte dhe shikoj se motori kryesor nuk funksiononte fare. Turboja e tij kryesore sillej sa majtas sa djathtas thjeshte nga rryma e ajrit qe perlasej ne te.
    “ Kemi kaluar rrezikun vdekjeprures… Do te fikim edhe motorin kryesor ne krahun e majte te aeoplanit per te ruajtur ekuilibrin e tij” u degjua zeri i kapitenit te tij francez “Mos u shqetesoni pasi ky aeroplan gjigand mund te fluturoj edhe vetem me nje motor… Ne kemi ne funksionim te plote dy prej kater motoreve te tij. Lidhni rripat e sigurise dhe mos i hiqni per asnje cast… Qetesi u lutem!”

    Takimi i munguar i Reiz Maliles

    “ Mesa duket do te takoj sot ish- bashkshorten bashke me dy djemte…“ me thote me nje qetesi stoike, legjendare Reiz Malile, ish – ambasadori ne Republiken e Kines ne vitin 1963, ish- ministri i Jashtem i Shqiperise dhe nje nga diplomatet me te shquar te saj. Me duk sikur po na ftonte per te pire nje kafe.
    Shpetim Caushi, sot ambasdador i Republikes se Shqiperise ne Beograd si te gjithe pasagjeret e shumte te aeroplanit ishte bere dyll i verdhe si limon, por as ai nuk e dha per asnje cast veten
    Une kisha kaluar nje situate edhe me te veshtire heren e pare qe kisha udhetuar me avionin perurues te linjes Tirane- Pekin me 27 nentor 1974, kur ishja vetem 18 vjec. Ishte nje “Boeing 707”, qe cilesohet si nje liliput ne krahasim me 747-in. Ai hasi ne nje boshellek ajri ne vargmalet midis Kines dhe Pakistanit dhe pesoi nje shafitje ( renie te menjehershme) prej rreth 2000- 3000 metrash…. Shihnim majat e maleve ne dy anet e avionic qe ngjiteshin si thika gjigande ne dy anet e tij.
    Humba ndjenjat si shume passage te tjere. U zgjuam pas rreth nje apo dy oresh. Mua me rridhte gjak nga hundet. Dikujt tjeter nga veshet. Dikush vazhdonte te nxirrte edhe zorret e barkut nga te vjellat. Zoti na kishte shpetuar gjalle!

    Me Drago Siliqin nen 10 mije metra lartesi dhe …

    Edhe per te larguar mendjen nga rreziku mbi te cilin fluturonim e nxis muhabetin me Reizin per ate ngjarje te kobshme…
    – A ke degjuar per Drago Siliqin!? me pyet ai.
    – Po… Kam shume respekt per vajzen e tij Lauren. Ajo eshte nje gazetare shume e mire dhe teper serioze. Vjen vazhdimisht ne ATSH dhe kam bashkepunim shume te mire me te, i pergjigjem.
    – Ka qene nje talent i rralle…. Shkrimtar, poet, gazetar, kritik… i gjithanshem. Talent i rralle…Enciklopedi e gjalle… Dy tri ore perpara e kisha percjellur ne Aeroportin e Pekinit. Ate , bashkshorten dhe dy djemte mi, driten e syrit dhe gazin e shpirtit per cdo njeri.
    Po ate dite, e mbaj mend si sot ka qene 13 korriku i vitit 1963, kishim nje takim me shume rendesi me Mao Ce Dunin, Liu Shao Cine, Cu En Lain , Ten Hsiao Pinin… pra me kupolen drejtuese te Kines. Vura re qe Mao, Cu dhe Teni ishin te vrenjtur dhe donin te me thonin dicka jo te mire, por nuk me thane asgje.
    Pa pritur futet truproja kryesor i Mao-s dhe i jep nje raport ne kinezce dhe pasi e laxon ia kalon Cu-se e ky Tenit. Shkembyen nje shikim me njeri tjetrin dhe Ten Hsiao Pini me drejtohet mua:
    – Shoku Reiz kemi nje lajm shume te rende per ju ndaj mbahu i forte si Mali i Dragoit… Avioni sovietik me te cilin udhetonin bashkeshortja dhe dy djemte tuaj eshte rrezuar ne Inkursk dhe nuk ka mbetur esnje i gjalle…
    Mu duk sikur tavani i salles se pritjes me ra mbi koke… Mu ngushtua kraherori. Po me zihej fryma, kur dy mjeke te Mao’s ardhen e me bene dy gjilpera.
    – Ta kthejme dhimbjen ne force , mu drejtua Mao ce Duni duke me perqafuar, ndersa ne syte e Cu En Lait pashe dy pika lot, nje gjest shume i rralle per udheheqesit dhe kinezet ne pergjithesi. Me perqafuan me radhe duke me ngushelluar e duke me dhene kurajo.

    dhe me lideret historike te Kines

    – Po Dragoja, e pyes une Ten Hsia Pinin… Po Drago Siliqi, e pyes une sikur po e pyesja per nje qenie hyjnore, per nje dragua …
    – Ne jemi duke marre informacion cdo cerek ore, me thote Teni, por avioni eshte bere cope dhe nuk ka asnje te plagosur. Te 32 pasagjeret dhe anetaret e ekuipazhit kane humbur jeten! Ne kemi njoftuar ambasadorin tone ne Moske dhe konsullaten me te afert qe te merren seriozisht me kete aksident te rende.
    Edhe per nje kryediplomat, nje ambasador ne vendin aleat strategjik te Shqiperise ne ate kohe, koncepti per nje krijues, per nje intelektual, per nje shkrimtar si Drago Siliqi ishte koncepti i dragoit…
    – Si duket sot e kemi radhen ne… tha me gjysem zeri Reiz Malile ndersa une porosita “Kuarvazjene” e peste per vete dhe te dytin per te. Avioni kishte filluar te humbiste shpejtesi dhe lartesi njekohesisht…
    … Nuk kam pire kurre ne jeten time aq konjak sa ate dite kur ishim me afer vdekjes se jetes ne barkun e atij superdragoi te plagosur amerikan, ne krahet e vdekjes… U zgjova mbas gjashte ore fluturim nga kercitjet e avionit. Nga dritarja e “Boingut” shikoj valet e Atlantikut qe gati po perpinin krahun e djathte te “Boeingut 747“ . Ai luhatej sa majtas , sa djathtas ne luften per mobijetese te gati 300 pasagjereve ne bordin e tij dhe te atij vet.
    – Behuni gati per ulje, degjoj zerin e kapitenit. Per dy minuta do te ulemi ne Aeroportin e Dakarit ne Senegal. Ishte aeroporti me i aftert dhe me i ulet mbi nivelin e detit, ne kushtet kur avioni fluturonte ne lartesi nen minimalen e lejuar per shkak te goditjes nga rrufete dhe uragani.

    Diferenca midis vdekjes dhe jetes

    Me eshte kujtuar me dhjetra here kjo ngjarje jo e zakonte pasi lexova per aksidentin e “Airbusit” te se njejtes kompani ajrore para dy vjetesh qe u perplas ne ujrat e trazuara te Atlantikut sipas te njejtit itenerar Buenos Aires- Rioz De Zhaneiro- Paris, ku humben jeten mbi 300 pasagjere dhe personel i avionit dhe qe kurre nuk u gjeten as kutite e zeza e as pjesa me e madhe e tij qe perfunduan ne fundin e Oqeanit ne mbi 200O metra thellesi…
    Ashtu mund te kishim perfunduar edhe ne. Te njejtat kushte, te njejtat aresye klimatike. Te njejtat rreziqe… I vetmi ndryshim ishte teknologjia aeronautike amerikane e “Boeingut 747” si maja e Botes aeronautike civile…
    Sapo rrotat e avionit preken pisten e aeroportit te Dakarit, kapiteni jep mesazhin e fundit: “ Pergezime qe jemi gjalle… Asnje lloj avioni tjeter nuk do te kishte perballuar nje uragan te tille tropikal dhe rrufete sferike. Kemi pasur edhe dhjete minuta benzol per fluturim …. Do te presim tete ore ne aeroport derisa avioni tjeter te vije nga Parisi per tu derguar ne destinacionin tuaj te fundit, Sharl De Gol, Paris… Faleminderit!”
    Duartrokitjet e pasagjereve mbyten zhurmen e motoreve te lodhur dhe ne grahmat e fundit te “Boeingut 747”
    Zoti nuk e kishte shkruar qe ne tre shqiptaret e vetem ne ate avion te bashkoheshim as me bashkshorten, as me djemte e as me Drago Siliqin e nderuar! Teknologjis e ndihmoi…

    Ne vend te epilogut

    Njeriu mund te genjeje per te vdekurit. Ata nuk mund te deshmojne. Per kete ngjarjer eshte ngjalle njeri nga protagonistet e saj, Z. Shpetim Caushi, ambasador i Republikes se Shqiperise ne Beograd.
    Zoti Reiz Malile tashme eshte ndare nga jeta dhe i eshte bashkuar bashkeshortes, dy djemve te mitur dhe mikut te tij “talent i rralle” dhe “enciklopedi e gjalle” Drago Siliqi ne Boten e amshueme.
    Bashkeshortja e tij ka qene motra e ish- Presidentit te Shqiperise, Ramiz Alia.
    Faleminderit Nasho Jorgaqi per freskimin e nje ngjarje te ngjashme me pasoja krejt te ndryshme. Faleminderit per nderimin e nje personaliteti te nderuar te letrave, krijimtarise shqipe si Drago Siliqi.
    Askush nuk di te nderoje si i nderuari, thote sovrani popull.

    From: [email protected]
    Date: August 17, 2010 at 15:45:41

    Reply to this comment
  12. Pandeli Pasko Kuteli February 22, 18:46

    Kujtim i merituar! Shkrim i bukur dhe i vertete. Edhe ne shtepine tone u ndje fort humbja e Dragos, si degjonim ta quante me afersi Babai ne bisedat me miqte.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim