Bakaj i dhuron fitoren Tiranës kundër Teutës

October 27, 2014 12:55

Bakaj i dhuron fitoren Tiranës kundër Teutës

Tirana thyen më në fund “tabunë” Teuta dhe ruan kreun e renditjes së Superiore. Pas pesë ndeshjesh, bardheblutë triumfuan më në fund ndaj durrsakëve, në “Niko Dovana” ku ishte regjistruar dhe suksesi i tyre i fundit ndaj kësaj skuadre.

Vendosi një gol i Elis Bakajt, që shfaqi dhe një herë klasin e tij duke zgjidhur një ndeshje shumë të ekuilibruar mes dy formacioneve. Pozitat në renditje por dhe ecuria në javët e fundit ishin të ndryshme: me Tiranën që vinte si kryesuese, e durrsakët që kishin humbur dy sfidat e fundit në kampionat. Pas vetëm 50 sekondash, një ish si Koreshi për pak sa nuk kaloi në epërsi Teutën. Fillimi i vrullshëm nuk pati një vazhdim po kaq të vrullshëm, me dy skuadrat që zhvilluan kryesisht një lojë fizike dhe të mbyllur.

Përgjithësisht loja ishte e ekuilibruar dhe për të parë një rast tjetër duhej pritur deri në minutën e 35-të, kur Rafael lëshoi një goditje nga distanca që kaloi ngjitur me traun e portës. Për Tiranën mundësinë më të mirë e pati Pashaj në të 45-ën, që provoi një kthesë në zonë pas një harkimi të ardhur nga këndorja.

Me Tiranën në sulm nisi dhe pjesa e dytë, teksa Bakaj nuk goditi menjëherë në të 47-ën duke humbur befasinë. Ritmi megjithatë nuk do të ndryshonte nga ai i pjesës së parë, me dy ekipet që ishin tejet të kujdesshme në fushë. Në këto kushte nevojitej një magji për të prishur bardhësinë e shifrave, dhe atë e bëri Bakaj, në të 76-ën, kur me një goditje fluturimthi mposhti Rizvanin duke u dhënë epërsinë bardhebluve.

Një avantazh të cilin Tirana e menaxhoi si një skuadër e vërtetë kryesuese duke marrë një fitore të rëndë në transfertë, por duke zhytur Teutën, që pëson të tretën humbje radhazi, sërish me rezultat minimal.

October 27, 2014 12:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*